JEZU KRISHTI – MBRET I GJITHËSISË
(E DIELA XXXIV GJATË VITIT)
Ez 34, 11-12. 15-17; Ps 23 (22); 1 Kor 15, 20-26. 28; Mt 25, 31-46
«Në perëndim të jetës sonë, do të gjykohemi mbi dashurinë.», thoshte Shën Gjoni i Kryqit. Këtë e vërtetojnë edhe fjalët e Jezusit sot në Ungjill, ku Ai paraqitet si Mbreti që do t’i gjykojë «të gjithë popujt» me pushtet të padiskutueshëm: «Kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm. Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve.» Në leximin e parë, Hyji thoshte përmes Ezekielit profet: «Unë vetë do t’i kërkoj delet e mia e do të kujdesem për to.» e, menjëherë më poshtë, vazhdon: «Unë do të ndaj drejtësi ndërmjet deles e deles, ndërmjet deshëve e cjepve.». Atë që Hyji e thoshte për vete në Besëlidhjen e Vjetër, Jezusi në Ungjill e thotë për vete kur thotë «Biri i njeriut». Kështu (si ai që ka pamjen e Birit të njeriut) përkufizohej Mesia në librat e Besëlidhjes së Vjetër. Një mënyrë madhështore e Jezusit kjo për të treguar Hyjninë e vet.
Ne e besojmë se Jezusi do të vijë sërish në fundin e kohëve. E themi çdo të diel në Besoj: «Përsëri do të vijë me lavdi, për të gjykuar të gjallët e të vdekurit e Mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.» Kështu, si Gjykatës e Mbret të gjithësisë, na e përshkruan ardhjen e dytë të Jezusit edhe Shën Pali në këtë tekst madhështor të Letrës së parë të drejtuar Korintasve: «Atij i takon të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tij të gjithë armiqtë e tij. Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja. E, kur t’ia ketë nënshtruar të gjitha, edhe Biri do t’i nënshtrohet Atij që ia nënshtroi të gjitha, që Hyji të jetë gjithçka në të gjithë.» Një përshkrim madhështor dhe tepër i rëndësishëm për teologjinë e krishterë.
Por të mos mendojmë se i gjithë ky përshkrim dhe e gjithë rëndësia e kësaj të kremteje të Jezu Krishtit Mbret të Gjithësisë që po kremtojmë sot janë për të na futur frikën e për të na bërë të dridhemi kur mendojmë për Jezusin. Jezusi kurrë nuk ka dashur që dikush të tmerrohej duke përmendur Emrin e Tij, por gjithnjë ka dashur të lidhë fije miqësie e dashurie me njeriun. Vënia e theksit sot tek fakti se një ditë Jezusi do të vijë si Gjykatës, është për të na bërë të kemi sigurinë se, një ditë, e mira do të fitojë. Pothuajse të gjithë martirët tanë shqiptarë kanë rënë duke thënë si fjalë të fundit pikërisht fjalët «Rrnoftë Krishti Mbret!», të bindur se vetëm Mbretëria e Tij një ditë do të triumfojë, ndërsa mbretëritë e kësaj bote do të kuptohet se sa gabim ishin.
Një ditë, e mira dhe e keqja do të ndahen përfundimisht nga njëra-tjetra. Kështu, të gjithë ata që janë në udhën e së mirës, të dashurisë, të së vërtetës e të drejtësisë, duhet të kenë sigurinë se të gjitha këto një ditë do të triumfojnë. Nga ana tjetër, të gjithë ata që nuk i bëjnë këto, duhet ta kuptojnë se e keqja e tyre një ditë do të dalë në pah përfundimisht dhe nuk do t’u sjellë kurrfarë dobie, sepse, përfundimisht, do të humbasin Hyjin.
Duke humbur Hyjin, njeriu humb gjithçka, sepse është i krijuar në përngjasim me Të. Duke humbur Hyjin, njeriu humb vetveten dhe të tjerët. Të bën përshtypje përshkrimi që Shenjtja Faustina Kovalska i bënte Ferrit, sipas një vegimi që ajo kishte pasur një herë. Një engjëll e mori dhe, në vegim, e çoi të vizitonte Ferrin. Gjërat që përshkruan janë të shumta, por në një farë pike Shenjtëresha shkruan: «Vija re se si shpirtrat aty vuanin, qanin e vajtonin për faktin se nuk kishin qenë kthyer kah Hyji sa ishin ende në kohë mbi tokë. Vuajtja më e madhe e Ferrit ishte mungesa e Hyjit dhe vetëdija se Hyjin e kishin humbur përgjithmonë. Djajtë i mundonin shpirtrat, por as vetë djajtë nuk ishin më të lumtur se ata për këtë.» E, gjëja më interesante që shkruante shenjtëresha polake, ishte kjo: «Aty, në Ferr, si shpirtrat e humbur, ashtu edhe djajtë jo vetëm që urrenin vetveten, por urrenin edhe shpirtrat dhe djajtë e tjerë.» Patjetër që për këto vegime duhet një shpjegim teologjik i përshtatshëm, por mund të themi se thelbi i asaj që duan të na mësojnë këto rreshta, është se Ferri është mungesa e plotë e lumturisë dhe e dashurisë.
Ndërsa, sipas teologjisë së krishterë, e dimë se Parrizi është krejtësisht e kundërta e kësaj. Parrizi, nga përshkrimi i shumë shenjtërve në vegimet e tyre dhe nga përfundimet e shumë teologëve, duke u bazuar në Shkrimin Shenjt, është vendi i lumturisë së plotë për njeriun. Pikësëpari sepse aty njeriu gjen Hyjin e vet plotësisht. Pastaj, si pasojë e kësaj, ai gjen edhe vetveten dhe të tjerët. Lumturia e Parrizit përshkruhet si një e tashme e përjeshme plot me lumturi. Përshkruhet si një gëzim në maksimum, por gjithnjë në rritje.
Meqë Ferri është mungesa e plotë e dashurisë dhe Parrizi është mbretërimi i plotë i saj, kjo do të thotë se gjithçka varet nga drejtimi që do t’i japim timonit të jetës sonë këtu në tokë. Për këtë arsye Jezusi, në Ugjillin e sotëm, kur jep gjykimin e vet, nuk e përmend askund «Zotin», por «dashurinë» për nevojtarët. Sepse kush zgjedh dashurinë, edhe nëse nuk e di, zgjedh Zotin.
Sa e bukur është ftesa që Jezusi thotë se do t’ua bëjë të lumëve: «Ejani, të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës». Mbretëria e Hyjit paska qenë bërë gati për ta qysh se u krijua bota! Zoti e ka menduar Parrizin qysh në çastin e krijimit të gjithësisë. Është interesant fakti se, kur Mbreti u drejtohet të këqijve, u thotë: «Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasusur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij!» Këtu Mbreti nuk thotë se Ferrin e kishte përgatitur Hyji për njerëzit. Teologjia katolike madje saktëson se as për djallin Hyji nuk e deshi Ferrin, duke qenë se fillimisht e kishte krijuar atë një engjëll të mirë. Ferri “lindi” kur këta engjëj rebelë nuk pranuan ta donin më Hyjin dhe t’i shërbejnë Atij. E bënë me një vetëdije aq të lartë, saqë për ta kjo qe fatale. Njeriu nuk e ka një vetëdije aq të lartë të së keqes që bën në këtë jetë, prandaj edhe mëkatet mund t’i falen sa është ende gjallë. Por, nëse e gjithë jeta e njeriut ka qenë një këmbëngulje kokëforte në të keqen, atëherë edhe ai do të shkojë atje ku shkuan ata shpirtra rebelë. Nëse shkon në Ferr, vendi që ishte përgatitur për atë njeri në Parriz do të mbetet bosh, por, nëse shkon në Parriz, në Ferr nuk do të mbetet asnjë vend bosh, sepse nuk ishte krijuar për njeriun.
Hyji herë pas here na vë në situata ku na duhet të bëjmë zgjedhjen nëse duam të jepemi pas dashurisë apo duam të zgjedhim egoizmin dhe urrejtjen. Zgjedhja është e jona. Sa herë që zgjedhim dashurinë për nevojtarët (për të uriturit, për të etshmit, për shtegtarët, për të zhveshurit, për të sëmurët apo për të burgosurit), Jezusi do ta vlerësojë atë gjest si një të mirë të bërë Atij. Kjo sepse, kush zgjedh dashurinë, do të kujdesej për Jezusin nëse Ai do t’i kalonte pranë si para dy mijë vjetëve. Por, kush zgjedh egoizmin, urrejtjen, përbuzjen, mospërfilljen apo shfrytëzimin e nevojtarit, edhe ato Jezusi do t’i shohë si t’i ishin bërë Atij. Njerëz të tillë, në fakt, e kryqëzuan. Prandaj kishte të drejtë Shën Gjoni i Kryqit kur thoshte se «në perëndim të jetës sonë, do të gjykohemi mbi dashurinë», sepse lumturia e Parrizit është Mbretëri Dashurie. Aty hyjnë vetëm ata persona që zgjodhën dashurinë, të tjerët jo.
Një shenjt portugez, Shën Gjoni i Hyjit, thuhet se bëri vërtet bujë në shekullin XVI, me përkushtimin e tij ndaj të varfërve. Shepsh, kur u shërbente të sëmurëve në një spital që kishte themeluar ai vetë, thuhet se e dëgjonin tek u rrëfente atyre mëkatet e veta. I dukej sikur po i shërbente Jezusit. Por simpatike do të mbetej mënyra se si ky shenjt u kërkonte lëmoshë të pasurve. U thoshte: «Bëjini mirë vetes, vëllezër!». Ishte duke u thënë se, duke ndihmuar të varfrit, ata pikësëpari po i bënin mirë vetes, sepse po zgjidhnin të ishin nga ana e dashurisë, pra, nga ana e Jezusit. Kështu do të mund të shëlboheshin, sepse vetëm këtyre Jezusi do të mund t’u thotë: «Ejani, të bekuarit e Atit tim!».
Dom Dritan Ndoci