JEZUSI MORI VENDIM TË PALËKUNDSHËM TË SHKOJË NË JERUSALEM.

Categories HomeliPosted on

E DIELA XIII GJATË VITIT C

1 Mbr 19, 16. 19-21; Ps 16 (15); Gal 5, 1. 13-18; Lk 9, 51-62

«Vizita juaj më nderon, Nënë Kabrini, për ju tashmë flet e gjithë Amerika. Në çfarë mund t’ju jem i dobishëm?», i tha Shenjtes Françeska Kabrinit në vitin 1892 një biznesmen i suksesshëm i Nju Orleansit, kur ajo shkoi ta vizitonte në fabrikën e tij dhe i kërkoi ta ndihmonte në veprimtarinë e saj gjigande në ndihmë të emigrantëve të varfër italianë, veprimtari të cilën tashmë ajo e kishte ngritur në këmbë në shumë vende të Amerikës. Por, është shumë interesante të dimë se, dita e parë kur Nënë Françekska preku Amerikën, ishte e shënuar nga një mijë vështirësi tejet të ndërlikuara.

Ishte 39 vjeçe kur, në vitin 1889, bashkë me shtatë shoqe të vetat u nis për atje. Në anije mbi të cilën bëri udhëtimin e saj të parë ishin në klasin e tretë 900 emigrantë. Për më tepër ishte edhe e sëmurë në mushkëri dhe mjekët e kishin paralajmëruar se i mbeteshin jo më shumë se dy vjet jetë. Kur arriti në Nju Jork, mori vesh se personat që duhej t’i prisnin, kishin marrë urdhër që të mos i strehonin më, por t’u këshillonin të ktheheshin në Itali nga ku ishin nisur. Atë ditë që zbarkuan binte shi me gjyma dhe arritën, të bëra qull nga shiu e të rraskapitura nga lodhja, në shtëpinë e varfër të Etërve Skalabrinianë, të cilët mezi ua gjetën një vend tejet të thjeshtë. Përfunduan në një pension të pështirë pranë lagjes kineze, aty ku shtretërit ishin kaq të pistë saqë nuk patën as kurajon të shtriheshin mbi ta. Mbetën duke u dridhur ndenjur për tokë, me shpatullat e mbështetura për mure. Kur, pasi zbardhi dita, arqipeshkvi i priti dhe, me të shpejtë, u këshilloi atyre që të ktheheshin andej nga kishin ardhur. «Këtë kurrë, Shkëlqesi!», – ia priti Shenjtja. «Unë jam këtu me urdhër të Selisë së Shenjtë dhe këtu më duhet të qëndroj». Por Provania nuk do të vononte t’i printe veprimtarisë së saj. Jetoi edhe 28 vite pas asaj date.

E treguam këtë histori të gjatë, në të cilën vendosmëria që Shenj­tja tregoi për të mos u tërhequr pas përballë ndërlikimit të rënduar të situatës, ngjan shumë me vendosmërinë e treguar nga Jezusi për t’u nisur drejt Jerusalemit, ku së shpëjti do të ndodhte Vdekja dhe Ngjallja e Tij për shëlbimin e botës. Thotë Ungjilli i sotëm: «Kur erdhi koha që Jezusi të jetë ngritur nga kjo botë, mori vendim të palëkundur të shkojë në Jerusalem». Është përkthyer «Mori vendim të palëkundur», por në origjinalin grek thotë: «E ngurtësoi fytyrën e tij». Kuptimi është i njëjtë, patjetër, por në përkthimin fjalë për fjalë përmendet «Fytyra» e Jezusit. Në të mund ta shohim seriozitetin me të cilin Jezusi tani niset drejt realizimit të shëlbimit, por edhe neve na mëson ta mbajmë shikimin tek Fytyra e Tij, nëse duam ta arrijmë shëlbimin: «Fytyrën tënde, o Zot, do ta kërkoj», thotë Psalmi 27, 8.

E Jezusi e merr një vendim të tillë «të palëkundur» kur situata që kishte përballë ishte mjaft e ndërlikuar dhe shkon duke u ndërlikuar gjithnjë e më shumë.

Për ta kuptuar pak atë që do të themi këtu shpejt e shpejt, mund ta imagjinoni veten, për një çast, sikur jeni përballë një shtëpie që po digjet dhe brenda saj ka njerëz që kërkojnë të shkojë dikush  e t’i ndihmojë. Nëse ti merr vendim të hysh, e di mirë se duhet të përballesh me flakët e me tymin, por kushedi edhe çfarë vështirësishë të tjera të papritura qw mund të të dalin. Kështu edhe Jezusi, që me gjithë shpirt dëshironte të arrinte shëlbimin tonë, e dinte mirë se gjendja ishte e ndërlikuar dhe mund të ndërlikohej në format nga më të papriturat. I prin vetëm vendosmëria për të zbatuar vullnetin e Atit të vet.

Ja cilat janë pjesa e ndërlikimeve që rreshton Ungjilli sot: samaritanët nuk e mirëpresin Jezusin, për arsyen e vetme se «ishte nisur për Jerusalem», pra vetëm për inerci të disa urrejtjeve etnike; apostujt e Tij mendojnë se kanë pushtetin ta shfryjnë zemërimin e tyre duke urdhëruar «që zjarri të zbresë nga qielli e t’i zhbijë», duke dëshmuar se ende nuk e kishin kuptuar Mësuesin e tyre Hyjnor, i cili u desh t’i qortonte për këtë zemërim të tyrin; atij që i kërkoi nëse mund të shkonte pas Tij, Jezusi i zbuloi se nuk kishte ku të mbështeste kokën; një tjetër, të cilit vetë Jezusi i kërkoi ta ndiqte, ikën sepse ka detyrime familjare e edhe tjetri pas tij, gjithashtu, ishte ende i lidhur me familjarët e tij, duke i treguar kështu Jezusit se nuk e kishte përparësinë absolute në jetën e tij.

Pra Jezusi po mbetej gjithnjë e më i vetëm. Megjithatë, Ai nuk tërhiqet mbrapsht. Në darkën e fundit me ta, Jezusi do t’ua tregonte edhe një herë apostujve se kush është burimi i guximit të Tij: «Ja, po vjen koha – madje arriti – kur ju do të shpërndaheni secili në punë të vet e mua të më lini vetëm. Por, unë nuk jam vetëm, sepse me mua është Ati». Dashuria në mes Tij dhe Atit është forca e Jezusit përballë vetmisë që gjithnjë po i shtohej përreth. Atë që thotë sot psalmisti, e shohim se gjen plotësinë e saj në Jezusin: «I thashë Zotit: “Ti je Zoti im, tjetër të mirë nuk kam veç teje.”».

Por Jezusi nganjëherë duket sikur nuk bën asgjë për t’i lehtësuar rrethanat. Përkundrazi i rëndon ato me kërkesat që Ai nuk duket se ka ndërmend t’i zbusë. Përshembull, nëse Elia profet ia kishte lejuar Elizeut që të shkonte e t’i përshëndeste prindërit e vet, Jezusi nuk ia lejon atij që ia kërkoi. Duket sikur Jezusi nuk i jep vlerë lidhjeve afektive të njeriut, lidhje të cilat, në fakt, janë shumë të forta e të shenjta në njeriun. Aq më i ftohtë duket Jezusi përballë atij që dëshironte të varroste të atin, e menjëherë do të vihej pas Tij. As detyrimin më të natyrshëm ndaj prindërve duket sikur Jezusi nuk e merr para sysh.

Patjetër se, duke u bërë njeri i vërtetë, Jezusi i kishte edhe Ai lidhjet afektive me shumë njerëz përreth Tij: me Nënën e vet, Marinë, me Jozefin, me Lazrin të cilin e ngjall, por para skenës së varrit të tij nuk mundi të mos përmallohej. Pikërisht ngaqë u shty nga dhembshuria për nënën nga Naini që po varroste djalin e saj të vetëm Jezusi bëri mrekullinë e ringjalljes së tij. Pati dhembshuri për turmat, të cilat i mësonte e shumë shpesh i shëronte. Ndjeu gjithashtu edhe frikë e brishtësi krejtësisht njerëzore përballë vdekjes që po i afrohej. Por, në të gjitha këto, ishte dashuria e Tij për Atin ajo që shkëlqente dhe që i rregullonte të gjitha, pa i dëmtuar aspak lidhjet afektive, por thjesht duke u dhënë atyre rëndësinë e vërtetë që kanë. «Hiri Hyjnor nuk e shkatërron natyrën, por e supozon dhe e përsosë atë», mësonte Shën Toma i Akuinit në shekullin XIII.

Por, gjithë këtë që në pamje të parë duket si ftohtësi në Jezusin, duhet ta kuptojmë si zellin e Tij për ta përhapur sa më fort Mbretërinë e Hyjit. Prandaj duket më i ftohtë se Elia profet, sepse tashmë është më e ngutshme se në kohën e Elisë që të shpallet në botë se Mbretëria e Hyjit është tashmë në mesin e njerëzve. Jezusi nuk është kundër lidhjeve afektive, por kundër idhujtarizimit të tyre. Jemi të bërë për Zotin e, herët a vonë, të gjithë gjendemi përballë zgjedhjes që të jemi krejt të Zotit. Këtë zgjedhje duhet ta kultivojmë e ta përsërisim çdo ditë brenda nesh, edhe atëherë kur rrethanat ndërlikohen e vështirësohen.

Sikurse Jezusit iu desh të merrte «vendim të palëkundur», për të realizuar shëlbimin tonë, ashtu shpesh Provania Hyjnore lejon që, edhe neve, të na kërkohet të marrim vendime të palëkundura në lidhje me zbatimin e vullnesës së Zotit. Sikurse për Jezusin e vetmja forcë ishte dashuria për Atin e vet, ashtu edhe për ne Provania lejon që të ndjehemi shpesh të vetmuar e të braktisur deri në palcë, për të na ndihmuar të rrënjosemi vërtet në dashurinë për Hyjin.

Por është me shumë rëndësi që të mos kthehmi pas, sepse këtu luhet shëlbimi ynë e, shpesh, jo vetëm i yni. E pamë më sipër se sa shumë kjo gjë u vërtetua në fillimet e misionit të Shenjtes Françeska dhe se si, qëndresa e saj, i dha frytet e veta. Ata që duan ta dëfrejnë kureshtjen e tyre rreth kësaj Shenjtëreshe vërtet të admirueshme, le të kërkojnë pak rreth fryteve të verprimtarisë së saj dhe do t’u duhet të mbajnë frymën kur të shohin se sa themelime institutesh, shkollash, spitalesh e jetimoresh ajo arriti të realizonte më pas në Amerikë, në Europë dhe më gjerë.

Por ne do të jemi të qëndrueshëm vetëm nëse nuk shkëputemi nga Jezusi, i cili na prin në këtë udhë drej shëlbimit. Jezusi e realizoi shëlbimin e asgjë nuk arriti ta ndalonte. Kjo na e forcon edhe neve shpresën se, sado të ndërlikuara mund të shfaqen rrethanat përballë nesh, Hiri i Hyjit do të jetë në gjendje që gjithçka ta kthejë në dobi për shëlbimin tonë. «Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan» (Rom 8, 28), thotë Shën Pali. «Hyji shkruan drejt, në rreshtat e shtrembër të njerëzve», predikonte në shekullin XVIII ipeshkvi francez, Jacques Bossuet.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *