ZURI VEND MIDIS TYRE.

Categories HomeliPosted on

E DIELA II E PASHKËS – MËSHIRA HYJNORE – Viti A

Vap 2, 42-47; Ps 118 (117); 1 Pjt 1, 3-9; Gjn 20, 19-31

Pyetjes se cila është dhurata e parë e Jezusit të Ngjallur, pothuajse të gjithë i përgjigjen gabim. Të gjithë thonë: «Paqja», duke qenë se fjala e parë që Jezusi i Ngjallur u thotë apostujve, është «Paqja me ju!». Por kjo është fjala e parë, jo gjesti i parë. Gjesti i parë që Jezusi bën në mbrëmjen e ditës kur Ai, i Ngjallur, u shfaqet apostujve, tregohet nga ky rresht: «… erdhi Jezusi, zuri vend në midis tyre dhe u tha…». Pra, para se të fillojë të flasë me gojë, Jezusi flet me trupin e Tij. Ungjilli nuk thotë: «erdhi Jezusi dhe tha…», por me dashje tregon edhe gjestin që bën para se të flasë: «zuri vend midis tyre».

Mund ta imagjinojmë skenën sa tronditëse, aq edhe të mbushur me gjallëri për zemrat e apostujve të frikësuar e të trishtuar: Jezusi u shfaqet dhe, pa folur asnjë fjalë, shkon e zë vend në mes të tyre. E gjithë kjo skenë shoqërohet nga shikimet patjetër të zgurdulluara të dhjetë apostujve aty të pranishëm. Si pasojë, kur Jezusi gjendet në mesin e tyre, bën që sytë e tyre të kenë një pikë të përbashkët shikimi. Jo një pikë të përbashkët diku përballë të gjithëve, por në mesin e një rrethi (mbase pak të çrregullt) njerëzish. E gjithë kjo na mëson se dhurata e parë që i Ngjalluri u jep atyre është pikërisht BASHKËSIA. Krijon bashkësinë, atë bashkësi të cilën, pastaj, do ta forcojë e do ta mbajë me paqen e tij («Paqja me ju!») dhe me fuqinë e Shpirtit Shenjt («Merrni Shpirtin Shenjt!»). Kësaj bashkësie të brishtë, por të krijuar prej tij, Ai pastaj i jep edhe pushtetin që të falë, apo të mos falë, mëkatet: në një botë të mbushur me egoizëm e materializëm, Jezusi krijon këtë bashkësi (Kishën e tij) për t’i lënë botës udhën e vetme në të cilën mund të takojë të Ngjallurin dhe ku mund të fitojë faljen e mëkateve.

Në leximin e parë dëgjuam një pjesë shumë të bukur të shkëputur nga Veprat e Apostujve, në të cilën përblidhet në fare pak rreshta jeta e bashkësisë së parë të krishterë. Flitet aty për një bashkim e dashuri të pashoqe që mbizotëronte në mes të apostujve dhe të të krishterëve të parë: «Të gjithë ata që besuan, qëndronin së bashku dhe gjithçka kishin të përbashkët.» Bashkëndarja arrinte deri aty saqë ata «shitnin prona e pasuri që kishin dhe ua ndanin të gjithëve si kush kishte nevojë». Bashkoheshin rregullisht në lutje e në «ndarje të bukës», pra në kremtimin e Eukaristisë. E pasoja e mrekullueshme ishte se «… mbarë populli i kishte fort për hir». Tertuliani, njëri prej etërve të Kishës që jetoi mes shekujve të dytë e të tretë, dëshmon se paganët thoshin plot admirim për të krishterët: «Shihni se sa fort e duan njëri-tjetrin!». Kjo do të thotë se, kur bashkësia e krishterë është realisht e tillë, pra e bashkuar përreth Krishtit të Ngjallur, nuk mund të kalojë pa u vënë re nga bota. «M’i jepni dhjetë njerëz krejtësisht të shkëputur nga vetvetja për dashuri të Krishtit e unë me ta do të shndërroj botën.», thoshte Shën Filip Neri në shekullin XVI, i vetëdijshëm për forcën e papërmbajtshme që fsheh në vetvete një bashkësi e tillë.

E, në fakt, fiks dhjetë ishin apostujt atë mbrëmje. Mungonin dy prej tyre: Juda, i munduar nga trishtimi për tradhëtinë e bërë kundër Jezusit, bëri vetëvrasje, kurse Toma apostull nuk dihet pse, por atë ditë mungonte. E, kur apostuj e tjerë i thanë se e kishin parë Jezusin e Ngjallur, ai nuk u kishte besuar: «Pa e parë në duart e tij vragën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdave; pa e shtjerë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.» Prandaj, pikërisht për ta forcuar këtë bashkësi fillestare, Jezusi vendosi t’i shfaqej edhe një herë aspostujve tetë ditë pas asaj shfaqjeje të parë.

Toma ka kaluar gabimisht në histori si një njeri dyshues: «Je si Sh’Toma!», është bërë edhe si punë shprehjeje që u themi atyre që nuk besojnë pa parë. Por, në fakt, Toma apostull ishte njeri shumë i vendosur. Në Ungjillin e Gjonit thuhet se, kur Jezusi vendosi të kthehej përsëri në Jude dhe se disa apostuj ia kundërshtuan këtë vendim duke ia kujtuar se para pak kohësh judenjtë kishin tentuar ta vrisnin, Toma reagoi prerazi: «Të shkojmë edhe ne të vdesim bashkë me të!»

Ai është i gatshëm ta jepte jetën për Jezusin, por dëshironte të sigurohej për Ngjalljen e Tij e kjo është një sfidë të cilën Jezusi duket sikur e pranon. Ose më saktë: Jezusi përfiton nga kjo lëkundje e njërit prej aspotujve, për të dhënë një mësim që do t’i shërbejë Kishës së shekujve në vazhdim. Kështu pra, tetë ditë pas së shfaqurës së parë, Jezusi u shfaqet përsëri apostujve dhe përsëri bën të njëjtin gjest bashkimi dhe përsëri u dhuron paqen. Pastaj fton Tomën që t’ia prekë plagët e Tij. “Rastësisht” Toma është bërë shkaku që neve të na tregohet se Jezusi kishte edhe pas Ngjalljes shenjat e gozhdave që i kishin shporuar duart e këmbët dhe se kishte edhe kraharorin ende të shporuar. Është e vetmja pjesë e Shkrimit Shenjt që na e tregon këtë.

«Zotëria im dhe Hyji im!», thotë Toma, i prekur thellë në shpirt, kur e prek Jezusin dhe plagët e Tij, i bindur tashmë se ka përballë po atë Jezus që para pak ditësh e kishte parë të kryqëzuar. E Jezusi i thotë: «[Tomë] pse po më sheh, po beson? Lum ata që nuk panë e besojnë!». Ky nuk është qortim, por ftesë për t’u rritur edhe më shumë në fe. E është një ftesë që i bëhet të krishterëve të të gjitha kohëve. Shën Pjetri në leximin e dytë u thotë të krishterëve të parë plot gëzim: «Atë e doni edhe pse nuk e patë, në Atë besoni edhe pse ende nuk e shihni.» Me Krishtin e Ngjallur na lidhin jo shqisat e trupit, por fuqia e fesë së gjallë.

Megjithatë, nuk besoj se është e drejtë të ngutemi e të dalim në përfundimin se Jezusi dashka që popujt t’i afrohen Atij pa kurrfarë “prove”. Përvoja vetë e tregon se, të gjithë ata që dëshmojnë se besojnë në Krishtin, nuk mund të rrijnë pa pohuar edhe se nuk besojnë vetëm ngaqë kështu u është mësuar nga të tjerët, por edhe ngaqë edhe ata vetë e kanë ndjerë forcën e Krishtit të Ngjallur në jetën e tyre. E, këta njerëz, nuk ka asgjë në botë që t’i tundë nga kjo bindje. As provat më të thekta të jetës, as shkandujt më të rëndë, as përndjekjet më mizore. Efektet e Ngjalljes së Krishtit nuk janë shuar e nuk kanë për t’u shuar kurrë, por vazhdojnë ende në histori e do të vazhdojnë deri në fundin e kohëve. Por duke thënë «Lum ata që nuk panë e besojnë!» Jezusi e fton Tomën dhe ne që të mos përdorim vetëm sytë e trupit për të parë efektet e Ngjalljes së Tij, por të dimë të lexojmë shenjat e kohës e të kapim me sytë e shpirtit tonë praninë e Tij në mes nesh.

Tashmë është bërë “zyrtare” në Kishë që në këtë të diel të dytë të Pashkës të përkujtohet Mëshira Hyjnore. Vetë Jezusi, duke iu shfaqur Shenjtës Faustina Kovalskës në vitin 1931 në Poloni, i kërkoi asaj që Kisha ta caktonte zyrtarisht një gjë të tillë. Jezusi i kërkoi që të punohej ajo fugurja e famshme e Mëshirës Hyjnore të cilën të gjithë e njohim. Pastaj Jezusi i kërkoi edhe që në mbarë botën të flitej në këtë ditë për Mëshirën e pakufi që Hyji ka ndaj njerëzimit. Jezusi ka dashur kështu të na e bëjë edhe më të qartë se krijimi i bashkësisë, dhurata e Paqes, dhënia e Shpirtit Shenjt, pushteti i dhënë Kishës për të zgjidhur apo jo mëkatet, takimi i Tij me ata që janë ende në kërkimin e Tij si Toma dhe vazhdimi i efekteve të Ngjalljes së Tij, janë të mundura vetëm falë Mëshirës së Tij të pakufi. Asgjë nuk do të mund të na nxjerrë nga Zemra e Tij e dashur që është shporuar në kryq për ne.

Prandaj, për ta ftuar njeriun të ketë besim në Mëshirën e Tij, një herë Jezusi i kishte thënë Shenjtes Faustinë: «Më kënaqin shpirtrat që e kërkojnë mëshirën time. Këtyre shpirtra u jap shumë më shumë mëshirë, sesa ata vetë më kërkojnë. As mëkatarin më të madh unë nuk mund ta ndëshkoj, nësi ai i drejtohet mëshirës sime.»

Ditën kur u Ngjall, Jezusi do të mund të qëndronte përballë apostujve që e braktisën dhe të paktën t’u thoshte: «Ku ishit ju? Pse më latë vetëm? A nuk ju pata thënë?» Por jo, Ai e anashkaloi brishtësitë e tyre dhe «zuri vend në midis të tyre dhe u tha: “Paqja me ju!”». Mëshira Hyjnore ishte përpara syve të tyre. Po u fliste dhe po zbrazej mbi ta. Shenjtes polake që përmendëm më sipër, Jezusi i thoshte: «Oh, sa më djeg zjarri i mëshirës sime dhe dëshiroj që ta zbraz atë mbi shpirtrat e njerëzimit! E çfarë dhimbjeje më japin ata kur nuk e pranojnë mëshirën time!»

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *