GRAHI NË UJË TË THELLË!

Categories HomeliPosted on

E DIELA V GJATË VITIT C

Is 6, 1-2. 3-8; Ps 138 (137); 1 Kor 15, 1-11; Lk 5, 1-11

I Lumi Dom Pino Pulizi shkruante: «Secili prej nesh ndjen brenda vetes një prirje, një dhunti, një projekt që e bën secilin prej nesh unik dhe të papërsëritshëm. Kjo thirrje, ky mision, është shenja e Shpirtit Shenjt në ne. Vetëm duke dëgjuar këtë zë, mund t’i jepet kuptim jetës sonë.». Po ta mendosh se ky meshtar i thjeshtë italian u vra nga mafia në vitin 1994, për arsye se kjo e fundit kishte filluar të shqetësohej fort nga predikimet dhe ndërhyrjet e tij në mbrojtje të të rinjve dhe më të varfërve, atëherë çdo fjalë e citimit që sollëm, merr një forcë më vete.

«Secili prej nesh» ka një thirrje të veten dhe, në këtë çështje vërtet të rëndësishme, duket se duan të na vijnë në ndihmë edhe tekstet e sotme të Shkrimit Shenjt. Ato kanë të përbashkët pikërisht çështjen e thirrjes. Në secilin prej tyre, në fakt, flitet për përvoja thirrjeje, në të cilat Hyji u kërkon disa njerëzve një mision të caktuar.

Leximi i parë na bën të shohim thirrjen që Hyji i bën Isaisë, në leximin e dytë, Shën Pali flet për fillimet e kthimit të vet kah Hyji dhe Ungjilli na flet për thirrjen që Jezusi u bën katër apostujve të parë e, veçanërisht, na përshkruan takimin e Jezusit me Pjetrin.

Në të gjitha këto tekste vëmë re se i thirruri ndjehet tejet i padenjë për një mision të tillë, por jo për këtë arsye Hyji heq dorë nga thirrja e Tij.

Isaia, sheh se lavdia e Hyjit e ka mbushur Tempullin dhe se serafinët brohorasin: «Shenjt! Shenjt! Shenjt, Zoti i Ushtrive! Plot është toka mbarë me Lavdinë e tij!» (Janë fjalë të cilat liturgjia i përdor para çastit të shugurimit të bukës e të verës në Meshën e Shenjtë). E gjithë kjo pamje madhështore e mbush Isainë me një frikë të madhe, sepse ekzistonte bindja se, kush shihte Hyjin, menjëherë do të vdiste, për shkak të padenjësisë. Prandaj ai, i vetëdijshëm për padenjësinë e vet, thotë: «I mjeri unë, qetash sharrova, sepse jam njeri me buzë të papastra, banoj në popull buzësh të papastra e me sytë e mi e pashë Mbretin, Zotin e Ushtrive!»

Por ç’ndodhi? «Atëherë njëri nga serafinët vrapoi drejt meje: në dorë kishte një gacë që e mori me mashë nga lteri; me të ma preku gojën e më tha: ‘Ja, me gacë i preka buzët e tua, mëkati yt u shlye, faji yt u fal!’». Është një detaj që duhet theksuar patjetër, sepse serafini nuk ia mohon se është mëkatar, por kryen mbi të një rit pastrimi. Kjo do të thotë se Hyji nuk ka pritur denjësinë e tij për t’iu dëftuar, por ka vepruar ashtu nga dashuria e Vet. Kjo dashuri, pastaj, do ta pastrojë të thirrurin e do t’i japë atij të drejtë të niset për misionin që do t’i kërkohet. Isaia vetë i ka shkruar këto rreshta e nuk ka frikë ta fshehë padenjësinë e vet.

Të njëjtën gjë e bën edhe Shën Pali: në Letrën e drejtuar Korin­tianëve ai përshkruan se si Jezusi i Ngjallur së vdekuri iu duk Kefës (Pjetrit) dhe të gjithë apostujve të tjerë. Se si iu duk shumë vëllezërve të tjerë dhe se si, në fund, iu duk edhe atij: «Më së fundi m’u dëftua edhe mua dështakut.». E quan veten dështak dhe shpjegon edhe arsyen: «E, në të vërtetë, unë jam më i vogli ndër apostuj; unë nuk jam i denjë as të quhem apostull, sepse e kam salvuar Kishën e Hyjit.». Nuk e fsheh padenjësinë e vet, por, përkundrazi, e mban veten si më të voglin e apostujve të tjerë. Kaq shumë është i bindur për këtë gjë, saqë nga Saul, do të zgjidhte që, aty e në vazhdim, të quhej Pal, që do të thotë i vogël. Por Shën Pali e ka vënë re se Hyji e kishte mbushur me dhunti të veçanta, prandaj saktëson se gjithçka ishte falë Hirit të Hyjit: «Në saje të Hirit të Hyjit, jam ky që jam dhe Hiri i Tij në lidhje me mua nuk ka qenë i kotë». Si Shën Pali ashtu edhe Isaia nuk e fshehin padenjësinë e tyre, pikërisht për të dëshmuar edhe më me forcë dashurinë e madhe që Hyji kishte treguar ndaj tyre.

Nga ana tjetër, Shën Pali e di se Hiri i Hyjit e kërkon sadopak bashkëpunimin njerëzor, domethënë kërkon që njeriu ta lejojë veprimin e Tij. Prandaj thotë: «Madje u mundova të veproj më shumë se të gjithë ata, njëmend, jo unë vetëm, por edhe Hiri i Hyjit me mua.». Është lodhur pak edhe ai. Edhe atij i është dashur të luftojë me egoizmin e vet, por e di mirë se njëherësh brenda tij luftonte edhe Hiri i Hyjit. Atij i është dashur të pësojë shumë lodhje në veprim­tarinë e tij apostolike, por njëherësh edhe Hiri i Hyjit i ka paraprirë, e ka mbështetur dhe e ka bërë frytdhënëse këtë veprimtari: «U mundova të veproj, […] jo unë vetëm, por edhe Hiri i Hyjit me mua.».

Kur njeriu vendos të bëjë vullnetin e Hyjit, nuk duhet të harrojë se ekziston një forcë tjetër që nuk do ta braktisë kurrë atë. Madje veprimi i kësaj force brenda dhe përreth tij do të ngjallë shpesh pyetjet: «Nga më vjen kjo forcë? Si mundem ta bëj një gjë të tillë? Si mundem ta jetoj një jetë të tillë?». Habitet edhe ai vetë, duke qenë se e di që, nga ana njerëzore, do të ishte e pamundur. Shën Pali i jep emrin e saktë kësaj force: Hiri i Hyjit, i cili vepron gjithnjë, pavarë­sisht se sa i denjë je apo jo, mjafton të mos i mbyllesh krejtësisht Atij.

Edhe Ungjilli na e tregon këtë: Jezusi e tregon pushtetin e vet Hyjnor në sytë e nxënësve të vet e kjo gjë tek ata shkakton ndjesinë e padenjësisë. Shën Pjetri, si zakonisht, hidhet i pari për t’i shprehur ndjesitë e veta dhe i thotë Jezusit: «Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!». Por Jezusi i përgjigjet: «Mos ki frikë! Tash e tutje do të zësh njerëz.».

Sa shpesh na ndodh edhe ne që, përballë pranisë së Hyjit, të ndihemi të padenjë! Na ndodh shpesh që ta vlerësojmë veten si të papërshtatshëm për të jetuar një jetë miqësie me Hyjin. Madje, kur e shohim se nuk arrijmë t’i lëmë mënjanë egoizmin dhe krenarinë tonë, shpesh na vjen tundimi i dëshpërimit. Por të mos harrojmë se ne jemi miqtë e Hyjit (Jezusi kështu i quan apostujt në darkën e fundit) jo ngaqë ne e meritojmë, por ngaqë Ai është i Mirë. Përse Ai është i Mirë? Sepse është Trinì, pra është Dashuri. Ai nuk mund të mos jetë vetvetja.

Jezusi nuk shikon se sa i denjë është Pjetri, por e fton atë të lëshohet në misionin që po i kërkohet. Vetëm një gjë është në dorën e Pjetrit: të mos ketë frikë. Në të vërtetë, po ta shohim hollë-hollë, frika përballë thirrjes së Hyjit nuk është gjë tjetër veçse një shfaqje e maskuar e egoizmit tonë. Kur kaplohemi prej frikës? Kur fillojmë të llogarisim dobësinë tonë përballë misionit që po na kërkohet, kur fillojmë të ngulim sytë tek vështirësia e “terrenit” në të cilin po na kërkohet të punojmë. Kur fillojmë të frikësohemi se mos ndoshta e gjithë kjo do të bëjë që në të ardhmen të mos i jemi besnikë Hyjit. Kur në majë të gjuhës kemi fjalët «Unë mendoj…, unë kam frikë, unë jam i dobët, unë, unë, unë…». Me një fjalë, kur nuk e llogarisim aspak veprimin e Hirit të Tij në misionin tonë. E Shën Pali patjetër do të kishte mjaft për të na qortuar këtu.

Por Jezusi na thotë: «Mos ki frikë!». Jezusi kërkon vetëm që të mos largohemi prej Tij, por t’i rrijmë pranë Atij me lutje e me besim, të tjerat i mendon Ai. «Thirrja nuk gjendet thjesht pasi ke menduar gjatë dhe pasi i ke menduar mirë të gjitha rrugët: ajo është një përgjigje që fitohet vetëm falë lutjes.», thoshte Shenjtja Edit Shtajn.

Disa të tjerë nuk i hapen thirrjes që mund të ndjejnë në jetë apo e ndërpresin atë kur fillojnë të shohin padenjësinë e bashkësisë së krishterë, pra kur ndeshen me shkandujt e ndryshëm në Kishë. «Haraçi që i kërkohet të paguajë ai që e fillon një mision, është që ta njohë nga shumë afër anën e tij të pistë», shkruante me të drejtë shkrimtari amerikan i shekullit të kaluar, Xhejms Balduin. Aq më tepër kjo gjë vlen në Kishë, e cila është e shenjtë, por është edhe thellësisht mëkatare. Por i thirruri nuk vihet në ecje pas Kishës, por pas Jezusit, pas Atij që e shenjtëron Kishën.

Shën Pjetrit, Jezusi i tha: «Mos ki frikë! Tash e tutje do të zësh njerëz.». Pjetri do të arrinte të afronte njerëz kah Krishti e do të jetë Shkëmb bashkimi për të krishterët jo në sajë të forcës së vet, por në sajë të forcës së Hirit Hyjnor. Jezusi e fton Pjetrin që ta shohë këtë takim edhe si garanci për të ardhmen: përderisa Ai, Hyji, jashtë çdo merite u denjua t’i vinte në ndihmë një mëkatari, donte të thoshte se Ai do t’i qëndronte pranë gjithnjë edhe në të ardhmen, pavarësisht gjithçkaje.

Sa bukur këto pjesë të Shkrimit Shenjt, na e mbushin zemrën me paqe, duke na bërë të kuptojmë se padenjësia jonë nuk e largon shikimin dashamir të Hyjit ndaj nesh. Na ftojnë të lëshohemi në duart e Hyjit, të hidhemi pa frikë në çfarëdo lloj misioni që Ai mund të na kërkojë, sepse Hiri i Tij kurrë nuk do të na lërë vetëm, por do të veprojë e do të lodhet edhe ai gjithnjë përkrah nesh.

«Grahi në ujë të thellë!», i tha Jezusi Pjetrit dhe shokëve të tij që nuk besonin se mund të peshkonin gjë atë ditë. «Grahi në ujë të thellë!», i thotë edhe sot e kësaj dite Jezusi shumëkujt kur i kërkon një mision të caktuar në jetë. «Vetëm duke dëgjuar këtë zë, mund t’i jepet kuptim jetës sonë.», thoshte Dom Pino Pulizi që e përmendëm në fillim. Prandaj të mos kemi frikë edhe ne të përgjigjemi si Pjetri: «Mësues… pasi po thua ti, do t’i qes rrjetat.».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *