PUNOI NJË FRUSHKULL KONOPËSH DHE I DËBOI NGA TEMPULLI.

Categories HomeliPosted on

E DIELA III E KREZHMEVE – Viti B

Dal 20, 1-17; Ps 18 (17); 1Kor 1, 22-25; Gjn 2, 13-25

Në Shkrimin Shenjt që sot liturgjia na vë përpara përmenden disa pjesë të cilat janë shumë të njohura. Pjesa e shkëputur nga libri i Daljes që flet për dhënien e Dhjetë Urdhërimeve nga Zoti, patjetër që është më e njohura për të gjithë ne. Kaq janë të rëndësishme këto Urdhërime, saqë qysh fëmijë secilit prej nesh i është kërkuar që t’i mësojë ata përmendësh.

Edhe pjesa e Ungjillit të sotëm është deri diku shumë e njohur nga të krishterët. Kjo ngaqë aty na duket se kemi të bëjmë me një Jezus ndryshe nga Jezusi i butë e i përvujtë të cilin jemi mësuar ta imagjinojmë zakonisht.

Vendi ku tregtarët kishin zënë vend në Tempull, ishte ajo pjesa e zbuluar e tij ku izraelitët lejohej të afroheshin për lutjet e tyre. Por, duke qenë se shërbesat fetare parashikonin edhe ofrimin e qengjave, zogjve, pëllumbave, etj., atëherë, pak nga pak, vendi filloi të bëhej i papërshtatshëm për lutje, duke ia lëshuar vendin tregtisë.

Prandaj Jezusi ndërhyri me tone në dukje të ashpra, me qëllim që ta theksonte respektin që i duhet dhënë Hyjit në atë vend. Dëshironte që njerëzit ta shihnin Tempullin jo si vend përfitimesh ekonomike, por si vendi ku njeriu takohet me Zotin e vet.

Edhe pse Tempulli nuk ishte qëllim në vetvete, ai gjithsesi meritonte respekt e nderim. Jezusi vetë e shpjegon, në fakt, se Tempulli nuk është qëllim në vetvete, por shëmbëllesë e Tij: «Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri ditë!» E ungjilltari, pak më poshtë, sqaron se Jezusi po fliste për tempullin e trupit të vet, bisedë të cilën as nxënësit nuk e kuptuan menjëherë, por që do ta kuptonin vetëm nën dritën e Ngjalljes Tij prej së vdekuri.

Kjo, Ngjallja e Tij, është «shenja» që Jezusi u jep judenjve kur ata e pyesin: «Ç’shenjë na jep se guxon të veprosh kështu?»

Prandaj edhe Jezusi, Bir i vërtetë i Hyjit, «guxon»  të na e “shkundë” ndërgjegjen  sa herë që, më fort se takimin e përzemërt me Hyjin, ne synojmë gjëra të tjera në jetë.

Në një farë mënyre edhe ballafaqimi me Dhjetë Urdhërimet që sot liturgjia na “detyron” të bëjmë, ngjan me atë frushkullën e konopit me të cilën Jezusi dëboi tregtarët nga Tempulli. Edhe nga shpirti ynë Jezusi dëshiron t’i shkatërrojë “pazarllëqet” e pista që ne mund të bëjmë me mëkatin.

Prandaj, duke shikuar kah Krishti i Ngjallur, mund t’i marrim me radhë Urdhërimet e të shohim shkurtimisht se ku kemi nevojë për pastrim. Duke shikuar kah Krishti, atëherë Urdhërimet e Shenjta i duken njeriut veç bekim e ndihmë për ta orientuar jetën e vet kah Hyji.

Urdhri i parë thotë: «Të mos kesh asnjë Hyj tjetër përveç meje!» Jo pak janë ata që i bien mohit haptas fesë. Por më të shumtë janë ata që e mohojnë fenë pa fjalë. Janë ata që e harrojnë Zotin dhe jepen me gjithë zemër pas parasë, famës, pushtetit.

Ka edhe prej atyre që thjesht flenë në një gjumë letargjik të indiferentizmit shpirtëror, duke lënë mënjanë sakramentet, lutjen, Fjalën e Zotit, veprat e dashurisë. Të tjerë, pastaj, jepen pas zgjidhjeve të tjera: pas magjisë e pas fallxhoreve. Për të mos folur pastaj për ata që krijojnë si “idhuj” të jetës së tyre njerëzit që joshin me famën dhe elegancën e tyre nëpër skenat botërore, por që, në fakt, propozojnë një jetë shumë larg Fjalës së Zotit.

Duhet të kujtohemi se vetëm Zotit duhet t’i shkojë adhurimi ynë. Vetëm Ai e meriton këtë.

«Mos e merr Emrin e Zotit nëpër gojë kot», thotë urdhri i dytë. Sa e sa herë ne të krishterët e marrim nëpër gojë kot emrin e Zotit. Tepër pak respektohet ky Emër i Tejetshenjtë. «Shenjt i madh emri i Tenzot, mos e merr nëpër gojë ti kot!», thotë një uratë e vjetër. Shumë njerëz bëjnë bé kot, madje edhe në rrenë. Nëse do ta donim Zotin, do t’ia donim edhe Emrin. Kështu, në fakt, ndodh edhe në marrëdhëniet tjera njerëzore: kur dikush tallet me emrin e dikujt që duam, ndihemi të vrarë përbrenda dhe reagojmë. Përse nuk u dashka ta vlerësojmë këtë reagim të Zotit në këtë urdhërim, kur kërkon respekt për Emrin e Tij të dashur?!

Por ky urdhërim nuk ka për qëllim kryesisht që të na mësojë se si të flasim: më fort dëshiron të na mësojë se  si të jetojmë! Duke kërkuar respekt për Emrin e vet, Zoti ndalon që, në Emrin e Tij, ne të kryejmë të keqen. Ndalon që njeriu të vrasë në Emër të Zotit apo ta përdorë Emrin e Tij për të krijuar rrjete përfitimi vetjak. Shumë vepra të këqija shpesh herë reklamohen si të mira pikërisht duke u futur brenda edhe pak përdorim të Emrit të Zotit apo pak “përshpirtëri”.

 «Kujtohu ta shenjtërosh ditën e shtunë!» Për ne të krishterët vlen e diela, dita e ringjalljes së Jezusit. Bankat boshe që shpesh shohim në kishat tona, nuk kanë mbetur boshe për shkak të punëve të shumta që kanë njerëzit. Sikur ta kishim për zemër Zotin, do të bënim çmosin edhe ta takonim Atë. Shumicës, djalli ua ka mbushur mendjen se «mjafton të mos i bësh keq kujt për të qenë mirë me Zotin». Sikur të ishte ashtu, atëherë edhe një jo i krishterë qenka mirë me Zotin, nëse nuk i bën keq kujt! Si qenkemi mirë me Zotin nëse nuk afrohemi për ta dëgjuar Fjalën e Tij dhe nuk marrim Jezusin në Kungimin e Shenjt?! Zotit nuk duhet t’i lutemi vetëm për Krishtlindje e për Pashkë! Disa të krishterë të shekujve të parë qenë martirizuar ngaqë dëshironin të merrnin pjesë në Meshën e së dielës. Me shumë guxim ata pohuan: «Pa Meshën e së dielës ne nuk jemi të krishterë.»

«Ndero babën e nënën!» – thotë urdhri i katërt. Janë të shumtë ata që, bindjen ndaj prindërve, e përjetojnë si një peshë. Prandaj edhe i shpërfillin pa problem porositë që u japin prindërit, duke arritur deri edhe në reagime histerike kundër tyre. Por duhet të kuptojmë se janë shumë të rralla rastet kur, duke dëgjuar prindërit, dikush të ketë përfunduar keq në jetë. Përveç kësaj, nderimi i duhur ndaj prindërve, është një praktikim shumë efikas për nderimin që duhet t’i japim Hyjit.

«Mos vra!» Ka rreth 3200 vjet që është dhënë ky urdhërim dhe ende nuk ia ka dalë t’i ndalojë vrasjet, luftërat, abortet. Ka shumë mënyra për ta justifikuar vrasjen, por duhet ta dijmë se ne jemi krijuar për të dhuruar e krijuar jetë përreth nesh e jo për ta marrë atë. Po ta mendojmë, gjithnjë ekzistojnë mënyra të tjera për t’i zgjidhur konfliktet. Është dashuria ajo që ne njerëzve na bën të ndihemi mirë e jo urrejtja.

«Mos bëj kurorëshkelje!» është një urdhër të cilit ende nuk i ka kaluar “data e kadencës”. Urdhri përfshin të martuarit, të cilëve u kërkon besnikërinë reciproke, por edhe të pamartuarit, të cilëve ua ndalon ta shprehin dashurinë e tyre intime ndaj ndokujt me të cilin nuk janë të martuar. Ky urdhërim e fton besimtarin që ta orientojë ai trupin e tij e jo trupi ta orientojë atë. Këtu përfshihen edhe vullneti, dëshirat, planet, gjëra të cilat i thekson urdhri i nëntë që thotë: «Mos e lakmo njeriun e huaj për të keq!» Zoti nuk e ka dhënë këtë urdhër për ta frenuar dashurinë, por për ta mbrojtur atë. E, dashuria, ka realisht nevojë për mbrojtje. Ka shumë nevojë.

Urdhërimi «Mos vidh!» mbase është urdhërimi që thyhet më shpesh. Ky urdhërim nuk ndalon vetëm vjedhjet nëpër xhepa, por edhe gjithë ato mori mashtrimesh të cilat njerëzit janë në gjendje t’i shpikin. Vjedh ai që me dashje ngatërron llogaritë, ai që nuk thotë të vërtetën mbi mallin që shet. Vjell gjyqtari kur nuk ushtron drejtësinë, por jepet pas parasë. Vjell mjeku kur nuk ndërhyn në të mirën e jetës pa përfitime ekonomike. Vjedh profesori që nuk e kalon studentin në provime pa i dhënë para. Pastaj ekziston edhe vjedhja e dinjitetit, vjedhja e intelektit, kur popujve nuk u mundësohet shkollimi dhe puna. E problemi kryesor është kur vjedhja bëhet mendësi.

Por pyetja që ndihmon të kapërcehet kjo mendësi do të ishte: «A besojmë me të vërtetë në Provaninë e Hyjit?» Për t’ia arritur shmangies së një mendësie të tillë mashtruese, na ndihmon porosia e Urdhrit të dhjetë që thotë: «Mos e lakmo asnjë gjë të huajën!» duke mësuar që të edukojmë deri edhe dëshirat tona.

 Na bën mirë t’i rikujtojmë këto gjëra. Na bën mirë ky “frushkull” shpirtëror. Sikur të mos e bënim, ndërgjegjja jonë do të rrezikonte të plogështohej e të mbushej me gjithfarë vesesh.

Në jetën tonë ishte dashur të zinte vend ngultas dashuria për Krishtin e kryqëzuar e jo veset dhe mendësia mëkatare e botës. Prandaj Shën Pali nuk druhej t’u thoshte Korintasve: «Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar… fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit. Sepse, çka në Hyjin duket marri, është më e dijshme se njerëzit e çka në Hyjin duket dobësi, është më e fuqishme se njerëzit.»

“Frushkulli” i ëmbël që Jezusi i kryqëzuar mund të përdorë brenda nesh, na ndihmon t’i sjellim sytë tanë sërish kah Zoti me fe të gjallë dhe, në këtë ecje krezhmore, të jepemi – edhe pse me ligështinë e natyrës sonë – pas kryerjes së zellshme të vullnesës së Tij.

Ai nuk do të na lërë vetëm.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *