MARIA ZGJODHI PJESËN MË TË MIRËN, QË NUK DO T’I MERRET.

Categories HomeliPosted on

E DIELA XVI GJATË VITIT C

Zan 18, 1-10; Ps 15 (14); Kol 1, 24-28; Lk 10, 38-42

Në traditën hebraike, mikpritja nuk shihej vetëm si një fenomen shoqëror, por kishte lidhje edhe me një bindje të madhe që ushqehej nga besimi në Hyjin: zemërgjerësia që duhej treguar ndaj mikut, ishte e nxitur nga zemërgjerësia që Hyji kishte treguar gjithnjë ndaj popullit të vet. Do të thotë se mikpritja çmohej si një akt i shenjtë, si diçka që të vë në sintoni me Hyjin. E, duke qenë e tillë, do të thotë se është edhe njëri prej vendeve në të cilat Hyji mund ta bëjë të pranishme veten e Tij më së miri. Për këtë arsye Shën Pali u thoshte të krishterëve të parë: «Ushtroni mikpritjen!» (Rom 12, 13)

Para se të kalojmë tek kundrimi i pjesëve të sotme biblike, le të shohim pikësëpari bukurinë e pakrahasueshme të miqësisë. E dimë të gjithë se miku besnik dhe i painteres ta zbukuron jetën. Miku i vërtetë ta lehtëson zemrën kur je ngusht e, pa thënë asgjë, të bën të ndihesh ngusht kur ke filluar të bësh një jetë me gabime. Kur ke një mik të mirë, gjithmonë do ta kesh diku një derë të hapur për ty: «Miku i mirë, në ditë të vështirë.», thotë proverbi ynë. Në librin e Siracidit thuhet: «Miku besnik, mbrojtje e fortë: kush e gjen, gjen një thesar.» (6, 14)

Sa bukur është ta kultivosh miqësinë! Shpesh thuhet se miqësia nuk egziston, duke u justifikuar se të vetmit që të duan vërtet janë njerëzit e gjakut tënd. Por miqtë e sinqertë ekzistojnë. Ata janë si puna e atyre viganëve të përrallave që dalin nga strehat e tyre kur dëgjojnë se je në hall. Dalin, të ndihmojnë dhe kthehen përsëri në heshtjen e tyre. Pa kërkuar asgjë e pa të bërë të ndihesh as në borxh për nderën që të bënë. Miqësi të tilla ta zgjasin jetën e, këtë miqësi, Hyji e bekon me praninë e vet.

Tani mund t’i kthehemi leximeve të sotme, sepse do të shohim se personazhet që përmenden aty, duke e ushtruar mikpritjen me çiltërsi, mikpritën vetë Zotin në shtëpitë e tyre.

Leximi i parë sot na tregon se si Abrahamit i kalojnë përpara tendës së vet tre burra të panjohur. Abrahami do të zbulojë se këta miq të panjohur ishin shumë të veçantë, sepse prej tyre do të merrte lajmin që, së shpejti, do të kishte një djalë, lajm të cilin e priste me afsh të zemrës. Do t’u jepte miqve, por më shumë do të merrte prej tyre, siç ndodhë në çdo miqësi të sinqertë. Autori i Letrës së drejtuar Hebrenjve, në lidhje me këtë detaj, merrte shkas t’i këshillonte të krishterët e parë: «Mos e lini pas dore mikpritjen, sepse me anë të saj, disa, pa e ditur, i pritën miq engjëjt!» (13, 2) Tradita e mëvonshme e krishterë është shtyrë edhe më tej, duke parë në këtë tekst të Besëlidhjes së Vjetër një zbulim të Hyjit Njiní e Triní.

Ungjilli na flet për mikpritjen që i bënë Jezusit dy motra, Marta dhe Maria, të cilat, me sa duket, kishin miqësi të thellë me Të. Por, përballë mikut që u vjen në shtëpi, ato reagojnë në mënyra mjaft të ndryshme: njëra, Maria, i lë të gjitha shqetësimet e tjera mënjanë e ulet te këmbët e Jezusit për ta dëgjuar Atë, kurse tjetra, Marta, e ka mendjen tek punët e shumta që kërkonte mikpritja.

Përpjekja më e pavend që mund të bënim në këtë rast do të ishte që të përpiqeshim të kuptonim se cila prej dy motrave është më e mirë, cila prej tyre u soll mirë e cila keq. Na vjen spontane ta dënojmë Martën e shkretë, duke qenë se edhe Jezusi e korrigjoi pak, por të mos harrojmë se edhe Martën Kisha e mban për shenjtëreshë, përkujtimi i së cilës bie më 29 korrik. E punët që u duhej të bënin atë ditë duhet të kenë qenë vërtet të shumta, sepse, me shumë siguri, Jezusi nuk u kishte shkuar i vetëm në shtëpi. Zakonisht Jezusi kishte pas vetes edhe dymbëdhjetë apostujt në lëvizjet e Tij të atyre viteve. Imagjinojeni, pra, se si fillon puna për gratë e shtëpisë kur të vijnë trembëdhjetë miq përnjëheri për bukë.

E, me gjithë këto punë që duheshin bërë, Maria shkon e i ulet Jezusit tek këmbët e nuk bën asgjë. Plus kësaj, nuk ishte as në zakonet e vendit që një grua të ulej tek këmbët e Mësuesve të Ligjit e të dë­gjonte, por vetëm burrat. Gratë e kishin shumë të qartë vendin që u takonte në këso rastesh. Prandaj Marta jo vetëm që e pretendon ndihmën e Marisë, por duket sikur është edhe e turbulluar nga fakti se Jezusi e pranoi thyerjen e këtij rregulli shumë të qartë për një Mësues: «Zotëri, a nuk po të duket rëndë?»

E rrëmbyer nga punët e shumta e, me siguri e rrëmbyer edhe emocionalisht nga një tolerim i tillë nga ana e Jezusit, Marta nuk nguron deri edhe të mendojë se Jezusit i duhet dhënë urdhër: «Thuaji, pra, të më ndihmojë!» Mund ta imagjinojmë lehtësisht Jezu­sin që buzëqesh përballë gjithë këtij rrëmbimi nga ana e mikeshës së Tij të sinqertë. E, pikërisht se e kishte mikeshë, shumë dasha­mirësisht ia kupton mundin e madh që po bënte, por e fton edhe që të kuptojë se vlera e vërtetë e mikpritjes është miku e jo ajo që bën për mikun: «Martë, Martë, ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra e, pra, e nevojshme është vetëm një. Vërtet Maria zgjodhi pjesën më të mirën, që nuk do t’i merret».

Në korrigjimin e Jezusit bërë Martës, mund të shohim edhe një korrigjim që patjetër i duhet bërë një lloj teprie në shpenzimet e shumë mikpritjeve tona: aq shumë shpenzohet kot nëpër disa festa e disa dasma, saqë vërtet të vjen të pyesësh nëse qëllimi kryesor aty është të gëzohet me miqtë e pranishëm, apo aty fshihet dëshira për t’u dukur e për t’u mburrur.

Por t’i kthehemi pjesës ungjillore. «Shtëpia është e Zotit dhe e mikut.», thotë proverbi ynë. Është prekëse ta mendosh se, atë ditë, në shtëpinë e këtyre dy motrave, Zoti e miku ishin e njëjta gjë. Punët e shumta nuk duhej lejuar që ta shpërqëndronin Martën nga kjo e vërtetë. Pastaj një proverb yni tjetër thotë: «Mikut i lëshohet vendi e i dëgjohet kuvendi.». Maria pikërisht këtë po bënte. Aq më tepër ngaqë kishte kuptuar se «kuvendi», pra biseda e këtij miku ishte e një vlere të pashoqe. Maria është shumë e vetëdijshme se kishte shumë për të marrë prej këtij Miku, ndërkohë që Marta ishte e përhumbur nga «brengosja» se kishte shumë për t’i dhënë Atij.

Maria e donte vërtetë shumë Jezusin. Sipas Ungjillit të Gjonit (12, 1-8), në një prej vizitave të Jezusit në shtëpinë e tyre, ajo i kishte zbrazur Jezusit një herë mbi kokë një parfum që kushtonte sa rroga e një viti, plot treqind denarë. Ndokush ka komentuar se mbase ato para ishin kursimet e Marisë për pajën e saj. Edhe në atë rast Maria e shkretë kishte qenë qortuar nga Juda, por u mbrojt menjëherë nga Jezusi.

Me shumë siguri mendohet se kjo Mari është ajo mëkatarja e falur që, me lotët e saj, i kishte larë këmbët Jezusit dhe ia kishte tharë me flokët e saj e, pas këtij gjesti, Jezusi i kishte thënë: «Iu falën mëkatet e shumta, sepse tregoi dashuri të madhe.» (Lk 7, 47). Po kjo pjesë e Ungjillit të Lukës thotë se ajo grua «ishte mëkatare e njohur në qytet». Kështu e kuptojmë se, për Marinë, prania e Jezusit ishte tejet e çmuar, duke qenë se Ai i kishte ndryshuar jetën dhe i kishte rikthyer asaj dinjitetin e humbur nga mëkatet. Plus kësaj, nga Ungjilli i Gjonit, dimë se Jezusi i kishte rikthyer në jetë edhe vëllain e saj të dashur, Lazrin. Si të mos ndihej e rrëmbyer në shpirt Maria nga prania e Jezusit në shtëpinë e saj?!  «Disa miq arrijnë të lënë një gjurmë aq të bukur në jetën tënde, aq sa ti me vështirësi e kujton se si ka qenë jeta jote pa ta.», shkruante Ana Tejlor, poetja angleze e shekullit XIX. E Marisë i kishte ndodhur pikërisht kështu.

Por Marta, me prakticitetin e saj, e kishte mjegulluar bukurinë e gjithë kësaj së vërtete. Prandaj Jezusi ia kujton se cila është gjëja më e rëndësishme, gjëja që nuk «të merret» më kurrë nga askush: miqësia në shpirt me Jezusin.

U futën një herë disa komunistë në shtëpinë e një plake e ia hoqën të gjitha fuguret e shenjta që kishte nëpër mure. Me tallje pastaj iu drejtuan asaj: «Ja, ta hoqëm fenë tënde.»«Ju më hoqët fuguret nëpër mure, por këtë nuk mund të ma hiqni.», u tha plaka ndërkohë që po bënte shenjën e kryqit pa i bërë syri tërt. Komunistët ikën, që nuk donin të flitej se kishin dhunuar deri edhe një plakë.

Miqësia në shpirt me Krishtin nuk mund të na merret prej askujt. Fillon në tokë e vazhdon në amshim.

Shkrimtarët shpirtërorë, nga ana tjetër, e kanë pyetur veten nëse Jezusi kështu ka vlerësuar më shumë jetën e lutjes e të soditjes sesa jetën aktive. Por nuk është ashtu. Veprimtaria njerëzore është gjith­monë e shenjtë, poaq sa edhe lutja. Jezusi këtu qorton atë lloj ­veprimtarie njerëzore që bëhet pa frymën e Hyjit. Lujta dhe ve­prim­­taria duhet të shkojnë bashkë. Duhet të kemi shpirtin e Marisë, por edhe të Martës. Kur të lutemi, të mos i harrojmë përgjegjësitë që kemi përballë jetës e, kur të punojmë, të mos i harrojmë fjalët që dëgjuam te këmbët e Jezusit. Një i krishterë nuk duhet të thotë: «Në Kishë jam i krishterë, kurse në punë kam përparësi të tjera.» Politikani, doktori, bujku, tregtari, profesori, ejt., duhet ta brumosin e shenjtërojnë veprimtarinë e tyre me atë që kanë dëgjuar te këmbët e Jezusit në lutje. E thënë më shkurt: shpirti i Marisë duhet ta përshkojë tërë veprimtarinë e Martës.

Le ta praktikojmë, pra, miqësinë, sepse aty bëhet i pranishëm Zoti. E, mbi të gjitha, ta ruajmë miqësinë me Jezusin, si në lutje, ashtu edhe në veprim. Jezusi është «pjesa më e mirë». Miqësia me Jezusin «kurrë nuk do të na merret», sepse fillon këtu e zgjat në përjetësi. Jezusi është «Miku besnik, mbrojtje e fortë: kush e gjen, gjen një thesar.»

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *