NËSE NUK HANI KORPIN E BIRIT TË NJERIUT E NUK PINI GJAKUN E TIJ, NUK KEMI JETË NË VETVETE

Categories HomeliPosted on

E DIELA XX GJATË VITIT

Fu 9, 1-6; Ps 34 (33); Ef 5, 1-20; Gjn 6, 51-58

Kjo është e diela e katërt që pjesa e Ungjillit shkëputet nga kapitulli i gjashtë i Ungjillit sipas Shën Gjonit. Në këtë vit, në fakt, Ungjilli që na shoqëron në të dielat gjatë vitit, është Ungjilli sipas Shën Markut, por, duke qenë se ky kapitull i Shën Gjonit flet gjatë për Eukaristinë, mesa duket Kisha e shkëput këtë vazhdimësi për disa të diela, pikërisht për të na ndihmuar të sodisim e të kuptojmë – edhe pse vegimthi – këtë mister kaq të madh siç është prania reale e Jezu Krishtit në bukën dhe verën e shuguruar, që në fakt nuk janë më bukë dhe verë, por Trupi dhe Gjaku i Jezu Krishtit dhe e tërë prania e Tij Hyjnore.

Leximet e sotme fillojnë me një pjesë të shkëputur nga Libri i Fjalëve të Urta dhe flasin për një tryezë të shtruar. Ajo që e shtron tryezën është Urtia, një personazh që ngjan më fort me një koncept, por, po të shohim pjesë të tjera të Besëlidhjes së Vjetër, do të vemë re qartë se, kur aty ku flitet për Urtinë, duket sikur po flitet për një Person. Nuk duket se po flitet për një atribut Hyjnor, por për një Person Hyjnor. Prandaj, qysh në fillimet e saj, tradita e krishterë ka parë në këtë Urti, Birin e amshuar të Atit që pastaj u bë njeri: Jezu Krishtin.

Atëherë del se ky lexim i bukur po flitka për Birin e Hyjit, për Jezusin. Kështu kuptojmë se tryeza shtrohet prej Tij.

Tani e kuptojnë bukurinë e fjalëve që vijojnë: Urtia «I dërgoi shërbëtoret e veta në qytezë, në vendet e larta për të grishur: “Kush është i papërvojë, le të vijë tek unë!” e të pamendit i çoi fjalë: “Ejani, hani bukën time, pini verën time që e kam përzier për ju!”.» Duket sikur është vetë Jezusi ai që po flet. Ai autor i shenjtë që i ka shkruar këta rreshta, sigurisht se nuk e dinte se Shpirti Shenjt po e bënte edhe atë mjet për të vazhduar përgatitjen e madhe që Hyji po i bënte Izraelit për pritjen e Birit të vet e, në këtë rast, për pranimin e pranisë së Tij në Eukaristinë e Shenjtë.

Ftesa që Urtia bën për të marrë pjesë në këtë tryezë, tregon dashurinë e madhe që Hyji ka për popullin e Vet. Është një tryezë e shtruar për festë.

Sipas gjuhës biblike, buka simbolizon forcën fizike ndërsa vera thuhet se i sjellë njeriut gëzimin dhe është pije e domosdoshme për të festuar. Hyji, pra, dëshiron të festojë me popullin e vet, dëshiron t’ia falë mëkatet dhe t’i sjellë atij harenë. Eukaristia është forca jonë, është pikërisht festa në të cilën Hyji na fton dhe është shenja e një dashurie tejet të madhe që Ai ka ndaj nesh.

Në këtë tryezë është i ftuar të gëzojë edhe i papërvoji, edhe i pamendi sepse, në fund të fundit, si mund ta kuptojmë ne dashurinë falas që Hyji ka për ne? Duke menduar se këto fjalë nënkuptojnë Eukaristinë e Shenjtë, na duhet të themi se si do të mund të arrinim ne ta kuptonim një dhuratë të tillë të Hyjit? Misterin e Saj jemi të gjithë të paaftë ta përshkojmë, askush nuk mund të thotë se ka përvojën e mjaftueshme për kuptimin e Eukaristisë. Përballë Saj jemi të gjithë të papërvojë e të “pamend”. Mund të jemi thjesht falënderues dhe mikpritës.

Se tryeza që Hyji shtron për ne është Eukaristia e Shenjtë, tregohet nga vetë fjalët e Jezusit në Ungjillin e sotëm: «Unë jam buka e jetës. (…) Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani korpin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë ne vetvete! Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim, ka jetën e pasosur.»

Sa mister i madh: marrim brenda nesh Trupin, Gjakun dhe Hyjninë e Zotit tonë Jezu Krishtit! Ata janë jeta e njeriut.

Duke shikuar shenjtërit mund ta shohim se sa e vërtetë është kjo dhe se çfarë do të thotë. Nënë Tereza thoshte: «Pa kungimin e shenjtë nuk mund të jetoj.»

Duken si fjalët më të natyrshme që duhet të shqiptojë një njeri i kushtuar Hyjit. Është e vërtetë se shprehje të tilla mund të thuhen edhe thjesht sa për t’u hequr si njerëz të devotshëm, por për Nënë Terezën nuk ishte ashtu. Këtë e tregon vetë jeta e saj. Përkushtimi i saj ndaj të varfërve ishte i pashoq. Mbase asnjëherë më parë në histori nuk është parë një ndihmë kaq e bujshme ndaj të varfërve më të varfër.

Thuhet se njëherë Nënë Terezën e akuzuan për proselitizëm (për kthim në katolicizëm të atyre që nuk dëshironin të ktheheshin, por që mund të ktheheshin nga nevoja për t’u strehuar nga ajo) dhe për këtë arsye përballë një shtëpie të sajën në Indi u mblodhën disa njerëz duke protestuar që ajo shtëpi të mbyllej. Por, kur protestuesit u futën brenda dhe panë se për ç’kategori të varfërish po përkujdesej Nënë Tereza me motrat e saja, dolën përjashta dhe nuk e vazhduan më protestën, sepse atë që ajo po bënte aty, anjëri prej protestuesve nuk do të ishte i gatshëm ta bënte.

Kjo është njëra anë. Ana tjetër është ajo që është publikuar vetëm pas vdekjes së saj: në disa letra të vetat Nënë Tereza fliste për një errësirë të madhe shpirtërore. Bëhet fjalë për atë mungesën e theksuar të ngushëllimeve të brendshme që Hyji ndonjëherë ua heq shenjtërve të Vet, edhe me periudha të gjata. Te Nënë Tereza kjo periudhë ka zgjatur për pesëdhjetë vitet e fundit të jetës së saj. Askush nuk e vinte re, as motrat e veta. Madje atyre ajo u dukej gjithnjë shumë e hareshme.

Ja pra, çfarë donte të thoshte për të «Pa kungimin e shenjtë nuk mund të jetoj.» Donte të thoshte se, mes një përkushtimi të pashoq ndaj të varfërve më të varfër dhe natës së shpirtit të saj, burim energjie, force dhe qëndrese ishte vetëm prania reale e Jezusit në Eukaristi. Brenda saj vepronte forca e Tij dhe jo e vetja. Merrte forcë nga «buka e gjallë», nga «buka e jetës»: kishte brenda vetes Korpin dhe Gjakun e Krishtit. Prandaj tek ajo – sikurse edhe tek çdo shenjt – u vërtetua fjala e sotme e Jezusit: «Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që ha mua do të jetojë për mua.» Fjalë vërtet solemne: kush merr kungimin e shenjtë – e vetëm ai – vazhdon në këtë botë misionin e Jezusit.

Por të marrësh Kungimin e Shenjtë, kërkon edhe koherencën e jetës me atë që besojmë. Përndryshe forca e Tij nuk mund të veprojë në ne, edhe nëse kungohemi.

Duke u kthyer tek leximi i parë, shohim se ky lexim përfundon me një kërkesë që duket sikur s’ka lidhje me atë që vinte më sipër. Kërkesa është: «Lëreni marrëzinë e jetoni dhe ecni udhëve të mençurisë!» Marrëzi në gjuhën biblike do të thotë të jetosh pa Zotin: «Tha i marri në zemrën e vet: “Nuk ka Perëndi!”», thotë një psalm (Ps 14, 1). Pra, në jetën tonë të përditshme nuk duhet të jetojmë sikur Hyji të mos ekzistonte.

Në radhë të parë kjo nuk nënkupton zbatimin e një serie rregulloresh, por joshjen që duhet të kemi ndaj Hyjit. I krishteri nuk është kurrë i tillë, derisa në radhë të parë të mos ndihet i joshur nga Hyji. Mbase mund të jetë shumë i përpiktë në zbatimin e moralit të krishterë, por, nëse nuk ndihet i joshur ndaj Hyjit, pra nëse nuk tërhiqet nga dashuria e Tij dhe nga mënyra e Tij e të të vepruarit, qendra e përpikmërisë që ai pretendon se ka, nuk është ende Hyji, por vetja e tij.

Edhe Shën Pali, në letrën e drejtuar Efesianëve, na thotë: «Vëllezër, vëreni me kujdes si jetoni: jo si njerëz të marrë, por si njerëz të urtë!» Edhe ai flet në këtë pjesë për verën, por në një kuptim krejt të kundërt me atë që fliste leximi i parë. Porosit: «Mos u dehin me verë, në të cilën është shfrenia, por mbushuni me Shpirtin Shenjt!» E shohim, pra, se si, kur nuk jetojmë si të urtë, si të mençur – pra sipas Shpirtit Shenjt – vera (një krijesë) mund të përdoret jo për të na sjellë harenë, të mirën dhe afrimin kah Hyji dhe bashkimin me Të në Eukaristi, por mund të jetë në dëmin tonë.

Edhe psalmi i sotëm, në një rresht të vetin, na mëson se duhet t’i largohemi së keqes: «Rrudhe gojën tënde prej së keqes, gojën tënde prej fjalëve gënjeshtare! Ik prej së keqes e bëj të mirën, kërkoje paqen e ndiqe atë!» Nuk është listë rregulloresh, por pasoja e natyrshme e dashurisë për Hyjin.

Nëse vërtet jemi falënderues ndaj pranisë së Jezusit në Eukaristinë e shenjtë, nëse vërtet dëshirojmë ta lëmë Atë të banojë në ne dhe nëse vërtet e duam, atëherë duhet të kemi kujdes që lirinë tonë të mos e përdorim keq.

Kur lirinë tonë e vëmë në adhurim e në shërbim të Eukaristisë së Shenjtë, atëherë Jezusi do të jetë realisht jeta jonë. Sikurse Jezusi, edhe ne do të jemi të dërguar në botë, në pritje që këtë prani të Tijën në ne, të mund ta shijojmë përfundimisht në lumturinë e amshuar të Parrizit.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *