MOS KINI FRIKË!

Categories HomeliPosted on

NGJALLJA E ZOTIT – VIGJILJA – Viti C

Zan 1, 1 – 2, 2; Ps 104 (103); Dal 14, 15 – 15, 1; Dal 15, 1-6. 17-18;

Is 54, 5-14; Ps 30 (29); Ez 36, 16-28; Ps 42 (41); Rom 6, 3-11; Ps 118 (117); Lk 24, 1-12

Kur ungjijtë flasin për Ngjalljen e Jezusit, kanë disa ndryshime në detajet që sjellin. Patjetër që disa detaje tejet të rëndësishme nuk ndryshojnë: fakti se Jezusin e Ngjallur disa gra dhe pastaj edhe apostujt e kanë takuar realisht, faktin se Ngjallja ndodhi «të parën ditë të javës», pra ditën e diel, faktin se varri u gjet bosh atë ditë nga apostujt dhe ushtarët që e kishin ruajtur prej disa ditësh e netësh varrin që askush të mos e villte trupin e Jezusit të kryqëzuar.

Por, siç thamë, është interesant fakti se në disa detaje ungjilltarët nuk përputhen në tregimet e tyre. Kjo për dy arsye shumë të rëndësishme: e para, për faktin se ungjilltarët i shkruajnë ungjijtë e tyre të paktën rreth 30 vjet pasi kishin ndodhur këto ngjarje dhe, e dyta, për faktin se ata tashmë e shohin teologjikisht gjithë atë që ka ndodhur. E secila prej këtyre dy arsye, ka një rëndësi vërtet prekëse.

E para, pra fakti se ungjilltarët i shkruajnë këto ngjarje shumë vonë, vjen nga fakti se, fillimisht, apostujve dhe të gjithë atyre që e kishin takuar Jezusin e Ngjallur, nuk u interesonte edhe aq që t’i shkruanin ato ngjarje, por t’i shpallnin, për të ndërtuar Kishën e Gjallë të Hyjit të Gjallë. Kerigma ishte “shqetësimi” i parë i tyre, sepse ajo ka një forcë të veten tek ndërgjegjet të cilave u drejtohet. Apo­stujt, pra, së bashku me të krishterët e parë, donin të flisnin për një ngjarje e cila u kishte shndërruar jetën pa më të voglin dyshim. Pastaj, vetëm më vonë, menduan të fillonin të shkruanin ndonjë gjë rreth atyre ngjarjeve aq madhështore.

Arsyeja e dytë, pra, fakti se ungjilltarët e shohin tashmë teolo­gjikisht Ngjalljen e Jezusit, ka rëndësi shumë të madhe sepse na bën të shohim nga afër ndryshimin e mendimeve teologjike që kishin këta hebrenj që, shumë besimtarë siç ishin, tashmë, nën dritën e Ngjalljes së Jezusit Zot, i shohin nga një perspektivë krejt tjetër, e paima­gjinueshme më parë, të gjitha traditat hebreje dhe të gjitha Shkrimet e Shenjta.

Le të marrim një shembull, të shkëputur nga Ungjilli që sapo dëgjuam. Në ndryshim me ungjijtë e tjerë sinoptikë, Shën Luka thotë se grave, kur ato hynë në varr dhe nuk e gjetën aty trupin e Jezusit, iu shfaqën dy engjëj: «Kur qe, përngjat tyre, u paraqitën dy burra të veshur me petka të ndritshme». Edhe Shën Gjoni thotë se Maria Magdalenë «pa dy engjëj të veshur me petka të bardha, ndenjur në atë vend ku qe trupi i Jezusit». Shën Mateu e Shën Marku flasin për një engjëll.

Nuk është rasti të bëhemi skrupolozë e të ndihemi të detyruar që të gjejmë numrin e saktë të engjëjve që ishin në atë çast në varr, sepse, gjithsesi, duke qenë se prania e engjëjve gjithnjë nënkupton praninë e Hyjit, në shërbimin e vazhdueshëm të të cilit engjëjt janë, të gjithë ungjilltarët kanë dashur të theksojnë se në atë varr nuk ishte më prania e një kufome të vdekur, por prania e Hyjit të gjallë. Prandaj edhe fjalët e engjëjve në ungjijtë sinoptikë shpallin «Ai u ngjall». «Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur?», pyesin më parë engjëjt në Ungjillin e sotëm.

Ajo që ungjilltarët dëshirojnë të theksojnë kur flasin për dy engjëj, ka lidhje me faktin se, mbi Arkën e Besëlidhjes, brenda së cilës ruheshin dy pllakat prej guri me dhjetë urdhërimet, Bibla na thotë se ishin gdhendur dy kerubinë. Në Librin e Daljes (25, 17-21) Zoti e porosit Moisiun se si duhet të jenë të gdhendur këta dy engjëj mbi arkë. Pozicioni në të cilin ata duhej të gjendeshin, duhej të dukej si një fron: froni për Hyjin e Gjallë. Prandaj edhe Hyji i thotë Moisut: «Aty do të takohem me ty» (Dal 25, 22).

Tashmë është e qartë se ungjilltarët, kur flasin për praninë e dy engjëjve që gjendeshin në vendin ku më parë kishte qenë trupi i vdekur i Jezusit, duan të thonë se tashmë aty ishte prania e Hyjit të Gjallë dhe se, në Jezusin e Vdekur e të Ngjallur e jo në Arkën e Besëlidhjes, Hyji i thotë njeriut: «Aty do të takohem me ty». Arka e Besëlidhjes kishte qenë vetëm shëmbëllesë e Jezusit të Vdekur e të Ngjallur.

Kemi dëgjuar shumë lexime në këtë natë. Shpeshherë shpallen të gjitha leximet që liturgjia propozon. Ne sonte kemi veçuar disa prej tyre, duke qenë se liturgjia e pranon një gjë të tillë. Tani, të mësuar nga ungjilltarët që t’i shohim nën dritën e Jezusit të Vdekur e të Ngjallur të gjitha ngjarjet e shëlbimit të ndodhura në Besëlidhjen e Vjetër, mund ta hedhim shikimin tonë kah leximet e tjera.

Krijimi është vepra e parë e historisë së shëlbimit, që e ka marrë plotësinë e vet në Shëlbimin e realizuar nga Jezu Krishti. Kalimi i Izraelit nga skllavëria e Egjiptit në liri, që u realzua me kalimin e mrekullueshëm nëpër Detin e Kuq, shëmbëllente kalimin e Krishtit nga Vdekja në Jetë. Profecitë e ndryshme të bëra ndër shekuj, të gjitha u plotësuan në Krishtin. Fjalët e Isaisë profet që dëgjuam sonte: «E madhe do të jetë lumturia e bijve të tu», plotësohen në gëzimin e apostujve kur takojnë Krishtin e Ngjalllur. Nëpërmjet Ezekielit profet Hyji kishte premtuar: «Unë do ta shenjtëroj emrin tim të madhërueshëm, të cilin ju e çnderuat ndër popuj» dhe ashtu bëri kur Ngjalli Birin e vet pasi ishte tradhëtuar e dorëzuar për vdekje nga populli i Izraelit.

Atëherë, duke mësuar ta shohim krejt veprën e Hyjit nën dritën e Krishtit të Ngjallur, do të duhej të kuptonim se edhe jetën tonë të përditshme mund ta shohim nën këtë dritë. Për këtë arsye Shën Pali na thotë sonte: «Vëllezër, po a nuk e dini se të gjithë sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij? Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re».

Prandaj, kur të dalim sonte nga kisha, le të dalim edhe ne ashtu si dolën atë natë gratë nga varri bosh, «me frikë e njëherësh me gëzim të madh» dhe të nxitojmë edhe ne, si ato, për t’ia shpallur Ngjalljen kujdo që takojmë në jetë. Por ne le të dalim nga ky kremtim Eukaristik jo me vetëdijen se kemi takuar dy engjëjt, por me vetëdijen se kemi takuar Atë të cilin dy engjëjt e shpallën me praninë dhe me fjalët e tyre: Jezu Krishtin, Zotin tonë, të Vdekur e të Ngjallur.

Ungjilli sonte përfundon duke thënë se, kur gratë ishin rrugës për të shkuar tek nxënësit për t’u treguar për gjithë ato ngjarje që kishin parë, vetë Jezusi i Gjallë u del përpara dhe, ndër të tjera, u thotë «Mos kini frikë!». Ai është i vetmi që ka arsye të na thotë të mos kemi frikë, prandaj ta rrënjosim krejt jetën tonë në Vdekjen e Ngjalljen e Tij. E pamë më sipër se, në Krishtin e Ngjallur nga Vdekja, Hyji i thotë njeriut: «Aty do të takohem me ty». Prandaj ta dimë se asgjë nuk mund të na largojë nga ky takim me Hyjin e Gjallë e të Vërtetë, sepse asgjë e askush nuk mund të fitojë mbi Të.

Thotë Papa Françesku: «Me Jezu Krishtin që është Ngjallur së vdekuri, dashuria ka mposhtur urretjen, jeta ka mposhtur vdekjen, drita ka dëbuar errësirën». Ta dëgjojmë edhe ne, pra, Jezusin e Ngjallur që shpesh, shumë shpesh, na thotë në jetën tonë: «Mos kini frikë»!

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *