MOS BËNI SI BËJNË ATA!

Categories HomeliPosted on

E DIELA XXXI GJATË VITIT A

Mal 1, 14 – 2, 2. 8-10; Ps 131 (130); 1 Sel 2, 7-9. 13; Mt 23, 1-12

«Ju mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë.», thotë Jezusi në Ungjillin e sotëm në lidhje me skribët e farisenjtë që janë ulur dhe mësojnë nga katedra e Moisiut. E, kur i tha këto fjalë, Jezusi ishte duke i folur «turmës dhe nxënësve të vet». Pra nuk ua thotë vetëm nxënësve këto fjalë, në ndonjë bisedë konfidenciale që ka për qëllim të korrigjojë «të vetët», por ua thotë të gjithëve: s’ka gjë nëse në turmë mund të jetë ndonjë spiun që do t’ua përcjellë fjalët skribëve e farisenjve. E rëndësishme për Jezusin ishte që e gjithë bota ta kuptonte mirë se hipokrizia është vesi më i ndyrë që ekziston.

Në Ungjill, Jezusi ka folur shumë pak për veset e tjera, si përshembull për veset kundër pastërtisë në martesë, për vjedhjen, për vrasjen, por ka folur vërtet shumë kundër mëkatit të hipokrizisë. Në Ungjillin e Gjonit gjendet kjo shprehje vërtet turbulluese e Jezusit, kur përballet me mosbesimin e ngurtë të judenjve: «Po si mund të besoni ju, ju që kërkoni lavdi prej njëri-tjetrit, e nuk kërkoni lavdinë që vjen prej Një Hyji të vetëm?» (5, 44). Vërtet na turbullojnë fort të gjithëve këto fjalë të Shëlbuesit tonë, sepse të gjithë e kemi lakmi jo pak la­vdinë nga të tjerët.

Jezusi ka folur shumë kundër hipokrizisë, sepse, nëse në njeriun arrin të zhduket ky ves, atëherë të gjitha veset e tjera është e mundur të luftohen pak nga pak me ndihmën e Hirit Hyjnor. Por nëse nuk heqim dorë nga hipokrizia, nga dyfytyrësia, Hiri Hyjnor do ta ketë të vështirë të depërtojë në ne, sepse ne me dashje, vazhdojmë të bëjmë plane kundër asaj që është e mirë, e shenjtë, e drejtë. Si mund të veprojë Hiri i Hyjit në këtë rast, përderisa jemi krijuar të lirë?

Jezusi nxjerr sot në pah disa prej veseve që kishin këta skribë e farisenj: «Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të mbarten, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë.» E keqja këtu nuk është vetëm fakti se ata nuk bëjnë asgjë nga gjërat që vetë mësojnë, por edhe fakti se ua rë­ndojnë ndërgjegjet të tjerëve. U japin detyrime e sentenca të rënda dhe i detyrojnë të ndihen në faj për gjëra tejet të imta të jetës morale, duke ua paralizuar lirinë e shpirtit dhe duke i bërë ta humbasin bukurinë e të qenit bij e bija të Hyjit. U mungon dashuria për tjetrin, prandaj edhe nuk dijnë t’i edukojnë njerëzit në lirinë e dashurisë, por në skllavërinë e rregulloreve, të cilat shpesh janë edhe të pakuptimta.

«Mandej të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thakët.» Ishte fjala për disa lloj veshjesh që, sa më të zgjatura të ishin, aq më shumë gjoja tregohej se dikush ishte besimtar. Kërkonin me ngulm që t’ua mbushnin mendjen njerëzve se janë të shenjtë, ashtu siç rrezikojnë të bëjnë edhe sot e kësaj dite shumë të krishterë. Shumë shpesh kishat janë të mbushura me njerëz që duan medoemos t’ua mbushin mendjen të tjerëve se sa besimtarë janë. Në kishë duket sikur janë më shumë në Parriz se në tokë, por, kur dalin prej kishës, gjërat janë shumë ndryshe. Duke filluar nga komunikimi me familjarët e tyre. Janë, si thotë populli, «zjarri i shtëpisë», në kuptimin që i torturojnë me karakterin e tyre tejet egoist e të pagdhendur. Por sa të shumtë janë edhe njerëzit që kanë hyrë në jetën e kushtuar, shpesh edhe me poste të larta drejtuese, që, para turmave, dijnë të shfaqen të devotshëm, të mallëngjyer deri në lotë me gjërat e Zotit, por pastaj jeta e tyre është plot dyfytyrësi, duke treguar se e gjithë ajo që teatronin para turmave ishte veçse spektakli i radhës e asgjë më shumë! Sa dhimbje duhet t’i kushtojnë Jezusit këto mëkate, përderisa reagon me kaq ashpërsi kundër tyre në Ungjillin e sotëm!

«Në gosti dëshirojnë kryet e vendin, në sinagoga vendet e para, përshendetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’.» Situata rëndohet kur këta, jo vetëm që përpiqen t’ua mbushin mendjen të tjerëve se janë të mirë, por kur fillojnë të pretendojnë edhe nderimin nga të tjerët. Sëmundje fort e keqe kjo, që prek sidomos ata që merren me drejtimin shpirtëror të bashkësive. Këta fillojnë të kalojnë nga përpjekja për t’ju afruar edhe ata vetë Atij që përfaqësojnë, tek pretendimi i respektit medoemos, edhe kur jeta e tyre është skëterrë. Kështu nuk vonojnë dhe e nxjerrin në pah tërë helmin dhe arrogancën që ndrydhnin në zemër duke shfryrë me qortime e rregullore. Prandaj, jo rrallë, sa t’u jepet rasti, nuk vonojnë dhe përdorin tërë autoritetin që kanë, nesë kanë mundësi të hakmerren ndaj ndokujt. Problemi i këtyre njerëz nuk është se nuk marrin dashuri. Marrin, edhe shumë madje. Megjithatë, atyre nuk u mjafton të jenë të dashur, por duan të jenë të adhuruar. Prandaj u pëlqen të jenë të rrethuar nga servilë që ua lënë mbarë në gjithçka që thonë e në gjithçka që bëjnë dhe, ata që nuk bëjnë ashtu, i mbajnë për rebelë. E pastaj i gjejnë të gjitha justifikimet morale e teologjike për t’i mbajtur larg e, mundësisht, për t’i asgjësuar. Ky lloj vesi shpesh është pengesa më e madhe në ungjillizim.

Por ky ves mund të kaplojë dejtuesit e çdo fushe të veprimtarisë njerëzore. Ndaj këtyre njerëz, të cilët ishin të thirrur të jenë mjeshtra të jetës së ndershme e jo mjeshtra mashtrimit, Jezusi përdorte fjalë shumë të forta. E dinte mirë se, duke folur kundër tyre, do t’i kushtonte shtrenjtë, por dyfytyrësinë e tyre nuk mund ta toleronte. E këtë nuk e bën nga inati, por ngaqë dëshiron t’i bëjë të kuptojnë se ashtu po i mbylleshin shëlbimit që Ai po u sillte.

Jezusi po vepronte ashtu siç kishte vepruar dikur edhe Hyji, sikurse na tregon edhe leximi i parë: «E tash ky urdhër është për ju, o priftërinj. Nëse nuk do të dëgjoni, nëse nuk do të jeni në kujdes t’i jepni lavdi Emrit tim, do të çoj mallkim mbi ju e do t’i mallkoj bekimet tuaja… Ju e latë rrugën. Me mësimin tuaj shkandulluat shumë.» Biri i Hyjit vazhdon të qortojë, ashtu siç kishte qortuar dyfytyrësinë e të tjerëve dikur.

Jezusi dëshiron që nxënësit e Tij të mos ishin ashtu: «Mos bëni si bëjnë ata.» Jezusi dëshiron që ne të kemi në zemra dashurinë e vërtetë ndaj Hyjit dhe ndaj njerëzve. Fatkeqësisht as Jezusi nuk ia ka dalë që të ketë përreth vetes vetëm njerëz të tillë, duke qenë se historia e Kishës na tregon se hipokrizia shpesh ka prekur dhe vazhdon të prekë rëndë edhe vetë bashkësinë e krishterë. Por, e dimë, kjo gjë ka shkaktuar gjithnjë dëme të mëdha shpirtërore. «Ju e latë rrugën.», do të na thoshte Hyji, i lënduar e i hidhëruar, po bëmë ashtu!

Një shembull shumë i mirë se si duhet të jetë i krishteri dhe sidomos ai që ka në dorë drejtimin e bashkësive, na jepet nga këto fjalë të Shën Palit që dëgjuam në leximin e dytë: «Vëllezër, ne qemë ndër ju të butë, porsi nëna që ushqen e kujdeset për fëmijët e vet. Këndej, prej dashurisë që kemi për ju, ishim të gatshëm t’ju shpallnim jo vetëm Ungjillin e Hyjit, por t’ju jepnim edhe jetën tonë, kaq ju kemi pasur për zemër.».

Një tjetër bari i madh i Kishës, Shën Augustini, pasi qe shuguruar ipeshkëv, shkruante: «Qysh se m’u vu mbi shpatulla kjo peshë (për të cilën do t’i jap jo pak llogari Hyjit) jam gjithnjë i munduar nga shqetësimi i dinjësisë sime. Gjëja më e frikshme është rreziku që të parapëlqej më fort nderimin ndaj meje, sesa shëlbimin e të tjerëve. Por, nëse nga njëra anë më fut frikën ajo çka jam për ju, nga ana tjetër më ngushëllon ajo që jam me ju. Për ju, në fakt unë jam ipeshkëv, me ju jam i krishterë. E para është emri i një detyre që më është dhënë, e dyta është emri i një Hiri. E para është emër rreziku, e dyta është emër shëlbimi.» E kishte kuptuar shumë mirë Shën Augustini frikën e Jezusit se mos ndoshta edhe nxënësit e Tij do të përfundonin të bëheshin si skribët dhe farisenjtë. Shën Pali, Shën Augustini e shumë të tjerë e kanë kuptuar mirë Krishtin kur thoshte: «Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet, do të lartësohet».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *