GOJA I QET ÇKA I KA ZEMRA.

Categories HomeliPosted on

E DIELA VIII GJATË VITIT C

Sir 27, 4-7; Ps 92 (91); 1 Kor 15, 54-58; Lk 6, 39-45

Laozi, një filozof i lashtë kinez, që jetoi rreth shekullit V para Krishtit, ka thënë: «Të kuptosh qeniet tjera njerëzore, është inteligjencë, kurse të kuptosh veten, është urti». «Njihe vetveten!», shkruhej me shkronja të mëdha edhe në hyrjen e tempullit të Apolit, në Greqinë e lashtë. Me fluksin e njerëzve që kishte aso kohe në tempuj, mund ta ima­gjinojmë lehtë përhapjen e një thënieje të tillë. Në Ungjillin e sotëm edhe Jezusi tregon se e ka me merak të madh çështjen e vetënjohjes, përderisa na fton të jemi të ndershëm me vetveten e t’i shohim që­llimet e vërteta që ndryjmë përbrenda. Megjithatë Jezusi e thotë këtë jo për të na nxitur të shkojmë tek ndonjë psikolog për seanca vetënjohjeje (gjë që nuk do të ishte gabim), por kryesisht për të na ndihmuar që ta kemi urtinë e fesë, e cila fitohet kur njeriu e sheh veten dhe të tjerët me sytë e Hyjit.

Prandaj leximi i parë sot është shkëputur nga Libri i Siracidit, libër i cili bën pjesë në ata libra të Biblës që quhen gjinia letrare e urtisë. Në këtë kategori letrare përfshihen të gjithë ata libra që përmbajnë thënie, aforizma e këshilla të urta që kanë si qëllim ta ndih­mojnë hebreun ta jetojë pjekurinë e fesë së vet. Ndër të gjitha thëniet e këtyre librave, është si udhërrëfyese ajo që thotë Libri i Fjalëve të Urta: «Frika e Zotit, është fillimi i urtisë» (1, 7), ku fjala «frikë» nuk nënkupton ndjesinë e tmerrit përballë Hyjit, por respektin dhe nderimin e thellë ndaj Tij. Hebreu e quan urti të jetosh në këtë lloj kontakti me Hyjin e të lejosh të ndriçohesh nga Fjala e Tij dhe e quan marrëzi nëse nuk jetohet nën këtë dritë Hyjnore, nëse jetohet si njeri pa Zot. Kështu, tani e kuptojmë rëndësinë e asaj që thotë Siracidi në leximin e parë: «Nëse s’e mban veten në frikën e Zotit, së shpejti do të përmbyset shtëpia jote». «Shtëpia» është jeta jonë, e cila nuk e arrin plotësinë e saj nëse nuk jetohet me Hyjin, në përngjasimin e të cilit jemi krijuar.

E Siracidi pastaj vazhdon me fjalë të tjera plot urti, disa prej të cilave janë të ngjashme me ato që thotë Jezusi sot në Ungjill: «Sikurse tundet shosha, mbesin zozakët, kështu edhe mungesat e njeriut dalin në pah në të folur». E Jezusi e përforcon këtë ide me fjalët e Tij: «Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga visari i mirë i zemrës së vet, njeriu i keq nxjerr të keqen nga visari i keq: sepse goja i qet çka i ka zemra». Është shumë i rëndësishëm ky shqetësim i Siracidit dhe i Jezusit, që na ftojnë t’i kontrollojmë fjalët tona, sepse e dimë mirë se fjalët kanë gjithnjë një forcë të veten. «Fjala e thënë dhe guri i lëshuar, nuk janë më të tuat», thotë një proverb tjetër anonim. Me fjalë mund të ndërtojmë paqen, por edhe të fillojmë luftën; mund ta ndriçojmë tjetrin, por edhe ta zhysim në errësirë; mund ta ngushëllojmë atë, por edhe ta trishtojmë; ta përtërijmë në jetë, por edhe ta lëndojmë thellë. Prandaj, para se ta nxjerrim fjalën nga goja, le ta masim mirë vlerën e saj, përndryshe është më mirë të heshtim. «Nëse fjalët tuaja nuk janë më të rëndësishme se heshtja, është më mirë të heshtni», thotë një proverb kinez. Me ironi edhe presidenti amerikan, Abraham Linkolni, thoshte: «Më mirë të heshtësh e të dukesh si budalla, sesa të flasësh e të zhdukësh çdo dyshim se je i tillë».

Shën Antoni i Padovës nxirrte një mësim të çmuar edhe nga vetë mënyra se si është strukturuar trupi ynë: «Natyra ka vënë përballë gjuhës dy dyer, që janë dhëmbët dhe buzët, për të treguar se fjala nuk duhet të dalë nga goja pa kujdes të madh». Diku në Ungjill Jezusi thotë një shprehje që mua realisht më tremb nganjëherë, por që, njëkohësisht, edhe më ndihmon që të jem më i përgjegjshëm: «Unë po ju them: njerëzit do të përgjjigjen në Ditën e Gjyqit për secilën fjalë të kotë që do ta kenë thënë» (Mt 12, 36).

Pastaj Jezusi në Ungjillin e sotëm bën edhe disa shembuj të tjerë që kishin të bënin sidomos me ata njerëz që merreshin me drejtimin shpirtëror e teologjik të të tjerëve. Jezusi shpesh nuk kursehej në qortime vërtet serioze ndaj këtyre njerëz, të cilët me gjakftohtësi bënin një jetë të dyfishtë: nga njëra anë hiqeshin si të drejtë e të pastër, por, nga ana tjetër, në fshehtësi, bënin padrejtësi nga më të ndryshmet. «Shtiracakë» i quan këta Jezusi sot në Ungjill, njerëz që shikojnë «lëmishtën» në syrin e vëllait, por nuk heqin «traun» nga syri i vet. Prandaj Jezusi përdor krahasime krejt të thjeshta për t’i bindur të ndryshojnë jetën, sepse atyre nuk u mungonin argumentet e mëdha teologjike për të kuptuar padrejtësitë që bënin, por u mungonte zemra bujare ndaj Hyjit e ndaj njerëzve. U thoshte: «A mund t’i prijë i verbëri të verbërit? A thua s’do të bien të dy në gropë?»

Këtu mund të përfshihen, edhe pse në një shkallë më të vogël qortimi, edhe të gjithë ata njerëz që kanë ngutin që të merrren me drejtimin shpirtëror të të tjerëve. Nuk janë të paktë njerëzit e kushtuar që, sapo kanë hyrë në jetën e kushtuar, lëshohen rrezikshëm në një garë për t’u bërë etër e nëna shpirtërore, drejtues bashkësish e sipërmarrës të përgjegjësive deri edhe më delikatet. Madje i qortojnë lehtë eprorët e vet se nuk ua kanë njohur mirë talentin. «I riu vrapon më shpejt, por i moshuari e njeh rrugën», thotë një proverb afrikan, për të mësuar se, të jesh drejtues i dikujt, duhet të njohësh mbi të gjitha jetën, me bukuritë dhe kundërshtitë e saj, e vetëm atëherë, ndoshta, do të japësh ndonjë ndihmesë në dobi të ndokujt. E, kur bëhet fjalë për jetën e fesë, duhet tregur shumë kujdes që të merret përsipër një detyrë e tillë, sepse të gjithë jemi nxënës, e vetëm Njëri (Jezusi) është Mësuesi: «Nuk është nxënësi më i aftë së mësuesi, por, çdo nxënës plotësisht i aftësuar, do të jetë si mësuesi i vet», thotë Jezusi në Ungjillin e sotëm, duke na ftuar të gjithëve që të rrimë të bashkuar me Të.

Ja një shembull vërtet i bukur nga jeta e Shën Françeskut të Asizit. Ai, pasi themeloi Urdhrin e Fretërve Minorë, themeloi edhe atë të Klariseve, së bashku me Shenjten Kjarë të Asizit. Por i vizitonte shumë rrallë Motrat në kuvendin e tyre, edhe pse ato i çonin fjalë që të shkonte më shpesh e t’i forconte në fe me fjalët e tij. Madje edhe Fretërit i viheshin që të shkonte ndonjëherë. Por Shën Fran­çesku nguronte, sepse nuk donte që ata të lidheshin pas tij, por pas Hyjit, sepse Atij i ishin kushtuar. Nga ana tjetër, e nderonte dhe e donte kaq thellë Shenjten Kjarë, saqë shpesh e quante atë «e kri­shtera», në vend që t’i përmendte emrin. Këtë e bënte edhe për të thënë se ajo ishte mbi të gjitha e Krishtit.

Por, pas shumë këmbë­nguljesh, pranoi që të shkonte një ditë. Hyri në manastirin e tyre, mblodhi bashkësinë e motrave, u ul në mes të atyre bijave të veta duke u lutur thellësisht në heshtje dhe pastaj u kërkoi që t’i sillnin pak hì. Bëri një rrumbullak rreth vetes dhe filloi të hidhte hí mbi kokën e vet. Në fund luti një psalm pendestar dhe doli nga mana­stiri duke i lënë Motrat të mbytura në lotë. E kishin kuptuar se ati i tyre i dashur kishte predikuar pa fjalë dhe u kishte thënë se ai ishte veçse shenjë e një Ati tjetër, pjesa tjetër e personit të tij ishte thjesht hí.

Kjo vetëdije e të qenit shenjë e dikujt tjetër, na ndihmon të gji­thëve që të kapemi fort pas Hyjit, i cili është burimi i çdo shenjtërie. E kjo nuk vlen vetëm për njerëzit e kushtuar, por edhe për prindërit, profesorët, edukatorët, gjyqtarët, etj. Papa Shën Pali VI thoshte me shumë të drejtë: «Njeriu i sotëm i dëgjon më me dëshirë dëshmitarët, sesa mësuesit. Nëse i dëgjon mësuesit, i dëgjon vetëm kur ata janë edhe dëshmitarë».

«Nuk ka pemë të mirë që jep fryt të keq, as pemë të keqe që jep fryt të mirë. Çdo pemë njihet prej frytit të saj», vazhdon Jezusi në Ungjill, duke na vënë të gjithëve përballë ndërgjegjes sonë dhe duke na ftuar që, më parë, të shndërrohemi përbrenda në njerëz të bashkuar me Hyjin e, vetëm pastaj, do të jemi në gjendje të japim fryte shenjtërie. Nëse e shohim se vërtet bëjmë vepra të këqija, pse u dashka që të vazhdojmë të bëjmë gjoja se nuk i shohim e të përpiqemi t’ia mbushim mendjen botës se jemi të mirë, në vend që të hyjmë brenda vetes e të përmirësojmë jetën tonë?

«Goja i qet çka i ka zemra», thotë Jezusi. Prandaj duhet që, nën dritën urtisë së fesë, ta njohim zemrën tonë dhe ta rrënjosim atë gjithnjë e më shumë në Hyjin. Atëherë do të dimë t’i orientojmë si duhet me këtë urti të fesë jo vetëm fjalët dhe heshtjen tonë, por sidomos jetën tonë: «Nëse s’e mban frikën e Zotit, së shpejti do të përmbyset shtëpia jote», thotë Siracidi.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *