ZOTI ËSHTË I DHIMBSHËM PËR TË GJITHA KRIJESAT E VETA.

Categories HomeliPosted on

E DIELA XXV GJATË VITIT A

Is 55, 6-9; Ps 145 (144); Fil 1, 20-27; Mt 20, 1-16

Gjatë një predikimi, për të dhënë një shembull, mbaj mend se u pata thënë besitmarëve se, po të ishte penduar në çastet e fundit të jetës diktarori Enver Hoxha, do të mund të kishte shkuar edhe ai në Parajsë si të gjithë shenjtërit e tjerë. Mendova se gjithçka do të ishte mirëkuptuar, por nuk vonova dhe mësova se pati prej atyre që ishin indinjuar thellë përballë një arsyetimi të tillë nga ana ime. Patjetër se duhet mirëkuptuar indinjata e tyre, sidomos nëse bëhej fjalë për njerëz që i kishin vuajtur në mish e në shpirt pasojat e asaj diktature gjakatare, por duhet mirëkuptuar edhe arsyetimi që bëra, sepse e mbaj mend si tani se isha duke u përpjekur të komentoja pikërisht pjesën e sotme ungjillore, në të cilën vetë Jezusi mëson se, i zoti i vreshtit (i cili në këtë rast përfaqëson Hyjin), u dha të gjithë punëtorëve (që këtu përfaqësojnë të gjithë njerëzit) të njëjtën pagë (gjë e cila simbolizon lumturinë e Parajsës). E bëhej fjalë për punë­torë që ishin marrë në punë në orare të ndryshme të ditës: disa «në mëngjes herët», disa «rreth orës tre», disa të tjerë «rreth orës gjashtë dhe orës nëntë» e, të fundit, u morën në punë «rreth orës njëmbëdhjetë». Këta të fundit, sipas mënyrës së të maturit oraret e ditës në atë kohë, ishin marrë në punë vetëm «një orë» para se të përfundonte dita: «Këta të fundit punuan vetëm një orë e ti i barazove me ne që mbartëm mundin e ditës e vapën!», kishte qenë ankesa që punëtorët e thirrur në punë të parët i bënë të zotit të shtëpisë. E ai ua ktheu: «Mik, s’po të bëj padrejtësi. A nuk u godite me mua nga një denar? Merr sa të përket e nisu! Unë dua t’i jap edhe këtij të fundit sa ty. A nuk kam të drejtë të bëj me pasurinë time si më pëlqen mua? Vallë, a duhet të jesh ti smirëzi pse unë jam i mirë?»

Shëmbëlltyra e sotme na fton që të kemi kujdes e të mos e mendojmë Hyjin si dikush që rri me makinë llogaritëse në dorë dhe shënon pikët e hireve që meritojmë ne. Patjetër që në Ungjill Jezusi ka folur shumë edhe për nevojën që t’i hapemi Hirit të Hyjit e të bashkëpunojmë me të, si edhe ka thënë shpesh se secili do të marrë shpërblimin që i takon, sipas veprave që të ketë bërë. Por këto fjalë Jezusi i thoshte për të na ndërgjegjësuar që ta marrim seriozisht lirinë tonë, sepse përballë saj Hyji nuk mund të bëjë asgjë për të na shëlbuar. Megjithatë e gjithë kjo nuk e përjashtonin faktin se Hyji është Atë i dashur dhe se është gjithnjë i gatshëm për falje, kur dikush pendohet sinqerisht dhe kthehet kah Ai: «Hyji ynë është bujar në falje.», thotë leximi i parë, ndërsa psalmi shton: «Zoti është vetë butësia e mëshira».

Pse duhet të na shqetësoj ne gjithë kjo mëshirë e Hyjit? Cili është ai fëmijë “i mençur” që gjen kurajon t’i thotë prindit të vet se i duhet të dojë atë më fort se vëllanë apo motrën e tij? «Zoti është i mirë për të gjithë, i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.», vazhdon psalmi i sotëm. Jemi mësuar kaq shumë të bëjmë pazare në mes nesh, saqë e kemi të vështirë ta mendojmë se Hyji nuk i qëndron kësaj logjike. Harrojmë se Hyji mezi pret që dikush të kthehet kah Ai e të shëlbohet: «Mendimet tuaja, nuk janë mendimet e mia, as udhët tuaja nuk janë udhët e mia.», thotë Zoti në leximin e parë.

Në leximin e dytë, Shën Pali kaq shumë është mbushur me dëshirën që të afrojë kah shëlbimi sa më shumë njerëz, saqë thotë: «Vëllezër, për mua Krishti është jetë dhe vdekja fitesë!… Jam ndërdyzash: dëshiroj të shkoj e të jem me Krishtin, sepse kjo është gjë shumë, shumë më e mirë, por të jetoj në këtë trup është më e nevojshme për ju.» Me sa duket, në ndonjë vegim, Jezusi mund t’i këtë dhënë mundësinë që të zgjidhte nëse donte të vdiste e të shkonte në Parajsë, apo të qendronte në këtë botë, edhe pse në mes shumë mundimesh, por do të kishte mundësinë përsëri që të afronte kah shëlbimi edhe njerëz të tjerë. Shën Pali zgjodhi këtë të dytën. Prandaj shton: «Për tani e di se do të mbetem dhe do të rri në mesin tuaj për përparimin tuaj e në gëzim të fesë.»

Këto fjalë të Shën Palit më kujtojnë një episod të jetës së Shenjtes Veronika Xhuliani, mistike italiane e shekullit XVIII. Në ditarin e saj ajo do të shkruante se një herë vdiq dhe shkoi në Parajsë. Por Jezusi i tha se, po të dëshironte, mund të kthehej përsëri në tokë, për të afruar edhe shpirtra të tjerë, nga toka dhe nga Purgatori, drejt shëlbimit. Por për këtë asaj i duhej të lutej shumë, të bënte pendesa të mëdha dhe të përballonte sëmundje shumë të dhimbshme. Shënjteresha e dashur nuk nguroi dhe zgjodhi të kthehej, sepse shëlbimi i shpritrave të tjerë ishte gëzimi i saj. Por shumë më tepër kjo gjë ishte gëzimi i Jezusit, Dhëndrit të saj të cilin ajo e donte pa masë.

Harrojmë shpesh, pra, se Hyji është Atë i dashur dhe mezi pret kthimin e dikuj. Jemi shpesh shumë të bindur se, edhe në lidhje me Hiret Hyjnore, mund të bëjmë pazare siç jemi mësuar me sendet tona të përdishtme.

Në jetën e Shenjtes Bernardetë Subiru tregohet një detaj shumë domethënës. Kësaj shenjtëreshe iu shfaq Zoja e Bekuar në Lurdë të Francës në vitin 1858, kur ajo ishte vetëm katërmbëdhjetëvjeçare dhe ishte puthuajse analfabete. Shtoi kësaj edhe faktin se vinte nga një familje e zhytur në skamje. Pasi përfunduan të shfaqurat e Zojës dhe pasi Kisha e pranoi vërtetësinë e tyre, Bernardeta hyri në një Kongregatë Rregulltare. Aty, personi që e “martirizoi” më së shumti atë, ishte pikërisht eprorja e saj, një rregulltare që vinte nga një familje finsike e Francës. E pra, ajo ishte një rregulltare vërtet e patëmetë, me njohuri shumë të gjëra dhe me një shpirt lutjeje e asketizmi të provuar. Por gjëja që i brente në tru vazhdimisht, ishte dilema se si kishte mundësi që Zoja të kishte zgjedhur t’i shfaqej pikërisht një «katundareje» (kështu shprehej) e jo një rregulltareje me përvojë dhe të shkolluar. Nuk i besonte kurrë, edhe pse Bernardeta shpesh thoshte për vete se nuk e ndjente veten më të mirë se të tjerat. Thoshte shpesh që Zoja e kishte përdorur si një fshesë: «Çfarë bëhet me një fshesë, kur mbarohet së pastruari, ku vihet? Epo, vihet në një qoshe pas derës. Ja, unë i kam shërbyer Virgjërës së shenjtë si puna e një fshese. Kur nuk ka pasur më nevojë për mua, më ka vënë pas derës. Aty jam e aty do të rri.» Dhe ndodhi që, përballë përvujtësisë dhe dëgjesës së pakufi që Bernardeta gjithnjë dëshmonte, eprorja filloi të ndryshonte mendim. Në shtratin e vdekjes, fjalët e fundit që tha ishin: «Zoja jonë e Lurdit, mbroje agoninë time!»

Kështu jemi shpesh edhe ne me devocionet tona, me shtegtimet tona, me frekuentimin e shpeshtë të sakramenteve, me moralin tonë: kemi bindjen se, nëse i përmbahemi të gjithave siç mëson Kisha, Hyji atëherë do të ndihet medoemos i detyruar të na favorizojë më shumë se të tjerët. Harrojmë se të gjitha ato duhen bërë, pa­tjetër, por me vetëdijen se jemi duke u bashkuar me Atin tonë qiellor e jo me shpirt pazarllëku me këtë Atë.

Në leximin e parë, profeti Isai thotë: «Kërkojeni Zotin deri sa mund të gjendet!». Atyre që ankohen se përse u dashka që Hyji t’i pranojë njësoj në Parajsë ata që pendohen, duhet t’u shpjegohet edhe se, kur dikush në zemrën e vet e shtyn kthimin e tij kah Zoti për më vonë, kur ta shohë se është kah fundit i jetës, nuk është e thënë që do ta ketë vërtetë mundësinë që të kthehet. E para, sepse nuk i dihet se kur mund të jetë fundi dhe, e dyta, sepse nuk është e thënë që, me afrimin e pleqërisë, dikush do të bëhet detyrimisht më i mirë. Shpesh, me pleqërinë që afrohet, ndryshimi i disa veseve dhe bindjeve, bëhet edhe më i vështirë. E aq më tepër është shumë më e vështirë që dikush të ndryshojë nga diktator në një njeri të ndershëm. Plaken jo vetëm muskujt, por edhe mendja. Plus kësaj, plaket po ai njeri e jo dikush tjetër në vend të tij. Prandaj këtu nuk ka vend për zvogëlim të nevojës për t’u kthyer kah Zoti sa më parë. Të gjithë njësoj e kemi për detyrë të largohemi nga e keqja kur e kuptojmë se jemi në të keqen dhe të afrohemi kah e mira kur e kemi kuptuar se duhet ta bëjmë. Nesër nuk i dihet a do të kemi kohë dhe nuk i dihet a do ta kuptojmë njësoj si sot. Prandaj Isaia thotë: «Kërkojeni Zotin sa mund të gjendet!»

Por edhe të gjithë atyre që ankohen për bujarinë e mëshirës së Hyjit kur dikush kthehet sinqerisht, Hyji, Ati i dashur me të gjithë bijtë e bijat e veta, u thotë: «Mik, s’po të bëj padrejtësi!… Vallë a duhet të jesh ti smirëzi pse jam unë i mirë?!»

Atë Anton Luli thuhet se vuajti shumë gjatë diktaturës komuniste. Tortura të çdo lloji, fizike e psikologjike. Ai vetë, në një intervistë televizive, me ardhjen e lirisë fetare, pati thënë se kaq shumë po vuante nëpër burgje, saqë një herë i kishte thënë një ushtari: «Të jam shumë mirënjohës nëse do të më japësh një plum këtu në ballë.» Por thuhet edhe se, si me shaka, një herë dikush e pyeti Atë Antonin: «Por ndoshta, në Parajsë do të gjesh edhe Enver Hoxhën, sepse mund të jetë penduar në çastin e fundit.». Jezuiti buzëqeshi dhe iu përgjigj: «Nuk ka problem: do të rrimë unë në një qoshe e ai në një qoshe tjetër.». Kjo ishte një bisedë miqësore, patjetër, por, si me shaka, meshtari i moshuar po thoshte se e rëndësishme është që të shëlbohemi. Jezu Krishti e ka derdhur gjakun e tij pikërisht për shëlbimin e të gjithëve dhe, nëse dikush e humb shëlbimin, Zoti ndjen vërtet dhimbje për atë humbje. Jemi ne që duhet të mësojmë shumë nga kjo dhimbje e Zotit e nuk duhet të lejojmë të verbohemi në shpirt nga dhimbja e së keqes së pësuar. Në kryq, Jezusi i ka thënë: «Sot do të jesh me mua në Parajsë!» pikërisht një hajduti i cili, i penduar, po lypte në ato çaste të fundit mëshirën e Tij. Si mund t’ia mohonte Zoti mëshirën, Ai i cili «është i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta»?

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *