I DYTI ËSHTË I BARABARTË ME TË PARIN.

Categories HomeliPosted on

E DIELA XXX GJATË VITIT A

Dal 22, 21-27; Ps 18 (17); 1 Sel 1, 5-10; Mt 22, 34-40

Tundimin për ta dashur njeriun pa dashur Hyjin dhe tundimin për ta dashur Hyjin pa dashur njeriun, Jezusi e sulmon haptas në Ungjillin e sotëm.

Në pjesën e sotme ungjillore thuhet se Jezusin duan ta vënë në provë. Për ta kuptuar këtë lloj prove, duhet të hyjmë pak në një tendencë që në atë kohë po zhvillohej në Izrael. Duke qenë se rregu­lloret që duheshin zbatuar për një jetë sa më të përpiktë nga ana fetare, kishin shkuar duke u shtuar gjithnjë e më shumë (ishte arritur deri në 613 rregullore për burrat dhe 5 rregullore për gratë), tashmë kishte kohë që kishte filluar procesi i kundërt, domethënë kishte filluar përpjekja që të përmblidheshin sa më shumë këto rregullore, me qëllimin e thjeshtë që të mund të mbaheshin mend më lehtë. Kjo përpjekje ishte filluar së pari nga profetët e ndryshëm e pastaj ishte bërë edhe më e fortë nëpër shkollat e ndryshme teolo­gjike në Izrael.

Kishte prej atyre që kishin arritur t’i përmblidhnin të gjitha këto rregullore në një të vetme: në dashurinë ndaj Hyjit mbi çdo gjë. Por kishte edhe prej atyre që thonin se duhej patjetër të shtohej edhe dashuria ndaj të afërmit. Jezusit, pra, nuk i bëjnë një pyetje dosido, por po përpiqeshin të kuptonin sa i përditësuar ishte ai me atë që diskutohej nëpër shkollat teologjike të kohës. Ungjilli thotë madje se farisenjtë «u bashkuan» për të gjetur provën që mund të ishte më e përsosura. U desh një përgatitje paraprake për ta sajuar sa më mirë provën. Prandaj edhe shkon pikërisht një «mësues Ligji» për t’ia bërë pyetjen.

Kjo ishte përgjigjja e Jezusit: «Duaje Zotin, Hyjit tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. I dyti është i barabartë me të: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.” Në këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët.»

Duke u përgjigjur kështu, Jezusi nuk thotë ndonjë urdhërim të ri (urdhërimin e ri Jezusi do ta jepte në darkën e fundin kur do t’u thotë nxënësve të vet: «Duani njëri-tjetrin sikurse unë ju kam dashur ju.»), por thjesht përmbledh mësimet e rrymave teologjike të kohës. Farisenjtë, duke mos e ditur se në ç’shkollë teologjike të Izraelit kishte studiuar Jezusi, mbeteshin gjithnjë të habitur nga përgjigjet e Tija kaq të sakta. Nuk e dinin se Ai nuk kishte “studiuar” në shkollat e kësaj bote, por në shkollën e dashurisë së Hyjit Trini.

Edhe pse në pamje të parë Jezusi nuk thotë asgjë të re në përgji­gjen e Tij, po ta vërejmë mirë, gjejmë diçka të re në mënyrën sesi Ai e strukturon përgjigjen e Tij. Mësuesi i Ligjit e pyeti Jezusin për «më të madhin urdhërim të Ligjit», pra i foli në njëjës, kurse Jezusi i përmendi dy urdhërime, si t’i thoshte se nuk mund t’i ndante ata. Jezusi këtu pranon më fort ato rrymat teologjike që thonin se janë dy urdhërimet kryesore, pra dashuria për Hyjin dhe dashuria për të afërmin, por, gjithësesi, duket sikur nuk është plotësisht dakord as me atë rrymë. Mënyra sesi Jezusi shprehet, është shumë ndryshe dhe, duhet ta themi, është fantastike, sepse sapo përfundon së thëni urdhërimin e dashurisë ndaj Hyjit, shton këto fjalë të një thellësie mahnitëse: «I dyti është i barabartë më të.» «I barabartë»: pra, nuk mund të flitet për një urdhërim të parë e një tjetër të dytë, por për një urdhërim të vetëm, i cili përfshin njëherësh dashurinë për Hyjin dhe dashurinë për të afërmin.

Tani le t’i marrim pak me radhë këta dy urdhërime, të cilët në fakt qenkan një urdhërim i vetëm. I kërkojmë falje Jezusit se na duhet t’i ndajmë për momentin, por po e bëjmë vetëm me qëllimin që t’i kuptojmë më mirë ato.

«Duaje Zotin Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde!» është shkëputur nga libri i Ligjit të përtërirë (6, 5) e janë fjalët që Moisiu ia kishte thënë popullit të Izraelit para se të hynte në Tokën e Premtuar. Dashuria ndaj këtij Hyji, një dashuri e përnjëmendtë, do të jetë shenja dalluese e popullit të Izraelit kur të arrijë në tokën që i është premtuar. Tundimet për ta dashur më pak Hyjin, do të jenë të shpeshta për Izraelin e prandaj Moisiu ia porosit popullit këtë lloj dashurie «me gjithë zemër, me gjithë shpirt e me gjithë mendje», që të mos rrezikonte të shuhej nga përzierja me besimet pagane të popujve të tjerë. E, rreziku që kjo dashuri të mund të shuhej, mund të shfaqej në dy mënyra: ose duke u joshur nga idhujt e paganëve, ose edhe duke u “lodhur” në ecjen shpirtërore drejt Hyjit të gjallë e të vërtetë. Por Izraeli duhej të shkëlqente në mes të popujve të tjerë si për besnikëri ndaj këtij Hyji që e kishte përzgjedhur në mes të të gjithë popujve, ashtu edhe për këmbë­nguljen për të luftuar tundimin e dorëzimit. Ekspertë të ndryshëm të jetës shpirtërore nuk druhen të pohojnë se, «në jetën me Zotin, nuk ka rëndësi se sa ke ecur, por e rëndësishme është që je në ecje». E kjo nuk është shenjë e vogël e dashurisë së vërtetë për Hyjin.

Ndërsa, në lidhje me urdhërimin e dytë, «Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!», të shkëputur nga libri i Levitikut (19, 18), mund të themi shumë gjëra. Pikësëpari, duke urdhëruar dashurinë për të afërmin «si vetveten», me ligj Hyji urdhëron edhe dashurinë e shë­ndoshë për vetveten. Pastaj, duke qenë se në të shumtën e rasteve në këtë pikë të dashurisë për vetveten ne nuk kursehemi, Jezusi nuk ka frikë të na e kujtojë se pikërisht ashtu nuk duhet të kursehemi as për këdo që kemi pranë në jetë.

Shembujt që do të mund të merrnim, do të ishin me mijëra, por po kufizohemi me ato që sjell sot vetë leximi i parë. Edhe këto rreshta i janë thënë popullit të Izraelit në kohën e Moisiut, rreth 1200 vjet para Krishtit, dhe po e shohim se sa janë aktuale edhe sot e kësaj dite.

Thotë Zoti në leximin e parë: «Mos e keqtrajto vejushën as bonjakun!» Është interesante një këshillë e tillë! Duke qenë se njeriu është i tunduar shpesh të nëpërkëmbë atë që është i paaftë për t’u mbrojtur, Zoti e fton popullin e vet që të mos bjerë pre e këtij lloj tundimi. Sa shpesh ndodh që pikërisht në ato familje ku mungon i zoti i shtëpisë, nuk janë të paktë njerëzit që fillojnë t’i nëpërkëmbin ata të mjerë, t’i shfrytëzojnë e t’u bëjnë shumë padrejtësi të tjera. «Nëse do t’i nëpërkëmbni, ata do të kërkojnë ndihmë prej meje e unë do ta dëgjoj ankimin e tyre. Atëherë hillërimi im do të ndizet flakë.» Janë fjalë që e shprehin shumë qartë keqardhjen e Zotit kur nëpërkëmbët i pambrojturi dhe do të duhej të na bënin të mendohemi seriozisht, sepse Ai vetë zotohet se do t’u vijë në ndihmë.

«Nëse do t’i huajosh parà ndokujt prej skamnorëve të popullit tim që është me ty, mos u sill me të si të ishe kamatar: mos i merrni kamatë!» Sa do të donim sikur dymijë vjet pas Krishtit ky qortim të mos ishte më i nevojshëm. Këtu patjetër që nuk është fjala për atë lloj kamate, interesi, që kërkohet edhe nëpër bankat shtetërore apo private, por për ato lloj pazaresh të pista që bëhen nga “bamirës” të cilët ofrohen për t’u ardhur në ndihmë atyre që kanë nevojë urgjente për para, por që ua marrin shpirtin me kamata tejet të kripura. Madje ka njerëz që sigurojnë jetesën e tyre në këtë mënyrë kaq të padrejtë, duke i varfëruar tej mase shumë e shumë familje në nevojë.

«Nëse për peng ia ke marrë të afërmit tënd gunën, ktheja para perëndimit të diellit»: guna ishte një lloj petku që e përdornin sidomos barinjtë kur kullosnin bagëtitë. Shpesh ata rrinin edhe jashtë për t’i ruajtur bagëtitë e tyre dhe, mbuloja me të cilën mbroheshin nga të ftohtit e natës, ishte pikërisht ky petk. Por e kuptojmë lehtë se këtu fjala nuk është vetëm për «gunën», por për çdo lloj borxhi që mund t’i merret ndokujt: ta vonosh borxhin, të mos i japësh rrogën në kohë punëtorit e gjëra të tjera të ngjashme, janë shumë kundër dashurisë ndaj tjetrit, sepse ai i shkretë aty i ka sytë, tek ato para për të cilat ka derdhur djersë e me të cilat mban familjen e vet.

Ja, pra, edhe pse pas rreth 3200 vjetësh, sa aktuale janë këto porosi të Shkrimit Shenjt!

T’i marrim më seriozisht, pra, si dashurinë ndaj Hyjit ashtu edhe dashurinë ndaj të afërmit. Kështu, duke mos u mashtruar se është e mundur të ndahen këto dashuri, do të kemi edhe ne një zemër si ajo e Jezusit, i cili nuk mund t’i ndante ato.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *