MBAJTJA E URDHËRIMEVE DHE SHPIRTI I SË VËRTETËS

Categories HomeliPosted on

E DIELA VI E PASHKËS – Viti A

Vap 8, 5-8. 14-17; Ps 66 (65); 1 Pjt 3, 15-18; Gjn 14, 15-21

«Pasi që shpirti hyn në këtë dhomë, përmes një pamjeje intelektuale, të tre Personat e të Shenjtërueshmes Trini i dëftohen falë një farë shpalosjeje të së vërtetës, si shkreptima e një zjarri që e pushton menjëherë shpirtin si një re plot shkëlqim. Tre Personat shihen qartas dhe shpirti, falë një njohje të mrekullueshme që i jepet, e kupton me një siguri absolute se të tre janë të Njëqënshëm, se janë një pushtet i vetëm, një dije e vetme, një Hyj i vetëm. E kështu, atë që e besojmë në saje të fesë, këtu shpirti e përcepton, mund të themi, me pamje, edhe pse nuk shihet asgjë as me sytë e trupit e as me sytë e shpirtit, sespe nuk bëhet fjalë për një pamje imagjinare. Atëherë të tre Personat Hyjnorë ndikohen në shpirt, i flasin atij, e bëjnë të kuptojë ato fjalët e thëna nga Zoti në Ungjill: se Ai do të vijë, së bashku me Atin e me Shpirtin Shenjt, për të banuar në shpirtin që e do dhe që i mban urdhërimet e tij.»

Janë këto fjalët e famshme në botën e mistikës të shkruara nga Shenjtja Terezë e Avilës në librin e saj të njohur «Kështjella e brend­shme», në të cilin ajo përshkruan ecjen e madhe që i duhet të bëjë një shpirt (çdo etapë të ecjes ajo e quan dhomë) për të hyrë në intimitet me Zotin e vet. Fjalët e cituara më sipër janë një pjesë e përshkrimit të çastit kur shpirti bashkohet plotësisht (dhoma e shtatë), qysh në këtë jetë, me Hyjin e vet. E të bën përshtypje në këto rreshta qartësia, thjeshtësia dhe bukuria me të cilën shenjtëresha arrin të përshkruajë gjëra të cilat pothuajse të gjithë jemi të prirur t’i mbajmë si të papërshkrueshme. Shenjtja Terezë këtu na bën ta shohim të realizuar atë që thotë Jezusi në pjesën e sotme ungjillore: «Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë: Shpirtin e së vërtetës, që bota s’mund ta marrë, sepse nuk e sheh e nuk e njeh. Ju e njihni, sepse Ai banon me ju e është në ju.» Përvojat e shenjtërve na bëjnë të kuptojmë se asnjë nga fjalët e Krishtit në Ungjill nuk janë thënë sa për t’u thënë.

Vetëm tani mund ta imagjinojmë se me sa realizëm Jezusi po fliste në secilën prej këtyre germave që po shqiptonte. Nëse neve do të vazhdojnë të na duken fjalë të ftohta, apo shprehje thjesht “simbolike”, gabojmë, sepse shenjtërve nuk u janë dukur ashtu. «Mes librit të Ungjillit dhe shenjtërve gjendet i gjithë ndryshimi që gjejmë mes muzikës së shkruar dhe muzikës së kënduar.», thoshte me qartësinë që e karakterizonte Shën Françesku i Salesit.

Jezusi, kur po i fliste ato fjalë, nënkuptonte një përfshirje të plotë të dishepujve të vet në jetën e së Shenjtërueshmes Trini. «Hyji kaq shumë fliste gjuhën e njeriut, derisa Ai vetë u bë Njeri, në mënyrë që njeriu, duke folur vazhdimisht gjuhën e Hyjit, të bëhet Hyj.», thoshte Shën Ireneu në shkrimet e veta, i vetëdijshëm se ata që vërtetë besojnë në Krishtin, zhyten në këtë përqafim dashurie që ndodhë në mes të Tre Personave Hyjnorë. Kuptohet se me këtë nuk duhet të mendojmë se edhe ne bëhemi ndonjëri prej Personave Hyjnorë: ata janë Tre e aq do të mbeten gjithnjë, por feja e gjallë na mëson se besimtari arrin ta përvetësojë në përsosmëri dashurinë ndërtri­nitare.

Këtë “punë” zhytjeje në përqafimin e dashurisë që Personat Hyjnorë kanë me Njëri-Tjetrin, e bën kryesisht veprimi i Shpirtit Shenjt. Jezusi në Ungjill sot e quan «Mbrojtës» dhe «Shpirti i së Vërtetës». Janë terma që tregojnë llojin e veprimtarisë së Shpirtit Shenjt. Ai do t’i mbrojë dishepujt e Jezusit nga gabimi, nga egoizmi e nga mashtrimet e djallit. Gjithashtu Ai do t’i drejtojë ata drejt njohjes së të Vërtetës. Në Ungjillin e së dielës së kaluar, Jezusi thoshte: «Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta.» Pra, Shpirti Shenjt do t’i ndihmojë nxënësit ta njohin gjithnjë e më mirë Jezusin, i cili është «e Vërteta». Disa autorë shpirtërorë të kishës së hershme më të drejtë e krahasonin Shpirtin Shenjt me një ikonograf, sepse Ai, me frymëzimet, ndihmën dhe me mbrojtjen e tij, “skicon” pak nga pak në ne fytyrën e Jezusit.

Vetëm tani mund ta kuptojmë madhështinë e leximeve të tjera që dëgjuam sot. Në leximin e parë flitet për Filipin diakon, i cili shkon ta predikojë Ungjillin në një qytet të Samarisë, në Mesinë, dhe thuhet se «turmat ua vinin veshin me kujdes mësimeve të tija, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat e mrekullueshme që bënte». E mrekullitë ishin këto: «Prej shumë të djallosurish dilnin shpirtrat e ndytë duke bërtitur me zë të madh (ku është Shpirti i Zotit, ikën shpirti i ndytë), shëroheshin shumë të paralizuar e të çalë (Shpirti Shenjt po përsëriste në Filipin veprat e Jezusit) dhe u bë gëzim i madh në atë qytet (Shpirti Shenjt sjell «gëzimin e plotë» të cilin Krishti ua kishte premtuar nxënësve të vet)». Atëherë, pasi vetë Shpirti Shenjt e kishte përga­titur terrenin, vijnë apostujt dhe ua japin dhuratën e Shpirtit Shenjt të gjithë atyre që besuan në Emrin e Jezusit.

Në leximin e dytë, Shën Pjetri, i mbushur tashmë me Shpirtin Shenjt, fillon të mësojë se si të gjithë ne mund të lejojmë që Shpirti i së Vërtetës ta skicojë në ne fytyrën e Jezusit: «Jini gjithmonë të gatshëm t’i jepni përgjigje gjithsecilit që prej jush kërkon arsyen e shpresës që është në ju, por me butësi dhe nderim të duhur, me ndërgjegje të mirë, në mënyrë që ata, që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, shi në atë pikë, në të cilën juve ju shpifin, të mbesin të turpëruar!».

Kush janë «ata që flasin keq për ju»? Janë “bota”, term ky me të cilin Bibla nënkupton atë realitet që është kundër vullnesës së Hyjit. Edhe Jezusi e përmend këtë term në Ungjillin e sotëm: «Shpirtin e së Vërtetës, që bota s’mund ta marrë, sepse nuk e sheh as nuk e njeh». Termi “bota” nuk nënkupton ato realitete njerëzore ku Jezusi nuk njihet ngaqë askush nuk ua ka predikuar, por ato ku Jezusi kundërshtohet sistematikisht. Nënkupton ata njerëz që nuk duan t’i hapen Fjalës së Zotit e as të vërtetave dhe vlerave të cilat ndërgjegjja njerëzore i mëson. Këta njerëz janë “bota” që nuk mund ta marrë Shpirtin e së Vërtetës, sepse nuk i hapet Atij: «Nuk e sheh as nuk e njeh.»

Por të gjithë mund të pyesim këtu se cila është rruga për t’iu hapur Shpirtit Shenjt. E thotë vetë Jezusi sot: «Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër». Kusht për fillimin e veprimit të Shpirtit Shenjt brenda nesh, pra, qenka zbatimi i urdhërimeve të Jezusit. Urdhri i Jezusit është ai urdhri i famshëm i dashurisë «Duajeni njëri-tjetrin sikurse unë ju desha ju!», por të kemi shumë kujdes e të mos ngutemi të dalim në përfundimin se Jezusi kështu i paska zhvleftësuar Urdhërimet e mëparshme të cilat vetë Zoti ia kishte dhënë Izraelit nëpërmjet Moisiut: «Unë nuk erdha ta shlyej Ligjin, por ta përsos atë.», thotë Jezusi në Ungjill. Një farë bindjeje se Jezusi paska predikuar një dashuri si të papërcaktuar, është mjaft e përhapur ndër shumë të krishterë. Prandaj, kur vjen puna tek urdhërimet «Mos adhuro tjetër Hyj!», «shenjtëro ditën e shtatë», «ndero prindërit», «mos vra», «mos bëj kurorëthyerje», «mos vidh», «mos bëj dëshmi të rrëme», «mos lakmo gjënë e tjetrin», nuk ndihen edhe aq të detyruar në ndërgjegje. Por kjo është krejt e gabuar. Ata duhen zbatuar të gjithë, sepse janë shkalla e parë dhe e detyrushme që njerëzimi ta rifillojë edhe një herë rrugëtimin e tij drejt Hyjit, rrugëtim të cilin e ndërpreu për shkak të mëkatit. Është e vërtetë se atyre Jezusi ua ka shtuar «mohimin e vetvetes», «dashurinë ndaj armikut», «dëshminë e fesë deri në dhurimin e jetës», por nuk i ka zhbërë ato.

Jo rastësisht zbritja e Shpirtit Shenjt mbi apostujt ndodhi ditën e Rrëshajëve, ditë kur Izraeli përkujtonte dhënien e Dhjetë Urdhë­rimeve. Kjo na bën të kuptojmë se Shpirti Shenjt po vinte t’i ndih­monte apostujt që t’i zbatonin të gjitha ata Urdhërime, por që pastaj t’i çonin deri në përsosmëri duke ndjekur shembullin e Jezusit. Pra, zbatimi urdhërimeve është kusht për marrjen e Shpirtit Shenjt dhe marrja e Shpirtit Shenjt është kusht për përsosjen e Urdhërimeve.

«Kush i ka urdhërimet e mia dhe i mban, ai më do; dhe atë që më do mua, do ta duajë edhe Ati im edhe unë do ta dua dhe do t’i dëftohem.». Jezusi e lidh zbatimin e urdhërimeve me dashurinë tonë për të. Kështu është: dashuria është ajo që na mban në sintoni me Jezusin. Kjo nuk bie në kundërshtim me atë që thamë më sipër, pra se është Shpirti Shenjt ai që e “skicon” brenda nesh fytyrën e Jezusit, sepse Shpirti Shenjt është vetë Dashuria. «Janë Tre: Dashuruesi, i Dashuri dhe Dashuria», thoshte Shën Augustini kur fliste për Atin, Birin e Shpirtin Shenjt.  Kush i hapet dashurisë, i hapet Shpirtit Shenjt, i cili e zhyt besimtarin në përqafimin e dashurisë së tre Personave Hyjnorë.

E pamë se kështu kishte ndodhur me Shenjten Terezë. Kështu ka ndodhur me të gjithë shenjtërit. E, ndërkaq, ata bëheshin gjithnjë e më praktikë në jetë. Shenjtes Terezë një herë iu shfaq Jezusi dhe i tha: «Tash e tutje nuk dua që ti të flasësh më me njerëzit!», dhe Shenjtë­resha iu bind, por jo në kuptimin se nuk takonte më askënd. Përkundrazi, prej atij çasti filluan takime gjithnjë e më të shpeshta me njerëz, letra të shkruara, ripërtëritja e Kogregatës Karmelitane, themelime të ndryshme e udhëtime të shpeshta. Por gjithë këtë ajo e bënte me një heshtje të thellë të shpirtit, si të ishte gjithnjë në paninë e Jezusit. E, në fakt, ajo shkruante: «Më dukej se Jezusi ecte gjithmonë përkrah meje… Ndieja qartë se më rrinte në krahun e djathtë, dëshmitar i asaj që bëja dhe kurrë nuk mund të harroja, nëse përqëndrohesha sadopak apo isha shumë e habitur, se Ai ishte pranë meje.» Shenjtërit, sa më mistikë që bëheshin, aq më shumë bëheshin edhe praktikë. Si Jezusi.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *