E DIELA XXVI GJATË VITIT A
Ez 18, 25-28; Ps 25 (24); Fil 2, 1-11; Mt 21, 28-32
Është kaq e thjeshtë për t’u kuptuar shëmbëlltyra që Jezusi tregon në Ungjillin e sotëm, saqë na vjen natyrshëm të pyesim nëse ishte me të vërtetë e nevojshme ta tregonte atë apo jo. Po të marrim cilindo fëmijë, besoj se do të dinte t’i përgjigjej saktë pyetjes që Jezusi në fund u bëri të pranishëmve. Por, vetë fakti që, gjithsesi, Jezusi e tregoi një shëmbëlltyrë të tillë, na bën të kuptojmë se Atij i qenka dashur të zbriste deri në vogëlsira të tilla.
Jezusi tregon se si një baba u kërkon secilit prej dy bijve të vet që të shkojnë e të punojnë në vresht. I pari i tha se nuk donte, por pastaj ndryshoi mendim e shkoi, ndërsa i dyti i tha se po shkonte menjëherë, por pastaj ndryshoi mendim e nuk shkoi. Pyetjes së Jezusit «Cili prej të dyve e kreu vullnetin e t’et?», e thashë, të gjithë do t’i ishim përgjigjur saktë, siç iu përgjigjen bashkëbiseduesit e Tij: «I pari.»
Por pyetja e vërtetë që duhet t’i bëjmë vetes, nuk është pse Jezusi arrin të tregojë një histori të tillë kaq të lehtë për t’u kuptuar: pyetja e vërtetë është se çfarë ndodhi me bijtë që ndryshuan mendim ndaj të Atit, njëri për mirë e tjetri për keq.
Jezusi vetë e shpjegon këtë në vazhdimin e pjesës së sotme ungjillore: «Përnjëmend po ju them: tagrambledhësit e laviret para jush hyjnë në Mbretërinë e Hyjit. Sepse erdhi Gjoni ndër ju udhës së drejtësisë, e ju nuk i besuat, tagrambledhësit e laviret i besuan, ndërsa ju, edhe pasi i patë këta, nuk u penduat për t’i besuar.» E kuptojmë kështu se cilat kategori njerëzish simbolizokan secili prej dy djemve në shëmbëlltyrë: i pari simbolizon ata që, fillimisht, bëjnë një jetë mëkatare, por, kur në jetë u jepet rasti të takohen me ftesën e Zotit për kthim, pendohen dhe ndryshojnë stil jete. I dyti simbolizon ata që nga ana e jashtme duket sikur i thonë “po” Hyjit, por pastaj përbrenda nuk e kanë dashurinë e vërtetë ndaj Tij dhe nuk i hapen planeve të Tij. E këta ishin sidomos krerët fetarë të Izraelit në atë kohë. Jo rastësisht Ungjilli fillon me fjalët: «Jezusi u tha kryepriftërinjve dhe kryetarëve të popullit…»
Ajo kategoria e parë e njerëzve, që dikur jetonte në mëkate e pastaj kthehet kah Hyji, na bën të shpresojmë se kthimi gjithnjë është i mundur. Edhe shkenca e psikologjisë e konfirmon se njeriu (për mirë apo për keq) mund të ndryshojë, edhe pse me vështirësi, në çdo lloj moshe. Në lidhje me kthimin kah e mira, pra, mund të shpresojmë gjithnjë në përmirësim, në ndryshim, në kthim. Jo vetëm kaq, por kjo shëmbëlltyrë na e kujton edhe njëherë se gjithnjë mund ta “fitojmë” faljen e sinqertë nga Hyji.
Një herë tregohet se një vajzë shkoi të rrëfehej tek Shën Filip Neri e, mes lotëve, nuk gjente ngushëllim për mëkatet që kishte bërë. Shenjti përpiqej ta qetësonte, por nuk ia dilte. Në fund ai vendosi të ndërhynte prerazi me stilin e tij sa komik aq edhe serioz: «Më fal një sekondë: Më thuaj, për kë ka ardhur Jezusi në botë?» «Për mëkatarët» iu përgjigj ajo. «He pra», ia ktheu Shenjti, duke ia dalë me kaq që ta qartësonte dhe qetësonte menjëherë.
Kurse ajo kategoria e dytë e njerëzve që, nga ana e jashtme, duket sikur i dhurohen krejtësisht Hyjit, por përbrenda janë shumë larg Tij, na bën të ruhemi të gjithë që të mos përfundojmë në një gjendje të tillë. Të gjithë mund të arrijmë të bëhemi si ai djali i dytë që të atit i tha se po shkonte në vresht, por pastaj nuk shkoi.
Jezusi po i ftonte krerët e popullit që të ktheheshin. Hyji po realizonte në Jezusin planin e Tij shëlbimprurës dhe atyre u duhej t’i hapeshin këtij plani. Kishte ardhur koha kur edhe atyre Hyji po u kërkonte të punonin në vreshtin e Tij. Por ata, edhe pse përballë popullit dukej se ishin njerëz të kushtuar Atij, në shpirt ndrynin një kundërshtim sistematik ndaj ftesës së Hyjit për kthim. Si ka mundësi që njeriu mund të jetë kaq kontradiktor? Si ka mundësi që ne, edhe pse ndoshta për një farë kohe i kemi thënë Hyjit “Po”, nuk vonojmë të ndyshojmë mendim?
Besoj se përgjigjen mund ta gjejmë te leximi i parë: «Kështu thotë Zoti: “Ju thatë: ‘Nuk është e drejtë udha e Zotit’. Dëgjoni, pra, shtëpia e Izraelit: A thua mënyra e sjelljes sime vërtetë s’është e mirë? Apo më parë mënyra e veprimit tuaj është e keqe?”» Zoti po i thotë popullit të vet, që ka filluar “të ndryshojë mendim” e të largohet prej Tij, se ka filluar të dojë të keqen në zemrën e vet, prandaj edhe po largohet.
Tani mund të kuptojmë gjithçka: arsyeja për të cilën largoheshin nga Hyji ata që, nga ana e jashtme, dukeshin kaq të devotshëm, është se nuk e kishin kultivuar në shpirt bindjen se Hyji është miku i tyre. Kishin kultivuar ndonjë lloj dashurie “ndryshe” për Hyjin (frikë, servilizëm, interes), por jo dashuri bijësore. Prandaj djali i dytë ndryshon mendim e nuk shkon në vresht kur i ati ia kërkon: sepse nuk e do të atin, përveç se me ndonjë interes e, sa t’i jepet rasti, i kthen shpinën.
Me këto fjalë, Jezusi na porosit të gjithëve që të kemi shumë kujdes, sepse nuk mjaftojnë gjestet e jashtme për të na bërë të jemi vërtetë në Hir të Zotit. Ne, nga ana e jashtme, mund të bëjmë zgjedhje të mëdha, por duhet të kemi shumë kujdes që t’i shoqërojmë ato edhe me shpirt. Nga ana e jashtme mund të bëhemi priftërinj, të kushtuar e të kushtuara, mund të marrim të gjitha sakramentet rregullisht, mund të marrim pjesë në Meshën e së dielës, siç na porosit Urdhëri i tretë, por është shumë e mundur që, përbrenda nesh, të gjitha këto të mos shoqërohen me shpirtin e duhur. Hyji mund të paraqitet në jetën tonë për të na ftuar të rritemi në dashuri ndaj Tij e ndaj njëri-tjetrit dhe mund të ndodhë që t’ia kthejmë shpinën.
Kështu do ta shohim me sytë tanë se vetes sonë i paskemi veshur thjesht një maskë. Maskë e bukur, me pamje engjëjsh, por që gjithsesi është maskë e nuk është shpirti ynë i vërtetë. E do të mund të na ndodhë të takojmë shumë këso maskash përreth nesh. Thoshte shkrimtari italian Luixhi Pirandelo, që në vitin 1934 pati fituar edhe çmimin Nobel në letërsi: «Duke e paguar shtrenjtë ti vetë, do të mësosh në jetë se ke për të takuar më shumë maska se sa fytyra.» Është e vërtetë se të gjithë ne jemi shumë shpesh si të “dyzuar”, pra si me dy lloj jetësh, ajo e brendshmja dhe ajo që përpiqemi t’u tregojmë të tjerëve. E kjo deri diku është edhe shumë normale, përndryshe rrëfimi, përshembull, s’do të kishte arsye të mbetej kaq absolutisht sekret. Por nuk është normale kur në jetë, sistematikisht, zgjedhim kundërshtimin ndaj së mirës në shpirt dhe, nga ana tjetër, shtiratemi para të tjerëve si të mirë.
Po ta vërejmë mirë, Jezusi ka folur shumë pak herë në lidhje me papastërtitë në sferën e seksualitetit, shumë pak ka folur në lidhje me vrasjet, apo me rendjen pas parasë, por ka folur kushedi se sa herë kundër hipokrizisë përballë Hyjit. Kjo sepse, kur njeriu përpiqet në shpirt të kultivojë dashurinë e sinqertë ndaj Hyjit, jeta e tij morale do të përmirësohet vetvetiu pak nga pak. E prandaj Shën Pali në leximin e dytë sot ngul këmbë sidomos që të krishterët të kultivojnë përvujtërinë e të heqin dorë nga mendjemadhësia: «Mos bëni asgjë për kryelartësi, as për mendje të madhe, por, me përvujtëri, mbani njëri-tjetrin më të madh se veten. Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e të tjerëve! Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus!…» E ndjenjat në Jezusin ishin përvujtëria dhe sinqeriteti përballë Atit të vet e përballë njerëzve.
Dom Dritan Ndoci