E DIELA XXI GJATË VITIT A
Is 22, 19-23; Ps 138 (137); Rom 11, 33-36; Mt 16, 13-21
Ungjilli i sotëm mund të ndahet në dy pjesë të rëndësishme e secila prej tyre fillon me dy pyetjet që Jezusi u bën apostujve të Tij. E para: «Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?» dhe, e dyta, «Po ju, ç’thoni: kush jam unë?» Secila prej këtyre pyetjeve ka rëndësi të madhe, sepse të gjithëve Jezusi na pyet se çfarë dimë nga të tjerët rreth Tij dhe, pastaj, se çfarë mendojmë ne në lidhje me Jezusin.
Pyetjes së parë apostujt iu përgjigjen: «Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; do të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetë.» Njerëzit kishin opinione nga më të ndryshmet në lidhje me Jezusin. Kështu edhe sot, po të bënim një studim nëpër botë rreth opinioneve që ekzistojnë rreth Personit të Jezusit, do të merrnim gjithfarë përgjigjesh. Disa e mbajnë Jezusin për një profet të madh, disa e mbajnë për një njeri me moral të lartë, disa e mbajnë si një filantrop të madh, që ka promovuar vlera të mëdha në të mirën e njeriut. Por ka edhe prej atyre që e mbajnë atë për mashtrues apo heretik i besimit të vërtetë të Izraelit. Shumë besojnë se trupin e Tij të vdekur e fshehën apostujt dhe sot Kisha e di se ku mund të jetë fshehur. Të shumtë janë, pastaj, ata që kanë vënë në dyshim deri edhe ekzistencën e Tij. Me një fjalë, sa më shumë të pyesësh nëpër botë për Jezusin, aq më shumë opinione të ndryshme do të gjesh mbi të.
Por kjo pyetje e Jezusit nuk duhet kufizuar vetëm në këtë aspekt. Pyetja e Jezusit na ndihmon edhe të kuptojmë se çfarë kemi mësuar nga të tjerët mbi Jezusin: çfarë na kanë mësuar prindërit, katëkistët, motrat, famullitari, librat e katekizmit, Kisha. Pra Jezusi dëshiron që ne të bëhemi të vetëdijshëm edhe për trashëgiminë e fesë që na është dhuruar.
Megjithatë, e gjithë kjo nuk është e mjaftueshme, sepse të gjithëve Jezusi, herët a vonë, në një mënyrë apo në një tjetër, na vë në situata ku na duhet t’i japim përgjigjen tonë personale pyetjes së Tij të dytë: «Po ju, ç’thoni: kush jam unë?» Këtu të gjithëve na duhet të formulojmë besimin tonë jo si me të dëgjuar, por si e ndjejmë vërtet në shpirt. Patjetër që këtu të gjithëve na vjen natyrshëm t’i përgjigjemi Jezusit me formulat që kemi mësuar nga ata që na e kanë trashëguar fenë, por e gjithë kjo na kërkohet që të shoqërohet me fe e besim të gjallë në shpirt. Përballë opinioneve të ndryshme të botës dhe përballë formulave të mësuara nga tradita e fesë së trashëguar, neve na duhet të bëjmë zgjedhjet tona të fesë. Këtu, përballë një nevoje të tillë për të bërë zgjedhje të vërteta feje, shumëkush tërhiqet pas dhe fillon të largohet nga Jezusi me jetën e tij.
Megjithatë, shumë shpesh, përballë një pyetjeje të tillë kaq personale, shumëkush arrin edhe t’i përgjigjet Jezusit me plot bindje ashtu si iu përgjigj edhe Simon Pjetri atë ditë: «Ti je Mesia – Biri i Hyjit të gjallë!» e, këtu fillon një proces shenjtërie i përnjëmendtë në jetën tonë.
Përgjigjja e Simon Pjetrit i pëlqeu aq shumë Jezusit atë ditë, aq sa iu drejtua me këto fjalë: «I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell!» Jezusi i thotë secilit prej nesh: «I lumi ti!», kur ne e shpallim me fjalë e me vepra besimin tonë se Jezusi është Biri i Hyjit të gjallë. Është interesante të shohim se një besim i tillë qenka i zbuluar nga Ati qiellor e jo nga mishi e gjaku. «Mishi e gjaku» janë mënyra të të foluri të asaj kohe që nënkuptonin dobësinë njerëzore, ato prirje mëkatare që njeriu ndjen brenda vetes. Pra, këto prirje mposhten nga Hiri i Atit qiellor kur ne na përshkon feja e gjallë në Jezusin, Birin e Hyjit të gjallë. Patjetër se kjo nuk do të thotë se Ati qiellor e zhduk lirinë tonë kur shpallim besimin se Jezusi është Biri i Hyjit, por do të thotë se Ati qiellor, me dashurinë e Tij, e mbështet atë pjesë që nuk është dëmtuar në ne nga mëkati i rrjedhshëm dhe na ndihmon t’i afrohemi Birit të Tij, i cili është «shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, i Parëlinduri – para çdo krijese. Sepse në Të u krijua çdo gjë, në qiell e në dhe, çka shihet e çka nuk shihet: qoftë Tronet, qoftë Zotërimet, qoftë Principatet, qoftë Pushtetet – gjithçka u krijua nëpër Të e për Të.» (Kol 1, 16). Sepse «në Të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri.» (Ef 1, 4). Janë këto shprehje shumë solemne të Shën Palit, për të shpjeguar misterin e vendimit të të krishterëve për t’iu afruar Jezu Krishtit e për të qenë të pagëzuar (të zhytur) në Të. Prandaj Jezusi sheh në këtë vendim të Simon Pjetrit për të bërë një dëshmi të tillë feje, ndërhyrjen e Atit të vet qiellor, i cili e shtyu kah Jezusi këtë apostull të vetin: «Askush s’mund të vijë tek unë, po qe se Ati, që më dërgoi, nuk e tërheq.», shpjegon Jezusi në Ungjillin e Gjonit (6, 44).
E, pikërisht në këtë pikë, fjalët e Jezusit, nga fjalë që vlejnë për të gjithë të krishterët, fillojnë të jenë fjalë të cilat vlejnë vetëm për Simon Pjetrin e për pasardhësit e tij: «Edhe unë po të them: Ti je Pjetër – Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e Ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj.» Jezusi këtu ia ndryshoi “zyrtarisht” emrin Simonit në Pjetër. «Kefa» është fjala aramaike e përdorur nga Jezusi, e cila në greqishten e vjetër është përkthyer Pjetër, Shkëmb. Jezusi tregon këtu vullnetin e Tij që këtij apostulli t’i jepte pushtet të padëgjuar më parë, duke e bërë atë Shkëmbin mbi të cilin do të ndërtonte më vonë Kishën e Tij të gjallë. Patjetër që nuk ishte fjala edhe aq për Simonin si njeri, por për atë që ai do të përfaqësonte në të ardhmen për apostujt e për të krishterët e tjerë, për të cilët ai ishte i thirrur të ishte si Shkëmbi mbi të cilin ata të mund ta themelonin dëshminë e fesë së tyre dhe mbarështimin e Hireve Hyjnore.
E Jezusi vazhdoi: «Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.» Këto fjalë me peshë kaq madhështore, janë edhe shprehja e qartë e vullnetit të Jezusit që të jetë i përfaqësuar në tokë nga Pjetri dhe nga pasardhësit e tij. Nuk ka përse të na habisë ky vendim i Jezusit, sepse i përshtatet shumë mirë natyrës sonë njerëzore. Ne njerëzit e kemi të nevojshme të kontaktojmë dikë që na përfaqëson një pushtet më të madh: e kemi të nevojshme të zgjedhim një mbret, një president apo një deputet, për të na e bërë të prekshme përfaqësimin e pushtetit të sovranit që, në këto raste, është vetë populli. Patjetër që përfaqësuesi mbetet njeri i thjeshtë si të gjithë të tjerët, por tashmë ai është i veshur me pushtetin e dhënë nga populli. Në rastin e Pjetrit e të pasardhësve të tij, bëhet fjalë për një pushtet që vjen drejtpërdrejt nga Zoti. E nuk mund të jetë ndryshe sepse bëhet fjalë për mbarështimin e Hireve Hyjnore e jo njerëzore. Edhe zgjedhja e një Pape nuk bëhet nga të gjithë të krishterët, por nga kardinalët, të cilët është e sigurtë se kanë një formim të shëndoshë teologjik dhe që janë ndier të thirrur nga Zoti në ecjen e tyre drej meshtarisë. Pra, zgjedhja e një Pape, bëhet nga njerëz të cilët janë aty për vullnet të Zotit e të Kishës.
Patjetër që edhe Pjetri e Papët në vazhdim do të mbeten krejtësisht njerëz, por tashmë ata janë të veshur me një pushtet të pazakontë, aq sa vendimet e tyre në tokë, i miraton edhe Hyji: «Gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.»
Këtë kalim pushteti nga paria fetare e kohës tek këta njerëz të thjeshtë, Hyji e kishte bërë edhe herë të tjera, edhe pse për gjëra më pak të rëndësishme, edhe në Besëlidhjen e Vjetër. Leximi i parë na e dëshmon këtë. Megjithatë, ky kalim pushteti në duart e Pjetrit e të pasardhësve të Tij, nuk do të thotë se do të vijë një kohë kur do të ndryshojë, sepse Besëlidhja e bërë në Jezusit është «e amshuar».
Fakti që përfaqësohemi nga Papa, na lehtëson shumë gjëra: në këtë botë që ka shumë opinione mbi Personin e Jezusit, na mjafton që të mbahemi brenda asaj që na mëson Kisha Katolike me në krye Papën dhe mund të jemi të sigurtë se jemi në Hirin e Zotit. Të gjithë ne katolikët, me në krye Papën, dëshmojmë njëzëri se Jezusi është «Mesia, Biri i Hyjit të gjallë». Jo vetëm kaq, por arrijmë të kuptojmë si duhet edhe shumë të vërteta të tjera që kanë të bëjnë me teologjinë, me moralin e krishterë dhe me mësimin shoqëror të Kishës, gjëra të cilat, jashtë bashkimit me Papën, rrezikojmë t’i mësojmë gabim.
Në shekullin IV, Shën Ambrozi, ipeshkvi i madh i Milanos, shkruante: «Ku është Pjetri, aty është Kisha». Në shekulli XX, meshtari italian, Shën Luigji Orione, mësonte: «Besojma jonë është Papa, morali ynë është Papa; dashuria jonë, zemra jonë, arsyeja e jetës sonë është Papa. Për ne Papa është Jezu Krishti: të duash Papën dhe të duash Jezusin, është e njëjta gjë; të dëgjosh dhe të ndjekësh Papën, do të thotë të dëgjosh dhe të ndjekësh Jezu Krishtin; t’i shërbesh Papës, do të thotë t’i shërbesh Jezu Krishtit; të japësh jetën për Papën, do të thotë të japësh jetën për Jezu Krishtin.» Duken të tepruara shprehje të tilla dashurie për Papën, por le ta imagjinojmë se si mund ta kemi plotësinë e Hireve Hyjnore në sakramente e në mësimet e fesë, nëse do të shkëputeshim nga bashkimi real me Papën.
Prandaj ne në Shqipëri duhet t’ua dimë shumë për nderë martirëve tanë që nuk u shkëputen nga ky bashkim në kohën kur komunistët ua kërkonin, për të ndërtuar një Kishë kombëtare. Imzot Frano Gjini, kur në vitin 1946 i kërkuan ta bënte një gjë të tillë, si ipeshkëv dhe si Delegat Apostolik që ishte, u përgjigjej: «Unë nuk do ta ndaj kurrë grigjën time nga Selia Shenjte. Nuk do ta baj kurrë, derisa të kem jetë.» E torturuan sa nuk thuhet për tetë muaj rresht, duke e vënë nën të dridhurat e korrentit elektrik, duke e futur në ujë të ngrirë, duke i ngulur kunja pishe nën thonj dhe duke ia ndezur ata, duke e lënë pa ngrënë për javë të tëra e duke shpifur e sharë kundër tij gjithçka, por ai nuk pranoi. Kur, para pushkatimit, i kërkuan të thoshte fjalët e fundit, ai edhe aty e bëri dëshminë e fesë se vet në Krishtin në bashkim me Papën: «Rrnoftë Krishti Mbret, Feja katolike e katolikët në botë! Rrnoftë Papa! Gjaku e trupi jem mbeten këtu, por shpirti e zemra jeme janë te Papa. Rrnoftë Shqipnia!»
Së bashku me Pjetrin e me Pasardhësit e tij, ne mund ta shpallim e ta jetojmë në plotësi fenë tonë në Jezu Krishtin: «Birin e Hyjit të gjallë.»
Dom Dritan Ndoci