E DIELA III E KREZHMËVE – Viti C
Dal 3, 1-8.13-15; Ps 103 (102); 1 Kor 10, 1-6.10-12; Lk 13, 1-9
Ftesën për kthim nga mëkatet, këtë të dielë Shkrimi i Shenjtë na e bën në një formë domethënëse. Na fton të vlerësojmë mirësinë e Zotit e jo të presim fatkeqësitë për t’u motivuar se duhet të largohemi nga e keqja e t’i afrohemi Hyjit. Kjo nuk është e lehtë, por është patjetër rruga drejt jetës: «Kthimi është si puna e një vetvrasjeje, por që ka përparësinë e pamasë që të na bëjë të kalojmë gjallë në anën tjetër» – shkruante me të drejtë Pierre Reverdy, poet francez i shekullit XX.
Krishterimi mëson se «ana tjetër» është jeta e pasosur me Hyjin e prandaj duhet marrë seriozisht rreziku i humbjes së kësaj jete. Ne që i jemi afruar Krishtit nga ana e jashtme, të kemi kujdes e të mos e shtyjmë për më vonë kthimin tonë aty ku e ndjejmë se duhet bërë, sepse, pikërisht kjo shtyrje për më vonë, mund të jetë shenjë largimi nga Zoti. Por le t’i shohim si na e thonë këtë leximet e sotme liturgjike.
Në leximin e parë flitet për takimin e Moisiut me Hyjin, takim gjatë të cilit Hyji i thotë Moisiut se kishte vendosur që ta lironte Izraelin nga skllavëria e Egjiptit: «E pashë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe e dëgjova klithjen e tij për ndihmë… dhe zbrita për ta liruar nga duart e egjiptianëve». Këtë vendim të vetin Hyji e shpreh «prej kaçubës» që kishte marrë flakë, por që, për habi, nuk konsumohej. Ishte shëmbëllesë e Izraelit në mes të flakëve të skllavërisë në Egjipt, por që nuk do të konsumohej falë ndërhyrjes së Zotit.
Por, në këtë takim, Hyji nuk i foli Moisiut vetëm për këtë vendim të vetin. Kur Moisiu do ta pyeste për emrin e Tij, Hyji do t’ia zbulonte: «Atëherë Moisiu i tha Hyjit: “Kur të vij te bijtë e Izraelit e t’u them: ‘Hyji i etërve tuaj më dërgoi tek ju’; po, nëse më thonë: ‘Si e ka emrin?’, çka do t’ju them?”. Hyji i tha Moisiut: “Unë jam ai që jam.”». Ja ndera tjetër që Hyji i bën këtij populli: i tregon Emrin e vet.
«Unë jam» (Jahve – tingëllon në hebraisht) do të thotë se vetëm Hyji është. Askush nuk mund ta thotë këtë fjalë, sepse të gjitha krijesat e marrin ekzistencën e tyre nga Hyji. Vetëm Hyji është e nuk ka nevojë që dikush tjetër ta bëjë Atë të jetë. Me fjalë të tjera, Hyji është burimi i çdo jete, kurse jetët e tjera, janë si kanale që furnizohen nga ky burim. Ai s’ka nevojë për burim jete, sepse është vetë jeta.
Por Hyji i ka bërë Izraelit edhe ndera të tjera. Shën Pali në leximin e dytë na i rreshton disa: «Vëllezër, dua që patjetër ta dini: etërit tanë të gjithë qenë nën re, të gjithë kaluan nëpër det dhe të gjithë qenë pagëzuar në Moisiun me re e me det dhe të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim shpirtëror dhe të gjithë pinë të njëjtën pije shpirtërore; pinin nga qeta shpirtërore që i përcillte: qeta ishte Krishti». Shën Pali është teolog i madh; ai, pasi bën një kalim të shpejtë të mrekullive kryesore që Hyji bëri për popullin e Izraelit në shkreti, sheh se, gjithë këtë vepër shëlbimi, Ati po e realizonte nëpër Birin e vet: «qeta ishte Krishti».
Po cili qe reagimi i popullit të Izraelit përballë gjithë këtyre mrekullive? Mjerisht, ata nuk vononin dhe i harronin mrekullitë. Ankesat i kishin në majë të gjuhës. Jo vetëm ankoheshin, por nuk vononin e silleshin kah idhujt. Prandaj Shën Pali thotë: «Por shumica nuk i pëlqeu Hyjit, mbasi qenë vrarë në shkreti». Mosmirënjohja ishte mëkati i vazhdueshëm i atyre njerëzve. E, për këtë arsye, Shën Pali na fton që të jemi të kujdesshëm: «Të gjitha këto ndodhën si shembull për ne, që ne të mos i lakmojmë së keqes, sikurse i lakmuan ata». Dhe përfundon me shumë mençuri: «Kush, pra, mendon se qëndron, të ruhet të mos rrëzohet!»
Izraeli ishte populli i zgjedhur i Hyjit e askush nuk mund ta dijë arsyen e një përzgjedhjeje të tillë Hyjnore, por e sigurt është se, kjo përzgjedhje, nuk ishte bërë ngaqë ky popull ishte më i miri i të gjithë popujve të tjerë. Prandaj gjejmë në Besëlidhjen e Vjetër disa rreshta të mrekullueshëm falënderimi, rreshta që tregojnë mirënjohjen e shumë profetëve, teologëve e njerëzve të përshtirtshëm të epokave të ndryshme në Izrael, që i thurnin lavde Hyjit të Izraelit për dashurinë falas të treguar ndaj këtij populli.
Por, këto ndjenja mirënjohjeje, nuk përshkonin shumicën e popullit, i cili shpesh, siç thamë, tregohej mosmirënjohës. «Cila është gjëja që plaket shpejt? Mirënjohja?» – pyeste e përgjigjej vetë me ironi Diogjen Laercio, historiani i lashtë grek në shekullin III pas Krishtit.
Mosmirënjohja është një mëkat shumë i keq. Ajo rrezikon të na e ngurojë zemrën përballë mirësisë që Hyji tregon ndaj nesh dhe na bën si ata fëmijët që llastohen, të cilët kurrë nuk dinë të qeshin e të gëzohen për zemërgjerësinë e prindit, por qesin gjithnjë shqelmat për të fituar dhurata të tjera.
Ky ves, i trashëguar te shumë izraelitas të tjerë, arriti deri në kohën e Krishtit e prandaj shumëkush, sidomos krerët e fesë, nuk mrekulloheshin më aspak përballë pushtetit të Jezusit e përballë mirësisë që Ai predikonte e jetonte, por kërkonin shenja edhe më të bujshme se ato që Ai bënte. Për shkak se ishin bërë të paaftë për mirënjohje, edhe shenjat e bujshme që Jezusi bënte, nuk e kishin të vështirë t’i argumentonin ndryshe, sipas interesit të tyre.
Kjo gjendje e shpirtit është më e rrezikshmja, sepse njeriun e bën të pandjeshëm ndaj veprave të mira që Hyji i bën përreth tij. Prandaj nuk duhet të mendojmë se, për të na bërë të kuptojmë që jemi në mëkate, Hyji na dërgon fatkeqësi, por duhet t’i hapim mirë sytë ndaj mirësisë që Ai vazhdimisht e tregon përreth nesh. Psalmi i sotëm thotë: «Zoti bën veç vepra të mira».
Ideja se fatkeqësitë mund të jenë ndëshkimi i Hyjit për ndonjë mëkat, ishte edhe në mendjen e atyre njerëzve që shkojnë tek Jezusi (siç thotë Ungjilli i sotëm) dhe i tregojnë për një ngjarje të rëndë që kishte ndodhur: Pilati kishte vrarë disa galileas në çastin kur këta po i ofronin Hyjit flitë e tyre. E Jezusi e heton se në mendjen e atyre që ia sollën këtë lajm, fshihej ideja se, si shenjë e mospranimit të flisë që po ofronin, Hyji mund të kishte lejuar që Pilati t’i vriste. Por e vërteta është ndryshe: fakti se u ka ndodhur kjo e keqe, nuk është shenjë se janë larg Zotit. Sikurse as mungesa e fatkeqësive nuk është shenjë se jemi në Hir të Zotit. Jeta e gjatë, shëndeti, fakti se nuk na ka ndodhur diçka tek të dashurit tanë, nuk do të thotë se nuk kemi nevojë për kthim. Ndoshta kemi më shumë se gjithkush tjetër dhe, vetë të mirat që Hyji na ka çuar në jetë, mund të jenë ftesa e Tij e fuqishme për kthim.
«Por, nëse nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata», thotë Jezusi në përgjigjen e Tij sot në Ungjill, duke i ftuar bashkëbiseduesit e vet që ta marrin seriozisht çështjen e kthimit kah Hyji e të mos presin fatkeqësitë për ta kuptuar këtë. Duhej të ishte pikërisht mirësia që Hyji po tregonte në personin e Jezusit ajo që duhej t’i nxiste për kthim të sinqertë, para se të bireshin në amshim. Kjo e fundit është fatkeqësia e vërtetë. Në atë rast, puna e Hyjit me Izraelin rrezikonte të mbetej pa fryt.
Kjo është edhe arsyeja për të cilën Jezusi u tregon edhe shëmbëlltyrën që dëgjuam: «Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e vet». Vreshti është bota, fiku simbolizon Izraelin, popullin e përzgjedhur. «Shkoi, kërkoi fryte në të, por nuk i gjeti». Mirësia e Hyjit ndaj këtij populli, ishte shpërblyer nga mosmirënjohja e prandaj s’po jepnin frytin të cilin Hyji po e kërkonte prej tyre, fryt i cili ishte pikërisht besimi në Jezu Krishtin. «Atëherë i tha vreshtarit: “Ja, tash tri vjet po vij e po kërkoj frytin e këtij fiku e nuk po e gjej. Preje! Pse ta shfrytëzojë kot tokën?”». Veprimtaria publike e Jezusit kishte zgjatur rreth tri vjet, por nuk po shiheshin frytet e shumëpritura. Por vreshtari, Jezusi, përgjigjet: «Zotëri, lëre edhe këtë vit që ta mih përreth e t’i qes pleh! Ndoshta në të ardhmen do të japë fryte… Po qe se jo, atëherë do ta presësh!». Kishte ngelur pa u bërë edhe një vepër të fundit mirësie nga Jezusi, në dobi të këtij vreshti që ishte populli i Izraelit: i duhej edhe të hiqte keq për kultivimin e tij, pra të pësonte mundimet. E, në fakt, këto mundime do ta jepnin frytin e tyre, kur do të vulosen nga Ngjallja e Tij prej së vdekuri. Zoja e Bekuar, Apostujt dhe të gjithë ata që në Kishën fillestare do të besonin në Krishtin e Ngjallur (të gjithë pjesë e popullit të zgjedhur) do të ishin fryti i shumëpritur: njerëz me fe të gjallë në Hyjin e gjallë.
Le t’i afrohemi, pra, Hyjit. Ta kemi parasysh shpesh porosinë e Shën Palit «Kush mendon se qëndron, të ruhet të mos rrëzohet!». Kjo kohë krezhmësh, le të jetë një kohë reflektimi për ne: të mendojmë për të gjitha mirësitë që Hyji ka bërë për ne dhe të lejojmë që, në këto gjeste mirësie, sytë tanë ta vërejnë dashurinë që Ai ka për ne dhe t’i hapemi asaj.
Nëse të gjitha mirësitë që na rrethojnë prapë nuk na mjaftojnë, le t’i hedhim sytë tanë kah Krishti i Kryqëzuar e i Ngjallur, sepse Ai është shenja më e madhe e mirësisë së Hyjit ndaj nesh.
Dom Dritan Ndoci