STREHIMI IM, KËSHTJELLA IME, HYJI IM, DO TË SHPRESOJ NË TY!

Categories HomeliPosted on

E DIELA I E KREZHMËVE – Viti C

Lp 26, 4-10; Ps 90 (89); Rom 10, 8-13; Lk 4, 1-13

Shën Piu nga Pietralçina e quante djallin me tallje «Gjë e mbrap­shtë». Ia kishte provuar mirë ky shenjt forcën mashtruese dhe tërbimin e tij, prandaj edhe e njihte mirë. Me Hirin e Hyjit, Shën Piu kurrë nuk u mposht prej tij, por provat ishin vërtet nga më të ndërlikuarat e më të dhimbshmet.

Kjo «gjë e mbrapshtë» na tundon edhe ne shumë shpesh e prandaj Kisha, në këtë të dielë të parë të kohës së krezhmëve, dëshiron të na ndihmojë t’i shmangemi këtyre tundimeve.

Sot, në leximin e parë, kemi dëgjuar një pjesë të shkëputur nga libri i Ligjit të Përtërirë, pjesë e cila quhet ndryshe edhe si Besojma e izraelitit. Kjo ngaqë aty përmblidhen pikat kyçe të historisë së shëlbimin deri në atë kohë, në dobi të popullit të Tij të zgjedhur. Është shumë e rëndësishme që, herë pas here, edhe ne ta hedhim shikimin pas e të vërejmë praninë e Hyjit në jetën tonë, në jetën e popullit tonë e në jetën e mbarë botës. Kështu do ta kemi më të lehtë të besojmë se Hyjin e kemi pranë me bekimet e Tij dhe, si pasojë, do të dimë t’i shmangemi kurtheve të tundimeve të ndryshme.

Por ne të krishterëve na duhet të kujtohemi sidomos për një histori tjetër edhe më të madhe. Shën Pali thotë sot: «Vëllezër, çka thotë Shkrimi Shenjt: ‘Afër e ke fjalën, në gojën tënde dhe në zemrën tënde’ d.m.th. fjalën e fesë që ne predikojmë». E, fjala e fesë që Shën Pali predikon, është Jezu Krishti i Vdekur e i Ngjallur. E thotë ai vetë diku tjetër në letrat e tij: «Ju shpalla edhe ato të vërteta që edhe unë mora: se Krishti vdiq për mëkatet tona sikurse paralajmëroi Shkrimi Shenjt. Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri si u tha në Shkrimin Shenjt» (1 Kor 15, 3-5). Për izraelitët ishte e rëndësishme ajo formula që dëgjuam në leximin e parë. Por, e gjithë Besëlidhja e Vjetër, ishte përgatitje për kuptimin e shëlbimit që do ta sillte Krishti, prandaj tashmë është predikimi apostolik mbi Krishtin e Vdekur e të Ngjallur që duhet të kujtojmë e të shpallim.

Është mirë ta kemi parasysh këtë shkëmb të sigurt. Kështu, kur të na vijnë tundimet, do të mund të jemi më të qëndrueshëm në fe, në shpresë dhe në dashuri.

E, Ungjilli i sotëm, na thotë se tundimet nuk i munguan as Jezusit. Në këtë kohë krezhmësh Kisha dëshiron të na ndihmojë në luftën tonë të përditshme kundër tundimeve të pashmangshme. Jezusi del fitimtar mbi këto tundime, pikësëpari ngaqë Ai është Hyj e «Hyji nuk mund të jetë i tunduar për të keq» (Jak 1, 13), por, ndërkohë, Ai na mëson edhe një mënyrë shumë praktike për t’ia mbyllur shtigjet të keqit: të përdorim Shkrimin Shenjt.

Është interesant të shohim se si, në të tria tundimet e tij, djalli e fillon formulimin e fjalive të veta me fjalët «Nëse je Biri i Hyjit»: djalli paska si “stil pune” vënien në krizë të identitetit vetjak! Thotë një fjalë e urtë: «Ujku mjegull do.» Edhe djalli kërkon më parë të na mjegullojë identitetin tonë si bij e bija të Hyjit e, pastaj, betejën do ta ketë më të lehtë ta fitojë. Por Jezusi nuk e pranon këtë kompromis me pasoja fatale.

Duke i marrë me radhë të tria përpjekjet e djallit për ta bërë Jezusin të largohej nga misioni i Tij për shëlbimin e botës, mund të vërejmë se si aty përmblidhen edhe të gjitha pikat kryesore mbi të cilat djalli përpiqet të na mashtrojë e të na largojë edhe ne nga Hiri i Hyjit.

I thotë Jezusit: «Nëse je Biri i Hyjit, urdhëroji këtij guri të bëhet bukë.» Mendimi se çfarë do të hamë e çfarë do të pijmë, sado i drejtë e i shenjtë që është në vetvete, e dimë se shpesh mund të na bëjë «të notojmë në ujëra të thella e të rrezikshme», pra, të shtyhemi në një jetë pa Zot e pa bashkëndarje me ata që janë më në nevojë. Djalli donte ta bënte Jezusin të mendonte se Ati e kishte harruar. Edhe neve mund të na paraqitet ndonjë situatë ku vërtet na duhet të zgjedhim mes lëshimit në dorën e Zotit, apo mëkatit dhe, djalli, shpejton të na bëjë të zgjedhim këtë të dytin.

Përgjigjja e Jezusit «Njeriu nuk mund të jetojë vetëm me bukë» nuk ka ndër mend të na bëjë të mendojmë se nuk na duhet gjë buka për jetesë, por se nuk duhet «vetëm buka»: pra, nuk mjafton vetëm shpjegimi biologjik për të folur mbi krejt njeriun, por ka edhe shumë aspekte të tjera. Pastaj, duhet bërë llogaria se ekziston edhe Provania e Hyjit. Jezusi në Ungjill nuk qortonte punën për jetesë, por «brengosjen se çfarë do të hamë e çfarë do të pijmë» (Mt 6, 25), sepse kjo «brengosje» nuk lejon t’i shohim shenjat e Provanisë së Hyjit Atë.

Në tundimin e dytë, djalli e fton Jezusin të përkulet para tij në adhurim. Në shkëmbim do t’i jepte tërë pushtetin e lavdinë e mbretërive të botës, që thotë se qenkan të tijat. Por djalli këtu gënjen, «sepse është rrenacak dhe babai i rrenës» (Gjn 8, 44). Nuk është e vërtetë se mbretëritë e botës janë në pushtetin e tij, sepse botën e udhëheq Shpirti i Hyjit. Të gjithë ata që bëjnë të mirën, ndjekin diktimin që Shpirti i Hyjit bën në ndërgjegjen e tyre. Ka mjaft njerëz të mirë. Madje shumica janë të tillë, edhe pse për këta flitet rrallë. Mediat moderne, shpesh, bëhen aleate të fuqishme të djallit në këtë “fushatë” të tijën për të mbjellë shkurajim tek të mirët. Por djallit i intereson që Jezusit t’ia fshehë këtë të vërtetë. Kështu bën edhe me ne ky mashtrues i keq, kjo «gjë e mbrapshtë».

Me këtë lloj tundimi, veç, djalli mund të bëjë shumë veta që të bien në mëkate, sepse lakmia për pushtet të cilën ai e premton, tërheq shumë njerëz. Sa luftra kanë shpërthyer vetëm nga lakmia e papërmbajtur për pushtet nga shumë diktatorë?! Pastaj, sa shfrytë­zime të të varfërve bëhen në botë, vetëm ngaqë disa, edhe pse pakicë, nuk kanë të ngopur me pushtetin që u sjellë paraja?! Sa mëkate edhe kundër urdhërimit të gjashtë bëhen vetëm nga shtysa e “pushtetit” që aty, me mashtrim, djalli premton se do të arrihet?! Për të mos folur, pastaj, për raste vërtet shumë të rrezikshme të njerëzve që bëjnë deri edhe pakte me djallin nëpër magjistarë të ndry­shëm, për të fituar pushtetin që ai premton, por nuk e dijnë të keqen e madhe që gjithnjë u kanoset në jetën e tyre dhe, pa pasur frikë se e teprojmë, edhe në jetën e brezave që u vijnë pas.

«Adhuro Zotin, Hyjin tënd, dhe vetëm Atij shërbeji!», përgjigjet i prerë Jezusi, duke cituar edhe këtu Shkrimin Shenjt. Djallit, shumë shpesh, shumë më shpesh nga sa ne mendojmë, duhet t’ia presim shkurt e, të ndihmohemi nga fjalët e Shkrimit të Shenjtë, është rruga më e shkurtër e më efikase.

Në tundimin e tretë, djalli, duke e parë se Jezusi përdorë Shkrimin Shenjt si armë, vendos ta përdorë edhe ai. E çon në majë të Tempullit dhe i thotë: «Nëse je Biri i Hyjit, hidhu prej këtu poshtë, sepse Shkrimi Shenjt thotë: “Hyji për ty do t’u urdhërojë engjëjve të vet që të ruajnë.”»

Kjo është mënyra më e hollë e tundimit: mbështjellja e helmit me bukë. Sa të shumta janë rastet kur e keqja serviret si e mirë? Sa të shumta janë rastet kur arrihet në mëkate nga më të ndytat, duke përdorur edhe Shkrimin Shenjt si justifikim? Sa luftrat janë bërë duke përdorur emrin e Zotit? Thuhet se një herë, në shekullin XIV, Jezusi iu shfaq Shenjtes Brixhildë të Suedisë dhe, duke iu ankuar asaj për korrupsionin që kishte hyrë thellë në Vatikanin e asaj periudhe, i thoshte plot dhimbje: «Këta janë më të këqinj se Juda, sepse Juda më ka tradhtuar vetëm mua, por këta po tradhtojnë e ftohin ndërgjegjet e shumë e shumë bestimtarëve që presin prej tyre mësime të shenjta e jo shtrëmbërime e padrëjtësi». «Më të këqinj se Juda» qenkan të gjithë ata që përdorin emrin e Zotit dhe Shkrimin Shenjt për të arritur mashtrime e padrejtësi.

Këtu hyjnë patjetër edhe të gjithë ata njerëz që merren me rituale magjike, të cilët thuhet se, në mes këtyre ritualeve, bëjnë edhe shenjën e kryqit, përmendin emrin e Zotit dhe shtëpinë e kanë plot me fugure. Por përfundimi është se kështu i largojnë njerëzit nga sakramentet, nga Shkrimi Shenjt, nga bashkimi me Kishën, nga dashuria deri edhe për armikun, si edhe nga lutja e sinqertë. Sa të këqijat i bëjnë duke përdorur gjoja për mirë gjërat e shenjta!

Por Jezusi di ta përdorë si duhet Shkrimin Shenjt. «Ta bëjmë mirë të mirën!» – thoshte Shën Leonardo Murialdo. Jezusi, ngaqë e ka zemrën e pastër, ngaqë e do vërtetë Atin e vet dhe e di mirë se Ati e do shumë, di të dallojë mirë. Prandaj djallit i përgjigjet me fjalët: «Por u tha edhe “Mos e tundo Zotin, Hyjin tënd!”» Zemra e pastër, largimi nga egoizmi, bindja se Hyji na do dhe dashuria jonë për Të, qenkan «sita» të cilën Shpirti Shenjt e përdorë për të na ndihmuar të «shoshisim» si duhet në ndërgjegjen tonë.

Izraelit dikur Hyji i kërkonte të kujtohej për veprat e Zotit në popullin e zgjedhur, nëse donte të qëndronte i fortë në fe. Të krishterit, Hyji tani i kërkon të rrënjoset në veprën më të madhe në historinë e shëlbimit të njerëzimit, që është Vdekja e Ngjallja e Birit të vet Jezu Krishtit. Me ndihmën e Hirit të Krishtit të Ngjallur dhe duke i besuar Fjalës së Tij, do të dimë t’i shmangim kurthet e djallit, mashtruesit të keq.

Sa i bukur del se është, atëherë, ai rreshti i psalmit që dëgjuam sot, po t’ia drejtojmë Krishtit të Vdekur e të Ngjallur: «Strehimi im, kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në Ty!»

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *