SIKURSE UNË JU DESHA JU, DUANI EDHE JU NJËRI-TJETRIN!

Categories HomeliPosted on

E DIELA V E PASHKËS – Viti C

Vap 14, 21-27; Ps 145 (144); Zb 21, 1-5; Gjn, 13, 31-35

«Tani u lavdërua Biri i njeriut», thotë Jezusi në Ungjillin e sotëm. Është fjala për mundimet, vdekjen dhe ngjalljen e Tij që brenda pak ditësh do të realizoheshin. «Edhe Hyji u lavdërua në të», vazhdon Jezusi. Në të vërtetë, nëpërmjet Vdekjes e Ngjalljes së Jezusit, njerëzit mund t’i afrohen sadopak misterit të pambarim të Hyjit-Triní. Tani mbetet vetëm që Kisha ta shpallë e ta dëshmojë këtë Lajm të Mirë në botë, edhe në mes të një mijë e një vështirësive e kundër­shtimeve. Si forcë të veten kanë porosinë e Jezusit që u thotë: «Sikurse unë ju desha ju, duani edhe ju njëri-tjetrin».

Në leximin e parë sot shohim se si Pali e Barnaba përshkojnë gjithë ato qytete për ta përhapur Lajmin e Mirë. Shkojnë në Listër, në Ikon, në Antioki, Pisidi, Pamfili, Pergë, Atali e përsëri në Antioki, prej nga ishin nisur. Njeriu, edhe kur nuk e vëren, është endacak nëpër shtigjet e kësaj bote. Porse, sa bukur është të jesh endacak për përhapjen e Lajmit të Mirë. Profeti Isai thotë: «Sa të bukura janë mbi male këmbët e kasnecit që sjell lajm të mirë!» (Is 52, 7). Pali e Barnaba janë të vetëdijshëm për vështirësitë e ndryshme që kanë në udhë­timet e tyre, por nuk ndalen. Në predikimet e veta, thoshin se «duhet të kalojmë nëpër shumë vështirësi për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit». Ata nuk janë endacakë pa ndonjë synim. Cakun, kah i cili janë orjentuar, e kanë fare të qartë: është Mbretëria e Hyjit. Vështi­rësitë e ndryshme që hasin, i çmojnë si normale për ata që vihen në ecje drejt saj. E dijnë se lehtë nuk shkohet atje. E thoshte edhe i Lumi Dom Ndre Zadeja në një uratë të shkruar prej tij: «Për dembel s’u ba Parrizi, por për at’ që fort çalltisi.»

Shën Gjoni, në Zbulesën e tij, sot na përshkruan një vegim që ai pati pikërisht në lidhje me Parrizin: «Unë, Gjoni, pashë një qiell të ri e një tokë të re, sepse qielli i parë dhe toka e parë u zhdukën». Pastaj vazhdon: «Pashë edhe qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri: zbriste nga qielli i Hyjit, i stolisur porsi nusja e përgatitur për fatin e vet». Qyteti i Shenjtë, që duket porsi nusja e stolisur për fatin e vet, është Kisha e Hyjit. Ajo është Nusja e, Krishti, është Dhëndri. Ky është bekimi i Kishës: ajo qysh tani ka në vetvete lavdinë dhe shenjtërinë që i jep Hyji, por, e gjithë kjo lavdi e shenjtëri do të shkëlqejë plotësisht vetëm në fundin e kohëve, kur Jezusi të vijë për së dyti.

Ja caku kah na duhet të synojmë! Bukuritë e kësaj bote nuk janë të kota, por gjithsesi janë të prekura nga kufizimi. Janë të destinuara për t’u shuar: «Qielli i parë dhe toka e parë u zhdukën». Kështu që nuk duhet kurrë të jepemi pas tyre, thuajse në ta do ta gjejmë lumturinë tonë. Lumturia jonë është Hyji. Shën Gjoni vazhdon duke thënë se dëgjoi një zë që i tha: «Ja Tenda e Hyjit me njerëz! Hyji do të banojë me njerëz. Ata do të jenë populli i tij, kurse Ati, vetë Hyji, do të jetë me ta Hyji i tyre. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. As vdekje më s’do të ketë, as vaj, as ofshame, as dhimbje më s’do të ketë, sepse bota e mëparshme mori fund».

Prandaj të mos e humbasim kurrë këtë synim në jetë. Shumë herë pyesim veten se cili është kuptimi i jetës. Shumë veta kalojnë në trishtim e dëshpërim pikërisht ngaqë nuk arrijnë ta gjejnë atë. Shumë të tjerë arrijnë të bëjnë vepra vërtet çnjerëzore pikërisht ngaqë mendojnë se këto gjëra i japin kuptim jetës së tyre, por kanë ngatërruar pikësynim në jetë. Ne e kemi përgjigjen nga Hyji: jemi të krijuar për Të dhe vetëm për të arritur atje duhet të “punojmë”.

E Lumja Zelia Guerin (nëna e Shenjtes Terezë së Lizjesë) thoshte: «Dëshiroj të kem shumë fëmijë, me qëllim që t’i rris për Qiellin». A nuk bëjnë shumë gabime në edukimin e fëmijëve të vet shumë prindër pikërisht ngaqë nuk e kanë të qartë kuptimin që ka jeta e tyre dhe jeta e fëmijëve të tyre? Thoshte Shën Antoni i Padovës: «Kjo jetë është si një urë, që na shërben për të kaluar në jetën e pasosur me Hyjin. Prandaj nuk duhet të ndalemi në urë, sado e bukur që ajo të jetë!»

Po çfarë na duhet të bëjmë ndërsa jemi duke e përshkuar këtë urë? Duhet të zbatojmë atë fjalë të Jezusit që e cituam në fillim e që thamë se është forca e vërtetë e Kishës: «Po ju jap një urdhër të ri: Duani njëri-tjetrin! Sikurse unë ju desha ju, duani edhe ju njëri-tjetrin!» Ja ajo çka jemi të ftuar të bëjmë gjatë përshkimit të kësaj ure: të ushtrojmë dashurinë e krishterë. Kjo ngaqë lumturia e Parrizit është të jetosh me Hyjin i cili është Dashuri. E si mund të jetojmë me Të nëse brenda nesh jemi të mbushur me urrejtje? Kur të dalim para Tij, nëse nuk e kemi shpirtin të mbushur me dashurinë që porosit Jezusi, nuk do të jetë Ai që do të na flakë tutje, por vetë shpirti ynë do të jetë i paaftë t’i afrohet Atij: akulli nuk mund t’i afrohet zjarrit. Nëse nuk jemi të përflakur nga dashuria që Jezusi na ka porositur dhe dëshmuar, nuk do të mund ta gëzojmë praninë e Tij në amshim. Nëse nuk kemi qenë pjesë e Kishës së Tij këtu mbi tokë, nuk do të mund të jemi as pjesë e Kishës së Lavdishme në lumturinë e Parrizit. Duhet të korrigjohen vërtet shumë ata që vazhdojnë të ushqejnë brenda vetes shpresa për shëlbimin e tyre, ndërkohë që vazhdojnë të kultivojnë brenda vetes urrejtje për të tjerët.

E dashuria që Jezusi na mëson, nuk është lojë fëmijësh. Sikur të ishe ashtu, do të ishte diçka e lehtë. Por Ai na mëson një dashuri të cilën askush tjetër nuk mund ta realizojë përveç nxënësve të Tij: «Nëse e doni njëri-tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi». Pali e Barnaba thoshin se «na duhet të kalojmë nëpër shumë vështirësi për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit» dhe ne e dimë se vështirësia kryesore është këmbëngulja në praktikimin e dashurisë ashtu siç na e ka mësuar Jezusi.

Po t’i shqyrtojmë të gjitha besimet e ndryshme që kjo botë ka pasur dhe ka, në asnjërin prej tyre nuk predikohet një dashuri si ajo që na ka porositur Jezusi. Ai na ka urdhëruar të duam deri edhe armiqtë tanë. Kjo bazohet në fjalën që Ai e tha sot në Ungjill: «Sikurse unë ju desha ju, duani edhe ju njëri-tjetrin.» Nëse ne zbatojmë edhe këtë lloj dashurie, të gjithë do ta kuptojnë se në Kë besojmë, duke qenë se askush tjetër përveç Jezusit nuk ka predikuar e dëshmuar një dashuri të tillë.

Një herë, një Motër misionare në Shqipëri, tregonte se si kongre­gata e tyre arriti të gjente një fond të vogël për riparimin e shtëpisë së një familjeje të varfër dhe se kishin punësuar dikë që të merrej me punimet. Pikërisht ky punëtor shpesh e pyeste misionaren se përse kishin vendosur ta ndihmonin atë familje të varfër, ndërkohë që nuk kishin asnjë lidhje gjaku me të e, për më tepër, po ndihmonin disa që nuk ishin as të krishterë. E misionarja, me modesti, i përgjigjej se është mirë të ndihmosh të vafrit. Por ai këmbëngulte të merrte një përgjigje më bindëse. E përgjigjen e gjeti vetë. Prandaj një ditë i tha: «Tani e kuptoj se përse po e ndihmoni, sepse ju jeni të krishterë. Të krishterët e kanë zakon të bëjnë kësi gjërash». E ky ishte i pari njeri që kërkoi pagëzimin në atë fshat malor ku deri atëherë nuk kishte të krishterë e që tani ka filluar të lulëzojë një bashkësi e vogël katolike.

Në Poloni, gjatë kohës së pushtimit nga Gjermania naziste, një prej ushtarakëve nazistë u plagos rëndë në një betejë dhe e shtruan në një spital në Poloni. Në mes të infermjerëve të tjerë, aty shërbente edhe një rregulltare. Asaj ia besuan të merrej me përkujdesjen ndaj këtij ushtaraku. Ky deklarohej haptas se nuk besonte në Zot, por një ditë murgesha e gjeti tek po lexonte një Bibël që kishte gjetur aty në raftin e vogël të librave. Motra kurrë nuk i kishte folur për Zotin, por, me thjeshtësi e njerëzi, i kishte kuruar plagët e tij. E habitur, motra e pyeti: «Kush ju foli për Zotin?» «Ishit ju, Motër. Ishit ju!» – iu përgjigj nazisti, i prekur nga fakti që një motër polake po i shërbente me aq dashuri një pushtuesi të dhunshëm siç ishte ai. Dashuria e painteres dhe, shumë herë më shumë, dashuria ndaj armiqve, i bën të gjithë të mendojnë për Jezusin, sepse vetëm ai ka predikuar një dashuri të tillë.

E është interesante të vëmë re se, fjalët e Jezusit në kryq «Fali, o Atë, se nuk dijnë ç’bëjnë!», i dëgjon t’i citojnë edhe njerëz të besimeve të ndryshme që nuk dijnë vërtetë asgjë tjetër rreth Jezusit. Madje disa nuk dijnë as se ka qenë pikërisht Jezusi ai që i ka thënë ato fjalë.

«Sikurse unë ju desha ju, duani edhe ju njëri-tjetrin!»: kjo ka qenë fjala që ka nxitur shumë shenjtër të shtyhen në vepra bamirësie vërtet heroike. Gjithashtu kjo fjalë ka qenë edhe forca e shumë martirëve të cilët, në çastin e martirizimit, i kanë falur me gjithë zemër vrasësit e tyre.

Ja një dëshmi vërtet e mrekullueshme, e lënë nga i Lumi Atë Christian Chergé, murg i Kongregatës së Cistercenëve që, në vitin 1996, u vra bashkë me gjashtë bashkëvëllezër të vet nga një grup terrorist në Algjeri, por që, para se të kapej e të vritej, arriti të linte të shkruara këto fjalë në testamentin e tij: «Në falënderimin tim ndaj Hyjit, të përfshij edhe ty, miku i minutës së fundit, që nuk ke ditur se çfarë po bëje. Shpresoj që të shihemi sërish bashkë, hajdutë e të lumë, në Parajsë, nëse i pëlqen Hyjit, Atit tonë, Atit të të dyve ne». «Mik i minutës së fundit» i thoshte vrasësit të vet. Edhe Jezusi, në çastin kur Juda iu afrua për t’i dhënë puthjen e tradhëtisë, i tha: «Mik» (Mt 26, 50).

Ta lusim Zotin që të na ndihmojë ta kemi të qartë se caku i jetës sonë është lumturia e Parrizit me Hyjin dhe shenjtërit e Tij dhe t’i kërkojmë që, ndërsa jemi ende rrugës për atje, ndërsa ende jemi endacakë, të na ndihmojë ta praktikojmë dashurinë që Ai na ka porositur.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *