E DIELA XXI GJATË VITIT C
Is 66, 18-21; Ps 117 (116); Heb 12, 5-7. 11-13; Lk 13, 22-30
Në librin Shujta shpritërore, një doracak katekizmi e uratësh që e njohim të gjithë, rreshtohen gjashtë mëkatet kundër Shpirtit Shenjt. Njëri prej tyre është edhe «Të mendosh se do të shëlbohesh pa meritime». Shkrimi Shenjt sot duket sikur dëshiron të na largojë pikërisht nga ky mëkat.
Kemi dëgjuar në leximin e parë se si Zoti vendos t’i bashkojë në lumturinë e vet të gjithë popujt: «E unë, që i njoh veprat e tyre dhe synimet e tyre, do të vij për t’i bashkuar të gjitha fiset e të gjitha gjuhët; do të vijnë dhe do ta shohin lavdinë time.» Ky është vullneti i Hyjit: «që të shëlbohen të gjithë njerëzit.» (1 Tim 2, 4). Por, si shëmbëllesë të këtij bashkimi të të gjithë popujve në një popull të vetëm, Hyji ka dashur ta realizojë më parë një bashkim të tillë në popullin e zgjedhur, Izraelin, duke i bashkuar izraelitët e shpërndarë në të katër anët e botës. Prandaj edhe teskti i Isaisë profet vazhdon më poshtë: «Do t’i riatdhesoj të gjithë vëllezërit tuaj nga të gjithë popujt.»
Por kjo gjë mund të sillte një tundim të madh për Izraelin: duke qenë se ishte populli i zgjedhur, mund të mendonte se edhe shëlbimin e kishte të garantuar, pavarësisht veprave që mund të bënte. E kështu ishin disa shkolla të teologjisë hebraike në të cilat diskutohej se sa do të ishin ata që do të shëlboheshin: nëse do të ishte vetëm populli i zgjedhur (Izraeli) apo ndoshta shëlbimi do të prekte njerëz të çdo populli e të çdo gjuhe? Në këtë vazhdë debatesh është edhe pyetja që i bën Jezusit një njeri në Ungjillin e sotëm: «Zotëri, a janë pak ata që shëlbohen?» Por Jezusi nuk i jep përgjigje kësaj pyetjeje. Ka shumë pyetje që ne njerëzit i bëjmë sa për kuriozitet (edhe pyetje teologjike), duke harruar thelbin e çështjes. Por Jezusi nuk u rri gati këtyre tekave që mund të ketë njeriu. Prandaj Ai shkon drejtpërdrejtë e në thelb: «Mundohuni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse, unë po ju them: shumë do të kërkojnë të hyjnë, por nuk do të munden.»
Përgjigjja ka një thellësi marramendëse: diku tjetër në Ungjill Jezusi thotë: «Unë jam dera e dhenve.» (Gjn 10, 7) e në një pjesë tjetër të Ungjillit, kur dikush i shprehu Jezusit gatishmërinë për ta ndjekur ngado të shkonte, Ai iu përgjigj: «Dhelprat kanë strofuj e zogjtë e qiellit çerdhe, kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kryet.» (Mt 8, 20) Shtoju këtyre edhe atë pjesën tjetër ungjillore ku Jezusi thotë «Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje!» (Mt 16, 24) dhe e kupton se «dera e ngushtë» për të cilën Jezusi flet, është vetë Ai. Të arrish shëlbimin, pra, do të thotë të kalosh nëpër Jezusin. Pyetjes «A janë pak ata që shëlbohen?», Jezusi duket sikur i përgjigjet me fjalët: «Vetëm ata që kalojnë nëpër mua.»
Por, sikurse Izraelin dikur, edhe ne të krishterëve sot mund të na vijë tundimi të themi se, meqë jemi me Jezusin, do të thotë se patjetër do të shëlbohemi. Pjesa që vjen pas në Ungjillin e sotëm, duket sikur na fton pikërisht ne të krishterëve që të ruhemi nga ky tundim. Kjo, sepse aty janë disa detaje që duket sikur kanë të bëjnë me liturgjinë e krishterë në mënyrë të posaçme «Kur i zoti i shtëpisë do të çohet e do ta mbydhë derën, ju, po mbetët përjashta, do të filloni të trokitni në derë e të thoni: “Zotëri, na e hap derën!” e ai do t’ju përgjegjë: “S’di nga jeni.”. Atëherë do të vijoni të thoni: “Po ne hëngrëm e pimë me ty e ti mësove ndër sheshet tona.” Por ai do t’ju përgjigjë: “Unë nuk di nga jeni ju. M’u hiqni sysh të gjithë ju që bëni paudhësi!”»
«Po ne hëngrëm e pimë me ty e ti mësove ndër sheshet tona.»: është e qartë se bëhet fjalë për kremtimin e Eukaristisë. Pikërisht ne të krishterët i kemi këto të mira nga Zoti. Madje jo thjesht hamë e pijmë me Të, por hamë dhe pimë vetë Atë, Trupin e Gjakun e Tij. Shtoji kësaj edhe faktin se vazhdimisht i dëgjojmë «mësimet» e Tij nëpërmjet leximeve liturgjike, me anë të të cilave Jezusi vazhdon të «mësojë ndër sheshet tona».
Si ka mundësi, atëherë, që, edhe pse me një kontakt kaq të madh me Zotin, prapëseprapë paska mundësi që të na mbyllet dera e shëlbimit? Arsyen e thotë vetë Zoti: «Unë nuk di nga jeni ju.» Zoti nuk na njeh nëse nuk praktikojmë dashurinë. Është si të thuhet se atë ditë sytë e Zotit do të shohin në ne vetëm dashurinë: nëse e gjen, atëherë do të thotë «Këta janë të mitë, sepse janë si unë.», por, nëse nuk e gjen, do të thotë se i kemi shërbyer dikujt tjetër, dikujt që nuk ka dashuri. «M’u hiqni sysh të gjithë ju që bëni paudhësi!» do të thotë: «Ikni prej meje ju që nuk praktikoni dashurinë për Hyjin e për njëri-tjetrin!» Nuk mjaftoka, pra, që të shkojmë në Meshë, të njohim Shkrimin Shenjt, të dëgjojmë shumë e shumë predikime e të kungohemi. Këto, edhe pse në vetvete janë shumë gjëra të mira e të shenjta, prapëseprapë nuk do të na vlejnë asgjë nëse nuk praktikojmë atë çka kërkojnë. Nuk mjafton të quhemi të krishterë, por duhet edhe të jemi të tillë. «I krishterë: bëhu ai që je!», shkruante në shekullin e dytë Shën Ireneu, njëri prej martirëve e etërve më të ndritur të Kishës.
Nuk të vlen asgjë nëse rri afër derës: po nuk kalove nëpër të, nuk arrin atje ku duhet të shkosh. Ashtu edhe ne të krishterët duhet të mos harrojmë të kalojmë nëpër Derën e ngushtë që është Jezusi. Nuk mjafton të rrijmë me Jezusin, ta marrim Trupin dhe Gjakun e Tij e të dëgjojmë Fjalën e Tij, por duhet edhe që ta zbatojmë atë që Ai na thotë. Si mund të jemi të krishterë, nëse nuk lutemi asnjëherë apo lutemi keq?! Si mund të jemi të Krishtit kur ruajmë brenda vetes inate dhe dëshira për hakmarrje?! Ç’kuptim ka kryqi i varur në qafë kur ne i mbydhim veshët ndaj Fjalës së Jezusit?! Kështu, pra, edhe ne duhet të hyjmë nëpër derën e ngushtë, edhe ne duhet t’i përngjajmë Krishtit: vetëm kështu arrijmë shëlbimin.
«Hiqni keq për edukimin tuaj!», është këshilla e mençur që na jep autori i Letrës së drejtuar Hebrenjve që e dëgjuam në leximin e dytë. Me fjalë të tjera, nëse unë them se nuk më vjen spontane ta zbatoj atë që kërkon Jezusi, do të thotë se kam nevojë të praktikohem edhe më shumë. Nëse e shoh se disa vese e kanë mbuluar jetën time, atëherë duhet të “luftoj” për t’u liruar prej tyre. Kush nuk lufton, mbetet skllav. Kjo, e vetëm kjo, është luftë e shenjtë. Madje luftë e domosdoshme.
Fatkeqësisht, në edukimin që shpesh u bëhet brezave të rinj, lihet pas dore ideja e një lufte të tillë. I mbyllet dera kësaj lufte me atë frazën e çuditshme: «Secili është i lirë të bëjë atë që ndjen.» Është “e çuditshme” dhe kontradiktore kjo frazë, sepse nuk arrin ta justifikojë faktin që, ndërkohë, vazhdojnë të ekzistojnë burgjet dhe zakonisht janë gjithnjë plot. Nëse është e vërtetë se jemi aq të lirë të bëjmë çfarë ndjejmë, burgu qenka kundër të drejtave të njeriut! Por, kishte të drejtë Papa Benedikti XVI kur mësonte: «Mos i zini besë botës!», sepse është plot e përplot me cektësi e me “parime” kontradiktore.
Pra, për t’u përsosur në dashuri, për t’u përsosur si njerëz, duhet ta bëjmë këtë luftë të shenjtë. Etërit e jetës murgjërore flisnin shpesh për «Ruajtjen e zemrës», duke nënkutpuar me këtë shprehje një farë vigjilence për të mos pranuar në ndërgjegjen tonë gjithçfarë parimesh.
Pastaj edhe vetë Hyji i ndihmon bijtë e bijat e veta në këtë proces përsosjeje. Këtë shpesh e bën edhe me anë të provave, vuajtjeve dhe përndjekjeve që i lejon në jetën e tyre: «Vëllezër, e harruat qortimin që ju drejtohet si bijve: “Biri im, mos e përbuz qortimin e Zotit, as mos të lëshojë zemra kur ai të qorton, sepse atë që e do Zoti, e edukon me disiplinë, e rreh me thupër atë që e pranon për bir”?» Provat, vuajtjet, sëmundjet dhe përndjekjet, nuk janë parë nga shenjtërit si një dënim i Hyjit, apo si braktisje nga ana e Tij, por, në saje të fesë, kanë ditur t’i shohin si një mjet që Hyji po e përdorte për t’i përsosur në dashuri. Nuk ishin një pengesë për të rënë përtokë, por një shkallë për t’u ngjitur më lart.
Le ta përvetësojmë edhe ne këtë logjikë të shenjtërve, logjikë e cila kryesisht është e Krishtit. Falë bashkimit tonë real me Krishtin, do të dimë edhe ne t’i pranojmë vështirësitë si raste për t’u rritur në dashuri. Ta largojmë tundimin se shëlbimin do ta kemi tonin gjithsesi, pavarësisht nga mënyra se si jetojmë. Është e vërtetë se shëlbimi na është fituar vetëm në saje të meritave të Krishtit të vdekur në kryq e të Ngjallur, por Krishti i vdekur e i Ngjallur është e vetmja Derë e ngushtë nëpër të cilën duhet të kalojmë patjetër, për të arritur lumturinë, për të arritur pjesëmarrjen në lavdinë e Ngjalljes së Tij.
Tek libri Shujta Shpirtërore na mësohet se është mëkat «të mendosh se do të shëlbohesh pa meritime». Është libër katekizmi që dëshiron t’i ndihmojë të krishterët t’i hapen shëlbimit të Krishtit qysh në hapat e parë të jetës. Por nuk duhet që, me kalimin e viteve, ta humbasim pafajësinë e jetës e katekizmin ta quajmë lojë fëmijësh, sepse nuk i dihet nëse do të na hapet dera apo jo, kur të vijë ora. Gjithçka që na përgatit për atë orë, duhet ta marrim shumë seriozisht!
Dom Dritan Ndoci