E DIELA I E KREZHMËVE – Viti A
Zan 2, 7-9; 3, 1-7; Ps 51 (50); Rom 5, 12-19; Mt 4, 1-11
Është vërtet shumë i bukur ai rreshti ungjillor që këtë diel thotë se Jezusit, pasi e kaloi kohën e tundimeve, «iu afruan engjëjt dhe i shërbenin». Por na duhet ta shohim më poshtë bukurinë e tij, sepse Ungjilli na thotë se më parë Jezusit «Iu afrua tunduesi.» Prandaj, për t’i kuptuar mirë këta detaje ungjillore, na duhet të bëjmë më parë një parashtesë të rëndësishme.
Falë një tradite shumë të lashtë në Kishë, leximet liturgjike të të dielave të kohës së krezhmeve janë të përgjedhura me shumë kujdes. E veçanërisht kjo vlen për vitin A. Kjo traditë e ka zanafillën e saj përnjëherësh me lindjen e katekumenatit në Kishë. Me syrin sidomos kah katekumenët, kah ata të rritur që do të pagëzoheshin Natën e Pashkës, Kisha i përzgjidhte me kujdes leximet liturgjike, në mënyrë që të shërbenin si katekezat e fundit për ata që ishin në ecje drejt pagëzimit. E, në fakt, secila prej të dielave të kësaj kohe krezhmesh ka një tematikë shumë të rëndësishme për jetën e krishterë.
Leximet e sotme kanë si qendër të veten realitetin e tundimeve të ndryshme që i Keqi sajon në jetën e besimtarit. Djalli ekziston dhe tundon e, tundimi më dinak i tij, është që t’ua mbushë mendjen njerëzve për mosekzistencën e vet, në mënyrë që ai të mund të veprojë pa u vënë re. Shkrimi Shenjt flet shpesh për djallin dhe për tundimet e tij. Libri i Siracidit, thotë: «Biro, nëse do t’i shërbesh Hyjit, qëndro në drejtësi e në frikë dhe përgatite shpirtin tënd për tundim!»
«Përgatitu për tundim!»: kjo është porosia që Kisha nuk vonon t’ua bëjë atyre që dëshirojnë ta ndjekin Hyjin. Edhe vetë Jezusit në shkreti «iu afrua tunduesi», me qëllim që ta largonte nga qëllimi i Tij shëlbimprurës. Kur djallit i thoshte mendja se mund të tundonte Jezusin, imagjinoni sa më lehtë mendon se mund të na tundojë ne! Mëgjithatë, kjo nuk duhet të jetë arsye frike, por vetëdijësimi.
Mbase e keni pyetur veten ndonjëherë se përse djalli tundon dhe se çfarë kënaqësie gjen ai në këtë veprim? Arsyeja e tundimeve të djallit nuk duhet kërkuar tek urrejtja e tij ndaj nesh, por tek xhelozia dhe urretja që ka ndaj Hyjit. Dëshiron t’i tregojë Hyjit se është më i fortë se Ai. E ka filluar kështu Ferrin e vet dhe ka mbetur në këtë vorbull xhelozie, nga e cila nuk do të dalë më.
Po kënaqësi, a ndjen? Jo, aspak. Në një libër të vetin, Atë Gabriele Amorth, ekzorçist me famë botërore, tregon se një herë po bënte një ekzorçizëm e, gjatë ritit, ai i tha djallit: «Dil prej këtu e shko në Ferr. Atje të presin mundimet e tua!» Por, çuditërisht, djalli i dha këtë përgjigje: «Unë vuaj më shumë këtu, sesa në Ferr.» «Po përse rri këtu atëherë?» – kishte vazhduar ekzorcisti. «Sepse dua të bëj keq.» – ia kishte kthyer djalli. Pra, duke qenë se për shkak të krenarisë se vet, djalli e ka humbur Parajsën, nuk di të bëjë tjetër veçse keq. Prandaj Jezusi e quan pa mëdyshje «I Ligu…, i Keqi…, vrastar njerëzish qysh në fillim…, rrenacak dhe babai i rrenës». Përkufizime të tilla që Biri i Hyjit i ka dhënë për djallin, duhet t’i bëjnë të mendohen fort ata që merren me rite satanike e me magji të tjera, sepse nuk do të dalin kurrë të fituar prej tyre.
Megjithatë, e dimë se djalli vërtet humbi pafajësinë që kishte, por jo inteligjencën e tij. Kjo ngaqë Hyji i jep dhuratat e veta, por nuk i merr më kurrë ato, edhe kur krijesa i përdorë ato për keq. Prandaj duhet ta dimë mirë se djalli ka një inteligjencë shumë më të madhe se e jona. Plus kësaj, ka edhe aftësinë që të ndikojë në fantazinë tonë, sepse është qenie shpirtërore. Vetëm në vullnetin tonë nuk mund të veprojë. Kur Hyji ka zgjedhur të mos ketë pushtet mbi vullnetin tonë, aq më tepër djalli që është vetëm krijesë. E vetmja gjë që mund të bëjmë ne, është që të mos shtrohemi kurrë në bisedime me të, por t’ia mbyllim shtigjet e veprimit. Po hymë në bisedime me të, zor se do të dalim fitimtarë.
Leximi i parë na bën të shohim se si Eva, në fillimet e njerëzimit, bëri pikërisht gabimin e “bisedimeve” me djallin. Ky gabim i saj do të provokonte edhe rënien në mëkat. Për t’i filluar këto bisedime me Evën, djalli nuk përdori gënjeshtrat, por gjysmë të vërtetat: «Vërtet Hyji ju urdhëroi që të mos hani prej asnjë peme të kopshtit?» E Eva ra në kurthin e tij. E dimë të gjithë se si përfundoi ky dialog: frytin e pemës të cilin Eva deri në ato çaste e refuzonte prerazi, pas bisedës me tunduesin ajo filloi ta shihte si «të bukur për t’u parë dhe pemë të dëshirueshme për të fituar dijen». Është rasti kur mëkati tek e fundit, nuk na duket edhe aq i keq. Por «në tundime fiton ai që ia mbath», mësonte me shumë urti shpirtërore Shën Françesku i Salesit. Edhe vetë Krishti, Biri i Hyjit, ka përdorur këtë taktikë të ikjes nga tunduesi, duke ia mbyllur atij gojën me përdorimin e saktë të Shkrimit Shenjt. Me këtë «rrenacak dhe baba të rrenës» Jezusi ka qenë i prerë. Pjesa e sotme e Ungjillit na e përshkruan shumë qartë këtë.
Duke lexuar Ungjillin e sotëm, vëmë re se djalli e tundon Jezusin në lidhje me tri aspekte që mund të jenë shumë të pranishme në jetën tonë të përditshme: e tundon në lidhje me bukën e përditshme, në lidhje me provën nëse Hyji na do apo jo, si edhe në lidhje me idhujtarinë që premton pushtet. Secili prej këtyre lloj tundimesh bëhet i pranishëm në jetën e secilit prej nesh dhe për secilin do të ishte bukur dhe e nevojshme sikur të ndaleshim gjatë e t’i meditonim. Megjithatë mbase është më urgjente të meditojmë mbi taktikat që djalli përdor, sesa mbi përmbajtjen e tundimit në vetvete.
Ungjilli i sotëm na bën të shohim shumë qartë se taktikave të tunduesit u kundërvihen prerazi taktikat e Jezusit. Siç kishte provuar me njerëzit e parë, ashtu edhe me Jezusin, djalli përdor mashtrimin e gjysmë të vërtetave, për të hyrë në “bisedime” me Të: nuk i thotë «Ti nuk je Biri i Hyjit», por «Nëse je Biri i Hyjit, bëj këtë, apo bëj atë.» Por në të gjitha rastet Jezusi ia pret shkurt dhe, ç’është më interesantja, citon gjithnjë Shkrimin Shenjt. Sa metodë e bukur kjo e Jezusit për t’i ikur tundimeve të të Keqit! Personalisht kam bindjen se disa fraza të Shkrimin Shenjt që na kujtohen në çastet e tundimit, disa porosi të ndonjë drejtuesi shpirtëror, ndonjë shprehje e bukur shpirtërore që mund të kemi lexuar apo dëgjuar diku, janë nxitimi i Zotit për të na ardhur në ndihmë që t’i shmangemi kurtheve të të Ligut.
Tundimit të djallit që Jezusi ta siguronte bukën e gojës duke bërë ndonjë mrekulli, mrekulli e cila në atë rast ishte e provokuar nga vënia në krizë e identitetit të Tij prej Biri të Hyjit, Jezusi i përgjigjet me besimin e gjallë që ka në Atin e vet. E këtë e shpreh me fjalët e thjeshta të Shkrimit Shenjt: «Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.» Në të gjitha ato raste ku përkujdesjen për jetën tonë jemi të tunduar ta sigurojmë duke vënë në krizë identitetin tonë prej të krishterësh, mund të përgjigjemi edhe ne me fjalë të tilla feje.
Por duhet të kemi kujdes që Shkrimin e Shenjtë ta citojmë mirë, sepse edhe djalli filloi ta citojë atë, por për qëllime të liga. Pasi e çoi Jezusin në majë të Tempullit, i tha: «Nëse je Biri i Hyjit, hidhu poshtë, sepse Shkrimi Shenjt thotë: “Për ty Hyji do t’u urdhërojë engjëjve të vet dhe ata do të mbajnë para duarsh, që këmba jote të mos vritet në ndonjë gur.”» Me të drejtë disa e kanë quajtur djallin majmuni i Hyjit, në kuptimin që përpiqet gjithnjë të imitojë Hyjin: pasi e vuri re se cila është taktika e Krishtit, atëherë e përdori edhe ai. Por djalli ka harruar se parimi kryesor i Hyjit është dashuria pa kushte. Në këtë rast, sikur Jezusi të hidhej, do të ishte si të thoshte: «Po e bëj provë nëse Ati më do.», gjë e cila do të ishte fyerje ndaj Atit të vet. Si nuk e dashka Ati? Prandaj Jezusi nuk ka ndërmend ta vërë në dyshim dashurinë e Atit e t’i kërkojë Atij ndonjë provë dashurie. Prandaj mashtruesit i përgjigjet: «Porse Shkrimi Shenjtë thotë edhe: “Mos e sprovo Zotin, Hyjin tënd!”». Ky parim i Jezusit, pra parimi i dashurisë së pastër, mëson edhe citimin e saktë të Shkrimit Shenjt.
Djalli pastaj vazhdoi me tundimin e tretë, ku hiqet si i gjithëpushtetshëm. Pasi e çoi në një mal shumë të lartë dhe ia tregoi mbretëritë e kësaj bote, i tha: «Të gjitha këto do t’i jap ty nëse bie përmbys para meje e më adhuron.» Gjithëpushtetësia e djallit është vetëm fasadë, sado e vërtetë që mund të duket. I Gjithëpushtetshmi i vërtetë është vetëm Hyji. Neve na duhet vetëm të jemi të prerë për të mos i besuar asaj fasade të rreme të djallit e të mos e lëkundim besimin e gjallë në Zotin. Pastaj koha vetë do ta vërtetojë se është Zoti ai që e mban dhe e drejton historinë, edhe pse në mes të vështirësive që i shkakton keqpërdorimi i lirisë sonë. «Hyji shkruan drejt në rreshtat e shtrëmbër të njerëzve», predikonte në shekullin XVIII ipeshkvi francez, Jacques Bossuet. Për këtë arsye Jezusi edhe këtu është i prerë: «Ik, o djall, sepse Shkrimi Shenjt thotë: “Adhuro Zotin, Hyjin tënd, dhe shërbeji vetëm Atij!”»
Kështu, pra, me bindjen e prerë bijësore që Jezusi pati ndaj Atit të vet, na u hap edhe neve rruga e shëlbimit: «Vërtetë, sikurse me padëgjesën e njërit mëkatuan të gjithë njerëzit, – thotë Shën Pali sot në Letrën e drejtuar Romakëve, – po ashtu, me dëgjesën e Njërit, të gjithë njerëzit do të bëhen të drejtë». Atyre që janë të pagëzuar dhe katekumenëve që janë në ecje drejt pagëzimit, pra, Kisha u thotë se mund të marrin pjesë edhe ata në fitoren e Krishtit mbi tundimin, por vetëm nëse përvetësojnë edhe ata “taktikën” e dashurisë që vetë Krishti na ka mësuar.
«Atëherë djalli e la dhe ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin.», përfundon Ungjilli i sotëm me atë rreshtin që e cituam që në fillim. Mua personalisht më pëlqen shumë ky rresht, sepse mëson dy gjëra shumë të rëndësishme: E para, është se «djalli e la» Jezusin dhe u largua nga Ai. «Nënshtrohuni Hyjit! Kundërshtoni djallit dhe do të largohet prej jush!», porosit Shën Jakobi (4, 7). Djalli largohet herët a vonë, sepse e ka pushtetin e kufizuar nga Gjithëpushtetësia e vërtetë e Hyjit. E dyta gjë, është se pranë Jezusit, «u afruan engjëjt dhe i shërbenin». «Engjëjt na e kanë lakmi se mund të vuajmë për Hyjin, sepse Hyji e meriton të vuajmë për Të.», thoshtë Shën Piu nga Pietrelçina. Djalli deshi ta mashtronte Jezusin duke i premtuar se engjëjt do të shpejtonin t’i vinin në ndihmë nëse Ai pranonte të hidhej nga maja e tempullit, por Jezusi e dinte se engjëjt janë krijesa të dashura e nuk është e drejtë t’i tundosh e t’i mërzitësh ata me prova të tilla. Engjëjt joshen vetëm nga dashuria që tregojmë për Hyjin. Vetëm në këtë pikë ata mund të na afrohen e të na shërbejnë me lutjet e tyre në dobi të shëlbimit tonë.
Dom Dritan Ndoci