E DIELA III E PASHKËS – Viti C
Vap 5, 27-32.40-41; Ps 30 (29); Zb 5, 11-14; Gjn 21, 1-19
U tha Simon Pjetri: ‘Po shkoj të gjuaj peshk’. ‘Po vijmë edhe ne me ty’ – i thanë ata». Shën Gjoni e ka stil të vetin që të mos shprehet haptas, por të përdorë simbolika e imazhe, që shprehin një realitet më të thellë. Prandaj, me fare pak fjalë, ai përshkruan kështu gjendjen shpirtërore të shtatë prej apostujve të cilët, edhe pse e kishin parë dy herë Jezusi e Ngjallur, përsëri vendosën t’i ktheheshin zanatit që kishin para se të takonin Jezusin në jetën e tyre. Duket sikur tre vitet e kaluara me Jezusin, fjalët e Tija, mrekullitë e Tija, entuziazmi që Ai u solli si edhe ngushëllimi që patën kur e panë të Ngjallur nga vdekja, ishin tashmë një kapitull i bukur historie, por që duhej të mbyllej.
Sa të vështirë e kemi të besojmë në Ngjallje! Në fantazmat që krijojmë në kokën tonë e kemi më të lehtë të besojmë, por të besojmë se pushteti i Hyjit mposht edhe vdekjen, e kemi të vështirë ta besojmë.
Por Jezusi është mësuar me dobësinë tonë. Ai nuk largohet prej nesh. Ai e pa se nxënësit u kthyen edhe një herë në të përditshmen e tyre e prandaj vendosi ta ndiqte “lojën” e tyre: meqë apostujt po ia nisnin nga fillimi, edhe Jezusi përsërit mrekullinë e fillimit, si atëherë kur i kishte afruar këta njerëz kah vetja. Në fillim të veprimtarisë së vet publike, Jezusi i kishte thirrur nxënësit e vet pikërisht ndërsa po peshkonin e prandaj tani ndodh e njëjta skenë e peshkimit të mrekullueshëm. Jezusi nuk lodhet e nuk përton kurrë t’ia fillojë nga e para me ne.
Apostujt shkojnë të peshkojnë dhe, në mëngjes, shohin në breg Jezusin, por nuk e njohin se kush është. Jezusi u thotë: «Qitni rrjetën në anën e djathtë të lundrës e do të gjeni!» dhe ashtu ndodhi kur ata iu bindën fjalëve të Tij. Prandaj, duke qenë se mrekullia e peshkimit u përsërit në mënyrë pothuajse identike, si dikur, edhe apostujt e njohën lehtë se ishte Jezusi. Njëri prej apostujve, «nxënësi të cilin Jezusi e donte», i thotë Pjetrit: «Është Zotëria!». E Pjetri, si i vrullshëm që ishte për nga karakteri, mbështillet me petkun e sipërm e hidhet në det për të arritur te Jezusi para nxënësve të tjerë. Luhatjet e gjendjeve shpirtërore janë tipike tek Pjetri: i pari u kishte thënë apostujve se po shkonte të peshkonte, kurse tani është i pari që dëshiron të arrijë tek Jezusi. Të gjithëve na ngushëllon jo pak kjo luhajte e fesë së Pjetrit, sepse luhatje në fe kemi të gjithë.
Pastaj arritën edhe nxënësit e tjerë dhe aty i priti ftesa e Jezusit që u tha «Ejani e hani!», pasi u përgatiti peshkun që sapo e kishin zënë. Një skenë kjo plot ëmbëlsi, por edhe plot me mister. Plot ëmbëlsi sepse Jezusi u kishte përgatitur më parë zjarrin me prush (që apostujt e gjetën ashtu të përgatitur) dhe pastaj u kishte gatuar në të disa nga peshqit që kishin zënë. Sa zemër e dashur dhe e kujdesshme është ajo e Zotit tonë, si e një nëne që kujdeset për fëmijët e vet! E, në fakt, Jezusi po përkujdesej si për trupin e tyre, ashtu edhe për fenë e tyre, duke dashur t’i bindë se është Ngjallur vërtetë. Por kjo skenë është edhe plot me mister, sepse Jezusi, edhe pasi ishte Ngjallur së vdekuri, «hëngri mëngjesin» bashkë me ta. Prandaj tani mund ta kuptojmë “mpirjen” e apostujve: «Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë: “Kush je ti?”, sepse e dinin mirë se ishte Zotëria».
Pastaj, pas këtyre ngjarjeve të bukura, e gjithë vëmendja e Ungjillit përqëndrohet tek biseda mes Jezusit dhe Simon-Pjetrit. Jezusi e pyet tri herë Pjetrin nëse e donte dhe, të tria herët, Pjetri i përgjigjet «Po». Tri herë Pjetri e kishte mohuar e tani tri herë Jezusi po ia jepte mundësinë që t’ia shprehte dashurinë që kishte për Të. Shqetësohemi pak si tepër për t’ia shprehur dashurinë tonë Zotit kur e vëmë re se i kemi rënë mohit: të mos merakosemi fort, sepse Jezusi na krijon gjithnjë situata të përshtatshme ku ne mund ta shprehim përsëri dashurinë tonë për Të.
Sa herë që Pjetri i përgjigjet «Po, Zotëri», Jezusi i thotë: «Kulloti delet e mia!»: tani që Jezusi nuk do të jetë më fizikisht i dukshëm për «delet» e Tij, dikush tjetër (Pjetri dhe pasardhësit e tij) do të jetë përfaqësuesi i dukshëm i këtij Bariu të madh e të vetëm. Por, për ta kryer si duhet këtë detyrë kaq të lartë dhe delikate, duhet patjetër një dashuri e madhe për Jezusin. Prandaj Jezusi nuk i thotë vetëm «A më do?», por shton edhe «Më shumë se këta?».
Por ky dialog bëhet edhe më interesant po të dimë se, në greqishten e vjetër, janë tri fjalë të ndryshme që ne i përkthejmë me fjalën «dashuri». Fjalët eros, filia dhe agape. Fjala e parë, eros, nënkupton dashurinë që në mënyrë instinktive lind në mes të burrit dhe gruas, term ky që në Besëlidhjen e Re nuk përdoret asnjëherë. Fjala filia nënkupton miqësinë që mund të lindë mes dy personave. Ndërsa fjala e tretë, agape, tregon një dashuri krejtësisht të painteres, një dashuri që nuk është kërkim i vetvetes apo i egoizmit personal, por një dhurim i plotë i vetvetes. Me këtë fjalë, përkthimi grek i Besëlidhjes së Vjetër përshkruan dashurinë e Hyjit për njeriun.
Në Ungjillin e sotëm, kur Jezusi në dy pyetjet e para i thotë Pjetrit «A më do?», në origjinalin grek përdoret fjala agape. E Pjetri i përgjigjet dy herë radhazi «Po Zotëri, ti e di se të dua!». Por këtu Pjetri përdorë fjalën filia e jo agape. Nëse do ta përkthenim me fjalë të tjera këtë dialog, do të dukej kështu: Jezusi i thotë Pjetrit «A ke për mua një dashuri të pastër, siç është dashuria Hyjnore, pra siç është dashuria ime për njeriun?». E Pjetri i përgjigjet: «Po, Zotëri, ti e di se të kam mik».
Por ne njerëzit nuk jemi të aftë t’i përgjigjemi si duhet dashurisë Hyjnore, sikur ajo të mos na ishte shprehur në një gjuhë më të lehtë për ne. Thoshte Shën Ireneu, një ipeshkëv që jetoi në shekullin e dytë: «Hyji ka folur në gjuhë njerëzore, në mënyrë që njeriu të arrinte të fliste gjuhën Hyjnore». Kjo sidomos kur bëhet fjalë për të na edukuar në dashurinë me të cilën duhet t’i përgjigjemi Atij. Prandaj këtu teksti në origjinalin grek bën një kthesë vërtet të bukur. Kur, për të tretën herë, e pyet Pjetrin nëse e donte, Jezusi nuk përdorë më fjalën agape, që nënkupton dashurinë e Hyjit për njeriun, por fjalën filia, që nënkupton miqësinë që mund të lindë mes dy njerëzve. Në fakt, Jezusi është edhe miku ynë: «Ju jeni miqtë e mi.» (Gjn 15, 14), u kishte thënë apostujve në darkën e fundit.
E këtu ndodh diçka e madhe: tani, në përgjigjen e tij «Zotëri, Ti e di se të dua», Shën Pjetri nuk përdor më fjalën filia, por fjalën agape. Kjo do të thotë se vetëm tani që Jezusi u përkul, Pjetri arriti të ngrihet lart. Vetëm kur zbulojmë dashurinë e pamasë e të painteres të Hyjit ndaj nesh, ne njerëzit mësojmë të duam si Hyji.
Vetëm tani Pjetri është në gjendje t’i rezervojë gjithnjë Jezusit dashurinë më absolute. Prandaj ai dhe apostujt e tjerë do të jenë në gjendje të durojnë fyerje e përndjekje për shkak të Jezusit, sepse kanë në zemër dashurinë e painteres ndaj Tij.
Në leximin e parë na tregohet se si Pjetrit e nxënësve të tjerë kryeprifti u thoshte: «Po a nuk ju kemi urdhëruar zyrtarisht që të mos mësoni më në atë Emër?». Por përgjigjja e tyre është: «Duhet më tepër të dëgjohet Hyji sesa njerëzit!» Apostuj do të pësojnë për shkak të kësaj lloj dashurie ndaj Hyjit. Edhe sot Kisha vuan ngaqë jeton dhe mëson pikërisht këtë lloj dashurie. Të gjitha nivelet e tjera të dashurisë, nëse nuk preken nga kjo lloj dashurie që na ka mësuar Jezusi, janë të dëmshme dhe të pavërteta. Ata që nuk e duan dashurinë e painteres, Kishën e përqeshin, e rrahin, e frushkullojnë, siç bënë me apostujt në këtë pjesë të sotme. Por Kisha nuk lodhet. Këto sulme atë e gëzojnë, sepse mistershëm e bashkojnë edhe më fort me Mësuesin e vet Hyjnor. Ashtu ndodhi edhe me apostujt: «Apostujt e lëshuan Këshillin plot gëzim pse qenë çmuar të denjë të durojnë ndonjë fyerje për nder të emrit të Jezusit».
Vetëm tani që Pjetri është ngritur lart, në këtë lloj dashurie të painteres, Jezusi mund t’i thotë atij: «Më ndiq mua!». Edhe Kishës Jezusi i thotë «Më ndiq mua» dhe, së bashku me Shën Pjetrin e me apostujt e tjerë, Kisha i përsërit të gjitha breznive përgjatë shekujve: «Duhet më tepër të dëgjohet Hyji sesa njerëzit!» Kisha dëgjon dhe ndjek vetëm Hyjin-Trini, i vetmi që ia zbulon njeriut këtë lloj dashurie të painteres. Ajo vetëm Atë e madhëron. E madhëron jo vetëm në emër të vet, por edhe në emër të mbarë botës e gjithësisë. Është si të përjetohej gjithnjë skena që përshkruan Shën Gjonin në librin e Zbulesës: «Dhe çdo krijesë që është në qiell e në tokë, në nëntokë e në det, të gjitha në to dhe mbi to i dëgjova duke thënë: ‘Atij që rri në fron dhe Qengjit: bekim, nder e pushtet në shekuj të shekujve!’». Kisha, bashkë me Pjetrin, përballë provave të ndryshme ndër shekuj, gjithnjë i përgjigjet dashurisë së Jezusit të Ngjallur me fjalët: «Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua!».
Dom Dritan Ndoci