KY ËSHTË BIRI IM I DASHUR.

Categories HomeliPosted on

PAGËZIMI I ZOTIT – Viti A

Is 42, 1-4.6-7; Ps 29 (28); Vap 10, 34-38; Mt 3, 13-17

Pagëzimi i Gjonit nuk ishte si pagëzimi që marrim ne. Prandaj mund të na ngjallë habi një e kremte si kjo e sotmja. Të mendojmë se Jezusi kishte nevojë edhe Ai, Hyj i vërtetë, për falje mëkatesh, na duket krejt e habitshme. Por pagëzimin që bënte Gjoni nuk duhet ta ndajmë nga misioni që ky profet kishte: t’i përgatiste rrugën ardhjes së Mesisë. Prandaj, si pasojë, ai filloi të predikonte një afrimitet më të madh me Hyjin me qëllim që Izraeli të mund të ishte i gatshëm për ta pranuar Mesinë, që tashmë ishte në mesin e tyre. Zhytja në ujë ishte kryesisht gjest kushtimi ndaj Hyjit. Prandaj edhe Jezusi hyn në rresht më të tjerët për të kryer këtë ritual. Jo se Ai kishte nevojë të bëhej gati për pritjen e Mesisë (duke qenë se Mesia ishte Ai vetë) e as ngaqë kishte mëkate (duke qenë se «Hyji nuk mund të tundohet nga e keqja.» Jak 1, 13), por ngaqë dëshironte ta shprehte edhe Ai përkatësinë e Tij të plotë ndaj Hyjit, Atit të vet.

Deri edhe vetë Pagëzuesi, Gjoni, mbetet i habitur nga ky gjest i Jezusit. Prandaj fillimisht i kundërshton duke i thënë: «Mua më duhet të pagëzohem prej teje e ti po vjen tek unë?». Jo rrallë edhe vetë shenjtërit nuk e kuptojnë atë që Hyji po bën me ta.

Gjoni, në fakt, e ftonte popullin që t’i hapej Shpirtit të Hyjit i cili i kishte folur Izraelit me anë të Ligjit të Moisiut dhe me anë të shumë Profetëve. Prandaj, ajo që po bënte Jezusi, pra t’i nënshtrohej Ligjit dhe Profetëve, ishte gjëja që duhej ta bënte çdo izraelit i mirë. Kështu kuptohet përgjigjja e Jezusit që e dëgjuam sot në Ungjill kur i thotë Gjonit: «Lëre tani! Sepse kështu na ka hije të kryejmë çdo gjë që përkon me vullnetin e Hyjit.» Jezusi i shpjegon Gjonit se ky lloj pagëzimi ishte i dëshiruar nga vetë Hyji, si shenjë bashkimi me Të e prandaj nuk është gjë e mirë ta lësh pa shfrytëzuar rastin që Hyjit t’i shprehësh dashurinë për Të. Si mund ta humbiste Jezusi një rast të tillë?! Nga këtu mund të nxjerrim shumë mësime për jetën tonë si të krishterë. Sa raste na kanë qëlluar në jetë ku ne kishim mundësinë ta shprehnim përkatësinë tonë totale ndaj Hyjit? Pse edhe ne të krishterëve shpesh na kaplon përtacia shpirtëore? Pse ndodh që edhe ne të jemi si të plogësht kur bëhet fjalë për zbatimin e vullnetin të Zotit? Një shkrimtar italian, Carlo Carreto, tregon në një ndër librat e tij një episod interesant. Një herë disa shokë të vet, në rininë e tij, e kishin ftuar të merrte pjesë në një mbrëmje “surprizë”. Shkoi me ta, por papritmas e gjeti veten brenda një klubi nate, ku, veç të krishtera nuk ishin gjërat që po shihte aty. U turbullua, e shtyu me vrull një shok të vetin, si për t’i treguar se sa i fyer ndihej, dhe doli përjashta me vrap. I krishteri ose duhet të ndihet e të jetë ndryshe, ose ende s’e ka në vetvete dashurinë për Hyjin, Atin e vet. Rastet ku na kërkohet të jemi ndryshe nga bota dhe ku na kërkohet ta shprehim këtë dashuri për Hyjin, patjetër nuk na mungojnë kurrë. Jezusi pranoi të përulej aq shumë, vetëm e vetëm që të dëshmonte nënshtrimin e Tij të plotë ndaj vullnetit të Atit të vet. Po ne, a mund të pranojmë përuljen në sytë e botës, si imitim dhe dëgjesë ndaj Krishtit?

Për të na e treguar veçorinë e Krishtit Zot, sot na ndihmojnë edhe leximet e tjera. Në leximin e dytë është Shën Pjetri ai që dëshmon për mirësinë e Krishtit kur thotë «Ai e përshkoi vendin duke bërë mirë.» Nuk besoj se përreth Jezusit në atë kohë vlonte drejtësia dhe harmonia në shoqëri, por, gjithësesi, Ai vazhdonte të bënte mirë. Ai vazhdonte të ishte i ndryshëm, sepse kështu dëshmonte dashurinë për Atin e vet. Leximi i parë flet për Shërbëtorin e Hyjit, i cili do të ishte krejt i mirë: «Ai s’do ta thyejë as kallamin e copëtuar, s’do ta ndalë as fitilin tymues dhe, pa u trembur, ai do ta shpallë të drejtën.» Është i mirë, s’ka frikë të shpallë të drejtën. E bën këtë ngaqë kryesorja për të është që të kryejë vullnetin e Atit të vet. «Ushqimi im është të kryej vullnetin e Atij që më dërgoi.» (Gjn 4, 34) – do të pohojnë Jezusi në Ungjill.

Por ka edhe diçka tjetër që duhet ta vërejmë në Ungjillin e sotëm. Në ndryshim me Ungjijtë e tjerë sinoptikë (Markun e Lukën), Mateu dëshiron të theksojë se Pagëzimi i Jezusit ishte një rast ku, në Shpirtin Shenjt, Ati dëshironte t’ia zbulonte botës Birin e vet. Sinoptikët e tjerë thonë se Ati foli e tha «Ti je im Bir». Ndërsa Mateu thotë se Ati tha: «Ky është Biri im». Ungjijtë e tjerë e paraqesin këtë çast si një dialog mes Atit me Birin, ndërsa Ungjilli i Mateut e paraqet atë si një dëshmi të Atit për Birin. Dikë mund ta kapë dëshira të dijë se cili është versioni më i saktë, por nuk duhet harruar se të dyja versionet Kisha i pranon si Fjalë të Zotit. Qëllimi i Shkrimit Shenjt nuk është edhe aq që të na mësojë histori (patjetër që edhe i tregon), por kryesisht të mësojë teologji, që do të thotë të na mësojë kush është Hyji dhe cili është qëllimi i Tij në lidhje me njeriun e me gjithësinë. Kështu që, ndryshimet mes Ungjijve, janë mënyra me të cilën Zoti ka dashur ta pasurojë këtë teologji.

Duke u kthyer tek dëshmia që Ati bën për Birin, duhet të kup­tojmë se Ati nuk na ka dërguar në botë një njeri të madh, sado i madh që mund të jetë, as ndonjë profet, sado të madh e, aq më pak, ndonjë njeri me vlera të larta morale e ideologjike, por vetë Birin e vet. Thonë disa besime të tjera se Hyji nuk mund të ketë Bir. E kush e vendoska se si duhet të jetë Hyji?! Prirja për ta zvogëluar këtë të vërtetë mbi Jezusin ka qenë e gjithmonshme në botë. Kanë dashur ta veshin figurën e Jezusit me “dinjitete” të tjera (profet, përpa­rimtar, njeri i mirë), por ishin dhe janë taktika djallëzore për të mos pranuar të vërtetën e madhe të Personit të Tij: Ai është Biri i Hyjit i bërë njeri.

Mbase ato taktikat djallëzore kanë lindur nga zemra poaq djallëzore, ngaqë Jezusi predikonte dashurinë deri edhe për armiqtë e, si pasojë, janë përpjekur t’i zvogëlojnë autoritetin për të zvogëluar kështu pastaj edhe detyrimin që t’i binden fjalëve të Tij. “Lojëra” të tilla dalin nga zemra djallëzore, të cilat zakonisht janë në krye të ndonjë pushteti. Me këto “lojëra” ata duan t’ia heqin turmat Kri­shtit, që pastaj t’i çojnë atje ku duan vetë.

Por ne të krishterët kemi ndihmën e Shpirtit Shenjt, i cili na ndihmon t’i dallojmë mirë hilet që fshihen pas këtyre rrymave të ndryshme mendimesh mbi Jezusin. Sikurse në Shpirtin Shenjt që zbret në trajtë pëllumbi mbi Jezusin, Ati bën dëshmi për Birin e vet, në po këtë Shpirt Shenjt Ati na ndihmon edhe që ta besojmë të vërtetën e madhe mbi Birin e vet të dashur.

Por nuk kemi thënë ende diçka që ka rëndësi vërtet kyçe: Pagëzimi i Jezusit, si çasti në të cilin Ati bën dëshminë e vet mbi Birit e Tij dhe si çasti ku Shpirti Shenjt zbret mbi Të në trajtën e pëllumbit, ka pasur një ndikim të madh edhe mbi natyrën njerëzore të vetë Jezusit. Si njeri, Jezusi kishte nevojë për dëshminë e Atit të vet si edhe për forcën e Shpirtit Shenjt, për ta kuptuar më mirë, si njeri, misionin e Tij shëlbimprurës në këtë botë. E nuk është rastësi që, pikërisht pas pagëzimit të Tij, Jezusi filloi të veprojë aq dukshëm publikisht nëpër Izrael. Është e vërtetë se ishte zakon në Izraelin e asaj kohe që një djaloshi vetëm pasi i kishte mbushur të tridhjetat, mund t’i lejohej të fliste në publik, por mosha nuk i mjaftonte Jezusit për të folur aq urtisht e për të bërë mrekulli: i nevojitej patjetër që, edhe natyra e Tij njerëzore, të rritej në bashkimin dhe njohjen e jetës Trinitare: i nevojitej dëshmia e Atit të vet dhe forca e Shpirtit Shenjt. Prandaj pagëzimi i Jezusit shënoi një pikë kyçe në jetën tokësore të Jezusit, sepse prej atij çasti, Ai doli nga heshtja e Tij tridhjetëvjeçare dhe filloi t’i zbulohej botës në realitetin e Tij prej Biri të Hyjit. Duke bërë këtë, i zbulonte botës edhe Atin e vet dhe Shpirtin Shenjt.

T’i afrohemi, pra, Jezusit çdo ditë e më tepër. Ai është Biri i dashur i Atit, që ka ardhur në botë për të na zbuluar Hyjin tonë Triní dhe për të na shëlbuar. Na shëlbon pikërisht duke na zhytur edhe ne në jetën e së Shenjtërueshmes Triní. Në mishin e vet njerëzor, Jezusi na ka dëshmuar edhe se kryesorja për njeriun është që të duajë Atin e vet qiellor mbi gjithçka dhe të shfrytëzojë çdo rast ku mund ta shprehë këtë dashuri, qoftë edhe në kryq. Kështu, të bashkuar në mundimet e Tij, atëherë do të kemi pjesë edhe në fitoren e Ngjalljes së Tij.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *