E DIELA XXXI GJATË VITIT C
Urt 11, 22 – 12, 2; Ps 145 (144); 2 Sel 1, 11 – 2, 2; Lk 19, 1-10
Në vitin 1917, në Fatima të Portugalisë, Zoja e Bekuar iu shfaq tre barinjve të vegjël e, për gjashtë muaj, do të vazhdonte t’u shfaqej. Një herë, në një vegim, Zoja u bëri të shihnin Ferrin, me djajtë e me të dënuarit e atyshëm. Mundën t’i bënin ballë asaj pamjeje të tmerrshme vetëm falë zërit të dashur të Nënës qiellore që ndërkohë u fliste.
Françesku, në atë kohë nëntë vjeç, mbeti thellësisht i prekur nga trishtimi i Virgjërës së Shenjtë e prandaj, me bindjen se ashtu po e ngushëllonte Atë sadopak, bënte çmosin që shpeshherë të gjente kohë për lutje. I thoshte Luçisë, kushërirës së vet (edhe ajo vetëm dhjetë vjeçe): «A nuk e ke vënë re se Zoja, edhe në muajin e fundit, ishte shumë e trishtuar, kur kërkonte që mëkatarët të mos e fyenin më Hyjin, i cili tashmë është shumë i fyer? Unë do të doja ta ngushëlloja Zotin Tonë dhe pastaj të ktheja në fe mëkatarët, që kështu të mos e fyenin më atë.»
Kurse Jaçinta, shtatë vjeçe, u shënua thellë nga trishtimi se mëkatarët mund të shkonin në Ferr. Nga ky “ankth” do të mbetej e shënuar tërë jetën (vdiq vetëm dhjetë vjeçe) e prandaj i ofronte Hyjit sa më shumë sakrifica, që të kthente sa më shumë mëkatarë. Një herë i tha Luçisë: «Sa shumë njerëz shkojnë në Ferr! Sa shumë!» E Luçia, për ta ngushëlluar, i tha: «Mos ki frikë, ti do të shkosh në Parriz!», sepse Zoja ua kishte premtuar këtë. «Unë po, do të shkoj, ia ktheu Jaçinta, por do të doja që të shkonin edhe ata.»
Trishtimi i Hyjit ishte bërë trishtimi i tyre. Si pasojë, edhe zelli i Hyjit ishte bërë zelli i tyre. Shpesh fëmijët e kuptojnë më mirë thelbin e asaj që Jezusi ka ardhur të realizojë në botë.
Edhe në qendër të Ungjillit të sotëm është shëlbimi që Krishti ka ardhur t’u sjellë të gjithëve. Por të mos e lëmë pa i vënë re edhe disa detaje të rëndësishme që e mbushin këtë pjesë shumë të bukur ungjillore!
Pikësëpari të vëmë re faktin se një kryetagrambledhës ka dëshirë të takojë Jezusin. Tagrambledhësit, aso kohe, mbaheshin nga populli hebre si mëkatarët më të mëdhenj, sepse çmoheshin edhe tradhëtarë të kombit, ngaqë mblidhnin taksa për pushtuesin, Romën. Plus kësaj, kishin edhe famën se mblidhnin më tepër se u caktohej. Imagjinojeni vetë, atëherë, se me ç’sy shihej Zakeu, kryetari i tyre.
Epo mirë, ky njeri ka dëshirë të shohë Jezusin. Kjo tregon se gjithnjë në njeriun mbetet diçka që e thërret atë kah Hyji, një “ujë” të cilin asnjë zjarr i mëkatit nuk arrin ta përthajë tërësisht. Është e vërtetë se një ndërgjegje e dhënë pas egiozimit, mund të arrijë të mos jetë më edhe aq e ndjeshme ndaj prekjeve të Hirit Hyjnor, por kurrë nuk arrin të jetë krejtësisht e shurdhët. Një dritare, nga ku mund të hyjë në të drita e Hirit, mbetet gjithnjë e hapur, pavarësisht nëse njeriu pastaj vendos t’i përgjigjet apo jo. Edhe zhvillimet e sotme psikologjike e mbrojnë idenë se njeriu, sado i ri apo i moshuar që të jetë, në strukturën e tij psikofizike e ka gjithnjë aftësinë që ta ndryshojë vetveten sadopak, për mirë apo për keq. Edhe mëkatarët më të mëdhenj, pra, paskan shpresë!…
Detaji tjetër është vetë vogëlsia fizike e Zakeut: është e vërtetë se nuk duhet sforcuar tepër teksti biblik, por besoj se në këtë detaj të gjithë ne mund të vërejmë vogëlsinë tonë për sa i përket jetës me Zotin. Shpeshherë, për t’iu afruar Zotit, na duhet të sforcohemi jo pak. Zakeu bën atë gjestin simpatik të ngjitjes në një fik. Mbase neve do të na duhet ndonjë gjest tjetër. Nëse, përshembull, e shohim veten larg Zotit në ndonjë aspekt, edhe vetë fakti se i kërkojmë ndonjë këshillë ndokujt, tregon se e kemi vullnetin që t’i afrohemi Zotit. E, nganjëherë, këto sakrifica mund të kushtojnë shumë. Sa e vështirë, për shembull, është në disa raste të shkojmë të rrëfehemi!
Detaji tjetër është fakti që Zakeun e shkurtër me shtat turma e pengon. Kjo mund të simbolizojë edhe atë fenomenin e pranishëm shpesh në jetën e bashkësisë njerëzore ku, në vend që ta ndihmojmë njëri-tjetrin në ecjen drejt së vërtetës, rrezikojmë shpesh, mjerisht, që të bëhemi pengesë. Kjo ndodhë kur nuk jemi të kujdesshëm për ata që “mbeten prapa”, për ata që, për arsye të ndryshme (shpesh jo për faj të vetin) janë “të vegjël” e kështu kanë nevojë që dikush t’u ndihmojë. Po nuk u ndihmuan, rrezikojnë të mbeten gjithnjë “të vegjël”.
Për fat të mirë që zelli i Zakeut fitoi mbi pengesën që e shkaktoi pakujdesia dhe mospërfillja e turmës. Kjo do të thotë se, nëse njeriu këmbëngul, Hiri Hyjnor do ta ndihmojë gjithnjë që të shpikë ndonjë mënyrë për t’iu afruar Zotit.
Por Ungjilli i sotëm merr ngjyra shumë të ndezura pikërisht në çastin kur është Jezusi Ai që hyn në veprim. Ungjilli thotë se Jezusi ndalet pranë fikut në të cilin kishte hipur Zakeu dhe shikon lart. I drejtohet atij me fjalë të cilat patjetër ai nuk i priste: «Zake, zbrit shpejt! Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde!» Këtu menjëherë plasën pëshpërima tek ata që, (nuk e di se ku bazohen) nuk ngurojnë ta quajnë veten të drejtë e të pastër para Zotit, Mirësisë së pambaruar. Të shkonte për vizitë tek një mëkatar i tillë, për ta donte të thoshte se Jezusi po e bashkëndante jetën e tij mëkatare. Ajo nynykatja «Ktheu të rrijë te një mëkatar!», ishte “çudia” tipike e atij që kujton se Parrizi është bërë vetëm për të e për familjen e tij dhe mendon se Hyjit nuk i çon fort peshë bjerrja e pasosur e mëkatarëve. Por Hyjit kjo i intereson, edhe fort madje.
Edhe ne duhet të kemi zell për shëlbimin e shpirtrave. Zell i cili ngjan si “ankth”, por që, në fakt, nuk është i tillë, sepse Hyji e shoqëron gjithnjë besimtarin, njëkohësisht edhe me paqen e zemrës. Duhet, pra, që “ankthin” e Zotit se ndokush mund të birret, ta bëjmë edhe ne tonin, siç pamë më sipër se kishin bërë edhe Barinjtë e vegjël të Fatimas.
E, pikërisht ngaqë zemra e Jezusit ishte e zaptuar nga zelli për shëlbimin e të gjithëve, Ai nuk e ndjek mendësinë e turmës, por shkon në shtëpi të Zakeut. Hyji nuk ka urrejtje për askënd. Leximi i parë thotë: «O Zot, ti ke dhimbje për gjithçka, pse gjithçka mundesh. Ti bën kinse s’i sheh mëkatet e njerëzve që ata të pendohen.» E bukur sa s’ka kjo: kaq fort Hyji e do shëlbimin tonë, saqë «bën kinse s’i sheh mëkatet». E më poshtë leximi i parë thotë: «Për këtë arsye pak nga pak i ndëshkon mëkatarët (ta kuptojmë drejt: ndëshkimi i Zotit nuk ndodhë kurrë jashtë logjikës së dashurisë), i ndëshkon dhe i qorton për mëkatet e tyre, që ta lënë paudhësinë e të besojnë të ty, o Zot.» Si ka mundësi që, tekste të tilla të Shkrimit Shenjt, turma nuk i merrte në konsideratë?!…
Nuk e dimë se si kanë kaluar ato çaste të Jezusit në shtëpinë e Zakeut e nuk dimë se çfarë dhe si është biseduar aty, por dimë vetëm rezultatin e gjithë kësaj. Në një farë pike, Zakeu çohet në këmbë dhe nxjerr nga goja fjalë të cilat askush nuk mendonte se do t’i dëgjonte prej tij. Ndoshta e preku fakti që Jezusi i shkoi për vizitë, ndoshta e prekën fjalët e Tij plot urti e dashuri, ndoshta (pse jo) e preku edhe ndonjë qortim i Jezusit! Të gjitha këto nuk i dimë, por e dimë me siguri se Zakeu ndryshoi jetë.
E, meqë lidhja e tepruar me paranë kishte qenë problemi i tij kryesor, pikërisht këtë lidhje ai e sulmon të parën: «Qe, Zotëri, gjysmën e pasurisë po ua jap skamnorëve.» Jo thjesht ta heqë nga vetja, por t’ua japë skamnorëve, pra të mos ketë shpresë se do t’i gjejë më, nëse do t’i ndryshonte mendja më vonë. Por e kishte ndarë mendjen, sepse kishte gjetur pasurinë e vërtetë: bijësinë Hyjnore, të cilën ia zbuloi Zemra e dashur e Birit të Hyjit.
Po pse ua dha skamnorëve vetëm gjysmën e pasurisë e jo të tërë? Prit, sepse i duhet të shlyejë edhe padrejtësitë që kishte bërë: «Nëse ia kam bërë ndokujt të padrejtë, ia kthej katërfish.» Pajtimi me Zotin sjell menjëherë edhe pajtimin me njerëzit. Po nuk ndodhi edhe kjo e dyta, tregon se as e para nuk ka ndodhur ende. Shën Pali, në leximin dytë, i lutet Zotin që Selanikasit të kenë një «fe vepruese». Po nuk qe vepruese, ka mundësi që nuk është as fe.
Ky njeri e gjeti rrugën që pati humbur e kjo gjë u bë shkaku i galdimit të Zemrës së Zotit. Këtë galdim nuk e kuptojnë ata që nuk dijnë se ç’është zelli për shpirtrat. Nuk e kuptojnë dhe pikë. Kujtojnë se Hyji është më pak prind se prindërit, të cilët Ai vetë i ka krijuar.
Prandaj, në këtë galdim të Zemrës, Jezusi thotë: «Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi (ngaqë u rregullua me Hyjin dhe me të afërmin), sepse edhe ky është bir i Abrahamit. Sepse, Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur.”. «Edhe ky është bir i Abrahamit.»: Izraeli, me të drejtë, mbahej si populli i zgjedhur i Hyjit, zgjedhje e cila kishte filluar pikërisht me Abrahamin, atin e tyre. Zakeu ishte si një dele që kishte humbur rrugën e, Biri i Hyjit, bëri çmosin që ta gjente përsëri. Të gjithë janë të ftuar të jenë bij të këtij «Ati në fe» që është Abrahami. Të gjithëve Abrahami na mëson që ta duam Zotin mbi çdo gjë. Por ka shumë që e humbin rrugën. Prandaj Jezusi thotë se «Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur.» Kur e humb përgjithnjë, trishtohet thellë. Kur e gjen, veç galdon në shpirt.
Dom Dritan Ndoci