Jemi duke filluar kohën e krezhmeve dhe natyrshëm shumëkujt i vjen të thotë: “Këtu lidhet moti.”, duke menduar me këto fjalë ndonjë ndërhyrje të mbinatyrshme të Zotit mbi ligjet e universit. E, lista e gjërave që mendohet se nuk mund të bëhen në këtë kohë, zakonisht përbëhet nga: “Nuk lejohen fejesat, martesat, hedhja e themeleve për shtëpie të re e as të hyhet në shtëpi të re, duhen mbajtur të premtet e të mos hahet mish.” Në të gjitha këta, në ligjet e Kishës, vetëm kjo e fundit ka vend, të tjerat jo. Të tjerat janë keqkuptimi i atij ligjit të Kishës që thotë: “Mos të bëhet dasmë (që nënkupton gosti e jo kunorë martese) në mot të lidhur!” Si t’u shpjegohet shumë të besimtarëve se Kisha këshillon të ndalohet gosti gjatë krezhmeve e jo sakramentet?
Ndoshta gaboj, por kjo lë të kuptohet se, edhe pse në popullin tonë ka dymijë vjet krishtërim, ende vazhdon të trashëgohen nga brezi në brez disa aspekte të krishtërimit që duket sikur ngjajnë më fort me besimet pagane që ekzistonin dikur në trojet tona. E, ato besime, si të gjitha besimet e tjera pagane në botë, kapeshin fort pas zbatimit të disa rregulloreve, me qëllim që t’u pëlqenin hyjnive e të mos shkaktonin zemërimin e tyre. Ka mundësi që edhe këtu Jezusi do të na bënte atë qortimin që i bëri Shën Filipit Apostull gjatë Darkës së fundit: “O Filip, kaq shumë kohë jam me ju e nuk më njohe ende?” (Gjn 14, 9)
Krezhmet në Kishë kanë lindur në fillimet e krishtërimit gjatë përpjekjes së disa ipeshkvinjve e teologëve të cilët, atyre që do të pagëzoheshin natën e Pashkëve (shumica atë natë pagëzoheshin aso kohe), donin t’u mundësonin një ecje sa më të shëndetshme në fe. Më vonë pastaj u mendua që kjo ecje të shtrihej për mbarë Kishën. Jo më kot të gjithë ne atë natë ripërtërijmë edhe premtimet pagëzimore. Pra Krezhmet kanë për qëllim që të na ndihmojnë të bashkohemi me dashurinë e pafund të Trinisë Shenjte, dashuri e cila na është dëftuar më së miri pikërisht në Pashkët e Krishtit. Për ta thënë edhe më thjeshtë: Krezhmet janë kohë rritjeje në fe e jo “provim” që duhet kaluar për të fituar vëmendjen e Hyjit.
Ajo rregulla e Kishës që ndalon mishin të premteve dhe gostitë gjatë kësaj kohë të veçantë, nuk ka ndonjë veti ndryshimi mbi ligjet e natyrës, por dëshiron të ketë veti ndryshimi mbi ligjet e zakonet e jetës sonë të përditshme, trupore e shpirtërore. Dëshiron të na mësojë të mos jepemi tepër pas ngrënies luksoze dhe dëfrimit, por të bashkohemi me mundimet e Krishtit, që pastaj ta shijojmë sa më mirë shpirtërisht fuqinë e Ngjalljes së Tij. Asnjë nga ligjet e Kishës nuk ka lindur për t’ia marrë shpirtin njeriut, por për ta ndihmuar atë të bashkohet më fort me Krishtin Shëlbues.
Kështu kuptohet se si në traditën e krishterë ka pasur njerëz që mund të konsiderohen si altetë të agjërimit e të pendesës, por që, njëkohësisht, pikërisht ata, janë shprehur edhe për rrezikun e madh që kanë po këto praktika për të krishterin. Të tillë, përshembull, ishin disa murgjër egjiptianë që jetuan në shekujt IV-V. Këta jetonin në vende të shkreta dhe njerëzit shkonin atje për t’u këshilluar prej tyre në gjërat e fesë e, pak nga pak, filluan t’i thërrisnin Abba-Atë. Nga historia u njohën si Etërit e shkretëtirës. Abba Gjoni i Shkurtër, përshembull, mësonte: “Nëse një mbret ka ndër mend të pushtojë një qytet armik, më së pari i pret furnizimin me ujë dhe ushqime e, kështu, armiqtë, të mposhtur nga uria, do të nënshtrohen. Ndodhë kështu edhe me pasionet e mishit: nëse njeriu i lufton ata me agjërim dhe uri, armiqtë që i bëjnë luftë shpirtit, do të dobësohen.”
Por, kur agjërimi e pendesa bëheshin shkak krenarie e përçmimi ndaj të tjerëve, atëherë ata nuk ngurronin të mësonin të kundërtën, sepse këto mëkate largojnë fuqishëm nga Krishti. Kështu thoshte Abba Izidori: “Nëse agjëroni, mos u krenoni; po u krenuat për këtë, më mirë hani mish! Është më mirë për njeriun të hajë mish, sesa të krenohet e të shesë mend.” E Abba Iperki shtonte: “Është më mirë të hahet mish e të pihet verë, sesa të hahet mishi i vëllezërve me të folurën e keqe.”
Të mos i ndajmë Krezhmet nga Krishti dhe nga dashuria që ai na ka mësuar. Le të mendojmë se çfarë duam të bëjmë gjatë kësaj kohe të shenjtë e jo të kufizohemi vetëm tek gjërat që nuk duhet të bëjmë. Përveç mbajtjes së rregulloreve që, siç e pamë, e kanë dobinë e tyre, le ta thellojmë fenë tonë edhe me praktika të tjera shpirtërore: le të shtojmë, përshembull, ndonjë uratë më shumë në lutjet tona, të marrim pjesë në meshë e të rrëfehemi më shpesh, të gjejmë kohë të lexojmë ungjillin, të lexojmë ndonjë libër shpirtëror që na thellon në fe, të ndihmojmë sadopak ndonjë nevojtar, të vizitojmë dikë që ndoshta pret të na shohë më shpesh, të përpiqemi ta sulmojmë ndonjë ves të keq në të folurën tonë e, secili, mund të “shpikë” edhe të tjera të ngjashme.
Le të mendojmë, pra, se si të rritemi në dashuri për Zotin e për njëri-tjetrin e, kështu, do të arrijmë në natën e Pashkëve të ngjallur edhe ne bashkë me Krishtin.
Dom Dritan Ndoci