TË ZËNËT E PAMËKAT TË MARISË (ZOJA E PAPËRLYER)

Categories HomeliPosted on
Zan 3, 9-15; Ef 1, 3-6.11; Lk 1, 26-38

Në këtë ditë Kisha kremton festën e Zojës së Papërlyer, pra se Zoja e Bekuar, qysh se qe ngjizur në kraharorin e nënës së vet, u ngjiz pa «mëkatin e rrjedhshëm», apo «mëkatin origjinal»,siç e njohim ndryshe. Kjo gjë nuk ka ndodhur me asnjë njeri tjetër, përveç se edhe me Jezu Krishtin.

Në vitin 1854 Papa Pui IX shpalli në mënyrë solemne se Kisha beson ngjizjen e pamëkat të Marisë, Nënës së Jezu Krishtit. Papa, në këtë mënyrë, po përmblidhte me autoritetin e tij tërë përshpirtërinë e Kishës ndër shekuj, përshpirtëri e cila, me kohë, besonte se Virgjëra Mari mund të ishte e zënë pa mëkat.

Kjo dogëm feje u bë edhe më e bujshme në mbarë botën kur, vetëm katër vite më vonë, në vitin 1858, vetë Zoja e Bekuar, duke iu shfaqur në Lurd të Francës vogëlushes katërmbëdhjetë vjeçare Bernadetë Subiru, i thotë: «Unë jam të Zënët e Pamëkat». Lurdi, si pasojë e këtyre të shfaqurave, do të bëhej pastaj njëra prej shenjtëroreve më të njohura e më të dashura të mbarë botës.

Vetvetiu tani na vjen në mendje të pyesim së çfarë është mëkati i origjinal, mëkati i parë, nga i cili u ruajt Zoja e Bekuar! Prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, na kanë trashëguar këtë mëkat, por nuk duhet të themi se, si pasojë e kësaj, një fëmijë lind me ndonjë mëkat. Fëmija nuk bën mëkat pa ia arritur moshës së arsyes. Por nga prindërit e parë na është trashëguar një «mungesë familjariteti me Zotin», që në gjuhën e Kishës njihet si mungesa e Hirit Shenjtërues. Sikur mos të kishte ndodhur ky mëkat i rrjedhshëm (domethënë që ka rrjedhur përgjatë breznive), ne do të ishim si “të shtëpisë” me Zotin. Ndërsa tani e ndiejmë të gjithë vështirësinë për t’iu hapur këtij familjariteti.

Të shohim leximin e parë, sepse aty na tregohet më së miri se çfarë mekanizmi të mbrapsht vuri në lëvizje ky mëkat i parë, ky kundërshtim i parë që njerëzit i bënë Hyjit.

Pjesa e sotme fillon me skenën menjëherë pas mëkatit: Zoti e thërret Adamin me fjalët «Ku je?». Është fjala që jehon në ndërgjegjet tona sa herë që largohemi nga Hyji ynë, i cili menjëherë vihet në kërkimin tonë.

Por Adami ishte fshehur nga Hyji. «Dëgjova zërin tënd në kopsht e u tremba, sepse jam lakuriq e u fsheha!» Lakuriqësia këtu është si metaforë për të treguar humbjen e pafajsisë, e çiltërsisë dhe thjeshtësisë para Hyjit. E, kur Hyji i thotë: «Mos hëngre frutat nga pema prej së cilës të kam urdhëruar të mos hash?», Adami – ai që, kur Hyji ia kishte krijuar Evën si dhuratë për ta bërë të lumtur kishte klithur «kjo është mishi i mishit tim» në shenjë të mirënjohjes dhe plotësisë që ndiente – i jep tani Hyjit këtë përgjigje vërtet të ligë: «Gruaja që ma dhe për shoqe, ajo më dha frut prej pemës dhe hëngra». Na vjen instinktivisht të themi se Adami ia la fajin gruas, por nuk është ashtu, sepse ai fajin ia lë në fakt vetë Hyjit: «Gruaja që ma dhe për shoqe». Fajin tani e paska Hyji që ia ka «dhënë për shoqe». Adami, poeti i flaktë i dikurshëm, tashmë është i aftë të godasë kaq thellë në zemrën e Hyjit dhe, njëkohësisht, edhe në zemrën e Evës.

Nga ana e saj edhe Eva e ka humbur këtë thjeshtësi e çiltërsi para Zotit: në vend që të kërkojë sinqerisht të falur për atë që kishte bërë, përpiqet të dalë e pafajshme duke ia lënë fajin tunduesit: «Më gënjeu gjarpri dhe hëngra».

Mjerisht, mekanizmi i përçarjes mes njeriut dhe Hyjit, ka filluar. Kjo përçarje do të zgjerohej me pasojë të rënda edhe raportet e njerëzve më njeri-tjetrin dhe me krijesat e tjera. Nga kjo frymë përçarjeje Hyji e ka ruajtur Marinë në ngjizjen e saj në kraharorin e së ëmës.

Hyji vetë e paralajmëron madhështinë e Marisë dhe lindjen e Birit të vet Jezusit kur i drejtohet djallit: «Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas, ndërmjet farës së saj e farës sate: fara e saj do të ta ndrydhë kokën. Kurse ti do t’ia ngjesësh në shtet për thember». Etërit e Kishës këtë fjali e kanë parë si Lajmi i parë i Mirë, në kuptimin që parakallzonte Mishërimin e Birit të amshuar.

«Fara e saj do të ta ndrydhë kokën» flet për Jezusin: Ai do t’ia ndrydhte kokën djallit duke e mposhtur me vdekjen e ngjalljen e Tij. Por është interesante se si Hyji i kishte thënë djallit edhe «Armiqësi do të ve ndërmjet teje e gruas». Është e vërtetë se vetëm Krishti është Ai që e ka mposhtur djallin, por, në saje të meritave ta parapara të Krishtit, Hyji ka dashur ta bëjë fitimtare edhe Marinë në këtë beteje, duke e ruajtur atë nga njolla e mëkatit origjinal. Në Marinë Hyji e ka ruajtur atë pafajësi, çiltërsi e thjeshtësi që njerëzit e parë e humbën. Maria nuk bënte ndonjë gjë të veçantë në këtë botë, por jetonte tejet natyrshëm lidhjen e saj me Hyjin e vet. Kaq natyrshëm, saqë ishte pa asnjë mungesë përballë Zotit. Jo më kot engjëlli Gabriel i drejtohet asaj duke e quajtur «Hirëplote» e duke i thënë jo «Zoti qoftë me ty», por «Zoti me ty». Sa bukur: nga Lumnia e Parrizit, Hyji e cakton një kryengjëll që të cilit të zbresë në tokë e t’ia drejtojë këtë përshëndetje të pazakontë kësaj vajze të re krejt të pastër në shpirt. Prandaj teksti ungjillor thotë: «Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje?». Nuk ishte normale që në tokë dikush t’i drejtohej dikujt me fjalë të tilla: «Hirplote, Zoti me ty».

Maria nuk i kundërshton planit të jashtëzakonshëm të Hyjit që po dëgjonte nga goja e këtij të dërguari qiellor, por vetëm përpiqet të kuptojë sadopak. Pasi engjëlli, me fjalë plot domethënie (që nuk është rasti t’i zbërthejmë) ia shpjegon këtë plan, ajo përvujtërisht thotë: «Unë jam shërbëtorja e Zotit: më ndodhtë siç the ti!». Pa asnjë ankesë, ajo që e dinte se ligjet e kohës e dënonin me vdekje një vajzë që gjendej shtatzënë jashtë martesës, pranoi atë që Zoti i kërkonte. Kështu ajo bëhet model vërtetë prekës se si duhet t’i hapemi fjalës së Hyjit: pa ankesa, pa ngurrime, pa frikë.

Prandaj, pas Jezusit, Maria është modeli më i bukur i shenjtërisë. Fjalët që Shën Pali i thotë sot në leximin e parë – «Në Krishtin Hyji na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të parpëlyer para Tij në dashuri» – gjejnë plotësi pikërisht në Marinë. Të gjithë jemi të thirrur të duam Hyjin e njëri-tjetrin pa mungësa, të gjithë jemi të thirrur të jemi «të papërlyer në dashuri», por në ne është trashëguar prirja për mëkat, pasojë e mëkatit origjinal, të cilën as pagëzimi nuk na e heq. Në Marinë kjo prirje nuk ishte.

Megjithatë edhe Marisë i është dashur të vuajë disa pasoja të mëkatit. Jo të mëkatit të saj, por të mëkatit të botës. Kjo pasojë do të kulminonte në kryqëzimin e Birit të saj, por nuk ishte fort më e lehtë as përpara. Gjëja që e ka ndihmuan Marinë ka qenë fakti se ajo kurrë nuk ka zgjedhur të bënte siç bënë njerëzit e parë: të merrte vendime pa Hyjin. Kurrë nuk ka dashur ta njolloste këtë familjaritet të ëmbël me Zotin e vet. Prandaj ne tani e quajmë «e Papërlyer».

Kështu, në saje të meritave të Krishtit, Maria ia ka shtypur kokën tunduesit i cili, patjetër, kushedi sa e sa herë, duhet të jetë përpjekur ta largonte nga Zoti siç largoi njerëzit e parë.

Një herë, një ekzorçist tregonte se si, gjatë një ekzorçizmi, e kishte pyetur djallin: «Përse kur unë përmend emrin e të Shenjtërueshmes Mari, ti përpëlitesh më fort se kur unë përmend emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit?». E djalli i  ishte përgjigjur: «Po sepse, të jem i mposhtur nga Hyji e di se është e pashmangshme, por me vjen të pëlcas kur më duhet të pranoj se jam i mposhtur edhe nga një krijesë». Një tjetër ekzorçisti djalli i kishte thënë: «Çdo “Të falemi Mari” për ne është si një shkop i rëndë kokës».

Janë detaje që të bëjnë të mendosh vërtet shumë për hiret e mëdha që Zoti i ka dhënë kësaj gruaje. E, në fakt, nuk ekziston një grua me e famshme se ajo. Përshpirtëria e Kishës gjithnjë i ka rezervuar Marisë fjalët e titujt më të dashur. Njëri prej poetëve më të fashmëm e më të studiuar italianë, Dante Aligheri, në Komendia hyjnore, duke iu drejtuar Marisë, ka shkruar: «Virgjër Nënë, bijë e Birit tënd, / e përvujtë dhe e lartë më shumë se krijesë, / pikëshikimi i gjithmonshëm i këshillës së amshuar». «E përvujtë dhe e lartë më shumë se krijesë»: Maria gjithnjë krijesë është, por Dante nuk dinte si të na e thoshte më bukur se ajo është Krijesa më e lartë ndër të gjitha.

Prandaj, e nxitur nga kjo bindje, Kisha i drejtohet gjithnjë me shumë dashuri e me besim të patundur Marisë. Ajo që qe zgjedhur të rriste Jezusin këtu në tokë, tani kujdeset e ndërmjetëson pafundësisht shumë që të rrisë Kishën, Trupin mistik të Birit të saj hyjnor. Kisha ndihet e fort kur e sheh se ka një ndërmjetëse kaq të dashur, kaq të pastër e kaq të pushtetshme para Hyjit Trini.

Ndër frazat më të ëmbla që shenjtërit i kanë drejtuar Marisë përgjatë shekujve, mjafton të shkëpusim atë që i ka drejtuar Shenjtjta Terezë e Jezusit Fëmij: «Nëna ime, Maria: unë jam më me fat se ti, sepse kam një Nënë si ti».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *