ERDHA NË KËTË BOTË TË BËJ GJYQ.

Categories HomeliPosted on

E DIELA IV E KREZHMËVE – Viti A

1 Sam 16, 1.4.6-7.10-13; Ps 23 (22); Ef 5, 8-14; Gjn 9, 1-41

E pastaj në jetë vjen çasti kur të duhet të përballesh patjetër me dritën e së vërtetës. Vjen çasti kur Zoti të vë përballë një dritë shumë të veçantë, një dritë e cila jo domosdoshmërisht i bën njerëzit që të shohin, por që të verbohen edhe më fort. Është karakteristika më tipike e Krishtit, Dritës së vërtetë të botës, i cili i shfaqet njeriut si në faqet e Ungjillit, ashtu edhe në thellësinë e ndërgjegjes së tij. E, kur kjo dritë bëhet e pranishme, të detyron të mbash qëndrim: ose t’i hapesh asaj, që të shohësh edhe më qartë, ose t’i mbyllesh shkël­qi­mit të saj, për t’u verbuar kështu edhe më fort. Janë të shumta faqet e Ungjillit që na e shtjellojnë këtë të vërtetë, por pjesa e sotme ungji­llore duket sikur merret vetëm me këtë çështje: «Erdha në këtë botë të bëj gjyq: që të shohin ata që janë të verbër e të verbohen ata që shohin.», thotë Jezusi. Ky «gjyq» i ashpër këtu na tregohet jo teorikisht, por me një histori konkrete; me një histori ku personazhet që përfshihen në të, janë të gjithë të detyruar që të mbajnë qëndrime e të marrin vendime përballë kësaj Drite që është Jezusi.

Të parëve që u duhej të mbanin qëndrim e të merrnin vendimin, nëse lejonin përvujtërisht të shndriteshin nga Jezusi, qenë apostujt të cilët, përballë të verbërit që kishte lindur i tillë, i bënë Jezusit atë pyetjen që njerëzit e kanë zakon ta bëjnë shpesh në këso ras­tesh: «Rabbi, kush mëkatoi, ky apo prindërit e tij, që lindi i verbër?» Jezusi do t’i korrigjojë qetësisht: «Nuk mëkatoi as ky as prindërit e tij, por ndodhi kështu që në të të dëftohen veprat e Hyjit.» Çdo vuajtje në këtë botë është e mbështjellë me një mister, njohjen e të cilit e zotëron vetëm i Gjithëpushtetshmi. Njeriut i duhet vetëm që, me plot dashuri ndaj Hyjit të vet e ndaj njeriut-vëlla që po vuan, të vihet në kërkim të këtij plani të mistershëm e, ndërkohë, të vihet edhe në shërbim dashurie. «Këtu, misteri i vuajtjes shndritet nga misteri i dashurisë.», tha Papa Gjon Pali II kur vizitoi në Kalkutë njërën prej shtëpive të të sëmurëve që kishte themeluar Nënë Tereza.

Së pari, na duhet të vëmë re në Ungjillin e sotëm se Jezusi nuk e shëron këtë të verbër prej asgjëje, pa bashkëpunimin e tij, por i kërkon atij besim në fjalën e Tij, duke i thënë, pasi ia kishte lyer sytë me baltë: «Shko e lahu në banjën Siloam!» Balta të kujton krijimin e Adamit prej dheut të tokës në fillimin e botës. Duke përsëritur gjestet e Krijuesit, Jezusi po i sfidonte ata që i rrinin përreth, duke i ftuar në besueshmëri ndaj Personit të Tij, ndaj një Hyji të veshur plot e përplot me përvujtëri.

E, pasi ndodhi shërimi i të verbërit, skena, në dukje e qetë e plot ëmbëlsi, mori shumë shpejt ngjyra e dinamika nga më të ndryshmet. Reagimet e atyre që janë të pranishëm në një mrekulli të tillë, janë nga më të çuditshmit. Ka prej atyre që nuk vonojnë të thonë deri edhe se ai njeri nuk ishte i verbëri i vërtetë që ishin mësuar të shinin gjithnjë, por ishte «një që i përngjan atij».

Nuk e di a do të kisha dashur të isha atë ditë aty: nga njëra anë ndoshta kjo mrekulli do të ma kishte shtuar afrimin tim me Jezusin, por nuk e di nëse edhe unë do të kisha qenë jashtëzakonisht i aftë për të gjetur shpjegime të tjera për atë që ndodhi. Duhet të dimë mirë, madje ta dimë shumë mirë, se mrekullitë nuk është e thënë se i kthejnë gjithnjë njerëzit kah Zoti. Është e vërtetë se shpeshherë mrekullitë e shtojnë fenë e disave, por është e vërtetë edhe krejt e kundërta. Mrekullitë janë si puna e erës në lidhje me një varkë: nëse varka i ka velat e hapura, atëherë era ka çfarë të shtyjë, por nëse jo, era nuk mund të bëjë asgjë. Ashtu edhe mrekullia: nëse njeriu i ka hapur “velat” e ndërgjegjes së vet për ta kërkuar të vërtetën e për ta pranuar atë përvujtësisht, atëherë mrekullia thjesht do ta shtyjë atë me forcë në këtë proces kërkimi. Por, nëse në ndërgjegjen e tij, njeriu nuk e kalit vetveten në kërkimin e së vërtetës, atëherë shumë shpejt edhe ai do të jetë i aftë të gjejë shpjegime e justifikime nga më të ndryshmet për mrekullitë që mund t’i ndodhin në jetë. Hyji kthen mëkatarët, por jo kokëfortët. Ka shumë mëkatarë që janë të tillë nga padija e jo ngaqë zgjedhin të jenë të tillë. Gabojmë nëse e krahasojmë Shën Palin, para se të kthehej, me farisenjtë e kryepriftërinjtë që përmenden sot në Ungjill. «Veproja nga padija.», shpjegonte Shën Pali kur fliste për gjendjen e tij të dikurshme prej përndjekësi të të krishterëve (1 Tim 1, 13). Kur Sauli (Shën Pali) do të dëgjonte zërin e Jezusit, do të kthehej, kurse farisenjtë e Ungjillit të sotëm, përballë mrekullisë së qartë, gjetën shpjegime të tjera. Sa keq është kur heqim dorë nga kërkimi i së vërtetës!

Mendoj se ky është shpjegimi i vetëm që mund t’i jepet faktit që paria e farisenjve nuk e pranuan mrekullinë e shërimit të të verbërit. Madje arritën të gjenin edhe justifikimin teologjik për të thënë se ai shërim nuk ishte vepër e Hyjit: Jezusi nuk kishte respektuar pushi­min e së shtunës kur kishte marrë në duar baltën me të cilën i kishte shëruar sytë të verbërit. Na ruajttë Zoti nga teologët që hiqen më teologë se vetë Zoti.

Pastaj u është dashur edhe prindërve të të shëruarit që të mbanin qëndrim përballë mrekullisë së shërimit të djalit të tyre. Ata publikisht e pranojnë se i shëruari është i biri i tyre që u kishte lindur i verbër, por nuk pranojnë të shtyhen më tutje për shkak të frikës së judenjve, të cilët kishin dhënë urdhër të përjashtohej nga sinagoga kushdo që e pranonte Jezusin për Mesi. Është si të kërcënohej një i krishterë me shkishërim.

Por qëndrimin më prekës e mbajti vetë i shëruari. Ai nuk pranoi kurrësesi ta mohonte apo ta zbehte origjinën e shërimit të tij. E pohonte publikisht para popullit të thjeshtë që e rrethonte dhe vazhdoi ta pohonte atë edhe në “gjyqin” që farisenjtë shpejt e shpejt improvizuan kundër tij. Kur farisenjtë deshën t’ia impononin që ta pranonte se Jezusi kishte mëkatuar kur kishte marrë baltën në duar, ai u përgjigj prerazi: «A është mëkatar s’e di: një gjë e di: kam qenë i verbër e tani shoh.» Madje kur ata fillojnë ta fyejnë, ai sikur merr jetë edhe më shumë. «Kur janë të ndëshkuar, gëzohen, thuajse po marrin jetë.», thoshte për të krishterët në shekullin e dytë autori i Letrës së drejtuar Dionjetos. Po, «i krishterë» kishte filluar të bëhej tani i shërua­ri. Farisenjtë e kishin hetuar këtë, prandaj i thanë: «Ti je nxënës i tij.» Drita e syve që kishte marrë, i kishte hapur një dritë tjetër në shpirt: dritën e besimit në Personin e Jezusit si Biri i Hyjit. I krishteri është pikërisht një i tillë.

Prandaj, përballë përçmimit plot krenari të farisenjve që i thonë «Ne e dimë se Hyji ka folur me Moisiun e për këtë nuk dimë as prej kah është.»  ai, si për ta ndezur me dashje edhe më fort tërbimin e tyre, u përgjigjet: «Shi kjo është e çuditshme: ju s’dini as prej kah është e mua më dha dritën e syve!… Po të mos ishte ky njeri prej Hyjit, s’do të mund të bënte asgjë.» Farisenjtë e tërbuar përballë një përgjigjeje të tillë çarmatuese, nuk arrijnë të bëjnë gjë tjetër veçse ta qesin përjashta me arrogancë. Arroganca përballë mrekullisë së ndodhur, shpreh vendimin për të mos iu hapur së vërtetës. Të gjithë ata që duan t’i mbrojnë idetë e tyre me arrogancë, me tallje, me shpërfillje e me dhunë (qoftë ajo edhe vetëm verbale), janë të ngjashëm me këta farisenj të verbuar në shpirt.

Pasi të shëruarin e qitën përjashta, atëherë Jezusi, edhe Ai i përjashtuari nga të mëdhenjtë e kësaj bote, mori vendimin që t’i dilte atij përpara e t’i thoshte, si për ta verifikuar nëse kishte ndodhur apo jo shërimi i vërtetë i shpirtit të tij: «A beson ti në Birin e njeriut?» «Biri i njeriut» ishte njëri prej titujve që Besëlidhja e Vjetër i jepte Atij të cilin e prisnin si Mesinë e premtuar. E i shëruari e shpalli me shumë bindje fenë e tij tashmë të pjekur «Besoj, o Zot.» dhe ra përmbys para Jezusit. Drita e Jezusit e kishte prekur shpirtin e tij dhe tani ai bie përmbys para Jezusit, si për t’i thënë se është krejtësisht i tiji. Një ecje e mundimshme ajo e tij, që u desh të piqej edhe më fort nga kundërshtimi e arroganca e të mëdhenjve të kësaj bote, por që u bë një ecje e vërtetë feje, një ecje drejt dritës.

I krishteri nuk mund ta shohë ndryshe veten pëveçse në këtë prizëm: një ecje drejt Dritës që është Krishti, me qëllimin që të bëhet një gjë e vetme me Të. Në leximin e dytë, Shën Pali, i thellë si gjithnjë, u thotë të krishterëve të Efesit: «Vëllezër, dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotërinë.» Nuk u thotë «ishit në errësirë,… jeni në dritë», por «ishit errësirë,… jeni dritë». E heq atë «në», sepse të pagëzuarit janë bërë një me Krishtin-Dritë. «Deri sa të jem në botë, jam drita e botës.», thotë Jezusi në Ungjillin e sotëm. Kështu, duke u bashkuar me Krishtin, të krishterët bëhen edhe ata vetë dritë e botës dhe i pështjellojnë edhe më shumë të “fortët” e botës. E, gjithë këtë, e bëjnë me të vetmen “armë” të cilën askush nuk mund t’ua marrë: faktin se Krishtin e kanë takuar në jetën e tyre dhe e kanë përjetuar shërimin e syve të shpirtit që Ai u ka sjellë.

Tek «shërimi i syve të shpirtit» janë përqendruar të krishterët. Në fund të fundit, tek shpirti i njeriut janë përqendruar edhe sytë e vetë Hyjit: «Mos shiko fytyrën e tij dhe lartësinë e shtatit të tij, sepse e kam përjashtuar! Unë nuk gjykoj sipas pamjes së njerëzve: njeriu sheh çka duket përjashta, kurse Zoti vëren zemrën.», dëgjuam se Zoti i thoshte Samuelit profet në leximin e parë.

Vjen çasti, pra, kur çdo njeriu i kërkohet të vendosë se me çfarë sysh dëshiron ta shohë vetveten, tjetrin, botën dhe Hyjin. «Erdha në këtë botë të bëj gjyq.», dëgjuam se thoshte Jezusi në Ungjillin e sotëm: kjo sepse, herët a vonë, në një mënyrë apo në një tjetër, Hyji i del përballë njeriut dhe e “detyron” atë të vendosë që të mbajë qëndrim.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *