TË LUMËT JU!… VAJ PËR JU!…

Categories HomeliPosted on

E DIELA VI GJATË VITIT C

Jer 17, 5-8; Ps 1; 1 Kor 15, 12.16-20; Lk 6, 17.20-26

Leximi i parë sot fillon me fjalët: «Kështu thotë Zoti: ‘Qoftë mallkuar ai njeri që në njeriun shpreson!…’» dhe mw poshtë thotë: «Qoftë bekuar ai që shpreson nw Zotin!…».

Shpresa është shumë e rëndësishme në jetën e njeriut. Kur humbet shpresa, mund të humbasë edhe dëshira për të jetuar. Por, në përgjithësi, shpresa është e pranishme gjithnjë tek njeriu, edhe atëherë kur duket sikur uji ka arritur deri në fyt.

Leximi i parë sot na bën të shohim se jo gjithnjë shpresa është e përdorur në mënyrën e saktë nga njeriu: kush shpresën e vë në njeriun, është i mallkuar, ndërsa është i bekuar ai që shpresën e vë në Zotin. Të mos mendojmë se fjala «i mallkuar» do të thotë se, po e vumë shpresën në njeriun, Zoti do të dërgojë ndonjë fakteqësi mbi ne, por nënkupton mungesën e bekimit nga Zoti, mungesën e kontaktit me Të, për shkak të zgjedhjeve të gabuara që mund të bëhen në jetë. Libri i Zanafillës thotë se «Hyji e krijoi njeriun në përngjasimin e vet». Ky konstatim duhet të na ftojë të mendohemi shumë mbi kuptimin e jetës njerëzore. Ai na bën të shohim se njeriu e ka prejardhjen prej Hyjit dhe se mund ta kuptojë vetveten vetëm duke ruajtur kontaktin me Të. Jashtë kësaj lidhjeje, njeriu endet kot, sepse asgjë tjetër nuk do ta plotësojë jetën e tij. Prandaj është «i bekuar» kush shpresën e vë në Zotin, sepse e plotëson jetën e tij.

Leximi i sotëm shkon në thelbin e problemit: shpeshherë alternativa është mes vënies së shpresës në Hyjin apo në njeriun. Çdo njeri e ka në vetvete etjen për plotësi e për përjetësi. Këto ndjesi, për të cilat gjithnjë ka etje zemra jonë, janë ftesa e vazhdueshme që Hyji i bën zemrës sonë për t’u bashkuar me Të. Por jo të gjithë i përgjigjemi këtij zëri. Dikush e ndjen brenda vetes këtë etje dhe kujton se po e shuan brenda përzemërsisë që i jep familja. Dikush kujton se kjo etje është thjesht shtysa e brendshme për ta lidhur jetën me dikë, por që më pas kurrë nuk rezulton se mjafton për t’u plotësuar përbrenda. Ka prej atyre që shtiren se janë të plotësuar në jetë, duke qenë se kanë arritur një lidhje dashurie, por që çuditërisht më fort se dashuri për tjetrin shpeshherë bëhet fjalë për përdorim të tjetrit. Fakti se mjafton pak për ta shkatërruar këtë “dashuri” apo për t’i shpërqëndruar nga kjo “dashuri”, e tregon këtë të vërtetë. E, sa të gjejnë një “dashuri” tjetër, prapë shtiren sikur janë të plotësuar. Gënjejnë veten, duke menduar se kështu do të duhej të ishte dhe, pikërisht për këtë arsye, gënjejnë edhe të tjerët.

Dikush tjetër hiqet si i plotësuar në jetë duke qenë se ka arritur të ulet në ndonjë karrige prej ku mund të japë urdhra e të vërë vula. Dikush tjetër hiqet si i lumtur dhe i plotësuar ngaqë e ka xhepin plot me para dhe ka mundësi të blejë çfarë t’i teket. Por kush e di pse gjithnjë kanë në fytyrë një shprehje pak si mendjemadhe e fodulle e jo shprehje lumturie e paqeje të brendshme.

As brenda atyre që hyjnë në jetën e kushtuar nuk mungojnë shtrembërimet e shtiratjet se gjoja e kanë arritur plotësinë e lumturisë. Shumë nxitje që u bëhen të rinjve për të ndjekur jetën e kushtuar, ngjajnë shpesh me një propagandë që nuk ndryshon fort nga mendësia e botës që, me ankth, dëshiron t’ua mbushë mendjen të tjerëve se në duart e tyre gjendet sekreti i lumturisë. Gjithë ai ankth që kanë për të tërhequr të tjerët kah vetja e kah stili i jetës së tyre, nuk e justifikon lumturinë që pohojnë se e kanë gjetur. Pse ankthi? Pse nguti? Pse postimet e shpeshta në rrjetet sociale ku dëshirojnë të bindin botën se janë të lumtur? Për të mos folur, pastaj, për rastet kur jeta personale është shumë larg asaj që predikojnë e propa­gandojnë.

Sa e vështirë është të mjaftohesh me Zotin! «Na ke krijuar për Ty, o Zot, dhe zemra jonë nuk gjen paqe derisa të mos pushojë në Ty!», thoshte Shën Augustini në shekullin VI, pasi edhe ai vetë kishte rendur tepër duke e kërkuar lumturinë në krijesa e jo në Krijuesin.

Prandaj është i mjerë ai që e vë shpresën në njeriun e është i lum ai që shpresën e vë në Zotin. Për të parin leximi i parë thotë se «do të jetë porsi marena në shkretëtirë: nuk sheh kur i vjen e mira, i shkojnë ditët në thatësirën e shkretëtirës» e, psalmi, e krahason me «bykun që shpërndan era». Kurse për të dytin, leximi i parë thotë se «ai do të jetë porsi druri i mbëltuar në breg të ujit, që kah përroi i lëshon rrënjët e s’do të trembet kur të vijë zhegu». Pra, i mallkuar dhe i bekuar, ngjajnë më fort me i mjeri dhe i lumi, apo i marri dhe i mençuri.

Kështu duhet t’i kuptojmë edhe fjalët e Jezusit i cili, në Ungjillin e sotëm, flet për të lumë e për të mjerë. Të lumë janë nxënësit mbi të cilwt është derdhur shikimi i Krishtit: «Si i drejtoi sytë e vet mbi nxënës thoshte: ‘Të lumët ju!…’». Nuk duhet të na shpëtojë ky detaj ungjillor, sepse shikimi i Jezusit është arsyeja pse nxënësit mund të quhen të lumë: kanë pranuar të qëndrojnë nën dritën e këtij shikim, e kanë pranuar dashurinë që shprehet nga ai shikim dhe i përgjigjen atij me po aq dashuri. «Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij.», thotë psalmi (32, 18). Janë të lumë sepse janë në marrëdhënie dashurie me Hyjin dhe «shpresojnë në mirësinë e tij».

E Jezusi vazhdon: «Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit!». Në Ungjill, me termin Mbretëria e Hyjit, Jezusi nënkupton veten e Tij. Kjo do të thotë se Jezusi u drejtohet atyre që i shkojnë pas dhe u thotë: «Të lumët ju, sepse Unë ju përkas juve!». Shenjtja Terezë e Avilës, si murgeshë karmelitane mbante emrin Tereza e Jezusit. Në një prej vegimeve të shumta që ajo kishte, thuhet se një herë iu shfaq Jezusi dhe, në një hov dashurie, e pyeti jo pa dashje: «Si quhesh?». Tereza e kuptoi mirë lojën e dashurisë që po ndodhte në ato çaste Parrizi, prandaj iu përgjigj: «Tereza e Jezusit. Po ti?». «Unë quhem Jezusi i Terezës», ia priti Dhëndri i saj Hyjnor. Nuk hezitonte të quhej krejt i saji, Ai që nuk heziton të quhet krejt i Kishës.

Jezusi vazhdon t’i quajë të lumë, ata të cilët bota përgjithësisht i quan fatkeqë. Por Jezusi i quan të lumë jo pse janë «të varfër», «pse kanë uri», «pse qajnë» apo «pse njerëzit i urrejnë», por sepse të gjitha këto padrejtësi i jetojnë së bashku me Jezusin, për shëlbimin e botës. Kështu, ata që bashkëndajnë kryqin dhe vdekjen e Tij, patjetër do të bashkëndajnë edhe lavdinë e Ngjalljes së Tij: «Krishti u ngjall prej të vdekurve. Ai është fryti parë i të vdekurve.», thotë Shën Pali në leximin e dytë sot, duke na kujtuar shpresën e madhe që na jep feja.

Ndërsa janë të mjerë ata që shikimit të Jezusit nuk i janë për­gjigjur me dashuri, por kanë pëlqyer t’ia rezervojnë dashurinë e tyre dikujt apo diçkaje tjetër. Duke thënë «Vaj për ju!…» Jezusi nuk i mallkon ata, por vetëm se tregon gjendjen e mjerueshme në të cilën gjenden. Kanë shkëmbyer plotësimin e vërtetë të vetvetes me plotësinë e rrejshme. Duke komentuar teologjikisht mëkatin e idhujtarisë që bëri Izraeli në shkretëtirë, psalmisti thotë: «E punuan një viç në Horeb, / adhuruan një shtatore metali. / E ndërruan Hyjin e tyre me truporen e një kau që ha sanë.». Kur njeriu largohet nga Hyji i vet, nga Ai në përngjasimin e të cilit është krijuar, fillon një jetë plot gabime. Nëse Jezusi, atyre që i shkojnë pas dhe i përngjajnë me jetën e tyre, u thotë: «Të lumë», atyre që nuk ia dëgjojnë fjalën u thotë: «Vaj për ju!». Mbase nuk shkojnë si Izraeli pas një truporeje metali, por mjafton që të jepen tepër pas pasurisë, pas dëfrimit, pas lavdisë së kotë në këtë botë, pas pushtetit e, Jezusit, ia kanë kthyer shpinën. Shikimit dashamir të Krishtit, këta i përgjigjen me shpërfillje. Thu­het se Shën Françesku i Asizit një herë po ecte nëpër rrugët e qytetit të tij dhe, teksa vërente shumë shpërfillje për Krishtin, filloi të qante. Qante e thoshte: «Dashuria nuk është e dashur. Dashuria nuk është e dashur».

Por të kemi kujdes kur e imagjinojmë Jezusin plot nervozizëm kur thotë «vaj për ju, o pasanikë», «vaj për ju që tani jeni të ngopur», «vaj për ju që tani qeshni» dhe «vaj për ju kur të gjithë njerëzit t’ju lëvdojnë». Në origjinalin grek, teksti nuk thotë «vaj për ju», por «i mjeri unë»:është vaji i Hyjit kur humbet bijtë e bijat e vet e jo nervozizmi i Tij. Për ta Jezusi është e vërtetë se do të pranojë të flijohet në kryq, por qan e fshan kur mendon se mund t’i humbasë në përjetësi, nëse do ta teprojnë me rendjen e tyre pas të mirave materiale. Prandaj i fton që t’i ikin mjerimit shpirtëror në të cilin kanë rënë.

«Qoftë mallkuar ai njeri që në njeriun shpreson… Qoftë bekuar ai që shpreson në Zotin!», thotë leximi i parë, me një gjuhë që na shqetëson pak për ashpërsinë e saj. Por, përvoja dhe historia kanë mësuar se jeta bëhet shumë më e ashpër kur njeriu jeton pa Zotin dhe kur e tepron me vënien e shpresës së vet në njeriun. Plus kësaj, të mësuar nga feja, e dimë se ashpërsia shndërrohet në tragjedi të vërtetë nëse humbasim Lavdinë e Parajsës, për të cilën të gjithë jemi krijuar.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *