E DIELA II E PASHKËS – MËSHIRA HYJNORE
Vap 5, 12-16; Ps 118 (117); Zb 1, 9-11.12-13.17-19; Gjn 20, 19-31
«Oh, sa gëzim ka zemra ime për festimin e kësaj të Kremteje!… Në këtë ditë, të gjitha dyert e burimeve Hyjnore, nëpër të cilat rrjedhin hiret, janë të hapura». Këto janë fjalët që Jezusi ia tha Shenjtes Faustina Kovalska shekullin e kaluar, kur i zbuloi asaj se dëshironte që Kisha, të dielën e dytë të Pashkës, ta caktonte si të dielën e Mëshirës Hyjnore. Kisha e pranoi vërtetësinë e këtyre të dukurave dhe Papa Gjoni Pali II e çoi në vend këtë dëshirë të Jezusit më 30. 04. 2000 duke thënë: «Nga dita e sotme, në mbarë Kishën, kjo e diel e dytë e Pashkës, do të quhet e Diela e Mëshirës Hyjnore».
Jezusi i pat thënë kësaj rregulltareje polake edhe që t’i nxiste piktorët të realizonin një pikturë në përngjasim të asaj që ajo po shikonte në atë çast dhe, poshtë saj, të shkruheshin fjalët: «Jezus, unë besoj në ty». Në këtë figurë Jezusi paraqitet me dorën e djathtë të ngritur lart dhe që po jep bekimin e Tij. Jezusi ka ardhur të na sjell bekimin e jo dënimin. Ai ka ardhur për të na treguar dashurinë e Hyjit ndaj nesh e jo të na kërcënojë.
Edhe pjesa ungjillore që dëgjuam sot, na tregon se si Jezusi i Ngjallur, kur u shfaqet apostujve, si përshëndetje të veten ka fjalët: «Paqja me ju!» Nuk ua përmend fare braktisjen që ata i bënë gjatë mundimeve dhe vdekjes së Tij, por u dhuron paqen vet. Ai vetëm këtë dëshiron, të na dhurojë bekimin e Tij, bekim i cili sjell paqen në zemrat e besimtarëve të Tij.
Në pikturën e Mëshirës Hyjnore, dorën e Tij të majtë Jezusi e ka mbi kraharor. Prej aty dalin dy rreze të mëdha, njëra e bardhë e tjetra e kuqe, që simbolizojnë ujin dhe gjakun që rrodhën nga kraharori i Tij kur ushtari ia shporoi atë me heshtë. Ky detaj, në dukje i rastësishëm në Mundimet e Krishtit, ka në vetvete një domethënie të madhe mistike. Etërit e Kishës e kishin kuptuar këtë dhe thoshin se uji është simbol i Pagëzimit, ndërsa gjaku – simbol i Eukaristisë. Nga Pagëzimi lind Kisha e nga Eukaristia Kisha mbahet në jetë.
Nga kraharori i shporuar i Jezusit të vdekur, lindi Kisha. E, edhe këtu, Etërit e Kishës shihnin diçka tejet domethënëse: sikurse nga kraharori i Adamit të fjetur, Hyji nxori Evën, gruan e tij, ashtu edhe nga kraharori i Jezusit tashmë në gjumin e vdekjes lindi Kisha, Nusja e Krishtit. Rrezet që në fuguren e Mëshirës Hyjnore dalin nga kraharori i Jezusit, janë simbol i gjithë kësaj të vërtete.
Në këtë fugure janë mjaft të dukshme edhe plagët e Jezusit. Edhe në Ungjillin e sotëm Jezusi u tregon apostujve plagët e veta: «Jezusi u tha: ‘Paqja me ju!’. Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan kur e panë Zotërinë.» Shihet qartë se sot Liturgjia e Fjalës përpiqet ta mbajë dukshëm lidhjen me festën e sotme. Edhe leximi i dytë sot e përshkruan Jezusin pak a shumë siç e paraqet kjo fugure. Shën Gjoni thotë: «U solla ta shoh zërin që po fliste me mua; si u ktheva, pashë shtatë shandanë të artë dhe në midis të shandanëve dikënd si Birin e njeriut, të veshur me petk të gjatë dhe të ngjeshur me brez ari rreth parzmës».
Kështu, pra, lidhjet e sotme mes Liturgjisë së Fjalës dhe festës së Mëshirës Hyjnore janë të shumta dhe mjaft domethënëse. Vetë Jezusi i tha Shenjtes Faustinë se dëshironte që në këtë ditë edhe meshtarët të flisnin më shumë për Mëshirën e Tij dhe premtoi se nuk do t’ua mungonte bekimet e hiret e veta atyre meshtarëve që do të flisnin në këtë ditë për Mëshirën Hyjnore. Sa bukur është edhe për mua si meshtar e për shumë bashkëvëllezër të mi meshtarë ta dimë se po realizojmë këtë dëshirë të Jezusit dhe se Ai, i prekur nga fakti se popullit të Tij po i shpallet begatia e Mëshirës së Tij, siguron praninë e Hirit të vet.
Mëshira e Hyjnore del gjithnjë fitimtare. Në një botë ku duket sikur mëshira është dobësi, Hyji ngul këmbë që të shpallë se pikërisht Mëshira është forca e vërtetë. Mëshira e dashuria jonë (nëse mësojnë nga Mëshira dhe Dashuria e Hyjit) kurrë nuk mund të humbasin e kurrë nuk do të mbeten pa fryt. Kjo për faktin e vetëm se Jezusi është Ngjallur prej së vdekuri dhe, si pasojë, të gjithë ata që i bashkohen Mëshirës e Dashurisë së Tij, janë qysh tani pjesëmarrës të fitores së Ngjalljes së Tij.
Mbase, për t’i kuptuar gjithë këto, neve na duhet pak kohë. Ashtu siç iu desh edhe Shën Tomës apostull. Kur apostujt e tjerë i thanë se e kishin parë Jezusin e Ngjallur, ai e shprehu qartë dyshimin e vet: «Pa e parë në duart e tij vragën e gozhdëve e pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdëve; pa e shtënë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj». Nuk duhet të mendojmë menjëherë se Toma e donte Jezusin më pak se apostujt e tjerë. Toma, përkundrazi, ishte mjaft guximtar. Kur Jezusi, para mundimeve dhe Vdekjes, mori vendimin e Tij që të nisej për Jerusalem, apostujt e tjerë i thanë: «Tani judenjtë deshën të të vrasin me gurë e ti përsëri do të kthehesh atje?», por vetëm Toma u dha atyre kurajo duke u thënë: «Të shkojmë edhe ne të vdesim bashkë me të!».
Arsyeja e ngurrimit të Tomës i ka rrënjët diku tjetër: tek vështirësia për të besuar se dikush mund të Ngjallet së vdekuri. A nuk është kjo edhe vështirësia e të gjithë neve? A nuk është e vërtetë se përballë vdekjes duket sikur dorëzohemi? Jo dorëzimi apo trishtimi i natyrshëm, por mbase edhe rënia e dëshpërimi pa kthim mbrapa. Në këto raste, dëshminë që të tjerët na japin mbi Jezusin e Ngjallur as ne shpesh nuk e marrim aspak parasysh, duke qenë se vdekja na ngjan me një perëndi të gjithëpushtetshme. Kështu ishte edhe për Tomën apostull. Prandaj ai kërkon një shenjë të bindshme, përndryshe nuk beson: «Pa e parë në duar të tij vragën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdave; pa e shtënë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.»
Jezusi duket sikur e pranon sfidën e këtij apostulli të brishtë. Ai përsëri u shfaqet apostujve mbas tetë ditësh e, atë ditë, me ta ishte edhe Toma. Pasi të gjithëve u drejtohet me përshëndetjen e Tij të ëmbël «Paqja me ju!» (përsëri nuk i qorton, por u dhuron paqen), thërret pranë vetes Tomën e i thotë: «Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!». Mëshira Hyjnore përkulet mbi brishtësinë njerëzore, me qëllim që atë ta ngrejë lart e ta zhysë në miqësinë me Hyjin e vet.
Janë pikërisht kjo përkulje e Mëshirës Hyjnore mbi të dhe këto plagë të Jezusit që Tomën e bëjnë të vetëdijshëm se është pak që Jezusin ta quajë «Zotëri», siç e quanin deri atëherë të gjithë apostujt, por e quan edhe «Hyj», sepse vetëm Hyji mund të jetë kaq i mëshirshëm përballë njeriut dhe kaq i fortë përballë vdekjes. Prandaj përgjigjet: «Zotëria im dhe Hyji im!». Toma i zuri dhe i kaloi apostujt e tjerë në ecjen e tij të fesë.
Tani Toma e kupton se fjalën e fundit nuk e ka vdekja, por Hyji. Ai mund të fitojë mbi vdekjen. Tashmë as Toma e as apostujt e tjerë nuk do ta kenë më frikë vdekjen, sepse e dijnë se ajo është e mposhtur nga Jezusi i Ngjallur. Tashmë apostujt do të dalin haptas nëpër rrugët e Jerusalemit e të mbarë botës për të shpallur se Jezusi është Hyj. Kësaj shpalljeje vetë Jezusi do t’i bashkëngjisë shenjat e fitores së Tij mbi vdekjen – mrekullitë – që kështu ta ftojë botën për kthim.
Leximi i parë sot flet për mrekullitë e shumta që bënin apostujt, sidomos Shën Pjetri: «I qitnin në tregje të sëmurët dhe i vinin në vigje e në shtroja, në mënyrë që, duke kaluar Pjetri aty pari, së paku hija e tij t’i binte ndonjërit prej tyre…. Të gjithë shëroheshin.» Por ai flet edhe për mrekullinë e bashkimit që ekzistonte në mes të krishterëve të parë: «Të gjithë besimtarët, si me marrëveshje, e kishin zakon të bashkohen në Tremin e Salominit… Populli u jepte nderim.» Të dyja këto, shërimet dhe bashkimi në mes tyre, janë mrekullitë që Jezusi i Ngjallur, vetë Mëshira Hyjnore, i realizon dhe ia jep botës për t’i ftuar në kthim. Kështu Jezusi e fton botën që ta flakë tutje mënyrën e vjetër të të menduarit e të shikojë kah i Ngjalluri, duke iu hapur edhe ajo Mëshirës së Tij të pambarim, Mëshirë e cila mezi pret të zbrazet me bollëk mbi të. Të gjithë atëherë do të mund të zhyten në miqësi me Hyjin e tyre, miqësi të cilën djalli përpiqet të na e paraqesë si pengesë për lirinë tonë.
«U tregoi duart dhe kraharorin.», thotë Ungjilli i sotëm për Jezusin që iu shfaq apostujve. Edhe Shenjtes Faustinë, Jezusi i kishte thënë të nxiste që të realizohej ajo pikturë ku paraqiteshin dukshëm duart dhe kraharori i Tij i shporuar. Plagët e Jezusit nuk janë padia që Ai bën para Atit për kryqëzimin që i bëmë ne njerëzit, por janë shenja dhe garancia e dashurisë së pafund që Ai ka për secilin prej nesh. «Bija ime, foli mbarë botës për Mëshirën Time, që mbarë njerëzimi ta njohë Mëshirën Time të Paimagjinueshme…», i kishte thënë Jezusi Shenjtes Faustinë. Dhe ka shtuar: «Njerëzimi nuk do të gjejë paqe derisa nuk do t’i afrohet me besim Mëshirës sime».
Dom Dritan Ndoci