E DIELA E LARIT – Viti C
Is 50, 47; Ps 22 (21); Fil 2, 6-11; Lk 22, 14-23, 56
Vetë fakti se liturgjia e sotme është mjaft e gjatë, na detyron të mos zgjatemi shumë në komente të Fjalës së Zotit. Bekimi i Larit dhe procesioni që pason, na kanë kujtuar atë hyrje kremtore të Jezusit në Jerusalem para se të realizonte shëlbimin tonë me Mundimet, Vdekjen dhe Ngjalljen e Tij. Me ditën e sotme fillojmë Javën e Madhe, në të cilën Kisha përqëndrohet shumë më dukshëm në këtë Mister qëndor të shëlbimit tonë.
Ungjilli i sotëm, shumë i gjatë, na vë përpara misterin e mundimeve e të vdekjes së Jezusit, të treguar nga ungjilltari Shën Luka. Mua personalisht më bën gjithnjë shumë përshtypje fakti që, sa herë që lexohen të plota mundimet e Krishtit, imponohet vetvetishëm shumë lehtë në bashkësinë që e dëgjon një klimë shpirtërore shumë e bukur dhe shumë e thellë. Kjo ngaqë kemi të bëjmë me zemrën e misterit të shëlbimit tonë dhe, si pasojë, vetë Fjala që dëgjojmë, ka një fuqi e qartësi të veten, e cila na rrëmben me plot mister e bekim.
Të gjithë ungjilltarët i tregojnë mundimet e Krishtit pothuajse njësoj. S’ka si të jetë ndryshe, në fakt. Por, gjithsesi, secili prej tyre, përveç gjërave kryesore që tregojnë kur flasin për misterin e pambarim të vdekjes në kryq të Birit të Hyjit, na sjellin edhe disa detaje shtesë.
Të shumta mund të ishin detajet që mund të theksonim tani. Megjithatë, kjo do të ishte jo vetëm e pamundur, por edhe e padobishme, sepse, e thamë, vetë Fjala që dëgjuam, ka një fuqi e qartësi të veten. Nga Ungjilli i sotëm janë dy detaje mbi të cilat dëshiroj të ndalemi vetëm pak e t’i meditojmë më nga afër.
Shën Luka është i vetmi që na tregon se Jezusi, atë natë që po lutej në kopshtin e ullinjve, djersiti gjak. Thotë ungjilltari: «Kur e kapën mundimet e vdekjes, lutej më me zemër. Djersa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokë». Mbase, kur kishte filluar të shkruante Ungjillin e tij, këtë detaj Shën Luka e ka mësuar duke u interesuar andej e këndej që të mbledhë sa më shumë informacione mbi Jezusin. E thotë ai vetë në rreshtat e parë të Ungjillit të tij se «i shqyrtova hollësisht të gjitha qysh prej fillimit» (1, 3).
Pra, se Jezusi ka djersitur gjak, e kemi mësuar nga Shën Luka. Tradita thotë se ky ungjilltar ishte piktor dhe mjek. Tani mund ta kuptojmë edhe më mirë se përse atij i është dukur me shumë rëndësi që ta theksonte këtë fenomen të pazakontë të djersitjes gjak të Jezusit. Nga zanati i piktorit, ai kishte mësuar që ta kishte përzemër e ta pikturonte sa më mirë teologjikisht fytyrën e «Shërbëtorit të Jahveut» të vuajtur. Si mjek, pastaj, atij i është dukur pafundësisht domethënëse kjo djersitje gjaku, sepse linte të kuptonte një vuajtje vërtet të thellë brenda Jezusit atë natë në Gjetseman, kur Atit të vet i thoshte: «O Atë, nëse do, largoje këtë gotë prej meje. Veçse, le të bëhet, jo vullnesa ime, por vullnesa jote». Ajo «veçse» Jezusit, si njeri, i ka kushtur djersë gjaku.
Përballë kryqit Jezusi ndihet aq i brishtë si njeri, saqë trupi i Tij tashmë fillon të konsumohet nga gjithë ajo frikë që e kaploi. Nga Ungjilli i Shën Gjonit mësojmë se, kur ushtari ia shporoi kraharorin Jezusit të vdekur me një heshtë, prej kraharorit «rrodhi gjak e ujë» (19, 34). Patjetër që mjekësia e sotme do të dinte ta shpjegonte më saktë se si ka mundësi që të dalë ujë nga një kraharor, por mendoj se problemet serioze me zemrën e Tij, Jezusi i kishte pësuar një natë para se të vdiste, pikërisht gjatë atyre çasteve pafundësisht të vështira kur po lutej në Gjetseman.
Nga njohuritë e sotme shkencore dimë se, kur njeriut i paraqitet një kërcënim për jetën e tij, zemra, në mënyrë të vetvetishme, fillon të pompojë gjak më me shumë forcë, me qëllim që ta bëjë trupin më të fuqishëm për t’ia mbathur e të largohet nga vendi që e konsideron si të rrëzikshëm. Kështu mund të themi se djersitja e gjakut nga Jezusi, lehtësisht mund të na bëjë të mendojmë se krejt trupi i Tij tashmë kishte hyrë në një mekanizëm lufte për mbijetesë, aq sa zemra duhet të ketë qenë e para ajo që e kishte pësuar. Nga njëra anë, ishte trupi i Tij që dukej sikur i thoshte Jezusit «mbathja», por, nga ana tjetër, ishte Ati që i kërkonte Shëlbimin tonë. Jezusi, edhe me vullnetin e Tij njerëzor, vendosi që të dëgjonte Atin, por përkulja e këtij vullneti njerëzor nuk ka qenë aspak e lehtë. Një koment vërtetë të bukur dhe plot dashuri të këtyre çasteve dramatike dhe shëlbimprurëse, e ka bërë Papa Benedikti XVI në librin e tij Jezusi i Nazaretit: «Në kopshtin e ullinjve, Jezusi ka provuar vetminë e fundit, tërë vetminë e të qenit njeri. Këtu tërë humnera e mëkatit dhe e tërë së keqes e ka depërtuar deri në fund të shpirtit. Këtu ka qenë prekur nga tronditja e vdekjes që e priste. Këtu e ka puthur tradhtari. Këtu e kanë braktisur të gjithë dishepujt. Këtu ai ka luftuar edhe për mua.» Pra, Jezusi «për mua» ka djersitur gjak.
Detaji i dytë që bie në sy, por që është më pak i njohur, është ai rreshti që thotë: «Po atë ditë Herodi e Pilati u bënë miq: më parë ishin armiq.» Shën Ambrozi, ipeshkvi i famshëm i Milanos në shekullin IV, shihte në këtë miqësi të papritur, një paralajmërim të pajtimit mes Izraelit dhe paganëve. E pra, kjo miqësi e tyre lindi në atë hedhje andej e këndej që po i bënin Birit të Hyjit. Pilati e çoi Jezusin te Herodi, që ta gjykonte ai e, Herodi, pasi u tall me Të se nuk po i bënte asnjë mrekulli, të cilat gjithnjë kishte qenë kureshtar t’i shihte, ia dërgoi përsëri Pilatit.
Në pamje të parë të bën përshtypje se si kishte mundësi që armiqësia e tyre të shuhej pikërisht në atë rrethanë kaq mizore, brenda së cilës njerëzit po planifikonin eliminimin e Birit të Hyjit prej mesit të tyre. Por është fakt se, ne njerëzit, shpesh gjejmë forma të forta miqësie kur bëhet fjalë për bashkëpunim në krime deri edhe nga më të urryeshmet.
Megjithatë, Jezusi kishte thënë «Duajini armiqtë tuaj…, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë» (Lk 6, 27-28). I kemi, pra, të gjitha arsyet që të mendojmë se Jezusi duhet të jetë lutur në ato çaste edhe për ta. Kështu shohim se, nëse do të jemi në gjendje ta shndërrojmë në lutje britmën tonë të hakmarrjes dhe dhunën që planifikojmë, Hyji do të mund të bëjë që, mundimi ynë, ashtu si mundimi i Birit të vet, të mos shkojë asnjëherë krejtësisht kot, por të japë sadopak fryte paqeje e pajtimi. Frytet e Mundimeve, të Vdekjes dhe të Ngjalljes së Jezusit, mund t’i shohim se kishin filluar të realizoheshin qysh në këtë pajtim të mistershëm në mes të armiqve të Tij.
Në këtë Javë të Madhe, e thamë, do të zhytemi më dukshëm në kundrimin e misterit të Pashkëve. Prandaj t’i kërkojmë Zotit tonë Jezu Krishtit të bëjë që, ky kundrim, të japë në ne frytet për të cilat ky Mister i pambarim është realizuar. Secili prej nesh mund të thotë se Jezusi «për mua» ka djersitur gjak. Secili prej nesh mund të jetë i sigurtë edhe se, nëse jemi të qëndrueshëm në fe e në lutje, edhe atëherë kur po na mbysin nga të katër anët intrigat dhe bashkëpunimet në të keqe, fuqia e Misterit të Pashkës së Krishtit do t’i japë sadopak frytet e veta në ne e përreth nesh.
Dom Dritan Ndoci