TË LUMËT JU!

Categories HomeliPosted on

E DIELA IV GJATË VITIT A

Sof 2, 3; 3, 12-13; Ps 146 (145); 1 Kor 1, 26-31; Mt 5, 1-12

Sintonia e mistershme mes Hyjit dhe të varfërit të cilën shpesh e gjejmë në Shkrimin Shenjt, sot kthehet me tërë forcën e saj. E, në fakt, ekziston një sintoni e tillë. I varfëri është i brishtë, i dobët, i paaftë të mbrohet, i marrë nëpër këmbë, i mohuar dhe i fshehur nga sytë e të mëdhenjve të kësaj bote. Ashtu është edhe Hyji, por me të vetmin ndryshim se këtë gjendje Ai e ka zgjedhur vetë: ka zgjedhur të jetë i varfër, i brishtë, i marrë nëpër këmbë, i padukshëm, duke pranuar deri edhe mundësinë që dikush ta mohojë ekzistencën e Tij.

Në leximet e sotme kjo sintoni del në pah shumë qartë. Sidomos në Ungjill. Aty Jezusi, Hyji, tregon se mban plotësisht anën e të varfërve. I Lum, në fakt, është vetëm Ai, por në këtë lumni të Tijën merrkan pjesë edhe skamnorët, ata që qajnë, të butët, të drejtët, të mëshirshmit, të pastrit, pajtuesit dhe ata që salvohen pse bëjnë vullnetin e Hyjit. Në leximin e parë sot Hyji thërret pikërisht të përvujtët që ta kërkojnë Atë: «Kërkojeni Zotin, të gjithë ju, të përvujtit e tokës, ju që i kryeni urdhërimet e Tij!» Prej tyre Hyjit ia ka ënda të jetë i kërkuar. Edhe psalmi i sotëm tregon se sa për zemër Hyji i ka skamnorët: «Zoti.. u jep të drejtën të nëpërkëmburve… / Zoti i mbron ardhacakët. / U ndihmon bonjakëve e të vejave.»

Krahasimi i Hyjit me skamnorin është i mundur. Disa biblistë shpjegojnë se, ndërsa Jezusi është duke folur për skamnorët, për ata që qajnë, për të butët, të mëshirshmit, të pastrit në zemër dhe për pajtuesit, është duke folur pikësëpari për veten e Tij. E, në fakt, ne jemi të shenjtë në atë masë sa i përngjajmë Jezusit: «Më përngjani mua, që jam zemërbutë dhe i përvujtë!», thotë Jezusi në Ungjill. «Çfarë do të thotë të ndjekësh Krishtin? Të zbatosh radikalizmin e lumturive ungjillore!», thoshte ipeshkvi italian, Imzot Tonino Bello, për të cilin Selia e Shenjtë ka filluar procesin e lumnimit. Zbatimin e lumturive, pra, e sheh të mundshëm vetëm ai që është i kapluar nga dashuria e Jezusit. Përndryshe lumturitë njeriut mund t’i duken një barrë e rëndë, nga e cila mezi pret të shkëputet.

Duke marrë tani me radhë rreshtat e Ungjillit të sotëm, patjetër që nuk do ta kemi të lehtë t’i pranojmë në shpirt menjëherë, sepse Jezusi quan të lumë ata që zakonisht bota i quan të mjerë. Prandaj Shën Mateu duket sikur ka dëshirë të na ndihmojë në këtë ecje tonën shpirtërore, sepse e fillon këtë pjesë ungjillore duke përshkruar disa detaje në dukje të panevojshme: «Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë…». Shën Mateu ka ndërmend të na bëjë të kujtojmë atë pjesën e librit të Daljes ku përshkruhet se si Hyji u ul me re mbi mal dhe ia dhuroi dhjetë urdhërimet Moisiut. Ungjilltari, pra, po thotë se Hyji që foli në atë kohë me Moisiun, po flet edhe tani në Ungjill. Prandaj fjalët e Jezusit meritojnë tërë besimin tonë, sepse janë fjalët e vetë Hyjit.

E tani po i marrim me radhë këto fjalë.

«Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!», thotë Jezusi. «Mbretëria e qiejve» është vetë Jezusi. Kjo do të thotë se Jezusi nuk e ka problem të thotë se është i smanorëve në shpirt, i atyre që janë shkëputur në shpirt nga çdo gjë, përveç se nga dashuria. Thuhet se Jezusi iu shfaq një herë Shenjtes Terezë të Avilës dhe e pyeti: «Si quhesh?». E ajo, duke e kuptuar lojën e dashurisë që po i ndodhte para syve, iu përgjigj: «Tereza e Jezusit. Po ti?». «Jezusi i Terezës!», iu përgjigj Dhëndri i saj Hyjnor, duke i buzëqeshur me butësi.

Ta kuptojmë drejt: Jezusi nuk ka ndërmend këtu të lartësojë mjerimin material, por dëshiron të vërë theksin te rëndësia e shkëputjes në shpirt nga gjërat materiale. Sigurisht se edhe një shkëputje fizike nga disa të mira materiale do të ishte shprehje e shkëputjes në shpirt, por nuk po hyjmë në këtë temë, sepse zgjatemi shumë. Jezusi dëshiron ta mësojë njeriun të ketë kujdes nga lakmia e tepruar për pasuri. Në fakt, këtë gjë Jezusi e porosit disa herë në Ungjill, sepse lakmia e tepruar e pasuris, rrezikon ta errësojë shikimin e njeriut e ta bëjë atë të jepet pas pasurimit me gjëra materiale, duke lënë pasdore potencialet e brendshme të shpirtit njerëzor. Njeriu, atëherë, dëshiron të ketë e jo të jetë dhe nuk beson më se është e mundur të dojë, të dhurojë vetveten, prandaj nuk arrin të jetë në sintoni me Jezusin, i cili «erdhi që të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë!» (Mk 10, 45).

«Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen!»: Bota i quan fatkeqë ata që qajnë, por Jezusi i quan të lumë. Nuk është e lehtë të shpjegohet kjo shprehje e Jezusit, por një gjë mund ta kuptojmë lehtë: më mirë është të qash, sesa të bësh të tjerët të qajnë. Kjo e fundit e shëmton shpirtin e njeriut.

«Lum ata që kanë uri dhe etje për drejtësi, sepse do të ngihen!». «Uri dhe etje»: nevojën për drejtësi i krishteri e ndien po aq sa nevojën për bukë e për ujë. Kështu bënte Jezusi. Kështu është e mundur të bëhet edhe prej nesh, gjithmonë e në çdo epokë.

«Lum të mëshirshmit!»: të mëshirshmit janë të fortë si në besimin e tyre tek vlerat njerëzore, ashtu edhe në fenë e gjallë në Hyjin e gjallë. Kurse hakmarrësit shndërrohen në njerëz që i dorëzohen instinktit të shkatërrimit.

«…Sepse do të gjejnë mëshirë.»: Jezusi e lidh faljen nga Hyji me faljen që na kërkohet edhe neve ta praktikojnë ndaj njëri-tjetrit. Sikur ne t’i kishin shkruar këto rreshta, mbase do t’i kishim zbutur pak fjalët, por Jezusi shpesh në Ungjill porosit se, nëse duam faljen e Hyjit, nevojitet të dimë të jemi të mëshirshëm me njëri-tjetrin.

Shën Gjon Bosko do të kujtonte shpesh një episod të bukur nga fëmijëria e tij. Tregonte se një herë vëllai i tij ia kishte marrë inat padrejtësisht për kushedi se çfarë dhe, në mbrëmje të asaj dite, po lusnin së bashku me Nënë Margeritën lutjen Ati ynë. Por, kur shkuan tek fjalët «Si i falim ne fajtorët tanë», Nënë Margerita i vuri dorën gojës së vëllai të Dom Boskos dhe i tha: «Ti nuk mund t’i thuash këto fjalë, sepse nuk e ke falur ende vëllain tënd.» Episod i thjeshtë familjar, por nga këta “gurë të vegjël” janë lartësuar ndërtesa të mëdha shpirtërore, siç ishte shenjtëria e Dom Boskos.

«Lum ata që janë të pastër në zemër sepse do ta shohin Hyjin!»: «të jesh i pastër» dhe «të shohësh Hyjin» shkokan së bashku! E, në fakt, si mund të qëndrojmë në praninë e Atij që është Pastërtia e pambarim, nëse ne nuk e dëshirojmë dhe nuk e kultivojmë pastërtinë e ndërgjegjes në jetën tonë? Pastërtia nuk ka lidhje vetëm botën e ndjenjave, por me orjentimin e zemrës sonë, me qëllimet që i vëmë vetes në jetë, me mënyrën se si e trajtojmë veten dhe tjetrin.

Në lidhje me botën e ndjenjave, pastaj, botës i duket qesharake të flasësh për mundësinë e të qenit të pastër. Por ja që është i lum ai që e kupton se trupi njerëzor nuk është për t’u përdorur me egoizëm, por është për t’u dhuruar në një logjikë të gjithanshme dashurie.

«Lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit!». Në lojërat e poli­tikave ndërkombëtare nganjëherë mbretëron intriga. Shpesh ajo zbret “ëndshëm” edhe nëpër lagjet e fshatrave dhe qyteteve tona dhe rezultati është përçarja e vazhdueshme. Por të lumë janë ata që ndërtojnë paqe e pajtim, sepse i përngjajnë Jezusit, Princit të Paqes.

E fundit, pastaj, është lumnia e atyre «që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon». Këta bashkohen me Krishtin e vuajtur. Ai pësoi ngaqë po çonte në vend vullnetin e Atit të vet. Të lumë janë edhe të gjithë ata që pësojnë për këtë arsye. Duke qenë se tani bashkohen me Krishtin e vuajtur, do të bashkohen një ditë edhe me Krishtin e Ngjallur në Lavdi.

E pyeti dikush në burg Atë Anton Harapin: «A ia ke lakmi Atë Zef Valentinit që arriti të largohet nga Shqipëria para se të arrestohej nga komunistët e tani është i lirë të vazhdojë të shkruajë libra». «Kam përshtypjen se Atë Zefi ma ka lakmi mue, që po vuej për Krishtin.», iu përgjigj Frati filozof e i përshpirtshëm. E, se nuk i thoshte sa për t’i thënë këto fjalë, e tregon edhe ky episod shumë prekës: Kur po e çonin për ta pushkatuar pranë brigjeve të lumit Lana në Tiranë, në mëngjesin e datës 20 shkurt 1946, Atë Antoni po përpiqej të mbante pak lart zhgunin që kishte veshur, që të mos e bënte pis me baltën e rrugës. Njëri prej ushtarakëve që po e shoqëronte, e vuri re dhe i tha me tallje: «Mos ki dert, more prift, se në baltë ke me përfundue». Por biri i Shën Françeskut iu përgjigj duke vazhduar rrugën: «Atje ku po shkoj unë, due të shkoj pa njolla, ashtu siç kam kenë tanë jeten teme.» E, kur shkoi pranë gropës së hapur për të, tha fjalët që dëshmonin se as në ato çaste të fundit urretja nuk ia njollosi përngjasimin e tij me Krishtin: «I bekoi vrasësit dhe i fali për aktin që do të kryejnë.»

Ata që bota i quan të fundmit, Jezusi i quan të lumë: të lumë sepse kanë hyrë në sintoni me Birin e Hyjit të bërë njeri, i cili pranoi të jetë i fundit.

Edhe pse historia ka dëshmuar se njerëzimi gjithnjë ka arritur të bëjë ndonjë hap përpara vetëm falë vlerave të shkëputjes në shpirt nga pasuria e tepruar, të butësisë, të drejtësisë, të mëshirës, të pastërtisë e të flijimit për ideale të larta, nuk është e thënë se njerëzimi zë mend lehtë. Prandaj bota shpesh vazhdon t’i quajnë të mjerë ata që Jezusi i quan të lumë. Por, për ta thënë me fjalët e Shën Palit, e dimë se «Hyji zgjodhi të marrët në sy të botës për t’i turpëruar të mençurit dhe të dobëtit në sy të botës i zgjodhi Hyji, për t’i turpëruar të fortit.». «Turpërimi i të fortëve» të botës fillon qysh në këtë jetë dhe do të zbulohet në plotësi në jetën e pasosur. Prandaj të kemi besim të Jezusi që na fton t’i përngjajmë Atij dhe na thotë plot dashuri: «Të lumët ju!»!

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *