ERDHA TË SJELL ZJARRIN MBI TOKË.

Categories HomeliPosted on

E DIELA XX GJATË VITIT C

Jer 38, 4-6. 8-10; Ps 40 (39); Heb 12, 1-4; Lk 12, 49-57

Nuk janë të rralla rastet kur takon edhe të krishterë që jetën e tyre, si të tillë e imagjinojnë plot lumuri dhe rehati. Nuk janë të rrallë të krishterët që, kur vjen ndonjë vështirësi, e quajnë thjesht “maturi” të tërhiqen prapa në dëshmimin e fesë së tyre. Nuk janë të rralla rastet kur edhe të krishterët “zhgrryhen” në një ndjekje false të Zotit, duke qenë se kurrë nuk janë të gatshëm për zgjedhje të forta e të përhershme. Shumë “të krishterë” e quajnë të çuditshëm edhe faktin se, për Krishtin, mbase të duhet të jesh edhe kundër njerëzve më të dashur në jetë dhe se, për Krishtin, ia vlen të lësh gjithçka, gjithkënd e përgjithmonë. Ideja e martirizimit, pastaj, shpeshherë duket si një ide e kohëve të vjetra, duke harruar se i krishteri gjithnjë duhet të jetë i gatshëm ta derdhë edhe gjakun për Krishtin. Këtyre lloj të krishterësh, me sa duket, u është adresuar kjo pjesë e Letrës së drejtuar Hebrenjve që dëgjuam sot kur thotë: «Ju ende, duke luftuar kundër mëkatit, nuk bëtë qëndresë deri në derdhjen e gjakut.»

Edhe vetë Jezusi, pikërisht për ta zgjuar edhe më fort ndërgjegjen e atyre që po i shkonin pas, u thotë në Ungjillin e sotëm: «A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por përçarjen!» Janë fjalë që duket sikur nuk shkojnë në gojën e Atij që është Princi i paqes. Por, pikërisht, se është i tillë Ai flet ashtu. Krishti nuk na sjell një paqe mediokre, nuk i pëlqen ajo lloj paqeje që njeriun e bën skllav të zakonit, të jetës së jetuar sipas asaj që thotë shumica, sipas asaj që të dikton përzemërsia e atyre që ke pranë. Ai ka ardhur të na zbulojë fytyrën e Hyjit-Triní, fytyrë dashurie të përsosur. Vetëm kur t’i përngjajë kësaj lloj dashurie, njeriu gjen vetveten e jo kur ndjek shumicën.

Nuk qenka çudi, pra, që i krishteri, me qëllim që të jetojë sipas vullnesës së Hyjit-Dashuri, duke qenë se jeton në botën e plagosur nga mëkati, shpesh, tepër shpesh, ta shohë veten në luftë me shumëkënd. I krishteri, mjafton që të jetë i tillë dhe menjëherë do ta shohë veten të “sakatuar” nga shikime tallëse e përçmuese. Megji­thëse jam i bindur se, ajo që në pamje të jashtme duket tallje, po të gërmohet mirë, është një lloj zilie, për shkak të gjerësisë së zemrës që i krishteri arrin të tregojë.

Por shpesh hipokrizia merr përparësinë dhe fillon tallja, përndje­kja, përçarja. Kështu harrohet edhe ajo lloj zilie fillestare dhe, më vonë, as vetë përndjekësit nuk e dijnë më arsyen përse po i përndje­kin të krishterët. Në një shkrim të shekullit të dytë të njohur si Letra drejtuar Dionjetos, që e cituam edhe të dielën e kaluar, thuhet «As ata që i urrejnë të krishterët nuk dinë të thonë motivin e kësaj urrej­tjeje.»

Përçarja që sjellë Krishti – kjo përçarje e shenjtë dhe e domosdo­shme në këtë botë të plagosur nga mëkati, futet deri edhe në mes të pjesëtarëve të së njëjtës familje: «Erdha të sjell zjarrin mbi tokë, e sa dëshiroj të ishte tashmë i ndezur fjakë!… Qysh tash, për të vërtetë, pesë anëtarë në një shtëpi do të jenë të ndarë: tre kundër dyve e dy kundër treve: Babai do të zihet me djalë e djali me babanë, nëna me të bijën e bija me të ëmën, vjehrra me të renë e reja me të vjehrrën.»

Lexojmë shpesh në biografitë e shumë shenjtërve se si në jetën e tyre thirrja e Hyjit ka provokuar reagime vërtet të ashpra nga ana e familjarëve të vet. Më e famshmja histori ndër të gjitha është ajo që thuhet në jetën e Shën Françeskut të Asizit. I ati i tij, pasanik i madh në Asizi të Italisë, thuhet se realisht e mohoi si bir të vetin kur ky, Shën Françesku, para banorëve të krejt qytetit, po kërkonte bekimin e ipeshkvit që të jetonte një jetë varfërie të plotë, si Krishti dhe apostujt e Tij.

Beteja baba-bir kishte filluar në çastin kur Shën Françesku ia nisi t’ia shiste të atit të mirat materiale për të mbledhur para për rregullimin e një kishe aty pranë. Kjo gjë e irritoi aq shumë të atin, saqë e bëri të shkone para ipeshkvit, me qëllim që ai ta detyronte Françeskun t’ia kthente paratë e harxhuara. Ngjarja po ndodhte në mes të një sheshi dhe mblodhi shumë njerëz. Atëherë Françesku bëri diçka të pazakonte. Iu drejtua të atit dhe i tha «Merri të gjitha që kam, ja po t’i jap edhe të gjitha petkat e mia (i hoqi e ia dha, duke mbetur krjetësisht i zhveshur), sepse Ati im i vërtetë është një Tjetër.» I turpëruar para njerëzve, i ati e mohoi krejtësisht si bir të vetin. Por Françesku gëzohej ngaqë tashmë po vihej në ndjekje të plotë të Jezusit, për të filluar kështu një aventurë të shenjtë e të lavdishme, ndër më të pashoqet në historinë e Kishës.

Kështu do të bënte edhe Shenjtja Kjarë, po nga Asizi, për të ndjekur gjurmët e Françeskut në varfëri të plotë. Iu desh të ikte fshehurazi nga shtëpia, ngaqë familjarët nuk e pranonin kërkesën e saj për një jetë të tillë. E moria e rasteve është vërtet e madhe, duke u përsëritur sa e sa herë edhe në ditët tona. Kjo sepse, aty ku hyn zjarri i ndezur nga Krishti mbi tokë, pra, forca e Shpirtit Shenjt, ndodhin gjëra të cilat bota i quan të çuditshme e të marra, por, për ata që e duan vërtet Krishtin, janë urtia që e shpëton njerëzimin.

Gjithmonë besimtarit të vërtetë i duhet të bëhet gati për këtë lloj “lufte”. E cituam atë qortimin që autori i shenjtë i Letrës së drejtuar Hebrenjve u bën vëllezërve të vet në fe: «Ju ende, duke luftuar kundër mëkatit, nuk bëtë qëndresë deri në derdhjen e gjakut.» Po, pikërisht deri në derdhjen e gjakut duhet të jemi gati të luftojmë kundër mëkatit! Ky është zjarri i shenjtë që Jezusi ka ardhur ta ndezë mbi tokë e që ka dëshiruar, madje, ta kishte gjetur tashmë të ndezur.

Edhe leximi i parë na paraqet një pjesë të shkëputur nga libri i Jeremisë profet, ku tregohen vuajtjet që këtij profeti iu desh të pësonte për dashuri të Hyjit. Izraeli aso kohe ishte i rrethuar nga ushtritë e mbretit të Babilonisë, Nabukodonozori. Jeremia profet i fton krerët e Izraelit që të bënin negociata me këtë mbret e jo të çoheshin në luftë kundër tij, duke qenë se ishin shumë më të paktë në numër dhe do ta humbisnin atë luftë. Por krenaria e parisë bëri që këta të nxjerrin deri edhe nga mbreti i Izraelit lejen për ta paditur Jereminë, me akuzën se, me predikimet e tij, ai po i shkurajonte ushtritë izraelite: «Kërkojmë që të vritet ky njeri: me qëllim po ua tretë guximin luftëtarëve që qëndrojnë në këtë qytet.» Dhe e hedhin në një gropë plot baltë, për ta lënë aty deri sa të vdiste. Por vetëm ndër­hyrja e një farë Abdemeleku para mbretit bëri që Jeremia të nxirrej prej aty para se të vdiste. Njerëzit që nuk i hapen dashurisë, por pushtohen vetëm nga krenaria e ambicja, duan gjithnjë t’i mbysin profetët.

Jeremia paralajmëronte kështu edhe atë që do t’i ndodhte më vonë Jezusit, i cili do të ishte edhe Ai i dënuar nga vetë populli i Tij. Prandaj Letra e drejtuar Hebrenjve na nxit edhe ne sot që ta ndjekim shembullin e këtyre dëshmitarëve të shenjtë që përballuan vuajtje të mëdha për dashurinë ndaj Hyjit: «Vëllezër, të rrethuar me një mori kaq të madhe dëshmitarësh, ta flakim tej çdo barrë dhe mëkatin që na pengon dhe të vrapojmë me qëndresë në luftim që na u caktua, me shikim të drejtuar mbi autorin dhe Përkryesin e fesë, Jezusin… Të mos moliseni dhe të mos ju lëshojë zemra!»

E në botë gjen shumë ekspertë në shumë fusha, por pak janë ekspertët e Hirit Hyjnor. E nuk është fjala për kushedi se çfarë, por për pranimin e logjikës së dashurisë së Hyjit. Jo se nuk e kuptojmë, por, ngaqë nuk kemi fenë, bëjmë shpeshherë se gjoja se nuk e kuptojmë. Pikërisht këtyre Krishti u thotë shtiracakë: «Kur shihni renë se çohet në perëndim, përnjëherë thoni: “Do të bjerë shi!”, dhe ashtu ndodh. Kur shihni se fryn shiroku, thoni: “Do të jetë vapë” dhe bën vapë. Shtiracakë! Dukën e tokës e të qiellit dini ta çmoni, por këtë kohë nuk dini.» Dinin ta çmonin si duhej dukën e qiellin e të tokës, ishin bërë ekspertë për ta, ngaqë u leverdiste, por nuk po dinin të «çmonin këtë kohë», domethënë nuk po dinin ta kapnin praninë e Hyjit në vetë personin e Jezu Krishtit, ngaqë u dukej tepër e parehatshme mënyra sesi Ai logjikonte. Janë “shtiracakë” ngaqë nga njëra anë thonë se Hyji për ta është gjithçka, por, kur dashuria për Hyjin u kërkon sakrificë, kur ajo u kërkon “luftë” me vetveten dhe u provokon përçarjet që përshkruam më sipër, atëherë thonë se thjesht nuk po e kuptojnë atë.

Në pagëzim, duke e lyer me krizmën e shenjtë, meshtari i thotë të sapopagëzuarit: «Je bërë gjymtyrë e Krishtit meshtar, profet e mbret.» Këtu po veçojmë faktin se i pagëzuari ka hyrë në profecinë e Krishtit. Kur bota nuk i hapet Krishtit, patjetër që do t’i sulmojë profetët e Tij, sepse, pa e ditur, po sulmon Krishtin. Megjithatë, bota ka nevojë për profetë, për njerëz që e lënë veten të përshkohen nga flaka e dashurisë që Shpirti Shenjt ndezë në zemra. Ka nevojë për njerëz që e tregojnë me jetë e me fjalë, pavarësisht vështirësive, se cili është plani shëlbues i Hyjit për njeriun. Këtë lloj zjarri Jezusi ka dëshirë ta ndezë në zemrat e secilit prej nesh.

Të mos bëhemi shtiracakë që përpiqen ta justifikojnë përtacinë e tyre shpirtërore! Të mos i ngremë supet duke thënë: «Nuk kuptoj.»!

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *