ZEMRA E KRISHTIT – Viti C
Ez 34, 11-16; Ps 23 (22); Rom 5, 5-11; Lk 15, 3-7
Më 27 dhjetor të vitit 1673, Shenjtja Margeritë Maria Alakok ishte e gjunjëzuar në kishëzën e kuvendit të saj. Papritmas iu shfaq Jezusi. Ishte e shfaqura e parë e një serie të shfaqurash që do të pasonin. Jezusi filloi t’i fliste dhe e ftoi shenjten që ta afronte kokën e saj pranë kraharorit të Tij, ashtu siç kishte bërë Shën Gjoni Ungjilltar në darkën e fundit. Pastaj i tha: «Zemra ime është kaq shumë e dhënë në dashuri për njerëzit dhe për ty në mënyrë të veçantë saqë, duke mos qenë e mundur që të mbyllen brenda saj flakët e dashurisë së saj të zjarrtë, duhet t’i shpërndajë ato… Unë të kam zgjedhur ty, pafundësi padenjësie e paditurie, për ta përmbushur këtë plan të madh, në mënyrë që gjithçka të jetë bërë për mua».
Më vonë, Shenjtja pa në një vegim tjetër Zemrën e Shenjtë të Jezusit të zhytur në një oqean drite. Ishte e rrethuar nga një kurorë ferrash, që simbolizojnë plagët e mëkateve tona dhe mbi të shihej një kryq. Kështu do të përhapej në mbarë botën, më vonë, fugurja e njohur e Zemrës së Krishtit.
Por në ato vite askush nuk do t’i besonte kësaj motre të thjeshtë kur filloi të fliste për gjithë këtë. Jezusi i kishte kërkuar edhe që të themelohej një Festë në nder të Zemrës së Krishtit, por pothuajse në të gjitha nivelet, kishtare e civile, ajo qe përqeshur. Ndërkaq Jezusi e ngushëllonte shenjten: «Mos ki frikë! Ndërkaq ti bindju autoriteteve të Kishës, sepse djalli nuk mund të bëjë asgjë mbi ata që binden!» U desh të kalonin gati dy shekuj që, pas shumë ngjarjesh e nxitjeve të shenjtërve të tjerë, kjo festë të zyrtarizohej në Kishën Katolike nga Papa Piu IX, më 23 gusht 1856.
«Zemra ime është kaq shumë e dhënë në dashuri për njerëzit», i kishte thënë Jezusi Shenjtes franceze, si për të përforcuar atë që Ai vetë e thotë në Ungjillin e sotëm ku, për të folur për gëzimin e Hyjit kur kthehet një mëkatar, Jezusi merr si shembull gëzimin e bariut kur gjen delen e humbur: «Kur e gjen, plot gëzim e vë në krah».
«Plot gëzim» është Zemra e Jezusit kur mëkatari kthehet. Kjo tregon se Ajo është edhe plot trishtim kur njeriu nuk është pranë Tij. Hyji ka vendosur të duajë edhe me zemër njeriu, që njeriut t’ia mësonte abc-në e dashurisë për Hyjin. Prandaj Shën Pali nuk di ta përkufizojë ndryshe dashurinë e Hyjit për njeriun përveç se duke e ngulur shikimin tek vdekja e Jezusit në kryq për ne mëkatarët: «Hyji e dëftoi dashurinë e vet kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne… Ne e vëmë mburrjen tonë në Hyjin, në saje të Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të të cilit tani fituam pajtimin». Shën Pali e ngulë shikimin e tij kah kjo dashuri e pakufi e Hyjit, e treguar në Jezusin, dhe thotë se vetëm në këtë dashuri i krishteri e vë «mburrjen e vet». Shenjtja Terezë e Lizjesë thoshte: «Unë nuk jam e aftë për virtyte: virtyti im është Jezusi». Si për të thënë se nuk dinte të orientohej ndryshe në jetë për të pasur një dashuri të përsosur për Hyjin e për njerëzit, por i mjaftonte të shikonte kah Jezuzi dhe aty do t’i gjente të gjitha.
Në leximin e parë sot, Hyji kishte premtuar se ai vetë do të merrej me grigjën e tij, e cila mjerisht ishte lënë pa përkujdesje pikërisht nga ata që duhej të përfaqësonin në popull dashurinë dhe mëshirën e Tij: «Ja, unë vetë do t’i kërkoj delet e mia e do të përkujdesem për to… Unë do t’i bashkoj… Unë vetë do t’i mballoj delet e mia. Të humburën do ta kërkoj, të ndarën do ta kthej, të thyerën do ta lidh me kshtalla, të ligështuarën do ta kërthnez, të majmen e të fortën do ta ruaj». Të gjitha këto Ati i amshuar premtonte se do t’i bënte e ashtu bëri në Birin e Tij dhe, falë forcës së Shpirtit Shenjt, edhe neve na bën pjesëtarë të këtij premtimi. Prandaj Shën Pali thotë: «Dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua».
I krishteri është ai që ka lejuar të zhytet në këtë mister të dashurisë trinitare. Psalmi i sotëm, psalmi 23, quhet ndryshe edhe psalmi i të sapopagëzuarit. Kisha, në meditimin e saj shekullor, ka vënë re se sa i përshtatshëm është ky psalm për të treguar bekimin që ka për për të krishterin të qenit i zhytur (i pagëzuar) në gjirin e dashurisë së Hyjit-Trini. Rreshtat e këtij psalmi jo më kot do të frymëzonin më vonë shumë shenjtër, shkrimtarë shpirtërorë e kompozitorë: «Nëpër fusha të gjelbra ai më jep pushim, / më prin në ujëra të qeta, / shpirtin ma përtërin… Edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, / s’trembem nga e keqja, / sepse ti je me mua». «Ne e vëmë mburrjen tonë në Hyjin», do ta shpjegonte gjithë këtë Shën Pali.
Për ta kuptuar më mirë këtë të vërtetë, na ndihmojnë përsëri të shfaqurat e Jezusit Shenjtes Margeritë. Kështu ajo do të shkruante, duke kujtuar të tretën herë që iu shfaq Jezusi: «Një herë, ndërsa isha përballë të Shenjtërueshmit Sakrament, (ishte dita e tetëditëshit të Korpit të Krishtit), mora nga Hyji im Hire të jashtëzakonshme të Dashurisë së tij: e ndjeva veten të shtyrë nga dashuria që t’i shkëmbeja dashuri dhe t’i ktheja dashuri për dashuri. Ai më tha këto fjalë: “Ti nuk mundesh të më dëshmosh dashuri më të madhe se sa të bësh atë që të kam thënë disa herë.” Atëherë, duke e zbuluar Zemrën e Tij Hyjnore, më tha: “Ja, ajo Zemër që kaq shumë i ka dashur njerëzit dhe që asgjë nuk ka kursyer për ta, deri sa është shterruar dhe flijuar për të dëshmuar Dashurinë e saj! Por, si shkëmbim, nuk marr nga pjesa më e madhe e tyre veçse fyerje, sakrilegje, për shkak të ftohtësisë dhe përçmimeve që më bëjnë në këtë Sakrament Dashurie. Por gjëja që më së shumti më trishton, është se janë edhe disa zemra që më janë kushtuar mua ato që më trajtojnë kështu.” “Prandaj të kërkoj që, të parën të premte pas tetëditëshit të Korpit të Krishtit, të caktohet një festë e veçantë për ta nderuar Zemrën time”».
E thamë më sipër se Kisha do t’i besonte gjithë këto dialogje mistike vetëm pothuajse pas dy shekujsh. Kisha nuk ngutet të pranojë gjithçka që i paraqitet nga besimtarët e veçantë sepse, këto zbulesa private, sado madhështore që janë, nuk kanë tjetër qëllim veçse të na shtyjnë të besojmë gjithnjë e më fort atë shëlbim të cilin Hyji e ka realizuar një herë e përgjithmonë në Birin e vet. E, Biri, në Ungjillin e sotëm, nuk e fsheh gëzimin e Tij kur ia arrin ta shëlbojë ndonjërin prej nesh, aq sa duket sikur edhe engjëjve dhe mbarë krijimit u thotë: «Gëzohuni me mua». Është shumë bukur të vësh re se, përgjatë shekujve, Jezusi vendos që herë pas here t’ua kujtojë sërish fuqishëm njerëzve këtë dashuri të veten: «Ja, ajo Zemër që kaq shumë i ka dashur njerëzit dhe që asgjë nuk ka kursyer për ta!»
«O Zemër tejet e dashur e Shëlbuesit tim, ji ti Zemra e zemrës sime, Fryma e frymës sime, Shpirti i Shpirtit tim, Jeta e jetës sime!», lutej Shën Gjoni Eudes, shenjti që më vonë më së shumti do të kushtohej për përhapjen e decovionit të Zemrës së Krishtit. Mjerisht, ne jo gjithnjë jemi kaq mirënjohës dhe kaq të hapur ndaj dashurisë së Zemrës së Krishtit. Pasojat e gjithë kësaj i shohim qartë çdo ditë në jetën tonë personale e në jetën e njerëzimit.
Dom Dritan Ndoci