Çfarë janë karizmat?
Kushtetuta Dogmatike e Kishës, Lumen Gentium 12, shkruan kështu kur flet për karizmat: «Shpirti Shenjt nuk e shenjtëron dhe udhëheq popullin e Hyjin vetëm përmes sakramenteve e shërbesave dhe nuk mjaftohet vetëm ta zbukurojë me virtyte, por “duke i ndarë veçanërisht secilit ashtu si Ai do” (1 Kor 12, 11), shpërndan në mes të besimtarëve çdo lloj hiri të veçantë me anë të të cilit i bën ata të aftë që të marrin përsipër detyra e angazhime që janë në dobi të ripërtëritjes dhe përhapjes së Kishës, sipas fjalëve: “Secili merr dhuratë të veçantë të zbulesës së Shpirtit Shenjt për të mirën e përbashkët (1 Kor 12, 7). E këto karizma, nga ato me të jashtëzakonshmet deri tek ato më të thjeshtat e më të përhapurat, duke qenë se janë të përshtatshme për nevojat e Kishës dhe të caktuara për t’ju përgjigjur këtyre nevoja, duhen mirëpritur me shpirt falënderimi dhe me ngushëllim.»
Bindja e Etërve konciliarë, pra, është se Shpirti Shenjt nuk resht kurrë së mbushuri Kishën e tij me karizmat që i dhuron secilit besimtar, për të mirën shpirtërore të të gjithëve. Termi grek karisma, vjen nga folja karizomai, që do të thotë “t’i bësh një dhuratë, apo nderë ndokujt” dhe nënkupton një dhuratë të lirë, një aftësi shpirtërore që vjen nga hiri i Hyjit.
Koncili i Vatikanit II thotë se ekzistojnë karizma që janë «të jashtëzakonshme» dhe të tjera që janë «më të thjeshta e më të përhapura», por kjo nuk e heq faktin se të gjithë besmtarët janë të barabartë në dinjitet para Zotit.
Karizmat janë nga më të ndryshmet. Nga ata që kanë të bëjnë me apostullimin, deri tek ato që kanë të bëjnë me jetën e përditshme dhe me përparimin e shoqërisë njerëzore.
Ekzistojnë karizma të jashtëzakonshme, por shumica prej tyre janë të zakonshme. Mjafton të mendojmë, përshembull, për mundin që bëjnë shumë prindër në rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre, për shumë njerëz që punojnë për paqen në botë, për ata që angazhohen për rritjen intelektuale të brezave të rinj, për shumë meshtarë, rregulltarë e rregulltare që, larg nga vëmendja e botës, punojnë në heshtje për ungjillizimin dhe shenjtërimin e shpirtrave. E parë kështu, atëherë nuk duhet të befasohemi nëse flasim edhe për karizmën e sindakalistit, e politikanit, e financierit, e ndërtuesit, e mendimtarit, e poetit, e artistit, etj..
Por në mes të besimtarëve të krishterë shohim se ka një mosnjohje të thellë të karzimave dhe ky fenomen duket sikur ishte i pranishëm edhe në mes të bashkësive të para të krishtera. Prandja Shën Pali u ndie i detyruar t’u shkruante të krishterëve të Korintit duke u thënë: «Përsa u përket dhuratave të Shpirtit Shenjt nuk dua, o vëllezër, të mos jeni të njoftuar mirë.» (1 Kor 12, 1). E, falë kësaj ndërhyrjeje me autoritet të Shën Palit, ne mund të njohim sot se cilat ishin karizmat e pranishme në mesin e të pagëzuarve të Korintit. 1 Kor 12, 4-11 është një listë e gjatë që tregon mënyrat e ndryshme me të cilat Shpirti Shenjt e udhëheq edhe sot Kishën e Tij, përveç se me anë të sakramenteve. Ja fjalët e Shën Palit:
«Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë ‑ edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë ‑ po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë ‑ Ai bën gjithçka në të gjithë. Secili merr dhuratë të veçantë të zbulesës së Shpirtit Shenjt për të mirën e përbashkët. Dhe njëmend, Shpirti Shenjt i jep njërit fjalën e urtisë, kurse i njëjti Shpirt Shenjt një tjetri i jep fjalën e dijes; po i njëjti Shpirt Shenjt një tjetri i jep fenë, një tjetri prapë, i njëjti Shpirt Shenjt, i jep dhuratën e shërimeve; një tjetri pushtetin për të bërë mrekulli, një tjetri profecinë, një tjetri aftësinë të dallojë shpirtrat, një tjetri zotësinë e gjuhëve të ndryshme, një tjetri shtjellimin e gjuhëve. E të gjitha këto i bën një i vetmi Shpirt Shenjt duke i ndarë veçanërisht secilit ashtu si Ai do. Dhe njëmend, sikurse një trup i vetëm ka shumë gjymtyrë e të gjitha gjymtyrët e trupit, edhe pse shumë ‑ nuk trajtojnë veçse një trup të vetëm ‑ ashtu edhe Krishti. Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt.»
Karizmat dhe natyra e njeriut
Por karizmat janë të gjitha të themeluara mbi natyrën e njeriun. Prandaj vetë Shën Pali, kur i shkruan letrën e tij të parë Timoteut, rreshton një seri cilësish njerëzore që duhet t’i ketë ipeshkvi që të mund ta drejtojë si duhet bashkësinë që i është besuar:
«Duhet që mbikëqyrësi të jetë i patëmetë, vetëm një herë i martuar, i përkormë, i arsyeshëm, i urtë, mikpritës, i aftë të mësojë, jo i prirë kah pija, jo mujshar. Përkundrazi, i butë, jo ngatërrestarë, jo lakmues të të hollash, njeri që udhëheq mirë shtëpinë e vet, që fëmijët e vet i mban nën drejtim me plot seriozitet – [sepse, po nuk diti ndokush ta udhëheqë familjen e vet, si do të dijë të kujdeset për Kishën e Hyjit?] – të mos jetë posa i kthyer në fe, që mos t’i rritet mendja e të bjerë nën dënimin e djallit. Madje duhet të gëzojë zë të mirë edhe ndër ata të jashtmit, që të mos bëhet gazi i kujt dhe të bjerë në leqe të djallit.» (1 Tim 3, 2-7).
Këtyre cilësi, u shton edhe disa të tjera në letrën që i drejton Titit (shih 1 Tt 1, 5-9 ). Dhe e njëjta gjë vlet është për diakonët (shih 1 Tim 3, 8-10). Nuk janë cilësi shumë të vështira, por janë të gjitha cilësi që kërkohen për të bërë të mundur që karizma e apostullimit t’i jepet atij që mund ta bëjë të japë fryte në dobi të Kishës. Dhe, se Shën Pali porosiste jo vetëm ata që duan të marrin Urdhërin e Shenjtë, por të gjithë të pagëzuarit, që të jenë të brumosur me virtyte njerëzore nëse duan të jenë mbartës të dobishëm të karizmave, e thotë fakti se, menjëherë pas, ai rreshton edhe disa cilësi që duhet t’i kenë gratë e krishtera: «Gjithashtu edhe gratë le të jenë të matura, jo shpifëse, por të përkorme dhe besnikë në gjithçka.» (1 Tim 3, 11).
«Hiri supozon natyrën», do të pohonte më vonë Shën Toma i akuinit. Është fjala, pra, që njeriu të ketë një natyrë të gatshme për t’i pranuar karizmat e Shpirtit Shenjt.
Në fakt, kur Hyji e ka ndër mend t’i japë ndokujt ndonjë karizëm të veçantë, e krijon njeriun me ato cilësi të përshtatshme që ai të mundet ta përmbushë thirrjen e tij, në dobi të mbarë Kishës. Në të vërtetë, në planin e Hyjit, njeriu qe krijuar me aftësitë që t’i pranonte lehtë karizmat, por tragjedia e mëkatit original dhe devijimet e njeriut, i shtrembëruan këto aftësi. Është pagëzimi ai që realizon ndreqen e nevojshme në këtë aspekt.
Nevoja për karizma
Këtu mund të shtrojmë një pyetje: A janë të nevojshme karizmat për Kishën e ditëve tona? E përgjigjja nuk mund të jetë tjetër veçse pozitive. Karizmat janë të nevojshme për të krishterët e të gjitha kohërave, ashtu siç qenë të nevojshme për vetë Krishtin, për apostujt dhe për Kishën e fillimeve. Krishterimi nuk është një ide, apo një seri idesh mbi Hyjit, që mund të përmblidhen në një skemë të ftohtë të shkruar apo në ndonjë kod të caktuar. Krishterimi është jetë, është Krishti vetë, Fjalë e gjallë dhe gjallëruese, e dhuruar njerëzve nga Hyji Atë, në mënyrë që çdo njeri, me anë të veprimit të Shpirtit Shenjtë, të mund të jetojë nga ajo jetë hyjnore që Krishti ia jep me bollëk.
As vetë Krishti nuk e themeloi misionin e tij mbi forcën e predikimit, por deshi ta përforconte atë me mrekulli. Turmat që e ndiqnin jo vetëm që i dëgjonin fjalët e tij, por shihnin se ato ishin të shoqëruara edhe nga një autoritet absolut. «I mësonte si ai që ka autoritet e jo porsi skribët» (Mk 1, 22), thotë Ungjilli dhe mrekullitë vërtetonin forcën e fjalëve të tij.
Për këtë arsye Jezusi deshi që edhe apostujt e tij dhe të krishterët e parë të ishin plot me karizma. E bëri këtë gjë qysh gjatë veprimtarisë së tij publike: «I mblodhi rreth vetes dymbëdhjetë nxënësit e vet e u dha pushtetin të mund t’i dëbojnë shpirtrat e ndytë dhe të mund të shërojnë çdo sëmundje e lëngatë.» (Mt 10, 1). E këtë e bëri edhe para se të ngjitej në Qiell: «Jezusi u tha atyre: “Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin të gjithë njerëzve. Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet, ndërsa kush s’do të besojë do të dënohet. Shenjat që do t’i përcjellit ata që do të besojnë, janë këto: në emrin tim do t’i dëbojnë djajtë, do të flasin gjuhë të reja; në duar do t’i marrin gjarpërinjtë e, nëse do të pijnë ndonjë send që sjell vdekjen, nuk do t’u bëjë keq. Do t’i vënë duart mbi të sëmurë, e këta do të shërohen.” Zotëria Jezus, pasi u tha kështu, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Hyjit. Kurse ata dolën e predikuan gjithkund. Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte Fjalën me mrekulli që e përcillnin.» (Mk 16, 15-20).
E Veprat e Apostujve flasin shumë shpesh për mrekullitë e mëdha që Zoti bënte përmes apostujve. Për këtë arsye të krishterët e parë ishin të vetëdijshëm se u duhej të ishin gjithnjë të përkrahur nga Shpirti Shenjt që të mund ta dëshmonin Krishtin e Ngjallur. Kisha e fillimeve ishte Kisha e Shpirtit Shenjt. Të jesh i krishterë për ta donte të thoshte të kesh një përvojë të fortë e të gjallë të Dhuratës së Shpirtit Shenjtë. Për të krishterët e parë Shpirti Shenjt nuk ishte thjesht një prej pohimeve të Besojmës, por ishte jeta, forca dhe gëzimi i bashkësisë. Ata e dinin se e kishin marrë, si dhe kur.
Karizmat, pra, janë të nevojshme edhe për Kishën e ditëve tona e do të jenë përgjithmonë. Për arsyen e thjeshtë se, ajo çka bëri Krishti historik, nuk mund të jetë e ndryshme nga ajo çka duhet të bëjë Krishti Mistik, Kisha pra. Karizmat dëshmojnë se krishterimi është një përvojë jetësore e Jezu Krishtit në Kishë. Për këtë me të drejtë mund të thuhet se, kur Kisha nuk do të jetë më karizmatike, nuk do të dallohet më nga cilado organizatë njerëzore. Djalli i ka vërtetë frikë karizmat. I ka frikë si vetë Hyjin, sepse në to është vetë Hyji protagonisti i çdo lloj veprimi. Prandaj ato duhen mirëpritur e kultivuar gjithmonë në Kishë.
Karizmat dhe hierarkia kishtare
Duhet të bëhet një vërejtje shumë e rëndësishme: karizmat duhen pranuar ashtu siç i dërgon Shpirti Shenjt e nuk duhen kërkuar si të ishin një e drejtë e njeriut. Shpirti Shenjt e di vetë se kujt ia dhuron ato lirisht, për dobinë e përbashkët. Por askush nuk duhet t’i pretendojë si një e drejtë e tij e veçantë. Në këtë pikë Etërit e Koncilit të Vatikanit II janë shumë të qartë: «Por nuk duhen kërkuar me pakujdesi dhuratat e jashtëzakonshme e as të shpresohet se prej tyre do të arrihen fryte të veçanta në apostulllim.» (Lumen Gentium, 12).
Vazhdojnë mbi këtë pikë Etërit Konciliarë: «Gjykimi mbi vërtetësinë e tyre dhe mbi përdorimin e tyre, i takon atyre që kanë autoritetin në Kishë; atyre i takon sidomos detyra që të mos e fikin Shpirtin Shenjt, por të shqyrtojnë gjithçka dhe të ruajnë atë që është e mirë» (shih 1 Sel 5,12 e 19-21)» (Lumen Gentium, 12).
Kjo na bën të prekim një pikë tjetër shumë të rëndësishme: se karizmat e besimtarëve të veçantë nuk janë kurrë në kundërshtim me hierarkinë institucionale, por janë të gjitha të bashkërenditura për shenjtërimin e krejt Trupit Mistik të Krishtit, domethënë Kishës. Është e vërtetë se disa karisma shumë të veçanta shpesh ngjallin për një kohë të caktuar shumë ngurrim nga ana e hierarkisë për t’i pranuar si të tilla apo jo, por, kur janë të vërtetë, karizmat duhet të pranohen me shumë përvujtëri nga besimtari dhe ky duhet të dijë të presë me qëndrueshmëri e përvujtëri kohën që vetëm Zoti e di për pranimin e tyre të plotë nga ana e hierarkisë institucionale. Kësaj të fundit i takon detyra që t’i shqyrtojë shpirtrat nëse janë prej Hyjit apo jo.
Të gjithëve, pra, na takon të kemi besim se, po ai Shpirt Shenjt që i dhuron bujarisht karizmat, do të dhurojë njëkohësisht edhe urtinë e dashurinë e nevojshme për t’i përdorur ato si duhet, për zhvillimin e Trupit Mistik të Krishtit që është Kisha si edhe për të mirën e misionit të saj në botë. Disa të pagëzuar të pajisur me karizma shkëlqejnë edhe në këtë botë. Mjafton të mendojmë për shenjtër si Shën Gjon Pali II, Shenjtja Nënë Tereza e Kalkutës, e shumë të tjerë. Por shumica prej tyre nuk janë të caktuar prej Zotit për një mision të tillë. Vetëm në parajsë do të shihet qartë edhe shkëlqimi i tyre. Por ndërkaq, me forcën e Shpirtit Shenjt, edhe ata janë dritë dhe kripë për epokën ku jetojnë.
Dom Dritan Ndoci
Korrik 2023