DUAJINI ARMIQTË TUAJ…, LUTUNI PËR ATA QË DIJEKEQAS JU MUNDOJNË!

Categories HomeliPosted on

E DIELA VII GJATË VITIT C

1 Sam 26, 2.7-9. 12-13. 22-23; Ps 103 (102); 1 Kor 15, 45-49; Lk 6, 27-38

«Mënyra e vetme për ta shtypur djallin, kur ai na nxit ndjenja urretjeje për ata që na bëjnë keq, është që të lutemi menjëherë për ta. Ja se si arrihet të mposhtet e keqja me të mirën dhe se çfarë do të thotë të jemi të shenjtë.», mësonte në predikimet e veta Shën Gjon Maria Vianei, shenjti francez që, në shekullin XIX, e pati mbushur Francën me shenjtërinë e tij. Shumë kush ngutet kur thotë se ky meshtar kishte një padituri të theksuar e se Zoti thjesht bënte gjëra të mëdha për të. E vërteta është se ai kishte vështirësi vetëm në studime, sepse i kishte filluar ato në moshë shumë të madhe, por kishte një inteligjencë të theksuar praktike dhe, sidomos, kishte të theksuar inteligjencën që jep feja. Patjetër që Zoti bënte për të edhe punë të mëdha, por edhe Shën Gjoni ndërkaq bënte punë jo të vogla për Zotin, sepse angazhohej me mish e me shpirt që të ishte i krishterë deri në fund. Formulonte fjalë si ajo që cituam për dashurinë ndaj armiqve, ngaqë ai vetë angazhohej në të gjitha mënyrat që ta zbatonte urdhërimin e Jezusit që thotë: «Ju them juve që më dëgjoni: Duajini armiqtë tuaj, bëniu mirë atyre që ju urrejnë, bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë!».

Por duhet thënë menjëherë se janë themelore fjalët e para të kësaj fjalie të Jezusit «Ju them juve që më dëgjoni», sepse shenjtër bëhemi vetëm nëse nuk reshtim së qeni në dëgjim të Jezusit e jo thesht duke u sforcuar në praktika kushedi se çfarë. Shenjtër mund të krijojë vetëm Jezusi, brenda prehrit të Nënës Kishë, sepse, ndër të gjithë ata që janë mbajtur si lidër fetarë, vetëm Jezusi u ka mësuar njerëzve dashurinë deri edhe për armiqtë e tyre. Prandaj Shenjtja Terezë e Lizjesë thoshte plot bindje: «Unë nuk jam e aftë për virtyte. Virtyti im është Jezusi.». E dinte se, vetëm duke qëndruar e kapur pas Jezusit, do t’ia dilte t’i praktikonte të gjitha virtytet, edhe ato më të vështirat. Prandaj Shën Gjoni që e cituam më sipër ftonte që të lutemi, nëse duam t’i falim armiqtë dhe nëse duam ta shtypim djallin i cili na nxit në urrejtje, sepse në lutje takojmë Jezusin. E është Jezusi Ai që pastaj arrin t’i ndreqë gjërat brenda nesh. Megjithatë, vërtetësinë e kësaj këshille të bukur të Shën Gjonit do ta kuptojmë vetëm kur të fillojmë ta zbatojmë atë.

Të vazhdosh me leximin e rreshtave të tjerë të Ungjillit të sotëm, është si të hapësh papritmas një thes me perla të çmuara dhe ta shprazësh atë para vetes, sepse janë të gjitha fjalë tepër të thella, të larta, prekëse, të vështira, por, mbi të gjitha, shumë të vërteta. Të vërteta ngaqë vetëm një dashuri “e çmendur” dhe ekstreme si ajo që ka zbatuar e ka mësuar Jezusi, mund ta shpëtojë njeriun nga çmenduria e të këqijave ektreme, të cilat ai është i aftë t’i bëjë në jetë. Ky është shpëtimi i vëretetë që Jezusi ka ardhur të realizojë në botë.

«Atij që të bie njërës faqe, ktheja edhe tjetrën.»: Nuk mund t’i anali­zojmë këtu të gjitha fjalët e Jezusit në këtë pjesë tejet të rëndësishme ungjillore, sepse nuk do të mjaftonte as një libër, por mund të themi vetëm se Jezusi i fton «ata që e dëgjojnë» që ta teprojnë në dashuri, tepri e cila është i vetmi ilaç kundër teprisë së të keqes. Pastaj, rregulla e artë e Jezusit «Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëniu edhe ju atyre.» jo vetëm që e thotë pozitivisht atë që hebraizmi dhe besimet pagane e thonin negativisht («Mos i bëj të tjerëve atë që nuk dëshiron që të tjerët ta bëjnë ty.»), por është edhe një këshillë shumë e mençur, sepse, në vend që ta mësojë njeriun të mendojë për gjërat që nuk duhet të bëjë, e mëson atë për gjërat që duhet dhe mundet të bëjë. Ndryshe është të veprosh sikur të kesh një roje mbi kokë e ndryshe është të veprosh kur ke një cak për të arritur.

E, në lidhje me cakun që duhet të kemi parasysh, Jezusi vazh­don: «Duani armiqtë tuaj, bëni mirë e huajoniu, pa pritur se do t’ju kthejnë gjë. Kështu do të jetë i madh shpërblimi juaj dhe do të jeni bijtë e të Tejetlartit Zot, sepse ai ua do të mirën edhe të paevarishëmve e të këqijve.». Këtu Jezusi jep argumentin teologjik përse njeriu duhet të duajë edhe armikun e vet: e bën për t’i përngjarë Hyjit të vet, i cili është i mirë me të gjithë, edhe me të këqinjtë. Ndoshta do të donim arsyetime më elegante, por nuk janë të nevojshme, sepse, kur vjen puna që ta duam armikun, nuk na shërbejnë asgjë arsyetimet elegante e fjalët e mëdha. Ajo që në ato çaste na duhet, është vetëm e vetëm dashuria reale për Hyjin dhe shkëputja në shpirt nga e keqja. Në leximin e parë, Davidi nuk e vrau Saulin për arsyen e vetme se Sauli ishte «i shuguruari i Zotit» e jo se ndiente ndonjë dashuri të madhe ndaj atij njeriu që po e ndiqte ngado për ta vrarë. Pra ishte lidhja e Davidit me Zotin ajo që e detyronte dhe e moti­vonte në shpirt që të mos e lëndonte armikun e tij, Saulin. Edhe Jezusi na fton që të jetë lidhja jonë reale me Zotin ajo që na nxit ta duam edhe armikun, sepse armiku mund ta ketë humbur në sytë tanë çdo lloj merite dhe dashurie. Edhe armiku im është si unë, i krijuar në përngjasim të Hyjit.

Shpesh mund të tundohemi që ta përbuzim këtë porosi ekstreme të Jezusit ngaqë kujtojmë se dashuria për armikun nënkupton që të ndjesh edhe simpati ndaj tij, të kesh emocione pozitive dhe të ndihesh mirë nga prania e tij. Por nuk është ashtu, sepse e dimë shumë mirë se dashuria nuk është çështje vetëm emocionale. Jezusi nuk na kërkon të ndjejmë karshi armiqve emocione pozitive, por na kërkon që të mos shtyhemi në plane dashakeqe ndaj tyre dhe reagime poaq dashakeqe. Pra, na kërkon që të mos vëmë në rend të parë emocionet, por Hyjin, Atin e mëshirshëm: «Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm!». Jezusi na fton që të kuptojmë forcën e mëshirës, forcë e cila e përfshin krejt personin tonë (vullnet, ndjenjë e intelekt) për të kryer një veprim të caktuar, veprim i cili shpesh mund të jetë edhe i dhimbshëm. «Duaj deri në dhembje e, nëse të dhemb, pikërisht për këtë do të jetë më mirë!», shkruante Nënë Tereza.

A e dëshirojmë të gjithë një botë plot dashuri? Atëherë përse të çuditemi kur Jezusi na mëson rrugën drejt dashurisë, rrugë e cila kalon detyrimisht përmes mëshirës së tejskajshme, sikurse kaloi dashuria dhe mëshira e Tij ndaj nesh? «Nëse i doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite të veçantë pritni?» thotë Jezusi, duke na nxitur me një arsyetim fare të thjeshtë. Të gjithë duam të shkojmë tek Zoti në Parajsë, por nuk duam të veprojmë si Zoti në këtë botë. Të gjithëve na pëlqen të takojmë ndonjë shenjt në jetë, por harrojmë se me mijëra herë e kemi mundësinë të jemi edhe ne të tillë. Të gjithë duam një botë më të mirë, por refuzojmë t’ia fillojmë ne të parët. Me të drejtë ankohej shkrimtari i njohur rus, Lev Tolstoi: «Të gjithë kanë dëshirë ta ndryshojnë botën, por askush nuk mendon të ndryshojë vetveten.». Gandi i famshëm thoshte: «Ji ti ndryshimi që pret të shohësh në botë!». «Shenjtëroni vetveten dhe do të shenjtëroni shoqërinë!», mësonte Shën Françesku i Asizit.

Por meriton të veçohet këtu ajo porosia interesante që jep Jezusi kur thotë: «Lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë!». Shën Gjon Maria Vianei porosiste që të lutemi për armiqtë, sepse me të drejtë ai besonte se kjo ishte shumë e dobishme për t’u shenjtëruar ne.

Thënë këtë, besoj se gjërat janë edhe më të thella se kaq.

Njëra prej mistikeve të kohëve tona, austriakja Maria Sima, e cila pohon se ka kontakte me shpirtrat e Purgatorit që herëpashere i shfaqen asaj dhe i kërkojnë lutje e pendesa për shëlbimin e tyre, tregonte se një herë e kishte vizituar një shpirt i cili i thoshte se gjendej në Purgator qysh prej 1500 vitesh. Maria Sima e kishte pyetur: «Po çfarë paske bërë aq të keqe që je aq gjatë në Purgator?» E ai i ishte përgjigjur: «Kam qenë njëri prej atyre që kanë martirizuar Shenjten Ursula me shoqe.» «Po si ndodhi që nuk përfundove në Ferr, për shkak të një mëkati të tillë?», e kishte pyetur Maria, e çuditur. E ai i ishte përgjigjur: «Sepse në çastet e martirizimit të saj, Shenjtja Ursulë i ishte lutur Zotit për ne që të na falej ai mëkat.»

Kisha, me të drejtë, nuk ngutet që ta pranojë apo jo vërtetësinë e fjalëve të kësaj gruaje, por pa asnjë frikë mund të themi se lutja për armikun jo vetëm që na shenjtëron ne, por shenjtëron edhe armikun tonë. Lutja e viktimës merret shumë para sysh nga Zoti në lidhje me shëlbimin e amshuar të armikut. Këtu tani e kuptojmë peshën e madhe që kishin fjalët e Jezusit në kryq «Fali, o Atë, se nuk dinë çfarë bëjnë» si edhe peshën e faljes që kanë shprehur shumë martirë ndaj atyre që po i vrisnin.

Çështja qenka, atëherë, nëse ne e duam apo jo shpëtimin e amshuar të armiqve tanë?!…

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *