E DIELA II GJATË VITIT A
Is 49, 3.5-6; Ps 40 (39); 1 Kor 1, 1-3; Gjn 1, 29-34
Kaloi Koha e Krishtlindjes dhe i kthehmi sërish Kohës gjatë vitit: të vërtetat e mëdha që i përkujtojmë në disa kohë apo ditë të veçanta liturgjike, jemi të thirrur t’i kundrojmë e t’i zbatojmë në përditshmërinë e jetës sonë. E leximet e sotme liturgjike na ftojnë ta ngulim shikimin tonë mbi të vërteta që prekin drejtpërdrejt shëlbimin tonë.
Në leximin e parë, Hyji i drejtohet Izraelit me këto fjalë: «Shërbëtori im je, o Izrael, në të cilin do ta dëftoj lavdinë time.» Shpeshherë Hyji e kishte dëftuar lavdinë e vet edhe para se t’i thoshte këto fjalë, por kishte ende për të bërë, sepse lavdinë e Tij do ta dëftonte më së miri atëherë kur në mesin e këtij populli do të bënte veprën më të madhe: shëlbimin e Izraelit e të botës mbarë në Jezu Krishtin, Birin e vet, i cili do t’ia shlyente mëkatin botës. E thotë edhe Gjon Pagëzuesi kur sheh Krishtin: «Ja Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës.»
Interesant është fakti se Gjoni nuk thotë: «mëkatet», por «mëkatin». Në të vërtetë një i vetëm është mëkati, edhe pse veprat e këqija mund të jenë të shumta. Mëkati është gjithnjë largimi nga Hyji, humbja e miqësisë me Të, ajo ngjarje tragjike e ndodhur qysh në fillimet e njerëzimit, ngjarje të cilën në katekizëm na ka qenë mësuar me shprehjen «humbje e Hirit shenjtërues». Kjo humbje është mëkati nga i cili pastaj vijnë të gjitha veprat e këqija. Krishti na e ka rifituar këtë Hir shenjtërues, të cilin ne e marrim në pagëzim. Kështu, Krishti do t’i sillte botës dritën e bota pastaj do ta kuptonte se mëkati është errësirë, ndërsa jeta me Hyjin është dritë.
Për Krishtin vlejnë plotësisht fjalët që dëgjuam në leximin e parë: «Tepër pak është të më jesh shërbëtor për t’i rilindur fiset e Jakobit, për t’i riatdhesuar Tepricat e Izraelit: por të caktoj të jesh drita e popujve, që shëlbimi im të arrijë në skaj të tokës!» Këtu e kuptojmë se tashmë Hyji nuk po i drejtohet më Izraelit, siç bëri më sipër, por këtij «Shërbëtori», i cili do të ishte dritë jo vetëm për Izraelin, por edhe për të gjithë popujt. Ky «Shërbëtor» i përvujtë, Krishti, është i thirrur të jetë «Drita e popujve», por i tillë do të jetë duke u bërë «Qengji i Hyjit».
Fjalët e Gjon Pagëzuesit mbase mund të na duken si të pakuptimta kur ai flet për «shlyerje të mëkatit të botës», sepse të japin idenë e ndonjë riti magjik. Por Hyji nuk bën magji. Atëherë lind pyetja: si ia bën Krishti që t’ia shlyejë mëkatin botës? Për të kuptuar këtë, duhet të kuptojmë pse Gjoni e quan Jezusin «Qengj të Hyjit».
Në Besëlidhjen e Vjetër tregohet në mënyrë të detajuar se si në Izrael duheshin bërë disa rite pendestare. Më i rëndësishmi ndër to ishte rituali i flijimit të një qengji. Ky rit duhej të bëhej dy herë në ditë: një qengj duhej flijuar në mëngjes e një tjetër në mbrëmje. Përkujtohej kështu ajo nata madhështore në të cilën Izraelit i qe kursyer vrasja e të parëlindurve, falë gjakut të një qengji, me të cilin ishin lyer shtalkat e shtëpive të izraelitasve. «Unë do ta shoh gjakun dhe juve do t’ju kaloj.», i thoshte Zoti Moisiut në librin e Daljes.
Më vonë, këtij riti filluan t’i shtoheshin edhe detaje të tjera: në disa raste, para se të kryente flijimin, prifti “ia tregonte” qengjit mëkatet e veta dhe ata të popullit (në vend të qengjit ndonjëherë flijoheshin edhe mëzetër apo cjepë). Në një farë mënyre, mëkatet zbrazeshin mbi flinë, kështu që, gjaku i pafajshëm i flisë të mund t’i lante ato. Apo më saktë: që Hyji, për të zbrazur hiret e veta, të mos shikonte mëkatet e popullit, por të shikonte këtë gjak të pafajshëm. Siç bëri natën e Pashkës në Egjipt, kur pa gjakun e qengjit.
Pra, kur Gjon Pagëzuesi thotë për Jezusin «Ja Qengji i Hyjit!», nxënësit, të cilët në atë çast ishin me të e që pastaj do të shkonin pas Jezusit, menjëherë e kuptuan se gjendeshin në praninë e një situate thellësisht teologjike.
«Qengji i Hyjit»: Ai që vërtet do ta bënte të mundur afrimitetin mes Hyjit e njerëzve, do të ishte Krishti. Kafshët që flijoheshin përpara, është e vërtetë se ishin përkujtim i asaj nate të madhe për Izraelin, por njëkohësisht ato ishin edhe simbol i Krishtit, i Atij që vërtet do ta shlyente, do ta falte mëkatin e botës. «Është e pamundur që gjaku i mëzetërve dhe i cjepve t’i shlyjë mëkatet.», thotë Letra e drejtuar Hebrenjve, duke dashur t’i mëshojë së vërtetës se, jo gjaku i kafshëve, por Krishti na e fitoi sërish Hirin shenjtërues, miqësinë me Hyjin. E atëherë, flitë e dikurshme u shfuqizuan. Prandaj ne nuk i bëjmë më.
Ja, pra, se si Krishti bëhet Drita e botës: duke i kthyer asaj edhe një herë atë që dikur e pati humbur, Hirin shenjtërues, që do të thotë familjaritetin me Hirin Hyjnor. Tani, për të zbrazur mbi ne Hiret Hyjnore, Ati nuk do të bazohet më në denjësinë apo padenjësinë tonë (sepse gjithnjë do të flitet për padenjësi), por në britmën për falje të Birit të vet që u kryqëzua i pafajshëm.
Shenjtërit nganjëherë arrijnë ta shprehnin në mënyrë shumë origjinale këtë të vërtetë. Shën Alfons Maria de Liguori thoshte se mëkatet tona i ngjajnë një zhurme të madhe që ngjitet drejt Hyjit Atë, por në mes nesh dhe Atit është Jezusi, Ndërmjetësuesi ynë. Ai bërtet aq fort drejt Atit duke i lypur mëshirë për ne, saqë zhurma e mëkateve tona nuk arrin kurrë në veshët e Atit, sepse mposhtet prej zërit të Krishtit Ndërmjetësues.
Mendime të tilla nuk janë vetëm lojëra fjalësh. Shenjtja Faustina Kovalska (asaj që Krishti do t’i besonte përçimin e devocionit të Mëshirës Hyjnore) do të tregonte se, në një vegim të vetin, pa Atin, i cili e shihte botën nëpërmjet plagëve të Birit të vet.
Për këto arsye pothuajse të gjitha lutjet e Kishës përfundojnë me fjalët «Nëpër Krishtin, Zotin tonë», për të theksuar se lutjet tona janë të padenja që të dëgjohen nga Hyji Atë, Mirësia e Pambaruar, por ne besojmë se ato i bën të denja Biri i Amshuar, i cili u flijua për ne. Ja, pra, se si Krishti bëhet «Drita e botës»: pikërisht duke u bërë «Qengji i Hyjit».
Por, të mësojmë edhe ne nga mënyra se si Krishti bëhet Drita jonë. Nëse Ai, në Shpirtin Shenjt, bëhet Drita jonë duke na falur dhe duke lypur mëshirë për ne para Atit, do të thotë se edhe ne, në Shpirtin Shenjt, duhet të jemi drita e vetvetes dhe e njëri-tjetrit, duke lypur mëshirë para Atit për ne e për mbarë botën. Jo vetëm kaq, por edhe duke e pranuar këtë falje dhe duke e praktikuar atë në mes nesh. Nëse një i krishterë nuk arrin të falë, do të thotë se nuk e ka bërë përvojën e faljes Hyjnore në jetën e tij. Falja është e mundur, sepse e ka bërë Hyji ndaj nesh më parë. Falja është e mundur: mjafton që të kalitemi në dashuri. Atëherë Krishti, «Qengji i Hyjit» dhe «Drita e botës», do ta mundë errësirën e mëkatit edhe brenda nesh.
Dom Dritan Ndoci