NATA E KRISHTLINDJES
Is 9, 1-3. 5-6; Ps 96 (95); Tit 2, 11-14; Lk 2, 1-14
Kur lexojmë disa pjesë të Shkrimit Shenjt, harrojmë se ato janë shkruar nga njerëz të cilët, në rrethana të ndryshme, ishin të frymëzuar nga Hyji për një gjë të tillë. Por frymëzimi nuk u pikonte prej qiellit, ndërkohë që këta mund të ishin si të hutuar në jetën e tyre të përditshme. Frymëzimi i Hyjit patjetër duhet t’u ketë ardhur në çaste kur ata vetë ishin tejet të përfshirë nga marrëdhënia e tyre me Hyjin.
E themi këtë me qëllim që të mund t’i afrohemi më mirë botës së brendshme të atij shkrimtari të shenjt që ka shkruar rreshtat e psalmit që dëgjuam sonte: «Këndoni Zotit një këngë të re! Mbarë toka le t’i këndojë Zotit! Këndoni Zotit, bekojeni Emrin e tij!» Autori që i ka shkruar këto fjalë, pa tjetër duhet të ketë pasur arsye të forta për t’i thënë. Këta njerëz, këta izraelitë, ishin besimtarë. Nuk shkruanin poezi sa për të shtuar repertorin e tyre, por i thurnin lavde Atij në të cilin realisht besonin dhe e takonin në jetën e tyre. Do t’i fyenim sikur në fjalët «Këndoni Zotit» të imagjinonim një fytyrë të vrenjtur e indiferente e jo një fytyrë plot me ndjenja hareje e falënderimi.
Hareja e tij është kaq e madhe saqë edhe qielli, toka dhe deti i duken sikur janë qenie që e kuptojnë gjuhën e tij dhe i fton edhe ata të gëzohen së bashku me të: «Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë! Le të buçasë deti me ç’ka në të, le të gëzojë fusha me ç’gjendet në të, le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve!» Nuk i dimë motivet e gjithë kësaj hareje të psalmistit të sotëm, por sigurisht arrijmë ta kuptojmë se ka ndodhur diçka që e ka bërë ta ndiejë më afër praninë e Hyjit.
Kur në vitin 1223, Papa Honori bëri zyrtarisht miratimin e Urdhrit të Fretërve të Vegjël, Shën Françesku i Asizit thuhet se ishte aq i lumtur saqë përgjatë rrugës e dëgjuan t’u tregonte për këtë ngjarje edhe zogjve. Për çudinë e dëshmitarëve, zogjtë nga degët e pemëve, lëviznin në atë mënyrë që dukej sikur po i përgjigjeshin fjalëve të shenjtit.
Kështu është, pra, kur njeriu është i mbushur me harenë që i vjen prej Hyjit, gjithçka i duket në gjendje ta kuptojë dhe gjithçka ai e fton të marrë pjesë në gëzimin e tij.
Po a nuk është kështu edhe me ne në rrethanat e ndryshme të jetës: edhe sendet më të pavlera e më të pakuptimta, marrin vlerë kur ato na vënë në lidhje me dikë që e duam fort. Imagjinoni një kukull të vjetëruar, të cilën një nënë e ruan me plot gëzim, jo ngaqë kukulla ka ndonjë vlerë në vetvete, por ngaqë është kukulla e fëmijës së vet. Në këtë kuptim nuk do të ishte marrëzi nëse ajo do të fliste edhe me kukullën.
Në këtë natë edhe ne, nëse realisht besojmë në Hyjin dhe e duam atë, do të arrinim t’i thoshim plot hare fjalët: «Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë! Le të buçasë deti me ç’ka në të, le të gëzojë fusha me ç’gjendet në të, le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve!» Do të ftonim edhe qiellin e tokën të merrte pjesë në gëzimin që na sjell fakti që Biri i Hyjit është bërë njeri dhe ka ardhur në këtë botën tonë.
Nata e sontme është e vërtetë se shumëkënd e gëzon, por është e vërtetë edhe se shumëkush gëzimin tipik të Krishtlindjes, arrin ta lërë mënjanë e ta zëvendësojë me mendime të tjera. E kam fjalën për ne të krishterët. Njëri ekstrem janë ata të cilëve u duket sikur nuk ka kuptim ta festojnë këtë natë, duke qenë se mund të mos kenë pranë ndonjë njeri të zemrës. Nga njëra anë është e kuptueshme kjo, por deri diku. Misteri i Mishërimit të Jezusit, është i lidhur me kryqin e vuajtjen qysh atë natë kur Ai erdhi në botë. Ishte dashur që ky fakt të na bënte të mendonim mbi ç’lloj lumturie Jezusi ka ardhur të na sjell në këtë jetë.
Ekstremi tjetër janë ata që, duke qenë krejt në paqe, rrezikojnë ta kuptojnë Krishtlindjen thjesht si dëfrim e si rast për të shpenzuar. Por çuditërisht, nëse bëhet fjalë për të marrë pjesë në Meshën e Shenjtë në këto ditë, nëse bëhet fjalë për t’u lutur pak më shumë, apo nëse i thuhet që t’i hapin sytë ndaj atyre që nuk kanë as të domosdoshmen për jetesë, këto gjëra u duken sikur nuk po ua bëjnë ta shijojnë Krishtlindjen. Gëzimi i këtyre njerëzve nuk është lindja e Krishtit, por shpenzimet e shumta.
Në këtë natë do të duhej të ndaleshim më me vëmendje pranë shpellës së Betlehemit. Do të duhej të përqëndroheshim më shumë tek misteri i lindjes së Krishtit. Do të duhej që lindja e Tij të na e thithte vëmendjen tonë. Shën Françesku, të cilin e përmendëm më sipër, thuhet se kishte raste kur, ndërsa po hante, e shihnin se ishte si i përhumbur në mendime e nuk hante. E, kur fretërit e thërrisnin dhe e pyesnin se ç’po mendonte, ai u përgjigjej: «Po mendoja se si është e mundur që Hyji është bërë njeri». Ja pra, kjo gjendje e shpirtit do të duhej të na shoqëronte edhe ne sonte. Atëherë si trishtimi, ashtu edhe gëzimet e tjera, do të ishin të zotëruara nga kjo gjendje kryesore.
Sonte kemi arsye të gëzojmë, jo vetëm ngaqë Hyji është bërë njeri, por edhe ngaqë është bërë i varfër. Ungjilli i natës së sontme na tregon se si Maria ishte në prag të lindjes së Jezusit, por nuk kishte vend për të në bujtinë. Atëherë ajo shkon në një vend ku ruhen bagëtitë dhe atje lind Foshnjën e vet: «Ajo lindi djalin e vet, të parëlindurin, e mbështolli në shpërngenj dhe e vendosi në grazhd, sepse në bujtinë nuk kishte vend për ta.» Jezusi, qysh në lindje është i shënuar nga misteri i dhimbjes dhe i refuzimit: «Në bujtinë nuk kishte vend për ta.»
Ungjilli pastaj tregon se disa barinjve iu shfaq një engjëll i Zotit që i lajmëroi mbi lindjen e Mesisë: «Dhe, ja, shenja për ta njohur», vazhdoi engjëlli, «do të gjeni një foshnje të mbështjellë me shpërngenj e të vënë në grazhd». Kemi arsye sonte të gëzojmë, sepse Hyji është bërë njeri dhe është një Hyj i përvujtë, i thjeshtë. Jezusi foshnje, edhe «pse nga pamja e jashtme duket vetëm njeri», na tregon fytyrën e padukshme të Hyjit-Dashuri. Njëkohësisht na tregon edhe se si mund t’i përngjajmë Atij: duke qenë të përvujtë, të thjeshtë dhe të shtyrë nga një dashuri e vërtetë për Hyjin e për njerëzit.
Ky është Lajmi i madh i kësaj nate. Ky Lajm e bën të veçantë këtë natë. Ky Lajm është drita e madhe e kësaj nate. Këtu u realizuan fjalët e Isaisë që i dëgjuam në leximin e parë: «Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët që banonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi drita plot shkëlqim. […] Sepse na lindi një foshnje, fituam një djalë. Në krahun e tij u vu shenja e mbretërisë. Për emër do të quhet: Këshilltar i mrekullueshëm, Hyj i fortë, Atë i amshueshëm, Princ i Paqes”.»
Hyji e kishte premtuar prej kohësh këtë lindje të madhërueshme, e cila ishte Hiri të cilin Izraeli e priste se Hyji do t’ia jepte. Prandaj Shën Pali thotë në Letrën e drejtuar Titit: «Fort i dashur, u duk Hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve.» E, duke galduar në shpirt për ardhjen e Zotit në mesin tonë, Shën Pali e sheh si të mundshme që t’i biem mohit mendësisë mëkatare të botës: «Ai na mësoi t’i biem mohit besimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht.»
E është shumë interesante mënyra se si Ungjilli i sotëm na i përshkruan rrethanat brenda të cilave ky «Hir i Hyjit u duk». Shën Luka fillon të përshkruajë sa më saktë kohën kur ka lindur Jezusi, duke përmendur se kush ishte perandor atë vit në Romë e kur ishte qeveritar i asaj zone. Kështu, njëkohësisht na tregon edhe diçka tjetër shumë domethënëse: edhe pse dukej sikur botën po e sundonin ata që mbaheshin për hyjni në tokë, Hyji i vërtetë po vinte në heshtje e në përvujtëri. Ata që donin të imponoheshin si hyjni, bënin kërdinë në botë me vrasje e me taksa, kurse Ai që ishte realisht Hyj, nuk druhej të vinte në botë si «foshnje», si nevojtar për gjithçka. Sundimtarët e kësaj bote, me pasuritë e tyre, do të varfëronin shumëkënd, ndërsa Jezusi, me varfërinë e Tij, do të pasuronte me hire e me dashuri gjithkënd që do t’i afrohej. Prandaj lajmin për lindjen e Jezusit të përvujtë nuk do të ishin të mëdhenjtë e kësaj bote që do ta merrnin të parët, por të thjeshtët, ata që rrijnë jashtë, barinjtë.
Tani besoj se as neve nuk do të na dukeshin të pakuptimta e të thata fjalët e psalmit të sontëm: «Këndoni Zotit, bekojeni Emrin e tij. […] Galdo o qiell! Gëzo o tokë!» Le të gëzojë së bashku me ne gjithësia, sepse kemi zbuluar se kemi një Hyj të tillë kaq të dashur e kaq të përvujtë!