PO JU DËRGOJ PORSI QENGJA MIDIS UJQISH.

Categories HomeliPosted on

E DIELA XIV GJATË VITIT C

Is 66, 10-14; Ps 66 (65); Gal 6, 14-18; Lk 10, 1-12. 17-20

Në mesjetë, në shekullin XV, një Papë me emrin Xhulio II, mori pjesë përsonalisht në një luftë, e cila u zhvillua mes shtetit të Vatikanit dhe njërit prej shteteve italiane të kohës. Ajo zgjati rreth një muaj dhe përfundoi me fitoren e shtetit të Vatikanit, duke bërë që Papa të hynte plot triumf në atë shtet të sapopushtuar. Ajo luftë nuk ishte e ndonjë rëndësie të madhe strategjike, por u bë e famshme në mbarë Europën sidomos për faktin që ishte një Papë ai që kishte zbritur në fushën e betejës. Papa Xhulio II do të kalonte në histori si “Papa luftëtar” dhe si “Papa i tmerrshëm”.

Sa larg kishte shkuar ky zëvendës i Krishtit në tokë, që vetëm butësinë dhe mëshirën e Krishtit tashmë nuk po e përçonte aspak. Sa fort ishte përzier me mendësitë e botës, duke harruar kështu fjalët e Mësuesit Hyjnor, që nxënsve të vet u kishte thënë «Ja, po ju dërgoj porsi qengja midis ujqish», dhe i kishte porositur që të niseshin për të ungjillizuar jo vetëm pa marrë me vete armë e ushtri, por «as qese, as strajcë, as sandale».

Kur dëshirojmë të mbushim botën me frymën e Ungjillin, të kemi shumë kujdes që të mos përfundojmë të mbushim Ungjillin me frymën e botës.

Prandaj, pjesa ungjillore që dëgjuam sot, gjithnjë është marrë nga Kisha si model i ungjillzimit, sepse aty na jepen të dhëna vërtet të çmuara mbi metodat që ungjillzimi kërkon të ndiqen. Për të qenë më të saktë, më fort se ndjekje metodash, ungjillzimi është ndjekje e Jezusit, sepse vetëm duke ndjekur Atë mund të ungjillzohet si duhet dhe, vetëm falë Hirit të Tij, ungjillzimi ka efekt. Vetëm Hiri Hyjnor mund të veprojë në zemrën e atyre që dëgjojnë dhe është ky Hir ai që, i vetmi, arrin të mposhtë djallin, siç vinin re këta shtatëdhjetë e dy njerëz që, kur u kthyen, plot gëzim i thanë Jezusit: «Zotëri, deri edhe djajtë na nënshtrohen në Emrin tënd!».

Por le t’i marrim me radhë disa nga detajet më të rëndësishme të kësaj pjesë ungjillore, sepse na bëjnë të kuptojmë gjëra të tjera shumë të vyera për ungjillzimin.

Në radhë të parë, bie në sy fakti që Shën Luka ungjilltar thotë se Jezusi zgjodhi shtatëdhjetë e dy vetë për të dërguar e jo vetëm dy­mbëdhjetë apostujt. Është një detaj të cilin vetëm Shën Luka na e tregon. Kjo mbase ka lidhje me atë që, sipas përkthimit të LXX, Libri i Zanafillës thotë se numri i kombeve të ndryshme të botës ishte pikërisht shtatëdhjetë e dy. Po aq, përsëri sipas përkthimit të LXX, ishte edhe numri i njerëzve që zgjodhi Moisiu për ta ndihmuar në veprimtarinë e tij drejtuese e gjykuese në Izrael. Pra ky gjest i Jezusit kishte ndërmend të paralajmëronte përhapjen e Ungjillit në mbarë botën që Ai, pas misterit të Pashkës, do ta realizonte përmes Kishës së Tij, Izraelit të Ri.

Pastaj Jezusi, kur e vë Kishën e Tij përballë botës që pret Ungji­llin, i shpreh asaj edhe merakun e Zemrës së Tij përballë botës: «Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak». E, gjëja e parë që Kisha duhet të bëjë në përzgjedhjen e atyre që mund të ndihen të nxitur t’i përkushtohen ungjillzimit në mënyrë më eskluzive, nuk është organizimi i strategjive kushedi se sa të ndërlikuara, por lutja me fe të gjallë: «Lutni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta!».

Për ta thënë me fjalë të tjera, edhe sot shpenzohen shumë para e shumë energji për të promovuar thirrjet, por thirrjet nuk u promovuakan: për thirrjet duhet të lutemi, sepse vetëm Zoti arrin ta nxisë si duhet një njeri që ta kushtojë jetën e tij. Këtë nuk arrijnë ta bëjnë asesi propagandat që shpesh, më fort se dëshmi vetjake, fshehin edhe shumë pompozitet e krenari brenda tyre. «Lutni të Zotin e të korrave!», u thotë këtyre Jezusi, duke ua kujtuar se lujta e bërë me fe të gjallë, arrin të bëjë mrekulli. Po, sepse pikërisht «mrekullia» nevojitet që dikush të lëshohet në duart e Zotit, sepse jeta është vërtet shumë e çmuar për ta lëshuar në duart e propagandave të ndokujt. E Zoti i bën vërtet mrekullitë, kur ia kërkojmë me fe të gjallë. Promovimi i thirrjeve duhet bërë, por jo duke vënë në plan të parë propa­gandën dhe nxitjen, të cilat janë pafundësisht më pak të rë­ndë­si­shme se lutja dhe dëshmia e jetës.

Pastaj Jezusi u jep disa mësime praktike nxënësve që dërgon. Duke u thënë «mos përshëndetni rrugës askënd», Jezusi nuk ka ndër mend t’i mësojë nxënësit e Tij që të ecin rrugës si të trembur e pa njerëzi, por dëshiron të theksojë ngutin që kërkon ungjillzimi. Duke u thënë nxënësve «Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: “Paqja me këtë shtëpi!», u mëson atyre se janë përçues të paqes e jo të luftës. Duke u thënë «hani e pini çka t’u ketë qëlluar», krijon shkëputjen me zbatimin e ligjeve të hebraizmit që përcaktojnë se cili ushqim është i pastër e cili jo, sepse zbatimi i këtyre ligjeve mund të ishte pengesë për ungjillzim. Së fundi, u mëson nxënësve të vet edhe përmbajtjen e asaj që duhet të predikojnë: «U afrua Mbretëria e Hyjit». Fillimi i Ungjillit të sotëm thotë se Jezusi «i dërgoi përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkojë». Pra, duke predikuar «U afrua Mbretëria e Hyjit», ishte si të thonin: «Po vjen Jezusi». Jezusi vetë është Mbretëria e Hyjit. Kisha, pra, nuk duhet të ungjillzojë pa Jezusin brenda predikimit të saj.

Nga qytetet ku nuk do t’i pranonin, Jezusi u thotë që, kur të dilnin prej aty, të shkundnin deri edhe pluhurin nga këmbët e tyre. Një gjest tillë i shkundjes së pluhurit nga këmbët u ishte porositur izraelitëve ta bënin në çastin kur do të hynin në tokën e premtuar, si shenjë e shkëputjes së tyre nga popujt paganë, nga të cilët nuk donin të merrnin asnjë shembull sjelljeje fetare e morale, por vetëm nga Hyji. Nxënësit, duke shkundur pluhurin, po bënin, pra, një gjest që nuk ishte mallkim, por profeci, tregues se, ata që refuzonin predikimin e tyre, po refuzonin hapjen ndaj vetë Birit Hyjit.

Por, gjithë këtë, nxënësve, Jezusi u kërkon që ta bëjnë duke i pasë dërguar «dy nga dy». Njëherësh me fjalët, Jezusi u kërkon që të japin edhe dëshminë e jetës. Të gjitha fjalët e tyre do të kishin forcë vetëm nëse do të dinin të donin njëri-tjetrin. Përndryshe, shkandulli i mungesës së dashurisë në Kishë, pra përçarja e të krishterëve, është pengesë në ungjillzim: «Një ndarje e tillë, jo vetëm që është haptas kundër vullnetit të Krishtit, por është edhe shkandull për botën dhe dëmton më të shenjten ndër të gjitha çështjet: shpalljen e Ungjillit të gjitha krijesave», thotë Papa i Shenjtë Pali VI, në Unitatis Redintegratio, ku flet për rëndësinë e ekumenizmit.

Askush nuk e besoi se Papa Xhulio II kishte qëllime të shenjta në luftën që thamë se bëri dhe, gjithë ajo mungesë dashurie nga njeriu përfaqësonte Krishtin në tokë, patjetër që ndikoi në ungjillzim. Nuk është rastësi që lufta u bë në vitin 1511 dhe Martin Luteri e shpërtheu përçarjen protestante vetëm pas 18 vitesh, duke i dhënë Europës së krishterë goditjen më të rëndë. Shtoji kësaj edhe faktin se as Papa pasardhës që u përball me skizmën luterane, Leoni X, nuk ishte fort ndryshe nga “Papa i tmerrshëm”. Meshtari Augustinian me kohë i akuzonte autoritetet kishtare se kishin shkuar larg mesazhit ungjillor, por shumë më tepër tashmë autoritetet kishtare po i akuzonin popujt e shumtë të Europës, të cilët mezi ç’priten një rast të volitshëm që të liroheshin prej tyre dhe i përqafuan menjëherë doktrinat e gabuara të Luterit.

Jezusi i dërgon të krishterët «si qengjat midin ujqërve», duke u siguruar se emrat e tyre ishin tashmë «të shkruar në qiell», ku do të gëzonin bashkë me «Qengjin e Hyjit Fitimtar». Por ata duhej të ruheshin që, ndërkohë, të mos shndërroheshin në «ujqër që vrasin qengja».

Vetëm me “armët” e fesë së gjallë, të paqes dhe të dashurisë së ndërsjellët u nisën nxënësit atë ditë për ungjillzim dhe ia panë fuqinë, aq sa djajtë u nënshtroheshin dhe shëronin të sëmurët kudo që shkonin, duke realizuar, në ato ditë misioni, atë që profetizonte Isaia kur thoshte: «Gëzohuni me Jerusalemin!… Ja, unë po bëj të arrijë në të paqja porsi lumë».

Edhe sot kështu duhet të jetë! Duhet të kapemi fort vetëm pas Jezusit dhe mënyrave që Ai na ka porositur, nëse duam të ungjillizojmë! «Sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveç me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota është kryqëzuar dhe unë për botën!», thoshte Shën Pali, ai që vetëm dy “armë” pati në përdorim gjatë predikimin të vet: Hirin e Jezu Krishtit, i cili një herë i kishte thënë «Të mjafton Hiri im» (2 Kor 12, 9) dhe dashurinë e zjarrtë për Të e për Kishën e Tij. Kjo bëri që Shën Palin e gjithë bota ta njihte si «ungjillzuesin e popujve».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *