Janë bërë disa studime interesante për të parë se kush mund të ketë qenë njeriu më i pasur që ka ekzistuar ndonjëherë në histori dhe, përgjithësisht, bashkëndahet ideja se i tillë ka qenë perandori i nëntë i përandorisë së Malit, Muza I i Malit (1280-1337), i njohur ndryshe edhe si Mansa Muza. Ishte e stërmadhe pasuria e këtij njeriu, aq sa thuhet se, kur u nis për një shtegtim drejt Mekës, rrugës u ndal për disa kohë edhe në Egjipt, duke shkaktuar në tregun monetar të këtij vendi një inflacion që zgjati për dymbëdhjetë vite, aq e madhe ishte sasia e arit që ai shpenzoi aty për vete, për karvanin e stërmadh që e shoqëronte dhe për disa vepra bamirësie që ndërmori aty.
Por ka shumë mundësi që një tjetër njeri nuk i kishte lënë gjë mangët shumave të tilla të stërmëdha të pasurisë. Madje më shumë mundësi i kapërcente ato pafundësisht më shumë. Bëhet fjalë për një emër të cilin do ta dëgjojmë të gjithë natën e Krishtlindjes kur të na shpallet Ungjilli gjatë Meshës Shenjte e ky është Çezari August, apo, siç njihet ndryshe, Oktavian Augusti, i cili pasoi Jul Çezarin dhe sundoi si perandori i parë i Romës nga viti 27 para Krishtit, deri sa vdiq, në vitin 14 pas Krishtit.
Një studiues i ditëve tona, Profesor Ian Morris, i Univestietit të Standfordit, në Kaliforni, ka bërë një studim të hollësishëm rreth pasurisë së këtij perandori dhe ka dalë në përfundimin se, sipas tij, Oktaviani zotëronte një pasuri që, e llogaritur me vlerat e sotme monetare, arrin deri në 4.7 miliard miliard euro, aq sa do të mjaftonin, sa për të dhënë një shembull, që të bliheshin për 127 herë të gjitha rezervat e arit që zotërojnë sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë më shumë se tetë mijë tonelata ari dhe janë rezervat e arit më të mëdha në botës.
Pyetja që, me të drejtë, do të na vinte në mendje është se nga i vini këtij njeriu gjithë këto para?! Sa për të krijuar një ide të përgjithshme mjafton të mendohet se, pasi mori pushtetin, Oktaviani shumë shpejt bëri të mundur që 1/5 e prodhimit të perandorisë së Romës të kalonte automatikisht si pasuri private e tij dhe 30% e prodhimit botëror t’i përkiste atij personalisht. Pastaj, pasi hoqi qafe rivalin e tij romak Mark Antonin dhe mbretëreshën e famshme të Egjiptit Kleopatrën, krejt Egjiptin ai e shpalli pronë private të veten e, Egjipti i asaj kohe, për pasuri përrallore kishte shekuj që njihej në mbarë botën.
Kështu kuptohet se nga i gjeti paratë për ta shndërruar arkitekturën e qytetit të Romës aq fort, saqë romakëve u thoshte: «Gjeta një qytet me tulla kur erdha, por po ua kthej atë me mermer.» E nuk është e vështirë edhe të kuptohet se si ka mundësi që senati i Romës vendosi që t’i jepte atij edhe titullin August, që do të thotë Hyjnor, duke e pranuar atë jo vetëm si autoritetin më të lartë civil të perandorisë, por edhe si autoritetin më të lartë fetar. Në ambicien e tij për të imituar sunduesit e lindjes, e sidomos ata të Egjiptit, shumë lehtë ky njeri i mbushur me egoizëm duhet t’ua ketë blerë apo imponuar këtë dëshirë senatorëve servilë e oportunistë.
E pra në këtë kohë, kur ky sundimtar tashmë e shihte veten deri edhe si një perëndi e gjallë mbi tokë, që kishte ndërmarrë një rendje të çmendur ndaj pushtetit e pasurisë, që me luftra e me vrasje kishte futur në botën e asaj kohe një rend të ri botëror, krejtësisht të përqëndruar në duart e veta, lindi Jezusi, Ai që është vërtetë Biri i Hyjit. Dhe ne e dimë se Jezusi nuk lindi në një pallat luksoz, por në një stallë të qytetit të vogël të Betlehemit, qytet ku Zojës së Bekuar dhe Shën Jozefit i ishte dashur të shkonin për shkak të atij urdhri të komplikuar që pikërisht Çezar Augusti kishte dhënë në lidhje me regjistrimin e popullsisë së perandorisë së tij. E, kur e dimë se regjistrimet aso kohe mbretërit i bënin kryesisht për të llogaritur sa taksa e sa ushtarë mund të siguroheshin brenda territorit ku sundonin, e kuptojmë se sa fort ndryshonte mënyra e të arsyeturit e Birit të vërtetë të Hyjit nga mënyra e të arsyetuerit të Çezar Augustit, kësaj hyjnie të rreme që ndërkaq mbi tokë po mburrej me shkëlqimin që i kishte siguruar vetes me vrasje e me grabitje.
E, po natën e Krishtlindjes, do të dëgjojmë edhe se si Engjëlli i Zotit iu shfaq pikërisht disa barinjve për t’ua lajmëruar lindjen e Birit të Hyjit. Pra jo perandorit, jo mbretërve, jo guvernatorëve, jo senatorëve, por barinjve që me mundime po kalonin natën jashtë për të ruajtur grigjat e tyre. Lindja e Birit të Hyjit, Atij që nga i pasur kishte zgjedhur të bëhej i varfër, po u shpallej pikërisht atyre njerëz të cilët kishin përfunduar në varfëri për shkak të dikujt që nuk po ngopej me para e me famë.
Janë në Besëlidhjen e Vjetër disa rreshta shumë domethënës që thonë: «Zoti ia ul kreninë madhështorit e i ndihmon njeriut të përvujtë.» (Jb 22, 29); «Mos ia ki lakmi njeriut të padrejtë dhe assesi mos i ndiq udhët e tij. Sepse Zotit i neveritet çdo i padrejtë dhe ai bën shoqëri me njerëz të ndershëm… Ai përqesh përqeshësit, kurse të butëve u jep përkrahje.» (Fu 3, 31-32.34). Duhet t’u kenë pëlqyer vërtetë shumë këta rreshta të krishterëve të parë, sepse pjesërisht ata i gjejmë të parafrazuar disa herë edhe në Besëlidhjen e Re. Shën Pjetri shkruan: «Vishuni me përvujtëri, sepse Hyji u kundërshton madhështorëve, kurse të përvujtëve u jep hirin. » (1Pjt 5, 5). E Shën Jakobi gjithashtu nuk ngurron të thotë: «Hyji u kundërshton krenarëve, kurse të përvujtëve u jep hirin. Afrohuni Hyjit edhe Ai do t’ju afrohet juve! Pastroni duart, o mëkatarë! Pastroni zemrat, o njerëz dy mendjesh!… Përuluni para Hyjit dhe Ai do t’ju lartësojë!» (Jak 4, 6-8.10).
Përvujtëria e thjeshtësia janë kuptuar menjëherë nga të krishterët si të vetmet mjete efikase për t’ju hapur përvujtërisë dhe thjeshtësisë së Atij Hyji të Vërtetë që erdhi në mesin tonë, për të na pasuruar të gjithëve me varfërinë e tij. Prandaj do të ishte gabim i madh sikur krishterimi të shmangej, qoftë edhe për arsye të larta e të fisshme, nga përvujtëria e thjeshtësia, të cilat në fakt ishin edhe të vetmet virtyte që lejuan afrimin e barinjve me Shëlbuesin e sapolindur në varfëri e thjeshtësi, i rrethuar ndërkaq nga ngrohtësia e dy njerëzve – Zoja e Bekuar e Shën Jozefi – të cilët me fe të përvujtë e të thjeshtë i ishin hapur plot dashuri pranisë së Tij të mistershme.
E Jezusi vetë do ta kalonte jetën plot thjeshtësi e përvujtëri, duke predikuar vetëm sundimin e dashurisë e të vërtetës, shumë ndryshe nga mbretërit e kësaj botë të sunduan e sundojnë me forcën e urrejtjes e të mashtrimit. «Mbretëria ime nuk është e kësaj bote» (Gjn 18, 36) i tha Jezusi Pilatit, i cili ndërkaq nuk po ia kuptonte logjikën këtyre fjalëve e, pikërisht për këtë arsye, dha urdhër që Jezusin ta kryqëzonin edhe pse pak më përpara kishte thënë: «Unë nuk gjej në të kurrfarë faji.» (Gjn 19, 4).
Me ngjalljen e Tij Jezusi na ka bërë të kuptojmë se për çfarë lloj mbretërie e kishte fjalën. Po fliste për Mbretërinë jetës së amshuar me Hyjin, pranisë së të cilit i hapemi qysh në këtë jetë me përvujtëri, thjeshtësi e dashuri. Prandaj mund të thuhet pa frikë se, ata që besojnë te jeta e amshuar me Hyjin, edhe këtë botë e bëjnë më të bukur, sepse e mbushin me vlera e me kuptim. Thoshte më të drejtë Shën Augustini, kur i referohej ndryshimit mes perandorisë së Romës (me makinerinë e vrasjeve e luftrave që ajo kishte përdorur vazhdimisht) dhe Perandorisë së Dashurisë që Jezusi ka shpallur në botë: «Dy lloj dashurish kanë krijuar dy lloje qytetesh: qyteti tokësor krijoi dashurinë për vetveten aq sa të përçmohej Hyji, qyteti qiellor krijoi dashurinë për Hyjin aq sa të përçmohet vetvetja.»
Sa keq do të ishte sikur në fund të jetës së vet njeriu që ka jetuar pa Zotin dhe pa shpresën që Ai jep, të mos ketë arritur të gjejë një kuptim për jetën e vet, përveç se ta shohë atë si një shfaqje të cilës i erdhi fundi. Me sa duke kështu i ndodhi edhe Çezar Augustit të madh, me gjithë paratë që kishte. Janë bërë të famshme fjalët që ai u tha të pranishmëve pak para së të vdiste: «Komedia mbaroi. Duartrokitni!»
E sa e trishtë është kur ne e dimë shumë mirë se aty, në fakt, nuk po bëhej fjalë vetëm për komedi, por për një tragjikomedi që të bën të qeshësh e të qash njëherësh me fodullëkun e saj mizor.
Por, barinjve dhe neve, natën e Lindjes së Krishtit, na shpallen fjalët hareshme të Engjëllit: «Mos kini frikë! Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin! Sot, në qytetin e Davidit ju lindi Shëlbuesi – Krishti Zot.» (Lk 2, 10-11). Ky «Lajm i mirë», «Ungjill»,për të cilin flet Engjëlli – i cili nuk mund të blihet me para, por të cilit mund t’i hapemi vetëm me dashuri e përvujtëri – e mbushtë zemrën tonë me atë paqe dhe gëzim të cilin nuk mund ta mposhtin as të fortët e kësaj bote e as vdekja.
Dom Dritan Ndoci