AI U NGJALL, NUK ËSHTË KËTU.

Categories HomeliPosted on

RINGJALLJA E ZOTIT, VIGJILJA – Viti B

Zan 1, 1 – 2, 2; Ps 104 (103); Dal 14, 15 – 15, 1; Dal 15, 1-6. 17-18; Is 55, 1-11; Is 12, 2-1-6; Bar 3, 9-15. 32 – 4, 4; Ps 19 (18); Rom 6, 3-11; Ps 118 (117); Mk 16, 1-8.

Jezusi u kishte thënë apostujve: «Unë jam Ringjallja dhe Jeta.» Mbase ata kishin menduar se Jezusi po fliste në nivel metaforik, por vetëm kur Jezusin do ta shohin realisht të Ngjallur, do ta kuptojnë forcën e atyre fjalëve që Ai kishte thënë.

Prandaj Katekizmi i Kishës Katolike shpjegon: «Ngjallja e Jezusit përbën mbi të gjitha vërtetimin e gjithë asaj që Jezusi ka bërë e mësuar. Të gjitha të vërtetat, edhe ato më të paarritshmet për shpirtin njerëzor, gjejnë justifikimin e tyre nëse, duke u ngjallur, Krishti e ka dhënë provën përfundimtare të asaj që kishte premtuar dhe të autoritetit të tij Hyjnor.»

Prandaj kjo natë në të cilën kremtojmë ngjalljen e Krishtit, përbën edhe qendrën e tërë liturgjisë së Kishës, sepse përreth këtij misteri kaq të madh, marrin kuptimin e tyre të gjitha misteret e tjera të besimit tonë.

Misteri më madhështor në të cilin ne besojmë, është misteri i të Shenjtërueshmes Trini, sepse në Trininë e Shenjtë merr plotësinë e vet gjithçka. Por tek ky mister kaq i paarritshëm ne nuk mund të afrohemi pa kaluar nëpër Dritën që sjell Ngjallja e Krishtit. Duke mposhtur mëkatin dhe vdekjen, Jezusi «ka dhënë provën përfundimtare» se fjalët e Tij duheshin besuar një më një.

Të krishterët e parë filluan ta kremtojnë Ngjalljen e Jezusit çdo ditë të diel, kaq ishte bërë qendrore për ta. Vetëm me kalimin e shekujve të krishterët filluan ta veçojnë një të diel të posaçme në vit për ta kremtuar këtë mister të madhërueshëm në mënyrë më solemne. E kjo nuk ishte për t’ia zbehur rëndësinë të dielave të tjera, por thjesht për të organizuar liturgjinë e Kishës dhe njohjen e misterit të Krishtit përgjatë krejt vitit.

Krishti i Ngjallur është qendra e krejt vitit liturgjik, sepse prej aty mund të kuptohen, siç e thamë, edhe të gjitha të vërtetat e tjera të besimit tonë.

Leximet që dëgjuam sonte, kanë për qëllim të na bëjnë të kuptojmë se Krishti i Ngjallur është edhe qendra e krejt historisë së shëlbimit.

Leximi i parë na flet për krijimin, veprën e dashurisë së Hyjit i cili deshi t’i thërrasë në ekzistencë edhe shumë krijesa të tjera, nga më të larmishmet. E veçanërisht njeriun Hyji e krijoi në përngjasimin e vet. Me njeriun e krijuar kështu, Hyji tashmë mund t’i shikojë të gjitha krijesat dhe të gjitha i duken «shumë të mira».

Por mjerisht, liria të cilën Hyji ia kishte dhënë, nuk u përdor me përgjegjësi e dashuri nga njeriu dhe në botë hyri mëkati.

Megjithatë, Hyji nuk u tërhoq nga plani i Tij dashamir. Me zgjedhjen e popullit të Izraelit, Ai filloi sërish një histori të fuqishme dashurie me sojin njerëzor. Lirimi nga skllavëria e Egjiptit që dëgjuam, tregonte se sa për zemër e mori Hyji këtë popull, të cilit do t’i zbulohej edhe më shumë në të ardhmen.

Në leximin e tretë dëgjuam se Hyji, përmes Isaisë profet, e ftonte gjithnjë popullin e Tij që t’i afrohej e të mos jepej pas gjërave që nuk e plotësojnë njeriun: «O Ju të gjithë që jeni të etshëm, ejani tek ujët, le të vijnë gjithashtu edhe ata që s’kanë para! Bleni drithë e hani; ejani e bleni, pa para e pa pagesë, verë e qumësht! Pse t’i shpenzoni paratë në atë që s’është bukë dhe mëditjen tuaj në gjëra që nuk ngijnë?» Nuk do mend të kuptohet simbolika e fjalëve të Hyjit në këtë rast.

Hyji nuk tërhiqej nga dashuria e Tij as kur ky popull e tradhtonte me mëkate. E ftonte plot dashuri të mos i largohej, sepse e dinte se askund tjetër nuk do të gjente një burim të tillë dashurie dhe jete: «Kthehu, Jakob, e pranoje, ec drejt shkëlqimit, në dritën e tij! Mos ia jep tjetërkujt nderin tënd!» – i thoshte Hyji përmes Barukut profet.

Pak nga pak Hyji dëshironte ta përgatiste këtë popull që ta kuptonte se sa dashuria dhe pushteti i Hyjit që i është dëftuar është e pakufi. Hyji donte ta përgatiste për takimin me Birin e Tij të Ngjallur.

E prandaj Shën Pali, teolog hebre në kuptimin e plotë të fjalës, e kishte kuptuar domethënien e Vdekjes dhe Ngjalljes së Jezusit si edhe pasojat që ato kishin për të pagëzuarin: «Vëllezër, po a nuk e dini se të gjithë sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij? Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re.»

Shën Pali e kishte kuptuar se Krishti i Ngjallur ishte Drita e krejt profecive dhe Ligjeve të dhëna më parë dhe se ishte e domosdoshme që Ai tashmë të bëhej edhe qendra e jetës dhe vdekjes së të pagëzuarit. Kështu, një ditë, edhe i krishteri do të ketë pjesë në lavdinë e Ngjalljes së Krishtit.

Jeta jonë duket shpesh sikur ka pengesa të papërballueshme e është sidomos përballja me vdekjen që njeriun e bën të ndihet vërtet i pafuqishëm. Në një farë mënyrë edhe neve na vjen të themi siç thanë ato gratë që shkuan atë mëngjes të varri: «Kush do të na e rrokullisë gurin prej grykës së varrit?»

Përballë «grykës së varrit» ndihemi krejt të pafuqi, por dikush e ka rrokullisur këtë gur, dikush e ka mposhtur frikën që na fut varri dhe “gjithëpushtetësia” e rreme e tij.

Grave u shfaqet një engjëll tek varri dhe, pikërisht aty ku kishin shkuar të derdhnin lotë e të kryenin ritet e nderimit të fundit të Trupit të Jezusit, dëgjojnë fjalë shprese: «Ju mos u trembni!» Varri nuk duhej të fuste më frikën si më parë, sepse dikush e ka mposhtur vdekjen: «Ju kërkoni Jezusin prej Nazaretit, të Kryqëzuarin. Ai u ngjall, nuk është këtu! Qe vendi ku e patën vënë!» Sa bukur e sa ëmbël engjëlli po u flet për këtë ngjarje të padëgjuar më parë!

Por ja porosia që engjëlli u jep: «Shkoni dhe thoni nxënësve të tij – veçanërisht Pjetrit: Po shkon para jush në Galile. Atje do ta shihni, sikur ju pati thënë.»

«Veçanërisht Pjetrit»: Kisha, nën udhëheqjen e Pjetrit e të pasardhësve të tij, kishte tashmë këtë detyrë madhështore: t’i shpallte botës fitoren e Krishtit mbi vdekjen.

Tashmë Krishti, Ai që kishte përtërirë krijimin e rënë nga mëkati dhe që i kishte dhënë plotësimin e vet krejt Besëlidhjes së Vjetër, duhej të bëhej edhe qendra e jetës së të pagëzuarve.

Prandaj e thamë në fillim se kjo natë është bërë menjëherë, qysh në fillimet e Kishës, qendra e krejt liturgjisë së Kishës. Kjo ngaqë, me anë të liturgjisë së përvitshme, Kisha dëshiron ta ndihmojë të pagëzuarin ta kundrojë pa ndërprerje dhe sa më mirë këtë mister të madhërueshëm të Ngjalljes së Krishtit. Kështu, i krishteri duhet të rrënjoset gjithnjë e më shumë në Krishtin, i cili ka plotësisht të drejtë kur thotë: «Unë jam Ringjallja dhe Jeta.»

Gjatë gjithë jetës duhet t’ia kujtojmë vetes atë që engjëlli u tha grave atë mëngjes të lumë: «Ai u ngjall, nuk është këtu.» Jezusi nuk është i vdekur, por i gjallë në amshim: «Vdekja nuk ka më pushtet mbi të.»

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *