RRËSHAJËT – Viti C (Mesha e ditës)
Vap 2, 1-11; Ps 104 (103); Rom 8, 8-17; Gjn 14, 15-16. 23-26
«I krishteri është i përbërë nga trupi, shpirti dhe Shpirti Shenjt», shkruante në shekullin III Tertualiani, njëri prej Etërve më të ndritur të Kishës. Mbi Kishën e sapo themeluar nga Jezu Krishti ishte e nevojshme që të zbriste Shpirti Shenjt, për t’i bërë dishepujt e Krishtit të krishterë në plotësi. Shpirti Shenjt, Personi i Tretë i së Shenjtërueshmes Trini, e zhyt të krishterin në misterin pashkor dhe e ndihmon atë në ecjen e tij drejt lumturisë së amshuar të Parajsës.
Prandaj, autori i ndjekësores që sapo dëgjuam, i drejtohet Shpirtit Shenjt me fjalë tejet të ëmbla e të dashura: «Ti ndër zemra si mik vjen». Shpesh ne kemi frikë se, sikur ta linim veten të udhëhiqeshim nga Hiri i Shpirtit Shenjt, do të ishim më pak të lumtur. Por autori i kësaj ndjeksoreje vërtet të bukur na mëson se prania e Shpirtit Shenjt është prania e një miku tejet të ëmbël për njeriun: «Çka është t’shtrembët – ëmbël drejto».
Pa Shpirtin Shenjt, nuk mund të ecim në fe. «Shpirti Shenjt bën që të lindin kërkuesit e Hyjit», shkruan teologu italian Giovanni Vannucci. Puna që bën Shpirti Shenjt brenda nesh, është një punë e lehtë, e butë dhe e ëmbël. Por ka vetinë që, njëkohësisht, të jetë edhe e pathyeshme. Ai është si puna e një tekniku televizioni, që, kur hyn të riparojë dëmtimet e pësuara, nuk futet me çekiç apo me kazëm, por me mjete të vogla e të imta dhe, rezultati i punës, del tejet i bukur e i qëndrueshëm.
A nuk është e vërtetë se shumë të rinj e të reja kanë frikë që t’i hapen Hirit të këtij Shpirti, sidomos kur bëhet fjalë për botën afektive? Mendojnë se Ai nuk do t’i lejojë të jenë të lumtur. Sugjerimet që Shpirti Shenjt mund t’u bëjë ëmbëlsisht në ndërgjegjen e tyre, kanë frikë se do t’ua heqin lumturinë e lirinë. Por nuk është ashtu. Shën Gjon Maria Vianei, shenjti që bëri bujë me thjeshësinë dhe shenjtërinë e tij në Francën e shekullit XIX, thoshte: «Atë që janë të udhëhequr nga Shpirti Shenjt, i kanë idetë e sakta; kjo shpjegon arsyen pse shumë të pashkolluar dijnë më shumë se të arsimuarit».
Nuk kemi pse të kemi frikë nga Shpirti Shenjt, sepse Ai nuk vjen si armik, por si mik i njeriut, qoftë ky i ri apo i moshuar. Ai është miku më i mirë, më i përshtatshëm dhe më i domosdoshëm. Shën Pali na e thotë shumë bukur sot se sa e vërtetë është kjo: «Ju nuk keni marrë shpirtin që ju bën robër, në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të të cilit thërrasim: Abba! O Atë!». Kush jeton si bir i Hyjit bëhet vërtet i lirë: i lirë nga frikat e ndryshme në jetë, nga dëshira për pushtet, nga etja për para, nga etja për famë, nga format e ndryshme të egoizmit dhe nga frika e vdekjes. Është i lirë ngaqë e kupton se asgjë nuk krahasohet me faktin se ka një Hyj të cilit mund t’i drejtohet me fjalën Abba (O Atë), dhe me të cilin një ditë pret të takohet «faqe-faqas». Kjo është pasuria dhe liria më e madhe.
Thuhet se një herë, në një fshat, jetonte një njeri që i lutej vazhdimisht Hyjit që ta bënte të pasur. Lutej e lutej, derisa një herë, në ëndërr, Hyji iu përgjigj e i tha që të ngritej menjëherë e të dilte jashtë fshatit. Atje, rrëzë një peme të madhe, do të takonte një eremit, i cili e kalonte jetën duke u lutur nëpër vende të pabanuara. Duhej t’i kërkonte atij atë gjënë që ai e kishte gjetur ditën e mëparshme pranë një lumi. U ngrit dhe, plot nxitim, vrapoi për jashtë fshatit. Shkoi pranë asaj pemës së madhe dhe vuri re një njeri të shtrirë. E thirri dhe ai u zgjua. Kur iu afrua, ky i tha: «Sapo më foli Zoti në ëndërr dhe më tha se ti duhet të më japësh atë gjënë që ke gjetur dje pranë një lumi». Eremiti, krejt i qetë, hapi strajcën e tij të varfër dhe nxori një gur të çmuar që ishte shumë i madh. I tha: «Po, ja, është një gur shumë i çmuar dhe shumë i bukur. Merre!». Fshatari, me sytë që i shkëlqenin, ia rrëmbeu nga dora gurin e çmuar dhe vrapoi për në shtëpinë e vet.
Gjithë ditën rrinte përballë atij guri duke shikuar bukurinë e tij dhe duke menduar shtigjet e mëdha që tashmë po i hapeshin në jetë. Erdhi mbrëmja, e vuri gurin pranë shtratit të vet dhe ra të flinte. Por gjumi as që i afrohej syve të tij. Sillej e pështillej nëpër shtrat, duke menduar gjërë e gjatë se çfarë duhej të bënte me gjithë atë pasuri. Si të mos mjaftonin këto mendime, i vetëtiu një tjetër tejet i tmerrshëm: Po sikur gurin t’ia vidhnin? Po sikur, në përpjekje për t’ia vjedhur, ta vrisnin edhe atë. E gjumi u tret edhe më fort. Kaloi një natë, kaluan dy, tri… por nuk po gjente paqe.
Befas, ja ku i erdhi një mendim që ia qetësoi mendjen dhe shpirtin. Doli nga shtëpia me gurin në dorë, shkoi përsëri tek ajo pema e madhe jashtë fshatit dhe u takua përsëri me njeriun e Hyjit. I tha: «Merre përsëri këtë gur e më jep atë forcën me të cilën arrite të ma japësh këtë gur me aq qetësi. Besoj se për atë lloj pasurie e kishte fjalën Hyji kur më nisi tek ti».
Shpirti Shenjt na dhuron lirinë e bijve e bijave të Hyjit e kjo është pasuria me e madhe.
Në leximin e parë sot kemi dëgjuar se si mbi Kishën e fillimit zbriti Shpirti Shenjt. Tashmë është ky Shpirt që do t’i udhëheqë besimtarët kah zbatimi i vullnetit Hyjnor. Dita e Rrëshajëve ishte në Izrael festa që përkujtonte ditën kur, nëpërmjet Moisiut, Hyji i kishte dhënë këtij populli Dhjetë Urdhërimet e, me të drejtë, ata e çmonin këtë gjest të Hyjit si nderën më të madhe që po u bëhej. Por dhënia e këtij Ligji ishte veçse shëmbëllesë e dhënies së Shpirtit Shenjt dhe përgatitje për pranimin e Tij që Hyji do ta bënte në kohën e caktuar. Tashmë Kisha, Izraeli i ri, nuk do të udhëhiqej nga ligjet e jashtme, por nga Shpirti Shenjt, Hyj. Tek e fundit dhënia e Ligjit nuk mjaftonte për ta shenjtëruar besimtarin. Ai ishte si treguesi i udhës së duhur që duhej ndjekur në jetë, por që nuk të shoqëronte në këtë udhë. Tashmë Kisha di jo vetëm udhën, por ka edhe mbështetjen dhe forcën e vetë Hyjit në ecjen e saj.
Në Ungjillin e sotëm Jezusi e quan Shpirtin Shenjt «Mbrojtës»: është një term që përdoret për avokatin mbrojtës në një seancë gjyqësore. Qëllimi i avokatit mbrojtës është që t’i dalë zot të pandehurit dhe ta ndihmojë të fitojë lirinë. Kështu bën edhe Shpirti Shenjt me ne: na ndihmon që mëkatet tona t’i vëmë re e të pendohemi. Atëherë, falë Vdekjes e Ngjalljes së Krishtit, edhe ne bëhemi «të shfajësuar me anë të fesë» (Rom 5, 1) dhe, me ndihmën e Shpirti Shenjt, udhëhiqemi drejt lirisë së bijve të Hyjit. Këtë udhëheqje të vetën Shpirti Shenjt e bën duke na mësuar e na ndihmuar që çdo ditë t’i kthjemë shpinën së keqes e gënjeshtrës dhe t’i hapemi Fjalës së Zotit, që na shtyn kah e mira dhe e vërteta. Sa herë që ndjejmë brenda nesh një si zë të lehtë që thotë «Bëje këtë vepër të mirë», apo «Mos e bëj këtë vepër të keqe!», është zëri i ëmbël i Shpirtit Shenjt që flet nga Shenjtërorja e Tij, nga ndërgjegjja jonë. Prandaj tradita e krishterë, me shumë të drejtë, e ka quajtur Shpirtin Shenjt edhe Mësuesi i brendshëm, duke qenë se ai na udhëheq nga brenda nesh në situatat e ndryshme të jetës dhe na përsos në dashuri. Mund ta dëgjojmë të gjithë këtë lloj zëri dhe të gjithë mund ta lejojmë që të na udhëheqë në rrugëtimin tonë të largimit nga veset e ndryshme. I krishteri që, në lidhje me veset e veta, thotë «S’kam ç’bëj, kështu jam gatuar», nuk i është hapur ende veprimit të Shpirtit Hyjnor. Ai ngjan me një kllukë që është ulur mbi vezët e veta e nuk dëshiron të çohet prej aty pa arritur qëllimin e vet.
E Mira dhe e Vërteta, për ne të krishterët e kanë një emër: është vetë Jezu Krishti, Biri i Hyjit i bërë Njeri. Duke iu hapur fjalës së Tij, me ndihmën e Shpirtit Shenjt, ne përsosemi çdo ditë në dashuri. Shpirti Shenjt na ndihmon të kuptojmë fjalët e Jezusit: «Shpirti Shenjt, Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë». Pastaj, nëse e duam Jezusin, atëherë Shpirti Shenjt do të na ndihmojë edhe t’i zbatojmë fjalët e Tij: «Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia».
Prandaj të kemi kujdes e të mos i kundërshtojmë veprimit të këtij Shpirtit Hyjnor! Të mos kemi frikë nga ky Mik i dashur, Mësuesi i brendshëm, që di të na e mbushë jetën me dashuri ndaj Hyjit-Triní e ndaj njëri-tjetrit! Kur ta vëmë re se kjo dashuri është ftohur dhe se veset e kanë pushtuar jetën tonë të përditshme, le ta thërrasim në ndihmë Shpirtin Shenjt e Ai nuk do të vonojë të hillet në veprim e të na dalë zot, si avokat, si Mbrojtës!
Me plot hare e qetësi të lutemi edhe ne me fjalët e bukura e të ëmbla të ndjekësores së sotme: «Çka është t’brishtë, këndshëm lako; / çka është t’ftohtë, me flakë rretho; / çka është t’shtrembët, ëmbël drejto!».
Dom Dritan Ndoci