KËSHTU DO TË BËJË ME JU EDHE ATI IM QIELLOR!

Categories HomeliPosted on

E DIELA XXIV GJATË VITIT A

Sir 27, 27 – 28, 7; Ps 103 (102); Rom 14, 7-9; Mt 18, 21-35

Sa herë që lexoj pjesën e Ungjillit të sotëm, më vjen e vetvetishme t’i bëj vetes këtë pyetje: «Nëse çdo herë që rrëfehem jam i sigurtë se Zoti m’i fal mëkatet, sado të rënda ato mund të jenë, a kam mësuar ndonjë gjë nga e gjithë kjo që, edhe unë, të jem i mëshirshëm me të tjerët?»

Në leximet e sotme liturgjike jemi të ftuar, pra, të meditojmë më nga afër për mëshirën e pakufi të Hyjit ndaj nesh dhe, pikërisht për këtë arsye, edhe ne të dimë ta falim njëri-tjerin. Në leximin e parë, rabini i mençur, Siracidi, thotë: «Falja padrejtësitë të afërmit tënd e, kur të lutesh, mëkatet e tua do të falen!» E më poshtë i argumenton teolo­gjikisht fjalët e veta: «Njeriu që mban hidhërim kundër njeriut, si mund të kërkojë prej Hyjit shërim? S’ka mëshirë për njeriun, të ngjashmin e vet, e këndej lutet t’i falen mëkatet e tija?! Ai, vdekatar, mban në zemër hidhërim e lyp që Hyji të jetë me të i dhimbshëm?!» E psalmi saktëson se Hyji na fal jo sepse e meritojmë, por ngaqë Ai ka një mëshirë të pamasë: «Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona, / as nuk na shpagon sipas të këqijave tona. / Sepse sa është lartësia e qiellit me tokë, aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që e druajnë».

Edhe Jezusi ngul këmbë në Ungjillin e sotëm në këtë “tepri” mëshire që duhet të kemi ndaj njëri-tjetrit. Kur Shën Pjetri i bën pyetjen: «Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë», Jezusi i përgjigjet: «Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë?». Na duket interesante “bujaria” që tregon Pjetri kur pyet nëse duhet të falim deri në shtatë herë, kur e dimë mirë se ne njerëzit e kemi të vështirë të falim qoftë edhe vetëm dy herë të njëjtën fyerje. Por është teologjikisht shumë më interesante përgjigja e Jezusit. Në Besëlidhjen e Vjetër, njëri prej pasardhësve të Kainit, Lameku, duke dashur të tregonte se sa i drejtë ishte, thoshte këto fjalë: «Dëgjoni zërin tim: vrava njeriun pse më pat plagosur, edhe një djalosh pse më pat rënë. Kaini do të hakmerret shtatëfish, kurse Lameku shtatëdhjetë herë shtatë.» (Zan 4, 23-24) Janë fjalë që dëshmojnë se si, e keqja e filluar me Kainin kur vrau të vëllanë e tij, tashmë ishte bërë kulturë urrejtjeje dhe ishte trashëguar brez pas brezi ndër pasardhësit e tij. Madje ajo ishte shumëfishuar. Prandaj Jezusi përdor shifrën «shtatëdhjetë herë shtatë», por jo më në lidhje me hakmarrjen, por në lidhje me faljen, në mënyrë që edhe ajo të krijojë ndër breza kulturën e faljes. Kështu, mekanizmit të së keqes së urrejtjes së shkaktuar nga vëllavrasësi Kain, i përgjigjet mekanizmi i faljes së shkaktuar nga Jezusi, Biri i Hyjit që dhuroi vetveten për ne. Kështu, i krishteri që zhytet në jetën me Krishtin me anë të pagëzimit, bashkëpunon me Krishtin për ta çaktivizuar këtë mekanizëm urrejtjeje në botë e për të aktivizuar mekanizmin e dashurisë e të faljes. Sa të forta dalin, atëherë, fjalët e Shën Palit që dëgjuam në leximin e dytë: «Vëllezër, asnjëri prej nesh nuk jeton për vete dhe asnjëri prej nesh nuk vdes për vete… Në qoftë se jetojmë e në qoftë se vdesim, jemi të Zotit.» E, vetëm duke qenë krejtësisht të Zotit, mund të kuptohet logjika e “teprisë” së faljes që Jezusi kërkon sot në Ungjill.

Se ne jemi të thirrur të mësojmë të jemi të mëshirshëm nga fakti se Hyji është i mëshirshëm, Jezusi e shpjegon duke treguar shë­mbëlltyrën që dëgjuam. Bëhet fjalë për një njeri që i kishte borxh mbretit një shumë kolosale prej «dhjetë mijë talentash». Talenti ishte një shumë tejet e madhe paraje. Një talent ishte i barazvlefshëm me pagën e gjashtë mijë ditëve punë. E llogaritur në vite, shkonte diku rreth njëzet vite rrogë normale. E ky njeri i kishte boxh mbretit «dhjetë mijë talente». Kështu kuptohen edhe fjalët e mbretit që, i indinjuar, «dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e t’i kthehej detyrimi», sepse bëhej fjalë për shuma marramendëse. Të mos na çudisë një tepri e tillë shifrash: sot do të thonim se bëhej fjalë për ndonjë biznesmen tejet fuqishëm që ka shkuar në pikën e fali­mentimit dhe është zhytur në borxhe ndaj shtetit. Por mbreti ve­ndosi që t’i vinte në ndihmë edhe një herë kur ky iu lut: «Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha». Jo vetëm që ia shtyu borxhin, por ia fali krejtësisht atë: «Zotëria pati dhimbë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin.» Një situatë vërtet mbytesë ajo ku gjendej ky borxhli i pakujdesshëm, por që u zhbllokua nga mëshira e mbretit që ia fali të gjitha.

Por e çuditshmja vjen pikërisht këtu, sepse ky borxhli nuk mësoi asgjë nga tërë ajo mëshirë që u tregua ndaj tij: «U takua me një shok të vetin që i kishte detyrim njëqind denarë dhe, si e zuri, ia ngjiti për fyti duke i thënë: “Ma kthe detyrimin!”». Lutjet e borxhliut të vet që të kishte durim me të, ai nuk i mori aspak parasysh dhe e futi atë në burg. Sot do të thonim se e hodhi në gjyq dhe e fitoi atë. E pra, njëqind denarë ishte vetëm njëqind ditë pune, në një rrogë mesatare.

Nuk kishte si të mos i shkonte në vesh mbretit një ngjarje e tillë, duke e imagjinuar se sa shumë bujë mund të kishte bërë në oborrin mbretëror mëshira e madhe që mbreti kishte treguar ndaj këtij njeriu. Prandaj mbreti e thirri sërish dhe i tha: «Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse unë pata mëshirë ndaj teje?» E Ungjilli vazhdon: «Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthejë tërë detyrimin.» E Jezusi komentoi pa i zbutur aspak tonet: «Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im në qiell, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë e tuaj.» Biri i Hyjit e vulos me autoritetin e Tij tërë shpjegimin e kësaj shëmbëlltyre dhe ne do të gabonim shumë nëse do të përpiqeshim ta zbusnim me stërhollimet tona. Po t’u besoheshim stërhollimeve tona, me siguri edhe atë pjesën e lutjes Aty ynë që thotë «Na i fal fajet tona, si ua falim ne fajtorëve tanë», do ta ndryshonim në «Na i fal fajet tona, edhe nëse nuk i falim ne fajtorët tanë».

Por ndoshta gjithë këtë shtrembërim ne e bëjmë ngaqë nuk e mendojmë se sa seriozisht e merr Hyjit faljen e mëkateve tona. Ai e merr aq seriozisht, saqë i fshin ato krejtësisht nga jeta jonë. Në jetën e Shën Antonit të Padovës u bë i famshëm rasti i një djaloshi që shkoi të rrëfehej tek Shenjti dhe i dorëzoi atij një letër ku kishte shkruar mëkatet e tij, të cilat nuk arrinte t’i thoshte me gojë nga përmallimi i thellë që kishte. Shenjti, pasi e lexoi atë letër, ia kthehu atë djaloshit krejtësisht të bardhë. Zoti kishte bërë mrekullinë që t’i fshinte rreshtat, për t’i treguar këtij biri të vet se po ia falte mëkatet e shumta, ngaqë ishte penduar sinqerisht.

Gjithë këtë pastërti të shpirtit, pra, ne mund ta humbasim nëse nuk përpiqemi ta falim «me gjithë zemër» njëri-tjetrin. Prandaj çuditet, me të drejtë, Siracidi: «Ai, vdekatar, mban zemërim, e lyp që Hyji të jetë me të i dhimbshëm.» Patjetër që na duhet të mbajmë qëndrime në jetë ndaj disa situatave e ndaj disa njerëzve, por kjo s’do të thotë se duhet të bëjmë luftë. Kur Jezusi flet për faljen, nuk e ka fjalën edhe aq për ndjeshmërinë tonë e cila, me të drejtë, mund ta ketë të vështirë t’i kapërdijë disa lëndime, të paktën për një farë kohe, por e ka fjalën për vendimet që ne marrim me dashje ndaj njëri-tjetrit: a duam ta trashëgojmë e ta përhapin urrejtjen, apo duam ta shuajmë atë me teprinë e dashurisë që na ka mësuar Zoti? Nëse duam të qëndrojmë në urrejte, me ç’të drejtë kemi pretendimin që t’i afrohemi Zotit, i cili është Dashuria dhe «e Mira e pambaruar», siç themi te Puna e pendimit?!

«Nëse dëshiron të duash vërtet, duhet të mësosh të falësh!», thoshte Shenjta Nënë Tereza e Kalkutës.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *