E DIELA E LARIT – Viti A
Is 50, 4-7; Ps 22 (21); Fil 2, 6-11; Mt 26, 14 – 27, 66.
Heshtja që gjithnjë karakterizon bashkësinë e krishterë gjatë dëgjimin të shpalljes së pjesës shumë të gjatë ungjillore në të Dielën e Larit dhe në të Premten e Madhe, është ndër gjërat që besoj do të prekte në shpirt këdo që, ta zëmë, do të vinte në kishë ato ditë thjesht për të parë. Ngjan me një heshtje që përçohet nga njëri person tek tjetri, një heshtje që nuk imponohet nga asgjë tjetër përveçse nga një ndjesi respekti e dashurie që zgjohet ëmbëlsisht në shpirtin e besimtarit. Respekt e dashuri ndaj asaj që po dëgjon, sepse po dëgjon të flitet në mënyrë të plotë për ngjarjen më të paimagjinueshme që mund të dëgjohet: për mundimet dhe vdekjen e Birit të Hyjit të bërë Njeri.
Fryma që zgjon në ne shpallja e mundimeve dhe vdekjes së Jezu Krishtit na e përshkon thellë shpirtin e na bën të gjejmë brenda nesh diçka që gati-gati e kishim harruar: se, të duash, është gjëja më e mrekullueshme në botë. Qoftë edhe kur bëhet fjalë të duam armikun. Kjo ndjesi që lind gati si “vjedhurazi” dhe, si pa e vënë re, gjatë këtyre çasteve na e kujton ëmbëlsisht edhe një herë se kemi qenë krijuar në përngjasimin e Hyjit, pikërisht të këtij Hyji që pranoi të përulej kështu. “Dashurohemi” edhe ne me këtë Jezus. E, në fakt, ky lloj “dashurimi” na bën shenjtër. Me këtë Jezus u dashuruan shenjtërit e shenjtëreshat, të cilët e shkrinë jetën e tyre për Të, pa asnjë ngurrim. Bota nuk e njeh këtë zjarr dashurimi që vlonte në shpirtin e tyre. Jezusi i dashur, i butë, i ëmbël edhe kundrejt atyre që po e tallnin, qortues, por jo me urrejtje e hakmarrje, Jezusi që i lutet Atit për ata që e kanë kryqëzuar, Jezusi i mbuluar me dhimbje që lëshon britma në kryq, por jo për të nemur: Ky ua ka “vjedhur” zemrën shenjtërve.
Kisha jonë në Shqipëri (por edhe ajo e mbarë botës) nuk ka shumë që u pasurua me Lumnimin e 38 Martirëve që dhanë jetën për Krishtin në Shqipëri. Është folur shumë këto kohët e fundit për ta e ndoshta nuk duam më të dëgjojmë historitë e tyre, sepse jetojmë në kulturën e “shpejt e shpejt” dhe “lexo e harro”. Prandaj ndoshta edhe jetët e tyre duam t’i kalojmë me një të prekur të gishtit, siç kalojmë materialet që lexojmë në celularët tanë. Por ishte dashur të mendonim ndonjëherë se edhe ata ishin njerëz si ne, me mish e me gjak, me ideale e me ëndrra. E, prapëseprapë, ata zgjodhën që t’i shkrinin të gjitha këto për Krishtin. Madje, si Krishti, edhe ata zgjodhën të shprehin fjalë faljeje e dashurie ndaj përndjekësve të vet, si për t’u treguar të gjithëve, vrasësve të vet pikësëpari, se ekziston një rrugë dashurie e pamasë, të cilën vetëm Krishti ia ka mësuar botës.
