E DIELA XIX GJATË VITIT C
Urt 18, 3. 6-9; Ps 33 (32); Heb 11, 1-2. 8-19; Lk 12, 32-48
Qartësia e të shprehurit nga ana e autorit të Letrës së drejtuar Hebrenjve ndërsa përshkruan se ç’është feja, është vërtet e rrallë. Thotë: «Vëllezër, feja është një mënyrë pasjeje e sendeve që shpresohen, mjet të njihen sendet që nuk shihen.» Me fjalë të tjera: nëse unë e besoj diçka të cilën ma dikton feja, është sikur ta kisha tashmë atë që e besoj. E thënë kështu, i bie që, duke qenë se ne besojmë në ekzistencën e lumturisë së pasosur për të drejtët, është një mënyrë pjesëmarrjeje qysh tani në këtë lumturi.
Pastaj autori vazhdon të tregojë efektet e një feje të tillë: «Në fuqi të saj, të parët tanë fituan një dëshmi të mirë.» E fillon të na e kujtojë se si Abrahami, vetëm i shtyrë nga një fe e tillë, qe nisur drejt tokës së premtuar, duke shpresuar në një pasardhësi, edhe kur mosha e tij dhe e gruas së tij, Sarës, ishte tashmë shumë e thyer, dhe pranoi të flijonte djalin e tij të vetëm kur Hyji ia kërkoi. Madje, për këtë gjest të fundit, kjo Letër na tregon edhe një detaj shumë interesant: Abrahami ishte i gatshëm ta flijonte djalin e tij, i bindur se, nëse do të donte Hyji, Ai edhe mund ta ngjallte atë nga të vdekurit, për të realizuar premtimin e pasardhësisë që i kishte dhënë: «Ishte plotësisht i bindur se Hyji mund të ngjallë edhe të vdekurit.»
Por autori i shenjtë thotë edhe diçka tjetër: «Të gjithë këta vdiqën në fe pa marrë çka u qe premtuar. Ata vetëm e vërejtën prej së largu dhe e përshëndetën, duke pranuar se janë të huaj dhe udhëtarë përmbi tokë.». Nga njëra anë e dimë se premtimet e Hyjit të bëra Abrahamit dhe etërve të tjerë u realizuan, por këtu autori na thotë se paskan vdekur pa i marrë gjërat që u ishin premtuar. E thotë ngaqë e ka kuptuar se premtimet e përkohshme ishin vetëm një shenjë e premtimit të madh që i bëhet çdo të drejti, ishin shenjë e lumturisë së amshuar me Hyjin që do të na fitohej prej meritave të Jezu Krishtit. Ata nuk e përjetuan kohën kur Jezusi do të na e hapte rrugën për tek Ati, por «e vërejtën prej së largu dhe e përshëndetën, duke pranuar se janë të huaj dhe udhëtarë përmbi tokë». Feja që kishin në Hyjin, ishte siguria se, ajo çka u ishte premtuar, do t’u jepej një ditë.
Por ne të krishterët nuk duhet ta kuptojmë fenë si një formë të vazhdueshme ankthi: «Ku fillon feja, përfundon ankhi; ku fillon ankthi, përfundon feja.», predikonte Xhorxh Myler, pastori luteran i shekullit XIX. Feja na ndihmon ta lëshojmë jetën tonë në duart e Zotit, të brumosemi me fjalët e Ungjillit e të besojmë te përmbushja e premtimeve që Jezusi u bën në Ungjill atyre që i shkojnë pas.
Në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, edhe leximi i parë flet për fenë: «Natën e lirimit, izraelitëve u dhe për prijës në udhë të panjohur një shtyllë zjarri të ndezur, diell të butë në shtegtim të lavdishëm.» Tradita e krishterë zakonisht ka parë në këtë «shtyllë të zjarrtë» praninë e Shpirtit Shenjt që i printe popullit të zgjedhur, por besoj se nuk gabojmë po të themi edhe se ajo shtyllë zjarri ishte edhe një simbol i jashtëm i zjarrit të brendshëm të fesë që Shpirti Shenjt kishte ngjallur në zemrat e izraelitëve gjatë atij shtegtimi. Ishte në saje të kësaj feje që ata ecnin. Shkretëtira rrezikonte t’ua errësonte këtë fe (dhe shpesh e bënte) por forca e të Gjithëpushtetshmit ndërhynte për ta rindezur këtë dritë, këtë «diell të butë në shtegtim të lavdishëm». Feja i shoqëronte në shtegtimin e tyre drejt tokës së premtuar, e cila ishte edhe ajo simbol i një toke tjetër, i atdheut qiellor, shtegtimi drejt të cilit e meriton plotësisht të quhet «shtegtim i lavdishëm».
Caku i tyre ishte atdheu qiellor: «Tashti, ata dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë atmen qiellore.» Fjala “atdhe” në shqip tregon shumë: at + dhé, që do të thotë “dheu i atit”. Dëshironin, pra, takimin me Atin e amshuar.
Ky ishte caku i Izraelit të vjetër dhe ky është edhe caku i Kishës, Izraelit të Ri. Jezusi në Ungjill e thotë: «Mos druaj, o grigjë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’jua japë Mbretërinë!» Kemi një Atë që dëshiron të na e japë në trashëgim dheun e vet. Një tekst shumë i bukur i shekullit të dytë, që njihet si Letra e drejtuar Dionjetos, thotë shumë bukur: «Për të krishterët çdo tokë e huaj është atdhe, ndërsa çdo atdhe për ta është tokë e huaj.»
Atje duhet ta kemi të ngulur vazhdimisht shikimin tonë. Atje gjendet visari për të cilin jemi krijuar: dheu i Atit tonë. Të mos lejojmë që diçka tjetër të na e shpërqëndrojë shikimin tonë të ngulur kah ky visar i pakrahasueshëm! Nëse këtë atdhe e kemi si visar tonin, atje do ta kemi edhe zemrën tonë, siç thotë Jezusi sot: «Ku është visari juaj, aty do të jetë edhe zemra juaj.». «Të ngulësh zemrën» tek ky visar, është një mënyrë tjetër për të thënë «të besosh në ekzistencën e tij» e, besimi (e tha Letra e drejtuar Hebrenjve) «është mënyrë pasjeje e sendeve që shpresohen, mjet të njihen sendet që nuk shihen».
Por mund të ndodhë që gjatë ecjes sonë tokësore ta sjellim shikimin tonë kah ndonjë visar tjetër, kah ndonjë mënyrë të jetuari për të cilën nuk kemi qenë krijuar.
Në jetën e Shën Antonit të Padovës thuhet se ai, në predikimet e veta, vazhdimisht fliste kundër një dukurie që po i mjeronte gjithnjë e më fort padovanët e varfër të kohës së tij, me përfitim të madh të pasanikëve të atij qyteti. Pasanikët jepnin para me kamata shumë të larta. Nga ana tjetër kishin në dorë ligjet e vendit dhe e sillnin politikën në atë mënyrë që njerëzit gjithsesi të gjendeshin të detyruar që të merrnin para borxh prej tyre. Shenjti shumë ashpër fliste kurndër kamatarëve. Kur njëri prej këtyre kamatarëve vdiq, Shën Antoni i doli para karvanit mortor që ishte drejtuar për tek varreza dhe u tha që trupin e atij njeriu të mos e varrosnin në varrezën e të krishterëve, duke qenë se shpirti i tij ishte në mundimet e Ferrit për shkak se, tepër i dhënë pas pasurisë, kurrë nuk ishte kthyer kah Hyji. Si shenjë se kjo ishte e vërtetë, Shenjti u tha: «Zemrën ky njeri nuk e ka në kraharor, por e ka në arkën e parave të veta.» Duke e njohur famën e mrekullive të Fratit të Shenjtë, disa shpejtuan të shkojnë tek shtëpia e pasanikut dhe panë se vërtet në arkën e thesarit gjendej një zemër. Pastaj u kthyen edhe një herë tek kufoma, ia hapën kraharorin e, për habinë e të gjithëve, zemrën nuk ia gjetën aty. Jezu Krishti ka lejuar ndonjë herë që, fjalët e thëna nga Ai në Ungjill, të realizoheshin germë për germë. Nuk i ka folur kot, në fakt.
Prandaj Krishti na porosit sot në Ungjill që të qëndrojmë zgjuar. «Rrini gati, të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura, porsi ata që presin zotërinë e vet kur kthehet prej dasmës për t’ia çelur derën posa të vijë e të trokasë!» Kjo do të thotë se, në këtë «shtegtim tonin të lavdishëm» drejt atdheut tonë qiellor, duhet të na shoqërojë ajo «shtyllë e zjarrtë» e «diell i butë» që është feja, e cila është «mjeti i njohjes së sendeve që nuk shihen». E feja duhet të na shoqërojë çdo ditë; jo një ditë po e një jo; jo vetëm në çastet e vështira apo kur të afrohet pleqëria, por çdo ditë. Madje çdo orë.
Pastaj, ku e dimë ne se me siguri do të plakemi? Është për t’u habitur fakti që, shumë të rinjve, u duket punë pleqsh të fillojnë të mendojnë për vdekjen, ndërkohë që çdo ditë dëgjohen lajme që flasin për vdekje të rinjsh! Shën Gjon Bosko, të rinjve të oratorit të vet, thuhet se u organizonte rrëfime një herë në muaj dhe u thoshte se duhej të përgatiteshin për atë rrëfim thuajse do të vdisnin të nesërmen. Mbase metoda të tilla duken të frikshme për fëmijët e të rinjtë, por është shumë më e frikshme ideja që shumë të rritur kanë për vdekjen. Vdekja nuk është rënie në hiçin absolut, por, për të krishterin, është takimi i lumtur me Atin e vet qiellor. E ku e dimë ne se ky takim është lënë për më vonë?
Ne duhet të jemi shërbëtorë që gjithnjë e presim ardhjen e Zotërisë së vet: «Lum shërbëtori që, kur kthehet zotëria, e gjen zgjuar!». E prandaj nuk na lejohet të sillemi me arrogancë me mendimin se mbase Zotëria do të vonojë: «Po bëri e mendoi shërbëtori në zemrën e vet: ‘Zotëria im do të vonojë të kthehet’ dhe fillon të rrahë shërbëtorët, e shërbëtoret të hajë e të pijë e të dehet, zotëria i tij do të vijë atë ditë që nuk e pret, atë orë që nuk ia merr mendja e do t’i japë fatin e të pafeve.»
Feja është drita që, me ndihmën e Hirit Hyjnor, duhet ta mbajmë të ndezur gjithnjë në zemrën tonë. Ajo na ndihmon që zemrën ta ngulim në Krishtin, i cili është visari i paçmueshëm i njeriut. Edhe kur feja duket sikur është e vogël, të mos shqetësohemi. Shën Françesku i Asizit thoshte: «Një rreze drite është e mjaftueshme për të mbajtur larg shumë errësira.». E kjo vlen sidomos për errësirat e egoizmit e të plogështisë shpirtërore.
Dom Dritan Ndoci