ATË DËGJONI!

Categories HomeliPosted on

E DIELA II E KREZHMËVE – Viti C

Zan 15, 5-12. 17-18; Ps 27 (26); Fil 3, 17 – 4, 1; Lk 9, 28-36

Në këtë të dielë të dytë të krezhmeve, Kisha na paraqet këtë pjesë të bukur ungjillore, Shndërrimin e Jezusit, ngjarje e cila, me sa duket, pati një ndikim të fortë tek apostujt. Të tre Ungjijtë sinpotikë që na e tregojnë këtë episod, si edhe Shën Pjetri që e përmend në njërën prej letrave të tij, na e përshkruajnë pothuajse në mënyrë identike e kjo na bën të kuptojmë se, në predikimet e tyre, apostujt duhet ta kenë përmendur shumë shpesh këtë mrekulli. Me dome­thënie të madhe është edhe fakti se, ndër të gjitha mrekullitë që Jezusi ka bërë gjatë jetës së tij të lume publike, vetëm kjo e Shndërrimit ka një festë liturgjike (më 6 gusht). Kjo bën të kuptojmë se, përshpirtëria e mëvonshme e Kishës e ka lënë veten të preket nga mrekullimi që patën apostujt atë ditë në malin Tabor.

Duhet theksuar se kjo mrekulli ndodhi pasi që Jezusi u kishte thënë apostujve se, pas fare pak kohësh, do të ndodhte kryqëzimi i tij. U kishte thënë edhe se tri ditë pas vdekjes së tij Ai do të ngjallej, por kushedi si duhet ta kenë kuptuar apostujt atë fjalën «do të ngjallet». Duhet të kenë menduar se është fjala për ngjalljen e të vdekurve në fund të kohëve. Prandaj, trishtimi i lajmit të vdekjes së afërt të Jezusit, duhet të jetë lexuar lehtë në fytyrat e tyre. E, pikërisht për t’i forcuar, Jezusi dëshiron që disa prej tyre t’i bëjë dëshmitarë okularë të diçkaje vërtetë madhështore.

Në Ungjillin e sotëm, Shën Luka na sjell një detaj që nuk për­mendet tek Ungjijtë e tjerë: «Ndërsa Jezusi po lutej, fytyra iu shndërrua e petkat iu bënë të bardha e të shndritshme si vetëtima». Shndërrimi i Jezusit ndodh «ndërsa po lutej». Këtë detaj Shën Luka e thekson për të na bërë të kuptojmë rëndësinë e lutjes: lutja ishte shumë e rëndësishme në jetën tokësore të Jezusit e prandaj duhet të jetë e rëndësishme edhe në jetën tonë. Sikurse natyra Hyjnore e Birit të Hyjit u shndërrua gjatë atyre çasteve lutjeje dhe u vesh me lavdi, ashtu edhe ne (aq më tepër ne) kemi nevojë për kohë lutjeje në jetën tonë, që Hyji të mund të depërtojë në jetën tonë.

Por e gjitha kjo pjesë ungjillore është e mbushur me detaje tepër të rëndësishme. Shën Luka që e tregon, ngjan në këtë rast me dikë që e ka mbushur prehrin e vet plot me perla të çmueshme dhe vjen e na i hedhë përpara syve. E ne, sa më shumë të përqëndrohemi në rreshtat e këtij tregimi, aq më shumë perla, pra, aq më shumë detaje domethënëse do të gjejmë aty. Por tani na duhet të ndalemi vetëm tek ato më kryesoret.

Jezusi vendos që, për pak çaste, ta heqë velin që e mbulonte lavdinë që Ai e ka, falë natyrës së vet Hyjnore. Duket sikur një pjesë e Parrizit është shfaqur mbi tokë. Aty, në Parriz, është Hyji, por edhe shenjtërit e Tij. Janë të gjithë ata shpirtra të pastër e të përshpirtshëm që kanë pritur me kohë përmbushjen e planit të Hyjit. Ky plan po përmbushet tani me Vdekjen e Ngjalljen e Birit të Tij e prandaj shfaqen pikërisht Moisiu dhe Elia, «të rrethuar me lavdi e bidesonin me të për Kalimin e tij nga kjo jetë që do ta bënte së shpejti në Jerusalem».

Moisiu përfaqësonte Ligjin, që u dha prej Hyjit me qëllim që ta përgatiste popullin e zgjedhur për ardhjen e Birit të vet. Elia përfa­qësonte profetët, të cilët Shpirti i Zotit i kishte çuar në Izrael për ta mbajtur në besnikëri ndaj Tij. Për Moisiun, Bibla tregon se vdiq, por varri i tij mbeti i panjohur, ndërsa për Elinë Bibla thotë se u mor në qiell ashtu siç ishte, trup e shpirt. Edhe me fundin e jetës së tyre tokësore, këta njerëz e kishin paralajmëruar se Biri i Hyjit do ta linte bosh varrin e Tij kur të Ngjallej në Lavdi.

Duke e ditur pastaj se fjala Pashkë në hebraisht do të thotë pikërisht Kalim, është interesante të mësojmë se biseda e tyre me Jezusin ishte rreth «Kalimit» të Tij, pra, rreth «Pashkës së Tij» që do të ndodhte së shpejti në Jerusalem. Nga ungjilltarët nuk tregohet më shumë rreth përmbajtjes së bisedës së tyre. Mbase Moisiu dhe Elia këtu janë si ai «engjëlli» që iu shfaq Jezusit në kopshtin e Gjetsemanit natën kur do të arrestohej, «për t’i dhënë zemër» (Lk 22, 43). Nuk e dimë me siguri, por nuk kemi pse ta përjashtojmë si mundësi.

Por me siguri prania e tyre po u jepte zemër pa masë apostujve që e shihnin dhe e dëgjonin gjithë këtë skenë. Përballë gjithë asaj mrekullie, ata menduan se u realizua në atë çast koha mesianike, që premtohej në Besëlidhjen e Vjetër. Moisiu ishte ai që, në Sinai, fliste faqe-faqas me Hyjin. Tani dukej sikur po përsëritej ajo ngjarje madhështore e Izraelit, kur ky ishte në udhëtim drejt tokës së premtuar. Ndërsa për Elinë ishte thënë se do të kthehej kur do të vinte Mesia. Kjo është edhe arsyeja përse Pjetri, i rrëmbyeshëm si gjithnjë, thotë me vrull të zemrës: «Mësues, është mirë për ne të qëndrojmë këtu. Po i bëjmë tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë!» Dëshironte që gjithë ajo lumni të mos kishte kurrë mbarim.

Por «nuk dinte ç’thoshte», sepse, sado e bukur që ishte ajo pamje, gjithësesi ishte veçse një “vezullim” i lumnisë së Parrizit. Pjetri dhe apostujt e tjerë duhej të forcoheshin për t’u përballuar me “shka­ndullin” e kryqit. Kur ta shikonin të varur në kryq, duhej të besonin se Jezusi vazhdonte të ishte përsëri qendra e krejt Ligjit – që në ato çaste lumnie përfaqësohej nga Moisiu, dhe qendra e të gjitha profecive që ishin bërë në Izrael e që, aty, po përfaqësoheshin nga Elia profet.

«Ndërsa ky ende po fliste, ra një re dhe i mbuloi me hijen e vet. Kur hynë nën re, nxënësit i kapi frika». Reja, për popullin e Izraelit, ishte shenjë e pranisë së Hyjit. Prandaj kjo re nuk ishte një mjegullnajë e rastit, por prania e Hyjit. E, Hyji Atë, është Ai që tani po dëshmonte për Birin e vet, duke bërë që të dëgjohej zëri i Tij: «Ky është Biri im, i Zgjedhuri. Atë dëgjoni!»

Dëshmia e Atit i drejtohet Apostujve: edhe Ati, me sa duket, është i merakosur, si Jezusi, për qëndrueshmërinë e fesë së tyre dhe dëshiron që ajo të mos humbasë kur të vijë koha e mundimeve. «Atë dëgjoni!» – u thotë Ati i amshuar, sepse Ai është Fjala ime. «Atë dëgjoni!» – na thotë Ati edhe neve, sidomos kur i kërkojmë Atij shenja të dashurisë për ne. Shën Gjoni i Kryqit thoshte se «Hyji Atë na i ka thënë të gjitha fjalët e veta në Fjalën e mishëruar që është Biri i Tij. Pasi ka thënë atë Fjalë, Ati është bërë si i pagojë, sepse nuk ka ç’na thotë më shumë».

«Atë dëgjoni!» – na thotë Hyji edhe kur jemi të ligështuar nga mëkati, sepse Ai na ka pajtuar me Atin me Vdekjen e Ngjalljen e Tij. Në leximin e parë, Hyji i jep Abrahamit një shenjë të dashurisë së Tij dhe e bën këtë nëpërmjet një rituali që aso kohe përdorej për të lidhur besën në mes të dy palëve. Ai gjesti i çuditshëm i Abrahamit që mori një mështjerrë e një dash dhe «i preu për mjedis dhe secilën prej gjysmave e vendosi njërën kundruall tjetrës», duhet të plotësohej kur, në rastin e lidhjes së ndonjë bese, të dyja palët do të kalonin përmes tyre. Gjaku i kafshëve shërbente si dëshmi e fjalës së dhënë. Por pjesa që dëgjuam, nuk thotë se, përmes copave të prera, kaloi edhe Abrahami. Teksti thotë se aty kaloi vetëm Hyji: «U duk një tangar i ndezur dhe flakadani i përshkoi ato pjesë». Abrahami nuk kalon, sepse Hyji e di se njeriu nuk është në gjendje ta mbajë fjalën e dhënë e prandaj ia kursen këtë brejtje ndërgjegjeje. Hyji angazhohet i vetëm ta çojë në përmbushje premtimin se, trashë­gimia e Abrahamit të moshuar, do të ishte e panumërueshme, «porsi yjet e qiellit». Ky premtim i Hyjit do të përmbushej në Birin e Tij, Jezu Krishtin. Gjaku i Jezusit do të ishte dëshmia e përmbushjes së premtimit të Hyjit se do ta pajtonte botën me vete dhe se do të mundësonte në çdo cep të botës të ketë një pafundësi njerëzish që kanë një fe të sinqertë në Hyjin, siç e pati Abrahami. Në parapamje të kësaj, Gjon Pagëzuesi kishte thënë: «Hyji mund t’i nxjerrë prej këtyre gurëve fëmijë Abrahamit!» (Lk 3, 8).

 «Atë dëgjoni!» – na thotë Hyji Atë edhe ne sa herë që jemi të tunduar ta jetojmë jetën pa dashuri, pa fe të gjallë dhe e pa shpresën që Zoti na nxit ta kemi. Kur jemi të tunduar, pra, të jetojmë edhe ne si ata që Shën Pali në leximin e dytë sot i quan «armiq të kryqit të Krishtit».

«Atë dëgjoni!» – na thotë Ati, për të na nxitur që ta ruajmë edhe ne atë shpresë që e përshkruan shumë bukur Shën Pali: «Atdheu ynë është qielli, nga presim se vjen si Shëlbues Jezusi Krishti Zot. Ai do ta shndërrojë trupin tonë të mjerë në një trup të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm». Shndërrimi i Jezusit, na fton të mendojmë edhe për shndërrimin që do t’i ndodhë secilit prej nesh kur të marrim pjesë në lavdinë e Ngjalljes së Krishtit Zot.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *