E DIELA I E ARDHJES – Viti A
Is 2, 1-5; Ps 122 (121); Rom 13, 11-14; Mt 24, 37-44
Në të gjitha kishat sot është vënë kurora me katër qirinjtë. Sot është ndezur qiriu i parë i kësaj kurore e, me radhë, çdo të diel do të ndezim nga një tjetër, derisa të jenë ndezur të katër dritëzat e kurorës. Kjo gjë dëshiron të na mësojë se liturgjia e këtyre katër të dielave të Kohës së Ardhjes pak nga pak ka për qëllim që të na ndriçojë ta kuptojmë më mirë mishërimin e Birit të Hyjit që kremtohet në Krishtlindje.
Megjithatë Koha e Ardhjes nuk ka për qëllim të na përgatisë vetëm për Krishtlindje. Është Nëntëditëshi i Krishtlindjes ai që e ka më fort një “mision” të tillë. Të dielat e tjera duan të na ndihmojnë të kuptojmë edhe dy të vërteta të tjera të besimit tonë: Ardhjen e vazhdueshme që Zoti bën edhe sot e kësaj dite në jetën tonë, si edhe Ardhjen e Jezusit në fundin e kohëve.
Sot leximet fokusohen më shumë tek Ardhja e Krishtit në fundin e kohëve si gjykatësi i gjithësisë. Isaia profet thotë në leximin e parë: «Ai do të jetë gjykatësi i popujve.» Psalmi thotë: «Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë.» Në leximin e dytë Shën Pali thotë: «Vëllezër, është koha të zgjoheni nga gjumi, sepse shpëtimin e kemi më afër se kur besuam». Në Ungjill Jezusi thotë: «Rrini zgjuar, sepse nuk e dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj.»
Janë të gjitha tekste që duan të na bëjnë të kuptojmë se Jezusi është Ai që duhet ndjekur në këtë jetë, në mënyrë që, kur Ai të vijë në fundin e kohëve (apo kur të dalim para Tij në çastin e vdekjes sonë), Ardhja e Tij të jetë për ne fillimi i lumturisë së pamasë të Parrizit.
Në leximin e parë Isaia ka një vegim «në lidhje me Judenë e Jerusalemin». Ai sheh sikur Tempulli, bashkë me malin ku ai gjendet, do të lartësohet mbi të gjitha malet e tjera: «Mali i shtëpisë së Zotit do të vendoset mbi majën e maleve.» Pastaj i duket sikur i sheh të gjithë popujt tek ngarendin drejt këtij caku: «Tek ai do të shkojnë shumë fise e do të thonë: “Ejani të ngjitemi në malin e Zotit, në Shtëpinë e Hyjit të Jakobit që të na i mësojë udhët e veta e të ecim shtigjeve të tija!”». Një vegim madhështor, që e përfytyron tërë njerëzimin në udhë drejt Tempullit të Jerusalemit.
Po ashtu edhe psalmi i thur lavde kësaj ecjeje në udhë për tek ky Tempull: «Sa u gëzova kur më thanë: / “Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!” / Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit, / sipas rregullores në Izrael, / për të kremtuar Emrin e Zotit.»
Mirëpo ky tempull madhështor i Jerusalemit qe shkatërruar në vitin 72 pas Krishtit nga romakët, shkatërrim të cilin edhe Jezusi e kishte paralajmëruar, prandaj tërë ato vegime të profetëve, nuk ka mundësi që të kenë qenë të kota. Por, me ardhjen e Krishtit do ta marrë kuptimin e vet edhe tempulli i Izraelit. Vetë Jezusi do të shpjegojë gjithçka në Ungjillin e Gjonit kur do të t’u thotë judenjve: «Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri ditë!». Judenjtë nuk kuptuan çfarë Jezusi deshi të thoshte e prandaj edhe e përqeshën, por Shën Gjoni shpjegon menjëherë më poshtë në Ungjillin e tij: «Jezusi foli për tempullin e trupit të vet». Pra Jezusi është Tempulli i gjallë i Hyjit. Në Jezusin mund të takohet vërtetë Hyji i gjallë e i vërtetë. Tempulli i shkatërrueshëm kishte qenë veçse shenjë e ardhjes së këtij Tempulli të Gjallë të Hyjit që është Jezusi.
Kështu marrin dritë rreshtat e Isaisë që thonë: «Ejani të ngjitemi në malin e Zotit, në Shtëpinë e Hyjit të Jakobit që të na i mësojë udhët e veta e të ecim shtigjeve të tija!» Është Jezusi Ai që na e mëson udhën e duhur që duhet të ndjekim në jetë.
Prandaj në leximin e dytë Shën Pali nuk nguron të thotë: «Vishuni me Krishtin!». Kjo sepse e dinte se është pikërisht Krishti ai që na e mëson udhën e duhur. E Shën Pali vazhdon: «Prandaj t’i flakim larg veprat e errësirës e të ngjeshemi me armët e dritës! Të ecim me nder, porsi ditën, e jo në zdërhallje, jo në fëlligështi e në shfreni, jo në grindje e në smirë!». Sa bukur Shën Pali i përmbledh në Krishtin të gjitha profecitë e Besëlidhjes së Vjetër.
Patjetër, ftesa që «të zgjohen nga gjumi» e të «vishen me Krishtin» që Shën Pali u bënte të krishterëve në atë kohë, ishte mbase një mënyrë e zakonshme e të folurit mes të krishterëve, të cilët i kishin “të freskëta” porositë e Jezusit, i cili në predikimet e veta thoshte shpesh: «Rrini zgjuar!». Prandaj edhe Shën Pali shkruante shpesh fjalë si: «Rrini zgjuar! Qëndroni të palëkundshëm në fe!» (1 Kor 16, 13); «Dita e Zotit vjen si vjedhësi natën. Ndërsa njerëzit thonë “ç’paqe dhe ç’siguri”, shi atëherë… Vëllezër, të mos flejmë si të tjerët, por të rrijmë zgjuar» (1 Sel 5, 2. 6). Edhe libri i Zbulesës thotë: «Ja, po vij si vjen vjedhësi! I lumi ai që rri zgjuar!» (16, 15). Ishin mënyrat e të folurit të të krishterëve të parë, të cilët i kishin futur mirë në kujtesë porositë e ngjashme që Jezusi bënte gjatë jetës së tij në tokë.
Jezusi, në Ungjillin e sotëm bën edhe një krahasim: «Si qe në ditët e Noehit, ashtu do të jetë edhe Ardhja e Birit të njeriut dhe, sikurse në ditët para përmbytjes, njerëzit hanin e pinin, merrnin gra e gratë burra, deri atë ditë kur Noehi hyri në arkë, e nuk ua preu mendja se do t’u ndodhte gjë derisa s’erdhi përmbytja e i fshiu: ashtu do të jetë edhe në Ardhjen e Birit të njeriut.» Krahasim shumë i thjeshtë, por mjaft i dendur. Noehin, kur po ndërtonte varkën e tij të madhe, njerëzit e tjerë e përqeshnin. Askush nuk donte t’ia dinte për posoritë e tija dhe të gjithë vazhdonin të jepeshin pas jetës së tyre, duke mos menduar më për Hyjin e tyre. Por pastaj doli se pikërisht Noehi kishte pasur të drejtë.
Jezusi u thotë «nxënësve të vet» që të kenë kujdes e të mos jepen pas gjërave të kësaj bote. Jo se janë të këqija në vetvete (sepse po të ishin Ai nuk do t’i kishte krijuar), por ngaqë janë pikërisht krijesa e jo Krijuesi. Jezusi nuk thotë se njerëzit e breznisë së Noehit po jepeshin pas veseve, por thjesht po jepeshin pas gjërave normale të jetës, siç janë të ushqyerit dhe martesa. Problemi ishte se kishin harruar Hyjin e, prandaj, me sa duket, këto përmasa të jetës së tyre po i jetonin në mënyrë tepër “idhujtare”.
Janë të shumtë të krishterët që, për shkak të punëve të shumta, për shkak të “jetesës”, për shkak të dëshirës për të siguruar një të ardhme më të mirë për vete apo për fëmijët e tyre, fillojnë të bëjnë zgjedhje aspak të krishtera. Për “qëllime të mira” largohen nga morali i krishterë. Por duhet të kemi shumë kujdes. Me të drejtë një proverb thotë: «Rruga që të çon për në Ferr, është e shtruar me qëllime të mira.»
Jezusi na porosit që të dimë të kemi një vigjilencë të vazhdueshme të zemrës sonë. Duke thënë «rrini zgjuar», patjetër që Jezusi nuk e ka fjalën për gjumin fizik, por dëshiron të na largojë nga plogështia shpirtërore që mund të na kapë e që, pak nga pak, mund ta fikë në ne dhuratën e fesë.
Një herë, një djalosh po sillej shumë çuditshëm lart e poshtë në stacionin e një treni. Nga pak më larg po e vërenin disa Motra të kushtuara. Diçka kishte që nuk shkonte me atë të ri, por s’po dinin si ta pyesnin. Motrat pritën edhe pak, por ai përsëri ishte shumë i irrutuar dhe, herë pas herë, afrohej tek vija e verdhë, përtej së cilës është e ndaluar të kalohet. Shikonte nëpër turmë si të donte të gjente dikë, por shpesh shikonte edhe si shumë i përhumbur. Fillimisht Motrat menduan se mos po kërkon ndonjë të afërm të vetin, por, duke e parë aq të përhumbur, filluan të kishin frikë se mos vallë kishte ndër mend të bënte ndonjë vetëvrasje duke u hedhur para trenit kur ai të vinte. Njëra prej tyre mori guximin t’i afrohej dhe e pyeti: «A mund t’ju ndihmoj ndonjë gjë?». E djaloshi, me vrull e shqetësim, i tha i vendosur: «Motër, unë kam nevojë për një prift. Dua të rrëfehem.» Atëherë ato e ndihmuan ta gjente një meshtar diku pranë.
Është kjo një histori e vërtetë që dikush ma ka treguar dhe na mëson se është mirë që «të zgjohemi nga gjumi» sa jemi ende në kohë, sepse, mes një shkujdesjeje e një tjetre, mund të fillojmë të humbasim vetveten, të tjerët dhe Hyjin, si ky djalosh. Por kjo gjë nuk na sjell paqen.
T’i kërkojmë Hyjit Hirin që të na ndihmojë ta ruajmë thesarin e madh të fesë që Ai na ka dhuruar, që kështu të mund ta presim me gëzim Ardhjen e Tij!
Dom Dritan Ndoci