I Lumi Mark Çuni, seminarist, tha këto fjalë pak para se plumbat t’ia shporonin për vdekje trupin e tij 27-vjeçar: «I fali t’gjithë ata që m’kanë gjykue, dënue e edhe ata që do t’më ekzekutojnë. Rrnoftë Krishti Mbret! Rrnoftë Shqipnija!» E si ai, ishin të shumtë Martirët që shqiptuan fjalë të tilla. Kush ua mësoi? Jezu Krishti. Këta njerëz u bënë një me Krishtin, të cilin e deshën mbi çdo gjë. U bënë si Ai këtu në tokë e prandaj e besojmë me plot bindje se tashmë janë bashkëtrashëgimtarë të Lumnisë së Krishtit në Parriz.
«Zoti Hyj ma hapi veshin, s’kundërshtova, nuk u sprapsa. Shpinën ua solla atyre që më rrahnin» – kishte profetizuar Isaia në lidhje me atë që do të bënte Mesia kur të vinte. Shën Pali në leximin e dytë shpjegon se si kjo profeci u realizua në Krishtin Zot, i cili «mori natyrën e shërbëtorit»: «e përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq.» «I dëgjueshëm»: po, kjo është fjala kyçe. Rebeli i madh ndaj Hyjit, armiku i vjetër, Satani, djalli, e humbi pamjen e fytyrës së Zotit dhe shijimin e lumnisë së jetës me Të për shkak të krenarisë së vet e, pastaj, shkoi e i mësoi edhe njeriut se si të çohej kundër Zotit të vet. I mësoi njeriut mosbindjen ndaj Hyjit e kështu mëkati e plasariti rëndë lidhjen e Hyjit me njerëzimin.
Prandaj, duke qenë se helmi i mëkatit hyri në botë për shkak të mosbindjes së njeriut ndaj Hyjit, atëherë kundërhelmi duhej të ishte pikërisht «përulja», «dëgjesa» ndaj Hyjit. Na duhet të mësojmë edhe ne nga Jezusi e të jemi të dëgjueshëm ndaj vullnetit të Atit tonë qiellor, vullnet të cilit Jezusi iu përul deri në fund, «duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq».
Prandaj na prek ky tregim i mundimeve të Krishtit, sepse na bën ta shohim në çdo rresht se sa shumë dashuri Jezusi kishte ndaj Atit të vet e, si pasojë, edhe ndaj njeriut.
Shenjtërit e sidomos Martirët që vdiqën duke i falur edhe ata si Jezusi armiqtë e tyre, na bëjnë të kemi shumë kujdes kur tundohemi të themi: «Epo, Jezusi ishte Zot, prandaj donte dhe falte aq shumë.» Kur edhe ne do të na e ketë “vjedhur” zemrën ky Jezus, atëherë edhe ne do të mund të shndërrohemi e të bëhemi si Ai, siç u ndodhi shenjtërve.
Lari, palmat apo ulliri që mbajmë në dorë sot, nuk janë diçka magjike, por simbolizojnë fitoren e dashurisë së Krishtit mbi botën, pikërisht me anë të faljes dhe të dashurisë. E tërë kjo Javë e Madhe që po fillojmë sot, do të na zhysë edhe një herë në humnerën e mrekullueshme të dashurisë së Jezusit për ne. Darka e fundit e Jezusit me nxënësit e tij, tradhtia e Judës të cilin Jezusi prapëseprapë e quajti «Mik» kur po planifikonte ta tradhëtonte, arrestimi i padrejtë i Jezusit, tallja ndaj Tij, gjyqi i bazuar mbi shpifje e hipokrizi, mundimi e vdekja e dhimbshme e Jezusit: të gjitha do të na kujtohen edhe këtë vit nga liturgjia e shenjtë dhe do të na ftojnë ta lëmë veten të dashurohemi edhe ne si shenjtërit me këtë Jezus të dashur.
Lari, ulliri apo palmat që mbajmë në duar, ishte dashur të simbolizonin edhe fitoren tonë, bashkë me Krishtin. Por kjo varet nga sa e kemi lënë veten të mësojmë e të prekemi nga përvujtëria e dëgjesa e Tij.
Dom Dritan Ndoci