HYJI QUHET “KURRË MJAFT!”

Categories FamulliaPosted on

Nga jeta e Shën Françeskut të Asizit

Një ditë, Vëlla Leoni, gjithmonë i vëmendshëm ndaj asaj që ndodhte në jetën e Atit dhe Vëllait të tij Françeskut, ndërsa ata ishin në La Verna, e dëgjoi të qante dhe, edhe pse me vështirësi, e dëgjoi të shqiptonte këto fjalë: «Dashuria nuk është e dashur. Dashuria nuk është e dashur.» Me shumë respekt, si dikush që është duke hyrë në shenjtëroren e intimitetit më të thellë të një njeriu të Zotit, Vëlla Leoni e pyeti: «Pse po qan Vëlla Françesk?»

Françesku nuk u përgjigj, por thjesht vazhdoi: «Dashuria nuk është e dashur. Dashuria nuk është e dashur.»

Vëlla Leoni, ndoshta për ta ngushëlluar, por edhe i bindur sinqerisht për atë që po i thoshte, ia ndërpreu të qarën dhe iu përgjigj: «Françesk, a nuk mendon se ke bërë mjaft për Jezusin, duke lënë babain tënd e nënën tënde dhe duke u treguar miqve të tu një të ardhme të ndritur?»

Françesku u përgjigj: «Jo, nuk mjafton.»

«Por, Francesk, – vazhdoi Leoni – a nuk keni bërë tashmë mjaft duke i hequr rrobat e tua të bukura dhe duke qëndruar lakuriq para të gjithëve, duke shkuar të lypësh përgjatë rrugëve të qytetit tënd, duke përqafuar një të gërbulur… aq sa të morën për të çmendur?»

Françesku u përgjigj sërish. «Jo, nuk është mjaft.»

Për të tretën herë, Vëlla Leoni nguli këmbë: «Françesk, a nuk janë mjaft vuajtjet që të shkaktojnë varrët që ke në mish, vuatja që të shkakton rebelimi dhe mosbindja e disa vëllezërve tanë, sëmundja e syve?»

Françesku përsëri dhe këtë herë duke brohoritur me zë të lartë, tha: «Jo, nuk është mjaft, nuk është mjaft, nuk është mjaft.»

Dhe kështu ai përfundoi: «Shkruaj dhe kujto në zemrën tënde, Vëlla Leon: HYJI QUHET “KURRË MJAFT”.»

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *